Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | ARTI I PËRKTHIMIT GOJOR

ARTI I PËRKTHIMIT GOJOR

Font size: Decrease font Enlarge font
image PROF. DR. HAJRI SHEHU

PROF. DR. ESHREF YMERI

 

ARTI I PËRKTHIMIT GOJOR

 

Këto ditë doli nga shtypi libri i profesor Eshref Ymerit, Arti i përkthimit gojor. Libri është botuar nga Intergrafika, me një shtyp mjaft estetik.

Është libri i dytë i profesor Eshrefit për përkthimin. Libri i mëparshëm, botuar më 2015, është Përkthimi, një histori pasioni. Në librin e parë (2015) trajtohen çështje të përkthimit me shkrim, pra, të letërsisë artistike e të letërsisë publicistike e informative. Libri i dytë (2018) është për përkthimin gojor. Të dy librat plotësojnë njëri-tjetrin. Tashmë, për përkthimin specialisti e kushdo tjetër, që do të dijë shumë e më shumë, ka ku të drejtohet. Nëse libri i parë është më teorik, sepse merret me teorinë e përkthimit, i dyti është edhe teorik, edhe praktik. I pari është për pedagogë e studentë të gjuhëve të huaja e për përkthyes, por edhe për gjuhëtarë – sidomos, për leksikologë e leksikografë e për ata që merren me gjuhësi të zbatuar. I dyti është për përkthyesit gojorë, thënë ndryshe, për interpretët. Por, edhe për një lexues me kulturë të lartë në punë librash, me dije e me dëshira për më shumë dije. Libri është edhe për një lexues që dëshiron të dijë më shumë për historinë botërore, sepse në rreshta e midis rreshtave flitet për udhëheqës. Dhe historinë - të mirë a të keqe e bëjnë udhëheqësit, ata që prijnë e që vendosin. Në libër ka kujtime e tregime shumë interesante nga përkthyes gojorë botërorë për momente të ndryshme përkthimi në situata shumë të rëndësishme bisedimesh e vendimesh, le të themi, Ruzvelt-Stalin-Çurçill. Në libër ka bashkëbisedime e intervista, mendime e përsiatje, ndjenja e emocione të përjetuara. 

Libri ka mbi 100 tema e nëntema. Dy recensione - njëri nga prof. Abdurrahim Myftiu, vënë si parathënie dhe tjetri nga prof. Alba Frashëri, vënë si pasthënie, e vlerësojnë shumë lart librin.

Në libër, lexuesi njeh përkthyesin e Hitlerit, të Ruzveltit, të Çurçillit, të De Golit, të Hrushovit, të Enver Hoxhës. Njeh përkthyesit e të gjithë presidentëve amerikanë. Dhe të Mao Ce Dunit, të Çu En Lait e të Ten Siao Pinit. Njeh përkthyesit e Konferencës së Paqes në Paris, të Procesit të Nurembergut, të OKB-së. Lexuesi njeh përkthyes fenomenalë, si Emil Fosani: Në moshën 77-vjeçare ai mund të përkthente në anglisht nga 27 gjuhë. 

Shumë interesante janë të dhënat për traditën e përkthimit gojor në Shqipëri pas shpalljes së Pavarësisë. Lexuesi mëson, për shembull se Patër Anton Harapi ka qenë përkthyes i Ismail Qemalit, kur është shpallur Pavarësia.

Intervistat zënë vend të veçantë në libër. Ato na duken me mjaft interes për të gjithë studentët dhe studentet e gjuhëve të huaja në vendin tonë. Në parantezë: Autori thotë se përkthimi sinkronik jepet si lëndë mësimore në të gjitha institutet e gjuhëve të huaja të botës. Ky fakt, besojmë se flet shumë për rëndësinë e tij.

Tek titulli i librit, profesor Eshrefi vë në kllapa dhe ankthet e përkthyesit. Vetë profesori ka përvojë të gjatë përkthimore – me shkrim dhe me gojë. Ai ka qenë titullar i lëndës së përkthimit në Katedrën e gjuhës ruse të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Këtë dije dhe këtë përvojë e përshfaq edhe në këta dy libra për përkthimin. Me togfjalëshin dhe ankthet e përkthimit na tërheq vëmendjen për vështirësitë dhe të papriturat e përkthimit gojor. Dhe, kësisoj, na thotë çfarë është e si duhet të jetë përkthyesi gojor. Me momente konkrete e me shembuj konkretë na e tregon këtë. Ankth - për të qenë 100% i saktë. Sepse është mesazh. Dhe është i dikujt tjetër. Ankth, për të ruajtur shpirtin energjik të punës. Sepse përkthimi gojor do forcë e energji – mendore e fizike. Ankth, sepse gabimi në përkthimin gojor është i pandreqshëm. Sidomos, sot, me mjetet e ndryshme sociale elektronike. Në libër ka një pjesë që titullohet: Gabime në përkthim. Më tej do të përmendim disa nga ato, siç i dokumenton autori.

Përkthimi, siç dihet, është shumë i hershëm. Që në Babiloni. Por ai – me shkrim e me gojë - me tërë këtë përvojë njerëzore, nuk është si një veprim inxhinierik, ku përbërësit standardë vendohen njëri pas tjetrit. Transformimet gjuhësore nuk janë paralele të përkryera si ato të matematikës. Përkthimi nuk është, thjesht zëvendësim i fjalëve të një gjuhe me fjalë të një gjuhe tjetër. Kushdo që është marrë a që merret me përkthim, e di sa iluzore është kjo. Përkthimi është shumë më shumë se zëvendësim i fjalëpërfjalshëm. Më së pari, sepse fjalët nuk janë, thjesht entitete, të prera si me thikë; sepse jo çdo fjalë mund të ketë vetëm një kuptim. Sepse, më në fund, edhe vetë gjuha nuk është, thjesht listë fjalësh. Të gjitha këto dihen e ndoshta mund të tingëllojnë, thjesht si deklarime. Por lexoni në libër atë pjesën, Gabime në përkthim, për të kuptuar domethënien e tyre. Dhe gabimet vijnë nga moszgjedhja e fjalës – nga përkthyesi, por edhe nga folësi; nga miqtë e rremë të përkthyesit (tipi magazine në anglisht / është revistë e jo magazinë, depo)etj. Dhe gabimet, - citon autori, - kanë qenë me pasoja fatale historike. Nuk po i përmendim këto pasoja, për të mos i dalë përpara kureshtjes së lexuesit.

Atëherë, përkthyes i mirë gojor është ai që i flet rrjedhshëm të dyja gjuhët – edhe gjuhën burimore, edhe gjuhën përkthimore. Por, a nuk do të ishte edhe më i mirë, po ta fliste gjuhën e huaj, edhe më rrjedhshëm se i huaji? Mund ta dish një gjuhë, por nuk mund të përkthesh, në qoftë se nuk je marrë profesionalisht me të, - konkludon autori. Dhe përmend rastin e përkthimit për Xh. Karterin në Poloni dhe të deklaratës së Ahmadinaxhadit për Jerusalemin. Dhe përkthimin me pasoja dy bombardime atomike të Japonisë më 1945. 

Për shkak të natyrës së profesionit të vet, - shkruan më tej autori i librit, prof. Eshrefi, - përkthyesi duhet të jetë i pajisur me njohuri enciklopedike nga shumë fusha të dijes, që të mos i lejojë vetes të ndodhet para situatash të papritura mosdijeje e hutimi. Njëherësh, ai duhet të studiojë me imtësi kulturën e popullit, në gjuhën e të cilit përkthen. Ai duhet të njohë mirë heronjtë e tij kombëtarë, simbolet kombëtare, datat e shënuara në historinë e tij dhe festat zyrtare.

Libri është enciklopedik. Shih, për shembull: Sipas R. Matasovit, - thotë autori, - specialistët patën llogaritur se në Procesin e Nurembergut qenë shqiptuar më shumë se 6 milionë fjalë. Kësisoj, përkthyesit sinkronistë morën pjesë më drejtpërdrejt në betejën e fjalëve. Shembulli tjetër: Shih në f. 331 çfarë ndodhi me përkthimin dhe me përkthyesin në një zonë malore në Shqipëri. Shih në faqe të tjera të librit rolin e përkthyesve gojorë në situata të papritura ligjërimore botërore, që kanë ardhur për arsye të folësve. Shih edhe letërsinë burimore – mjaft e pasur: mbi 70 vepra e punime.

Në libër vlerësohet shumë përkthyesi gojor. Ai është, vërtet shpëtimtar, vërtet hero. I ngujuar me orë të tëra në kabinën e tij të përkthimit; por edhe në tryezën e ngrënies sepse ai nuk mund të hajë si të tjerët. Ai vetëm përkthen. Ai është vetëm në pritje të fjalëve. Atëherë, respekt për përkthyesin gojor! Ai ka nevojë ta mbajë afër udhëheqësi, për të cilin përkthen. Në libër përmenden udhëheqës të tillë, udhëheqës që e kanë konsideruar përkthyesin si ndihmëtarin e tij më të afërt.

Libri ka gjuhë të shkëlqyer. Sepse vetëm kështu di të shkruajë profesor Eshrefi – pedagogu, përkthyesi dhe leksikografi ynë.

Dhe më në fund, ja disa nga veprat e tij:

Fjalor frazeologjik rusisht-shqip (autor)(2015),me 25 160 shprehje frazeologjike – i pari fjalor frazeologjik dygjuhësh me këto përmasa, model për fjalorë të tjerë frazeologjikë dygjuhësh, me shqipen si gjuhë përkthimore ose burimore.

Fjalor frazeologjik italisht-shqip (bashkautor) (1997).

Fjalor i madh frazeologjik italisht-shqip (bashkautor) (2007)

Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (bashkautor) (2002 dhe 2007)

Fjalor i termave të mbrojtjes kundërajrore (bashkautor) (1990)

Fjalor rusisht-shqip (redaktor) (2005)

Fjalor shqip-rusisht (redaktor) (2007)

Përkthimi – një histori pasioni (autor) (2015)

 

Comments (5 posted):

Noke Abilekaj on 16/09/2018 17:29:09
avatar
Nga dita e njohjes (në verën e vitit 1977) ruaj vlerësimin sipëror për dijet dhe personalitetine Prof. Eshref Ymerin. Nuk gjykoj dot për veprat e tij, por mund të dëshmoj seriozitetin e pashembullt: Në aë vit ishte duke punuar për Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip (Botimi 2015). Thuajse 40 vjet pune shkencore të përmbyllura me sukses të plotë. Urime dhe respekt!
Vilhelme vrana haxhiraj on 16/09/2018 20:23:32
avatar
Përgëzoj Prof.Dr.Hajri Shehun, për analizën profesionale të librit studimor, me tiull"Arti gojor i përkthimit",të Prof.Dr.Eshref Ymerit i sapobotuar. E falenderoj së tepërmi Prof.Shehun për dritën që ka hedhur në njohjen nga lexuesit të kësaj vepre madhore,e para e këtij lloji në kolanën e kësaj shkence që i përket linguistikës. Nuk e kam lexuar librin. Nëse do të jetë në shitje do ta blej me kënaqësi sepse për sa lexova Prof.Shehun, libri mbart vlera të mëdha, ku përfshihen përvoja shkencat gjuhësore, përdorimi i leksikologjisë apo i frazeologjisë që janë pasuri kulture për çdo krijues.
Nuk i vë në dyshim aftësitë e rralla të Prof.Dr. Eshrefit, sepse e njoh nga afër, kam bashkëpunuar e vazhdoj të punoj për shumë dorëshkrime të mijat para botimit dhe vlerësoj dijet e rralla si erudit, zotëres i gjuhës shqipe, poliglot pasi është njohës i mirë që flet dhe shkruan mirë në disa gjuhë të huaja. E pashë librin virtualisht më la përshtypjet më të mira për cilësinë e botimit.
I uroj Prof.Eshrefit, mikut të familjes sime, urimet më të mira suksese dhe së shpejti me një botim madhor sa ky dhe po aq sa "Fjalori Frazeologjik" dhe "Përkthimi një histori pasioni" botuar në shtator 2015.I takon Akademisë së shkencave dhe Ministrisë së Kulturës për vlerësimin e punës shkencore të këtij personaliteti të palodhur, i cili me punë dhe dije ka krijuar individualitetin e tij si gjuhëtar, përkthyes, pedagog, leksikolog dhe studiues, duke e futur veten në radhën e elitave të kombit.Nuk di se çfarë duhet të bëjë tjetër një intelektual i mirfilltë si Eshref Ymeri, që është ndryshe nga të tjerët, që të mos i jepet titulli "Akademik", apo Presidenti i Republikës t'i japë titullin e merituar "Mjeshtër i Madh", kurse Akademia duhet të zgjohet nga gjumi letargjik, të mos tregohet dorështrënguar dhe t'i japë titullin "Akademik". U drejtohem edhe lexuesve të tjerë që të më mbështesin,se bota nuk i ka vlerat dhe i nxjerrë nga dheu, kurse ne i kemi dhe i varrosim. Suksese Prof.Dr Eshrefi!
Fjala ime në veshë të Perëndisë, Miku Ynë! Fitim dhe Vilhelme
Vlorë- 16-9-2018
faruk myrtaj on 16/09/2018 21:12:21
avatar
Serioziteti ngrihet mbi shume kolona, dhe secila prej kolonave rremben pjese te madhe jete.
Gjuhet e huaja,tere sherbimet e lidhura me to, ishin dritare te pa-mbyllshme ne realitetet e errta shqiptare, por edhe me te nevojshme po behen ne kete bote ku permes tyre neglizhohen kufijte.
Misteri i perkthyesve nuk do mund te ndrichohet kurre, nese njeriu do vendoste te pushonte se mesuari.
Profesor Eshrefin keshtu e mbaj mend: te heshtur, ngaqe duhej te degjonte zerat e botes, per t'i kthyer ne shqip.
Them se prandaj zgjodhi mergimin e vone: te degjonte shqipen dhe fjalen e shqiptareve mes zallamahise se West-Dynjase!
Fatmir Terziu on 17/09/2018 14:35:49
avatar
Profesori i nderuar Eshref Ymeri shkon përtej të gjitha atyre vlerave që shkrimtari Ned Rorem i solli Amerikës dhe gjithë Botës se “arti i përkthimit gojor qëndron në njohjen e gjuhës, më shumë se në gjuhën që njeh”. Rorem ky fitues i Çmimit Pulitzer për një suitë orkestrale në vitin 1976 duke publikuar Ditarin e Parisit, ngjashëm ka dhënë mes nesh një dritare ku mund të shohim vlerën dhe idetë e ndjeshme të Prof dr Ymerit në një lëmi të tillëku arti flet me gojën e artit të gjuhëve. Përtej të gjithave edhe eseje adhe analiza e Prof të nderuar Hajri Shehu na bën të ndjehemi të vonuar në fjalët tona, dhe pse duhet akoma më shumë dhe më në detaj të thuhen fjalë që pa kursim kanë në thelb Planetin e Artit të Përkthimit, këtë kod dhe produkt kodik që na e jep mendja e një figure të tillë sikurse është Prof Dr Ymeri. Urimet më të mira!
S.Athanasi on 19/09/2018 13:28:14
avatar
Nga emailet e këmbyera me Prof.dr.E.Ymeri, isha në dijeni të këtij punimi shkencor mbi librin: "Arti I përkthimit gojor". Botimi I saj ngazëllen jo vetëm njerëzit e fushës dhe ekspertët e saj, por edhe të gjithë njohësit e gjuhëve të huaja. Dhe sigurisht ne miqt e shokët e letrave të autorit. Sepse, ndërsa ishte I angazhuar me një punim të tillë madhor, Prof.Eshrefi, gjënte kohën të hidhte edhe opinionin e tij mbi ndonjë tregim tonin, gjë që shpreh një përkushtim shëmbëllor. Urime autorit!
Urime gjithashtu edhe Prof.Dr.H.Shehu për analizën gjithashtu shkencore të këtij libri!
S.Athanasi.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1