Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Intimiteti poetik i Agim Matos

Intimiteti poetik i Agim Matos

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vasil Klironomi

 Intimiteti poetik i Agim Matos  

 

 Një poet intim, afron vëmendjen e lexuesit me zë të ulët. Ashtu si  me miqtë ose me njerëzit e njohur prej vitesh dhe përpiqet, të ruaj vlerat e intimitetit  me lëvizjet e duarve. 

Në poezinë e Matos, lexuesi edhe pse i shprehur në numrin njëjës, përmban brenda nocionit një numër të papërcaktuar në njerëz.  /Ke qenë ndonjëherë në ishullin e largët të utopisë?/- i drejtohet Mato, numrit të papërcaktuar-(lexuesit.) dhe nëpërmjet intimitetit, fut në program kujtesën.

Edhe pse lexuesi i sotëm e shikon poezinë si diçka të largët nga realiteti, Mato tregohet këmbëngulës. Demistifikon “vështirësitë” e poezisë, dhe përditëson  lexuesin  nëpërmjet emocionit. I jep kështu intimitetit vlerat e një komponenti dhe e përdor atë, për të ndihmuar lexuesin në asimilimin e rrëfimit. Lexuesi që ka arritur të shijoi dhe të kuptoj të “fshehtat” e  poezisë së Matos, ka shpëtuar nga modelet tradicionale të poezisë. Ky është dhe qëllimi i poezisë së Agim Matos: nëpërmjet intimitetit, t’ i  mësoj atë çka nuk di lexuesi.
Në poezitë e Matos, fjalë kyçe,  ndihmojnë aftësinë e të shprehurit dhe hapjen e mendimit në vargje. Me një  pikëçuditje pas pikëpyetjes, ka kurajën t’ i japi vargut nëntekst. /Si kishe rrojtur kaq gjatë/ në këtë haresë të pashpirt?!/- shkruan në poezinë MEA KULPA

Në vargjet e tij, nuk ka fjalë të shumëpërdorura. Agimi di si të shpëtoj fjalën nga keqtrajtimi. Në poezitë e Agimit, lidhëzat, këto fjalë shërbyese, ndihmojnë funksionin pyetës dhe e bëjnë më kërkues, njëkohësisht, justifikojnë pamundësitë.
 Menjëherëshmëria e ngrohtësisë dhe përparësia që u ka dhënë relikteve gjuhësorë,  nëpërmjet metaforave, i japin shtytje lexuesit të lexojnë poezitë njëra pas tjetrës. Kështu nëpërmjet intimitetit,lexuesi njihet me përplasjet e mëdha, që ndodhin në trurin dhe zemrën e poetit. 
Figura kryesore në poezitë e Matos, pa një emër të dytë  mbështetës, është përherë në një endje sa torturuese, aq dhe emocionuese. E torturon pyetja, kërkon pozicionin social, kërkon të dalë prej vetes, për të shpëtuar nga vet qenia e tij. /Në mos sot, nesër, do ta le këtë trup./ shkruan poeti dhe zhvishet  nga veshja e mosbesimit. A nuk është ky një lajm poetik që synon promovimin e vlerave?

Edhe pse sot poezia lexohet pak, ose më mirë nga pak njerëz, në vargjet e Matos, ruan vlerat që ka pas në shekullin e mëparshëm. Vargu i tij, i pasur dhe i stolisur me nyjëzime, me pjesëzat trajtëformuese që ndihmojnë në renditjen e mendimit dhe Sesia e ndërtimit të vargut, nxjerrin më në pah harmoninë mendim-lëvizje.  Të gjitha këto bëjnë që poezia në tërësi  të përcaktohet nga disa mbiemra. Ky është dhe arti i fjalës, ose më mirë arti i gjuhës shqipe. Fjala lajmëruese e shprehur në veçorinë leksikore të Shqipërisë së Jugut në poezinë e Agimit,( jo pa qëllim) nuk e ka fundin para një pike,  ashtu siç e kërkon gramatika, por para një pikëpyetjeje. Në vargjet e Agimit në dy fjali të bashkërenditura, fjalia e dytë shpreh një pasojë. /Por befas dëgjoheshin sëpatat/ dhe rreth e rrotull binin cifla rënkimesh./ shkruan poeti.

Mato, i dashuruar pas ngjarjeve dhe figurave të shekujve të kaluar zbret në kohë, atje ku ka ndjekur historinë nga letrat, por jo nga afër rrjedhën e jetës. Merr guximin dhe zbret për të na sjell një grusht ujë akoma dhe nga burime historike të pa shkruara. Nëpërmjet vargut epik, disa herë, kalon metrin historik për të na dhënë autentiken por në pamundësi, na ka dhënë vetëm përafruesen. Thua të jetë ky një test social që e detyroj të dalë nga rruga në kthesat e mëdha historike?! Ndoshta, se dhe Agimi, ashtu si pjesa e madhe e poetëve, nuk mund të mbetej jashtë trazirave sociale. Këto në poezinë e Agim Matos vërtet u shoqëruan me lëvizjen e duarve, por për hir të mbijetesës  u thanë me zë të lartë, kështu që, nuk mund t’ i quajmë intime. Është krejt ndryshe kur ve në funksion kujtesën, këtë ndërshtresë të çmuar midis të shkuarës dhe të tanishmes. Këtu,sesia e rrëfimit poetik në ndërveprim me karakteristikat letrare krijojnë baticën  dhe ashtu si fenomenin natyror e bëjnë krijimin jo marramendës. /Avulli i tokave të kthyera mbushte hapësirat/ si një thimjam i vërtet njerëzor./ Poeti dhe nëpërmjet këtij intimiteti na bind se edhe tani që shëndeti i tij është ligështuar, shpirti i tij krijues, është përherë në aktivitet. Poeti në madhështinë e vet.

Në përmbledhjen poetike “Kopshtet e kujtesës”, të këtij poeti, që u përkthye në gjuhën greke, përkthyesi Andrea Zarballa u përpoq dhe i qëndroi besnik qëllimit të autorit, d. m. th. edhe në përkthim, intimiteti është labirinti që të nxjerr në takimin me lexuesin. Ruajti gjithashtu ekuivalencën nga gjuha e burimit, në atë të synuar.
Në përkthimet e poezive të Agim Matos, poeti  Andrea  Zarballa, ky përkthyes me përvojë, i qëndroi besnik ideve dhe mesazheve, por po aq edhe frazës.( Kjo, nuk do se përkthimi është bërë fjalë për fjalë.)Me poezitë e Matos, shqipja është futur në gjuhën greke, sikur të ishte një dialekt i saj. Aq bukur. 

 

Vasil Klironomi

Comments (6 posted):

faruk myrtaj on 12/09/2018 17:47:36
avatar
"Në mos sot, nesër
do ta le këtë trup..."
citohet me siper Agim Mato,
krejt natyrshem, krejt njerezisht...
Besohet, ajo qe shkruhet -gjithnje sa me siper- se kolegu e miku i tij Andrea Zarballa, "ky perkthyes me pervoje, i qendroi besnik ideve dhe mesazheve, por po aq edhe frazes..."
Panatyrshem, jashte letrare, alogjike, do te tingellonte qe "me poezite e Matos, shqipja eshte futur ne gjuhen greke, sikur te ishte nje dialekt i saj."
Prirem qe ne sukese te tilla, gjuha ne te cilen kalon origjinali, ne kete rast greqishtja, ka me shume te ngjare te shembellej si dialekt i gjuhes meme te poetit, ne kete rast shqipes se Ag Matos.
Noke on 12/09/2018 18:09:08
avatar
Klironomi, ashtu siç na sjell befasi me reçencën e tij pothuajse profesionale, ka edhe përçartjet që i bashkërrinë guximit të tij prej krijuesi që i beson vetes së vet. Ç'ka nënvizuar për A. Maton, më erdhi si një fluturim i shpejtë dhe i frytshëm blete mbi livadhin me luleshumë.
Vasil Klironomi on 12/09/2018 19:36:54
avatar
Z. Faruk!
Kur hynë me librin tënd
në një gjuhë tjetër, nuk mjafton vetëm përkthimi, por dhe përshtatja dhe përshtatje do të thotë përafrim me gjuhën e lexuesit të huaj. Pra është alogjike t’i kërkosh përkthyesit , t’ i përshtatet gjuhës së autorit dhe jo lexuesit të huaj. Sa për prirjen tuaj, ajo më siguroj se nuk e njihni aspak Greqishten. Nuk doja ta besoja se edhe ju, si disa “krijues” dhe “historian” të tjerë, akoma sot, ju tërheq gjyshi nga veshi.
Për kujtesë: Gjuha Greke, ËSHTË TREMIJË E PESËQIND VJET E SHKRUAR.
Atëherë, si shëmbëllen si dialekt i gjuhës sonë?!
faruk myrtaj on 12/09/2018 22:40:06
avatar
Prej mosdijes se Gjuheve vijne jo pak keqkuptime, Vasil. Une nuk e njoh fare greqishten. Dhe nuk di as moshen relative te fqinjave ballkanike. Nuk me hyn ne bisede mosha e tyre. (Mosha e gjyshave, natyrisht na ndih...)
Une e mendoj keshtu: Nese vjen Kavafis apo nobelistet e tjere greke ne Shqip, po, shqipja do duhet te shembellej si dialekt i gjuhes se origjinalit, me tere aresyet qe permendet ju.
Meqe ishte fjala per Maton, them se greqishtes se Andreas (nuk e kam fjalen fare te greqishtja e vjeter, se ne po peruronim nje liber qe shkel kufirin per dashuri) do'i ishte e udhes te ngjasonte me Gjuhen e Veriut...
Thjesht qe Mato te arrinte i teri ne anen tjeter te Jonit!
Pra, as qe mund te shkoja ndermend te sugjeroja perkthyesin, per ne teper kur njihet gheresisht edhe si krijues i cmuar.
Vasil Klironomi on 14/09/2018 19:51:00
avatar
Të faleminderit për vlerësimin e recensionin o Noke! Një vlerësim që të të them të drejtën, më dha krah. Përçartjet e mia që më vure në dukje ku i ndeshe? Unë di se përçartja i përket njerëzve që kanë humbur vetëdijen, i përket njerëzve me tru të sëmurë, ose të njerëzve me ethe.
Unë cilit grup i përkas? Nuk kuptoj gjithashtu se cili është shkaku të cilësohem si i tillë. Të kujtohet? Në një komentin tënd, më konkretisht, unë për mos vëmendje, ngatërrova shprehjen me shprehinë. Ma vure në dukje dhe të kërkova të falur publikisht. Lexoje recensionin me vëmendje të lutem shumë dhe reago!
Noke on 16/09/2018 17:42:22
avatar
Vasil, kam një recensë për Ardi Stefën: Përçartje rreth librit të përçartjeve". Sigurisht, atje jam shtjelluar dhe përcillet mesazhi i qartë: Vetëm poetët mund të futen brenda kësaj "kalaje". Në rastin konkret: Mendova se i ke bërë dëm recensës tënde për MATON kur gjuhën e tij poetike e ke ngushtuar në dialekt të përkthyesit. Sipas konceptit tim, kjo vendosje e zbeh vlerën e krijuesit. Nuk gjej vend të krahasoj gjuhët e dy kombeve POR të krijuesit dhe të përkthyesit. Shëndet!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1