Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Eva braktis Edenin

Eva braktis Edenin

Font size: Decrease font Enlarge font
image Faruk Myrtaj

Faruk Myrtaj

Eva braktis Edenin

Eva dhe Adami, jo vetem Eva...

Aleko Likaj nuk se merr përsipër të kthehet në Fillimet e Njeriut, qoftë edhe pa zënë n'goje Mëkatin Fillestar, kafshimin fshehtazi të frytit të mollës, që në orvajtje të të tjera filozofike bëjmë ta kundrojmë edhe si frut të Pemës së Dijes. Nëse do ndodhte ashtu ai mbase do shtyhej t’I quante të dy personazhet e prozës së tij Eva dhe Adam. Likaj merr përsipër ta mbaj Evën dhe të merret me Adamin Adem. Pavarsisht trajtave kulturore, madje pavarsisht leximeve të tjetërllojshme, autori i zbret Vetat e tij në tokë dhe ia ofron si të tillë lexuesit të tij të mundshëm.

Adem Muça e shtynë Evën e tij, Eva M. drejt mëkatit. Ai ka pamje tjetër publike, punon diku në zyrat e Pushtetit (të Politikës në Pushtet monopartiak adreson autori, duke e vendosur ngjarjen në një situatë e frymëmarrje të caktuar, deri në atë shkallë sa aty dalin emra faktikë kryeministrash e sekretarë partish!), është në të vërtetë i përkushtuar ndaj Dukjes, thirret deri në zyrat atje lart, por kur zbret poshtë, në jetën private, në familje, Ademi zvogëlohet pothuajse dhimbshëm: i kërkon gruas së vetë ta bëj baba me tjetërkënd. Është dashuria që nuk e lë të ndahet nga kjo grua të cilën s’e bën dot nënë? Është sedra mashkullor-ite që nuk pranon asnjë plasaritje në kullën e autoritetit të njeriut me karrierë? Është jeta për hir të opinionit, syrit të të tjerëve, që e zbret këtë lartësi nën nivelin e detit?!

Aleko Likaj rrëfen ngjarjen pa mëdyshje: shko me dikë që nuk na njeh, që nuk do mund të na marrë n’goje, me dikë që nuk pengon ngjitjen lart. Merret vesh, nuk është aq e kollajtë ta derdhësh tërë ylberin e kësaj gjendjeje njerëzore. Njeriu është përdit në dilema morale, dhe jo gjithnjë i zgjidh ato në favor të moralit. As edhe të moralit të predikuar të ditës, por edhe më rrallë të moralit njerëzor.

Eva, në pamjen e parë reziston në mbetjen brenda kopshtit të dashurisë tradicionale, në emër të dashurisë qoftë edhe pa frytet e saj, Eva provon të mbetet krijesa për të, por duket se nuk arrin të artikulohet. Nuk gjen dot, në atë mjedis, në atë shoqëri, dikë që do t’i sugjeronte qëndrim më të qartë, më të vetes, më dashuror, më prej nënëe të ardhme, të një gruaje që e shtyjnë drejt bërjes nënë duke humbur vetinë e gruas në kurorë. Lexuesi e sheh të jepet, të dorëzohet, pa pyetur shumë të asaj çfarë do të vijonte si pasojë, Eva nuk refuzon dot deri në fund...Gjen një person krejt të rastësishëm dhe e bënë baba të fëmijës për të shfaqur baba burrin e saj...

Zërat nga jashtë shtëpie u vijnë si të huaj: të tërë pyesin siç pyesin të gjithë, sikur t’i dijnë përgjigjet që do marrin, dhe në të vërtetë ashtu ndodhë. Nuk është vetëm Shteti në këtë roman në hall: është deri edhe celula atje poshtë. Kryeministri që merret ngoje nga turmat që në fund të romanit dalin në rrugë e marrin detet, duket sikur rron diku tjetër. Nuk e bën dot kryeministrin, sic Adem ...nuk e bën dot babain. Kërkon të marrin hua diku tjetër, por për ta bërë këtë duhet ndërruar Kushtetuta: nderi i Familjes.

Një zë, që do përkonte me pozicionimin e hershëm të Evës do mund t’i sugjeronte të pyeste dhe të mbrohej në emër të dashurisë. Do mund ta kërkonte qysh në krye provën e dashurisë. Kopshti i Edentit, si metaforë, qëndron tek bindja, tek devocioni, tek frytet e ndaluara: Nëse më do, nëse duhemi, le të vazhdojmë. Nuk ka Eden me mollë të kafshuar...

Autori nuk mbetet këtu. Si përshkrues i mjediseve një për një të asaj kohe e psikologjie, ai e shtyn subjektin deri në shterim: jeta për njeriun, si mëkatar, fillon me kafshimin e mollës. Eva, duke u rrekur të mbetet edhe më tej Evë, partnere e Adamit Adem, psonisë babain e fëmijës së saj, me gjasme e falur nga që mëkatin, tradhëtinë bashkëshortore, e bën për hir të Familjes!

Në sy të Botës, të Opinionit të Kohës aq mëkatar, qoftë edhe prej pavetëdijes apo mosdijes, duket sikur të gjitha janë në rregull: Një çift na harmoni, u shtuan edhe me një djalë, urimet s’mbarojnë. Vjehrra dhe nëna dhe kunetërit e kunatat, janë më në fund të lumtur. Por edhe ata të zyrave, hohorasin si gjithnjë pa shkak, edhe pse nuk do bëhen kurrë të zot të pranojnë se rënia e madhe, gjer shtetërore ka marrë rrokopujën.

Në situatë groteske, humbasin të gjitha, gjer edhe linja e subjektit të parë.

Personazhet kryesorë rrezikohen të dy nga sëmundje të liga. Evës, sipas mjekut, i duhet një lindje tjetër, për të shpëtuar jetën e saj biologjike. Nuk është më Eva e parë, Eva e Dashurisë, madje as Eva e dytë, që e la Kopshtin e Edenit vetëm për pak, sa të kënaqte egon e burrit. Tashmë ajo nuk arrin dot të bëhet as Eva Muça, formalisht, si bashkëjetuese. Vihet në udhën e odisesë për të gjetur njeriun rastësor që i huajti embrionin e fëmijës...Një fëmijë i dytë. Mëkat për çfarë?! Dashuria nuk është më. Familja si vjegë ka vdekur njëherazi me këtë version të dytë mëmësie, edhe pse me të njëjtin mashkull.

“Zgjodha jetën”, shprehet ajo, kur e kundërta e Jetës nuk është Vdekja fizike. Tashmë e ka humbur simpatinë prej lexuesit. Ndërkaq ka rënë edhe shteti, nuk e mban dot më këmbë vetëm gjyqtari i caktuar për Divorcin e kërkuar nga “shoku Adem” ndaj gruas së vetë, është shfaqur opozita, edhe ajo e përfoilur, njeriu po e braktisë Kopshtin...Atdheun e tij dhe po çan detin me iluzionin për ta kërkuar lumturinë diku tjetër...

Eva shfaqet duke u ngjitur në një skaf, po aq rastësisht si sëmundjet ndërmjetës për skafin është babai biologjik i fëmijëve, që nuk ikën dot se...ai ka familjen e tij, në sy të opinionit dhe të lexuesit e respektuar, por e tëra është false. Ademi nuk e ka as këtë shanc: i ndjerë i tradhëtuar, kësaj here pa Lejen e Tij, ndërron jetë, gjithnjë prej sëmunjdes së ligë. Vdes edhe fizikisht.

Eva M, ajo e jetës, jo e Biblës, merr rrugët e botës, me dy fëmijë. Zoti e ndihtë...

Autori nuk merr përsipër asgjë më. Ky libër është mbyllur.


Comments (2 posted):

Fatmir Terziu on 07/09/2018 16:29:30
avatar
E përshëndes Farukun dhe Lekon për këtë arsye të ndalesës dypaëshe. Urime i dashur Leko dhe mjaft goditur Faruk. Një analizë e qartë dhe e bukur. Leko di te beje art ne shkrimin e tij. Suksese!
thani naqo on 07/09/2018 18:42:54
avatar
Aleko Likaj është shkrimtar cilësor sepse, në këto kohë të vështira të grafomanisë, ai dallon për art letrar, Ai, Alerko Likaj, di të shkruajë thjesht dhe me leksik të pasur e rredhshëm prozën letrare. Përveç këtyre, Likaj di të triblojë stilin gazetaresk dhe çfarë teme të përzgjedhë për ta shkruar. Përshëndes edhe shkrimtarin Faruk Myrtaj që analizon këtë roman me këndvështrim të veçantë, pasi edhe tematika është sa delikate aq dhe e veçantë. Ka erdhur koha që syri kritik dhe përzgjedhja kritike të drejtohet ndaj emrave të krijuesve që dinë të shkruajnë letërsi që mbetet...Ja kështu janë këto punët e të shkruarit letërsi, o Fatmir Terziu dhe të përshëndes edhe ty me këtë rast, por dhe të rikujtoj si mik i vjetër i letrave shqipe, si analist i kompletuar për letërsinë, se sytë e krijuesve bashkëkohorë janë kthyer nga Londra...Ç'ta zgjat komentin? Mjafton kaq për të tre emrat që përmenda pak më lart.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1