Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Me rastin e promovimit të librit “Psycho”

Me rastin e promovimit të librit “Psycho”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Besim Perjuci

Shkruan Besim Perjuci


Me rastin e promovimit të librit “Psycho”/ roman/, botuar më 2017, në edicion të Shtëpisë botuese”Artini”Prishtinë, autor Ilir Muharremi

Mendim i angazhuar në aspektin psikologjik

/Vepër me shumë brumë e ardhje artistike shumëdimensionale, që prek thellë indin shoqëror nivelesh të ndryshme, me nuanca psikoanalitike, pa limite kohore/

Fjalën time dua ta filloj me një thënie të bukur të shkrimtarit libanez Kahlil Gibran: “Dashuria asgjë s’fal veç vetvetes dhe nga askush gjë s’merr përveçe prej vetvetes”. E fillova kështu, sepse edhe romani “Psycho”prek temën e madhe të njeriut.     

            Me të lexuar romanin “Psycho, me shijen e pasionit tim, u ndjeva borxhli ndaj këtij krijuesi për t’i thënë disa fjalë, të cilat do t’më çlironin nga kjo shtrëngesë rastësore.

Supozimi se nxjerrja e temave nga aspekti psikologjik, i cili në tërë spektrin tekstual dominon përpjekja e angazhuar për ta dekoduar mendimin filozofik, që shtrohet si parakusht i një gjykimi të artikuluar me invencion e që kapin rrjedhën e ngjarjeve, të cilat në dukje të parë, shihen si të thjeshta, tolerante e sipërfaqësore, por në të vërtetë i tërë materiali romaneskë përmban në vete kompleksitetin shumëdimensional të një psikoanalize që kapërthehet me përditshmërinë e njeriut, poashtu të thjeshtë e të heshtur, për shkak të rrethanave të krijuara, me të cilat duhet të ekzistojë për mbijetesë.

Andaj, autori Muharremi, përpiqet ta zbret ngjarrjen nga abstraktja dhe ta shtrojë në rrafshin tokësor.

Strkturalisht romani ka një shtrirje formatike të tillë pa ndonjë ndarje e nëndarje, tema e nëntema, ndonëse ka prerje të theksuara, megjithatë një i tërësishëm mbetet, duke u kategorializuar në konceptin e vetëm “psycho”, si konceptin bazë ideotematik që trajtohet. Në këtë lëmsh mendimesh udhëton autori Muharremi për ta sfiduar imagjinatën e lexuesit si oponentin  e vet më të besueshëm.

Skena kompozicionale është e vendosur aty ku frekuentohet çdo ditë dhe në dukje është statike, me lëvizje të lokalizuara, ku loja me fjalë eruptive vullkanizohet për të shpërthyer me logjikën e përmallimit për vendlindjen dhe për gjithçka që kësaj kohe i mungon, qoftë edhe morali apo etika e ndërgjegjësimit njerëzor.

Drama kolektive, si paranojë, mban peng ndërgjegjën njerëzore

Dhe ai, sikur bartë në vetvete, në vetëdijen e tij, të shkuarën e deformuar, të çakorduar, me plotë trille e gabime si dhe frikën si emocion i brendshëm që mund të rigjallërohet në vazhdim, por që e tashmja të mos rrënohet, të mos ndodhë ajo që të huton, ajo që pushtetin e ndërgjegjës ta mban peng, që dhembja me tepricat e saja të mos bëhen bashkëudhëtarë të së sotmës, që ngjarjet të mos frekuentojnë permes vibracioneve që shqetësojnë e pikëllojnë, duke e etabluar në ndonjë rreth vicioz ku psika kolektive mund të dhunohet e shkatërrohet tërësisht.

Ai ironizon me gjendjen e tanishme. Rebelohet jo rastësisht e pa qëllim, me vetëdije apo pa te, kundër individëve qëllimkëqinj, pushtave fodull, puthadorëve e pushtetmbajtësve, sahanlëpirësve e fadexhinjve, kolltukofagëve hipokrit e faqezinjve psikopatëve e maniakëve, sadistëve e kanibalëve, paranoikëve e abuzuesve. Në këtë udhëtim autori e lakuriqëson vertikalen njeri dhe drejtpeshimin e ndërgjegjës njerëzore.

Hapi tjetër mund të jetë edhe vetëvrasja, si akti më ligë i tragjikës njerëzore që arrinë kulmin e “vetkënaqësisë” sepse “vrima”siç e quan autori, e unë do t’ja shtoja edhe mbiemrin “e zezë”, kërkon viktimën e saj. Humb realitetin e kohës, neglizhohet dhe ndahet përjetësisht nga realja për të udhëtuar drejt të padukshmës dhe të panjohurës. Atëherë ndodh ajo që s’duhet të ndodhë, rrëzimi i trungut në horizontalen e

mentalitetit të acaruar. Me fjalë tjera kafshohet koha bashkë me qenien njeri të shndërruar tashmë në bishë të egërsuar për vetveten.

Në momente të caktuara autori shpërthen emocionalisht, madje edhe jashtë proporcioneve mendore të lejuara se, e tashmja po ndodhë sot. Dhe drama kolektive njerëzore, në kontekstin e saj të gjerë, si paranojë mjerisht po ndodhë.

Tragjikja, me dramën e vet intrigohet nga misterët e padukshme, të priviligjuara në mendjen e njeriut e për t’u kthyer në sociografemë të nuancuar me ëndrra iluzore, gati të fosilizuara, që sedimentohen brendapërbrenda shpirtit të ikur diku larg, në pritje të riinkarnimit të saj në materie krejtësisht tjetër gjithsesi.

Rhonda Byrne, në librin e saj”Sekreti” thotë:” Mendimet bëhen gjëra”, janë këto tri fjalë, të cilat e ushqejnë, do të thosha edhe mendimin krijues të autorit Muharremi, i përqendruar në transmetimin e gjithçkaje që funksionon si kërkesë substanciale shpirtërore mjaftueshëm për ta zbuluar shkakun dhe pasojen në botën që jetojmë.

Storiet rrëfimtare të shpalosur përjetojnë kapërcime të mëdha e të vogla për ta kapë kuptimin e tërësisë me logjikën e mendimit dialogues, si tregim brenda tregimit për ta përmbushë e plotësuar librin me gjëra të intimës shpirtërore emocionale, ku iluzionet e shpresës dhe të pashpresës gërshetohen mes vete, duke iu referuar edhe pjesës së padukshme mbase edhe të pakëndshme në rrjedhë të rrëfimit.

Imagjinata e bujshme e magazinuar në sfondin hapësinor të memoriastikës së autorit, do të fokusohet edhe në gjeografin e atdheut të prekur nga fatkeqësitë dhe pafuqia që të dilet nga ky labirinth shkatërrimtar.

Njeriu qendër e mendimit dhe e veprimit

Kërkesa për t’u divorcuar nga lakmia, si e keqja më e madhe, do të përsëritet shumë herë, përmes mini dhe metarrëfimeve, duke i thirrë un-it që sundohet nga ndërgjegja e vertikalës njeri. Pra, njeriu mbetet qendra e mendimit dhe e veprimit në këtë rrafsh.

Nga ana tjetër, autori posedon shkathtësi e aftësi mendore për t’i vendosë gjërat në tablo jete të theksuara shpeshherë si biografema personale që thurin pjesë autobigrafike me imazhe përcjellëse të natyrës me besueshmëri të plotë.

Reciprociteti midis dijeve absolute dhe relevante mbi botën njerëzore, kapin të dytën, si mbështetje e ndryshimeve, poashtu relevante, sepse asgjë nuk është e përfunduar. E pakufishmja dhe e pakuptimta edhe sot mbretëron midis nesh. Edhe e sigurta mbetet e pasigurtë në epokën tonë. A duhet të gëzohemi apo të pajtohemi me këtë?-thotë autori. Përgjigjen e gjejmë tek pedanteria e tij: as të gëzohemi, as të pajtohemi. Fatkeqësitë shikojnë larg dhe mbesin dëshmi e dhimbjes. Letërnjoftim nuk kanë. Fatkeqësitë duhet shkarkuar nga vetëdija.

Ja pra, autori Muharremi preferon ndryshimin e gjendjes ekzistuese, sepse kjo e tanishmja e lodhur, të sjellë buzë një gremine shkatërruese, ku njeriu ngushëllimin e vetëm e gjenë në gotën e mbushur të zbrazur, të zbrazur të mbushur patjetër.

Autori, në një mënyrë e pranon se është i rrethuar nga heshtja dhe shumçka tjetër e hijesuar, prandaj me pyetje-përgjigjet e veta, të gjata e të shkurtra, tenton të gjejë rrugëdalje nga kjo gjendje sakaq misterioze dhe tejet e rënduar. Përderisa zemërimin e ka

të strehuar diku në vetvete, në thellësi të diçkajes që s’mund të shpjegohet dhe të cilën nuk dëshiron ta ndajë me askënd.

 

Njeriu i medaljeve të mëdha harrohet në historinë e ngjarjeve

Autori me dhimbje emocionale, por me sinqeritet respekti e shëtit nëpër tërë romanin njeriun e medaljeve të mëdha, i cili dalëngadalë harrohet në historinë e ngjarjeve dhe në vdekjen e fitoreve të mëdha. Statuj e heshtur në gjeografinë tone. Edhe heshtja thotë diçka për të heshturit dhe sikur pa dashtë përsëritet ajo thënia e madhe: “i vdekur i gjallë, i gjallë i vdekur”. Kështu është tmerri i kësaj bote lavire, do të thotë autori.

Personazhi është i dëshpëruar dhe i dëmtuar. Ka miqësi me gotën që zbrazë, duke evokuar dhe reflektuar ngjarje epizodike, herë me emocione që tejkalojnë balancën shpirtërore, herë duke iu nënshtruar shfrenimit të çastit, madje me nuanca mendore e shkujdesjeje serioze dhe të një paranoje fillestare pa e konsultuar fare vetëdijen.

Ai preferon të ikë nga realiteti duke e harruar esencën e qenies njeri edhe përtej deficitit mendor. Tek atëherë kur viktimizohet do të fitojë epitetin humanist, kur të tjerët veç e kanë harruar. Mbase kjo më asocion në boksierin e njohur Bashkim Kosova te “Dosja e hapur” e Buxhovit apo të ai kosovari i nënkampionit olimpik.

Llafos shumë për femra e gra të martuara apo të pamartuara. Kjo fare nuk i bën përshtypje. Lidhjet i bën aty për aty, kurse lojën e dashurisë e ka për qejfi pa e zgjedhur kohën as vendin. Avanturist i llojit të vet. Skeptik  për lidhje të gjata miqësore. Vizitor i rregullt i shtëpive publike dhe i prostitutave. Egoist dhe egocentrik me tepri. Shpeshherë  luan rolin e sadistit.

Megjithatë, çdo rrëfim i shpalosur ka profilin e personazhit të vet. Janë pa identitet, pa emër e mbiemër, pa vendin dhe datën e lindjes. Mbahen, si të thuash, tepër sekret, andaj edhe s’duhet pare ndryshe. Kaq. Këto pak tipare ia qendisin karakterin e personazhit të prezantuar në romanin e zhanrit triller“Psycho” të Muharremit.

Prandaj, në këtë dimension shpirtëror dhe abstraksion mendor, mendja e personazhit qendron e mjegulluar, e shkapërdedhur dhe e pakontrolluar.

Trinomi: personazhi- narratori-vetmitari, identifikohet me vet autorin, i cili preferon vetminë, pijën, këngën dhe shpirtin që i kupton fijet e jetës dhe gëllenjkën e fundit të pijes si pikë referente të humbur në iluzione shurdhuese dhe të heshtura.

Ai e akuzon njeriun. Por edhe e arsyeton. Po kënd e akuzon, denoncon e shpif;- njeriun apo ligjet e natyrës? Njeriun për gabimet e veta e arsyeton ndërsa ligjet e natyrës thotë janë të barabartë, veprojnë si për të dënuarin ashtu edhe për atë që ka kamxhikun dhe dënon. Jeton me bindjen se është për gjithçka i pafajshëm, duke shtuar se: ”Kam dëshirë që zëri im të jehojë gjer në veshët e Zotit sepse vetë ai është i pafajshëm”Pra, gjykatësi je ti, i gjykuari je poashtu ti! Qe të dy janë të pafajshëm, qe të dy janë materie që do të shuhen.

Autori Muharremi ka rezervuar mjaftueshëm kohën e tij për të nxjerrë detajet më të përimtësuara të përditshmërisë sonë dhe të jetës shoqërore, nëpërmjet një analize të gjithëanshme të ngjarjeve situative, me të cilat kacafytet e tanishmja e këtij nënqielli, herë duke ia shtuar shpresat, herë duke ia errëtësuar madje dhe mbijetesën që s’mund të kapërdihet vetëm me thjeshtësinë e fjalëve, sepse drama njerëzore endet në psikën kolektive si bashkëudhëtare nëpër levat e historisë sonë.

Në këtë pellg mendimesh dimensionohet vetëdija me melmesat e alegorizmit kohor, nëpër të cilën kalon shoqëria miope, e shurdhër dhe e destinuar të paguaj haraç të lartë për gjendjen në të cilën është katandisur, dhe natyrisht për të marrë formën e narracionit rrëfimtar si gjykim ironik i shoqërisë së sotme dhe botës e cila bën sehir.

Bota po rrëshqet drejt humnerës, njerëzimi po e humb drejtpeshimin ekuilibrues. E tashmja po helmohet, po kancerizohet, kurse e ardhmja nuk po shihet askund sepse ate nuk e njohim.

Të gjitha këto do të shenohen e përjetësohen si ëndrra halucinante dhe si rezultat i fortifikimit të vetëdijes e cila patjetër do të prodhojë keqintepretime ndaj realitetit.

Monologët i ka të gjata, pa rivalitet dhe të përshkuara me minirrëfime karshi dialogeve për të cilat merr përgjigje lakonike.

Gjuha që përdor autori, në dukje të pare mendohet se është me nuanca vullgariteti, por kur lexohet mire e me kujdes na del si gjuhë e përditësisë dhe e mentalitetit tone, nëpërmjet të cilës janë zbërthyer shumë detaje të botës enigmatike.Thjeshtë një gjuhë  me frazeologji të artikuluar dhe sintaksë të nivelit gjuhësor të qëlluar gjithsesi. Autori Muharremi, gjithë këtë shkarje halucinative, të prezantuar përmes një analize psikologjike, ka arritë ta shndërrojë në art, në letërsi dhe në diçka të bukur.

Dhe krejt në fund” t’i shmangësh anktheve e maktheve e të shpëtosh nga fshehtësitë e mëdha dhe misterët e heshtura të kësaj bote, është mençuri, intelegjencë dhe forcë. E ky trinom rri tek secili prej nesh” thotë Ekhart Tole, në bestselerin e tij”Një tokë e re”.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1