Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | PASQYRIM I DRITËSHPIRTIT DHE I VLERAVE NJERËZORE

PASQYRIM I DRITËSHPIRTIT DHE I VLERAVE NJERËZORE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qazim D. Shehu

PASQYRIM I DRITËSHPIRTIT DHE I VLERAVE NJERËZORE

Vështrim rreth librit të 19-të “Krahë përmallimi” 

(i trembëdhjeti poetik) të poetit të mirënjohur Qazim D. Shehu

 

Sigurisht që kur nis e pasqyron veçoritë e një libri të ri, studiuesi ndjehet sikur është përpara një provimi tepër të vështirë. Krahas kënaqësisë e detyrimit shpirtëror është dhe pesha e rëndë në mendje e zemër përpara kësaj “galerie” të thellë me plot minerale të çmuara. Kështu më ka ndodhur herë pas here kur kam rilexuar botimet e poetit të talentuar nga Kostenja e Çermenikës, Qazim D. Shehu.

Kam patur fatin e kënaqësinë që ta studioj në vijimësinë e kohës krijimtarinë e pasur e të larmishme të tij, si në fushën e poezisë, tregimit, publicistikës dhe asaj studimore. Jo vetëm pedagog i kompletuar e pasionant, por dhe poet mjeshtër, virtuoz, pasqyrues i dritëshpirtit dhe i vlerave njerëzore. Libri i fundit poetik “Krahë përmallimi”, prej 140 faqesh me 158 poezi, përbën një vlerë të shtuar për letërsinë tonë, një dritare zemre për lexuesit, një dëshmi për provat në jetë. Si të thuash, bën diagnozën e karaktereve, ndriçon aty ku sot shpërfaqet errësira e mendjes, depërton thellë, thjeshtë e bukur te rrënjët e shpirtit të njeriut. E them me zemër në dorë, me plot bindje e realizëm, se Qazim D. Shehu është një poet e tregimtar mjeshtër, shkruan me frymëzim e përgjegjësi, e njeh mirë jetën, dukuritë shoqërore dhe si një kirurg i talentuar përdor bisturinë e mprehtë për të operuar aty ku i dhemb shoqërisë. 

Me të drejtë, i madhi dhe i paharruari Dritero Agolli, në vitin 1973, kur Qazimi ishte nxënës në 8-vjeçare, i botoi një cikël në gazetën “Drita” duke vlerësuar talentin dhe të ardhmen e tij. Dhe fakti kështu doli. Ajo që njohu dhe shkroi Agolli, gjeniu i kombit dhe i brezave tanë, bleroi, u rrit dhe rrezaton…

        

Libri poetik “Krahë përmallimi”, botim i vitit 2018, na jep me plotësi dritëshpirtin njerëzor, përbën një shpërthim të ri, një stinë jete me plot lule, të cilat japin secila aromën e këndshme. Poeti Shehu është sa i thjeshtë, aq dhe i madhërishëm, sa popullor aq dhe modern, sa i dukshëm, aq dhe enigmatik, sa filozof dhe i thellë, aq dhe i kuptueshëm e tërheqës në vargjet e librit më të ri “Krahë përmallimi”. Mesazhi për jetën dhe dashurinë, për vlerat e njeriut, dilemat e kohës, kontrastet jetësore e mbi të gjitha pesha dhe bukuria e karakterit, e fjalës shpërfaqen nëpërmjet gjetjeve e figurave artistike të larmishme:

Me fllade zjarresh ledhatare

dashuria s’lidhet fare,

vuajtjen fsheh dhe ta jep

djep bosh pa fëmijë në djep. (“Vuajtjet e dashurisë”, strofa 1)

Nëpërmjet vargjeve të poetit Qazim D. Shehu gëlon jeta, rrezaton mendja e shpirti njerëzor, shpërfaqen vlera, lartësohet ajo që i vlen shoqërisë, njeriut, ecjes në jetë:

Ballë i djersitur,

lumturi e pa arritur,

rrëfim mundimesh të mëdha,

trëndafil që s’deshi me u tha… (“Ballë i njeriut”, strofa 1)

Me vargje “të montuara” prej thellësisë së shpirtit me përshkrime poetike, me fjalë të gdhendura e figura të larmishme, poeti Shehu zbërthen thjeshtë e bukur dukuritë, shpërfaq zjarre dashurie, shkulme malli. Te secila poezi e librit “Krahë përmallimi” gjen një detaj jete, një dritë që rrezaton, sikur ndëgjon melodi që të frymëzojnë, sikur vëren stinët e bukura të vitit. Vargje që të venë në mendim, të japin kënaqësi e dritë, të flasin me mjeshtërinë, thjeshtësinë e mbi të gjitha me gjuhën e përmallimit.

Sot kur në vendin tonë shkruhen mjaft poezi e botohen libra, (bukuri, por dhe përgjegjësi) është vështirë të realizosh krijimtari tërheqëse, të arrirë, siç ndodh me poezitë e librit “Krahë përmallimi”. Autori na sjell në mendje lashtësinë, por godet në shenjë tek e sotmja, ku i dhemb shoqërisë sonë:

Vijë e horizontit trojan,

damarë tradhëtie i kokolepsur,

shpejt nga tapeti iku pa nam

dhe u strehua në shpatën e mprehur… (“Klitemnestra”, strofa 2)

Malli njerëzor, ky zall i dashurisë, ky fllad që të mban gjallë, sikur shpërthen te çdo poezi e këtij libri. Poeti Shehu është vërtetë mjeshtër i fjalës, një skalitës i talentuar në gjetjet e figurave e mbi të gjitha njohjes dhe pasqyrimit të dritës së shpirtit. Poezia e këtij libri sikur na thërret: O njerëz, ta mësoni punën, ta doni jetën, ta doni njeri-tjetrin, atdheun, vlerat, nusërinë

Kozmopolitët më të çmendur,

rrahëgjoksit më të mëdhenj,

pas botës ku u endën

rikthehen në atdhe… (“Itaka”, strofa 3)

Në vargjet e poezive të këtij libri me vlerë të tërheqin figurat e metaforës, simbolet, krahasimet, përshkrimet poetike, te të cilat shpërfaqen kontrastet, aludimet, paralelizmat, apostrofi, anafora e plot të tjera. Libri mbart vlera të çmuara në drejtim të pasqyrimit të gjetjeve të reja me figura, fjalë e grupe fjalësh, të cilat na japin plot ide, mesazhe dhe enigma: hije gjaku, lëkurë vetuese, flokët e verdhëremë, veshë hapsirash, këmbëtrokitur mbi binarë, lahutojnë fjalime, shkrumbe pritjesh, çaste përvëluese, stërkonsumuar në dashuri, nepërka quk, njeriu nduk etj. 

Autori Shehu e njeh dhe e vlerëson fjalën, peshën dhe bukurinë e saj, ndaj vargjet u ngjajnë bedenave, herë-herë flladeve, shkulmeve të zalleve dhe të rrëmbejnë me bukuritë, epizmin dhe lirizmin e tyre. Vargje ku gërshetohen epoka, kohëra, vargje që flasin me “gjuhën e zogjve”, vargje që na bëjnë t’i vemë gishtin kokës, ta ngrejmë e çojmë përpara të renë, pa harruar traditat. Te poezia “Epikë urbane” poeti nëpërmjet kontrastit dhe aludimit të sinqertë na jep mesazhe jete, krenarie, por dhe godet në shenjë, thërret e kërkon:

Lahuta në shekuj kumboi

kur trimat niseshin me u vra,

lahutarët e lashtë të këngës

përkulur mbi ‘të sokëllinë,

tani në një cep legjende

humbasin, s’dinë ku rrinë… (“Epikë urbane”, strofa 1)

Sarkazma dhe ironia e poetit Shehu godet. Ai lartëson vlerat që rrezatojnë, por na jep dhe paralelizmin demaskues nëpërmjet vargut “lahutojnë fjalime pushtetarësh”:

Camaj thotë pushon në tra,

Fishta gdhend oqean me vargje,

nëse dikush duhet me u vra,

lahutojnë fjalime pushtetarësh… (“Epikë urbane”, strofa 3)

Në kohën tonë të re, në kohën e lirisë pa fre, pa karare e ligje të zbatuara, ku njerëzit në të shumtën e herës e humbasin fillin, poeti godet nëpërmjet poezisë “Bosh”:

Orare me thirrje bosh,

kafeneve me tym, një sarahosh

cigaren shkund mbi tavolinë,

përjetim pa zell,

pa urdhër vjen mbrëmja,

gunëdhirtë të mbështjell.

 

Mendon ç’prite, ç’erdh

veç një flakë nëpër gjeth,

shkrumb pritjesh hedh… (“Bosh”, strofa 3, 4)

Libri “Krahë përmallimi” ka një tematikë të gjërë, ku autori krahas pasqyrimit të jetës në udhëtim, krahas gjetjeve interesante e mjeshtërore, na jep si në pëllëmbë të dorës të sotmen, dukuritë, vlerat dhe antivlerat. Pra, realizon me qartësi dritëshpirtin njerëzor, futet thellë në përjetimet e zemrave, rrok atë që herë-herë nuk e shikon syri, nuk e ndjen pushtetari, nuk e vëren shoqëria. Autori Shehu është i kuptueshëm, shkruan me thjeshtësi, por brenda saj janë tonet filozofike, janë dukuritë, jeta, mbi të gjitha njeriu me të mirat dhe të këqiat e veta. 

Çdo lexues e studiues te poezitë e poetit Shehu sikur gjen vetveten, por dhe mëson shumë se si rëndojnë veset, se si bleron dashuria, se si të jep krah mirësia, besimi, urtësia, përmallimi, drejtësia e mbi të gjitha dituria e vënë në shërbim të familjes, shoqërisë dhe atdheut. Të bëjnë të meditosh thellë poezitë “Ky diell”, “Violina”, “Lumturia”, “Retorika”, “Para bukurisë”, “Limfa”, “Zbatica”, “Stoli”, “Urbane”, “Mikroborgjezi”, “Diell parajsor”, “Shqipëria” e plot të tjera, që na shpërfaqin jetën, vlerën e fjalës, rrezatimin e dritës së shpirtit, udhët e ecjes përpara. Poezia e Shehut është flakadan dritëshumë, poezi frymëzuese, realiste, mjeshtërore, sa epiko-lirike aq edhe kritike. Te poezia “Poeti dhe politikani” del qartë ajo që thotë populli gjerman: “Poetët ndërtojnë kombin, kurse politikanët e shkatërrojnë”:

Mendja më shkon tek ai,

atij i vjen tek unë,

njeri-tjetrin pa qetësi

shikojmë dhe urrejmë kaq shumë… (“Poeti dhe politikani”, strofa 3) 

Një libër që i flet kohës, poezi të shkruara me frymëzim e stil original, vargje me ngarkesë emocionale, që na shpërfaqin bukuritë dhe vështirësitë e jetës, vlerat e dashurisë e të fjalës. E them pa mëdyshje, se ky libër është ndër më të arrirët në botimet e kohëve të fundit, një vlerë e shtuar për letërsinë tonë, për lexuesit, studiuesit e brezat tanë. Ky libër, krahas të tjerave, pasqyron me mjeshtëri dhe art, realizëm e frymëzim dritshpirtin dhe vlerat njerëzore. Urime Qazim D. Shehu, bir i Kostenjës e Çermenikës qëndrestare e bujare!

Mevlud Buci

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1