Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Skica letrare dhe ndikimi i tyre në sjelljen e formimin shpirtëror të njerëzve

Skica letrare dhe ndikimi i tyre në sjelljen e formimin shpirtëror të njerëzve

Font size: Decrease font Enlarge font
image Lejla Gorishti me autoren Vivra gjatë redaktimit

 

             Analizë e librit“Simfoni shpirti, të shkrimtares, Vilhelme Vranari Haxhiraj

 

Me një tjetër gjini letrare, gjithë sqimë e finesë, sharmë e delikatesë shfaqet sot para lexuesit, shkrimtarja e mirënjonur, fituese e mbi 20 çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, "Mjeshtre e Madhe e Penës", Vilhelme Vranari Haxhiraj, me atë të skicës letrare.
Lëvruesit e skicës letrare janë disi më të pakët në numër, për faktin se kjo gjini letrare do një mendje dhe një zemër të ndjeshme, do përkushtim dhe botë të pasur shpirtërore, do teknikë ligjërimi dhe një gjuhë të pasur poetike, do ngjyrim letrar të fjalës së përdorur me mjeshtëri artistike.
Skica letrare është një krijim që kërkon aftësi të shprehjes në shkallën më të lartë poetike.
Skicat letrare të Vilhelmes, shquhen për tematikën e gjerë aktuale shtjelluar me  origjinalitet dhe realizëm.
 

   Realiteti përballë natyrës megjepsëse 

 

   Për nga forca e shprehjes, ritmi energjik i frazës, shumë nga këto skica kanë harmoninë e brendshme të një prozë poetike. Autorja ndjen një dhembje të tmerrshme nga përulja e njeriut "njeri", por ajo i shkon të vërtetës deri në fund, e nxjerrë të vertetën lakuriq, sepse ajo kështu bëhet tronditëse dhe vepruese.
".... Ndoshta ti eksplorues i thënieve të pathëna, i ngjarjeve të patreguara, i historive të mohuara, i ndodhive të harruara apo të shtrembëruara, do të gjesh gjak të pafajshëm ngjizur mizorisht e pazgjidhshmërisht në ato mure....Këta mure janë fasada që fshehin realitetin, apo janë sytë që e kanë parë të vërtetën që ngelet e heshtur dhe memece si këto masa inerte gurësh pa fund. Ka diçka tjetër më rrëqethëse në këté heshtje varri..." ( "Fasadë madhështie." fq 29-30)

Në këtë përmbledhje me skica  letrare nuk mungojnë skicat kushtuar bukurisë natyrore kushtuar vendlindjes apo krahinave të tjera te Shqipërise siç janë skicat :
"Vetëm blu"
"Atje jetojnë zanat"
"Stinët e qytetit tim" ...etj.
Skica këto, që dëshmojnë për mjeshtëri të lartë në pikësimin e bukurisë natyrore, për ndjeshmëri të thellë e shije të hollë në përshkrime.( "Vetëm blu " fq 68- 69)

     Perlën e paçmuar përrallore autorja e ka quajtur "Vendin ku kanë folenë Perënditë"
Ndërsa te skica letrare "Atje jetojnë zanat", kemi një kuadër ku dora e piktorit ka hequr pak penelata, po me nuanca nga më të hollat. Është një pikturë me fjalë të magjishme, ku përshkruhet gjithë ndjesi romantike adhurimi i natyrës sa lirike aq dhe madhështore e atdheut.
".....Para syve iu shpalos një pamje magjepsëse. Duke nisur nga Jezerca në qendër, kurrizet malore në formë rrezesh, mbuluar me borë, të ndara nga lugina të gjelbëruara me pyje ahu dhe pishe, ngjasonin me palat e një fustani kurore gjigand. Veçse ata, Alpet kishin formën e një zane , mbuluar me vello nusërie....
"A nuk kam të drejtë të krenohem për këtë vend me një bukuri të rrallë, që është parajsa e trojeve të mija?!"

Kjo bukuri e rrallë natyrore nuk ka se si të ndahet nga një bukuri e ndjenjë e fortë shpirtërore.
Te skica "Dashuri, simbol përjetësie",autorja përshkruan njeriun që ia kushtoi tërë jetën artit dhe shkencës e që tashmë lutej për të fundmit herë: "...Një pikë ujë, vetëm një pikë ujë dua të më shuhet zjarrmi në buzët e zhuritura ..." 
  Ishte në  buzë të varrit, kur shprehu ndjesitë e tij për një dashuri të pamundur, pengëlënëse. Njeriu i madhërishëm sjellë ndër mend çastet me të cilat janë lidhur kujtimet e tij të përmalluara për vashën e zemrës. Pasioni i këtij Njeriu të Madh, është një mall i dëlirë e i pashuar. Optimizmi, ngazëllimi, janë notat mbizotëruese të kësaj skice letrare erotike. Ndaj dashuria ngelet e madhërishme, e pavdekshme dhe e pakrahasueshme me asnjë dashuri tjeter. Dashuria është e fuqishme, jetëdhënëse, burim i ndjenjave fisnike. Ajo e qeton shpirtin dhe në shtratin  e vdekjes.
   " Mes arsyes dhe logjikës" Vranari, nxjerrë në pah mospërputhjen e realiteteve. Koncepti i së mirës,  si normë etike dhe si shije e bukur dhe e embël bëhet e pakapërdishme dhe logjikisht e gabuar për mentalitetin e kohës. Ajo guxon përsëri të fshikullojë si dhe shumë herë të tjera me forcën e fjalës së saj. Në çdo lëvizje e në çdo fjalë, në çdo arsye e në çdo logjikë, lexuesi do të prekë shenjën e një barbarie të rëndë shoqërore. Fakte të vërteta që arrijnë në zhgënjime të njëpasnjëshme, në kriza besimi në se një ditë do të qytetërohemi. "Shpresa dhe e ardhmja janë fëmijët....Së paku, fëmijët dhe ata që më njohin, do të më vlerësojnë....."
Ky është rezultati i një plugimi të gjatë midis arsyes dhe logjikës.

   Mesazhet e autores për realitetin që jetojmë

 

 Me zemrën e lënduar nga plagët e vjetra dhe të reja, flet Vranari për të këqijat që e kanë goditur "njeriun artist".
  Atmosferë plumb, në të cilën gjallis çdo artist, cilido qoftë; poet, aktor, piktor, skulptor, këngëtar, kërcimtar, kudo dhe kurdo do të jetonte ferrin vetëm për të thënë një fjalë të lirë pa marrë parasysh pasojat, jepet mes antitezash nga më tronditëse.Kjo pamje të kall në shpirt dhembje dhe mëri.
"Kur digjet shpirti, tymoset mendja." (fq106)
 

  “...Kemi qenë...a s'kemi qenë ndonjëherë...?!
Kemi parë....,a s'kemi parë gjë?!
Kemi gëzuar ..., a s'kemi gëzuar ndonjë çast?!
Kemi qeshur..., a s'kemi qeshur vallë?!
Thamë..., po vallë ç'gjë kemi thënë të mbarë?!
Jemi..., a s'jemi sot të gjallē...?!
Bëmë...,por a bëmë ndonjë gjë me vlerë...?!
Atëhere më thoni, se çfarë sollëm në këtë jetë...?!
Një botë kotësie përballë ekzistencës...”


Kjo gjendje  e hedh poeten në një çast dëshpërimi dhe këlthet me një zë të fuqishëm: "M'u dogj shpirti si zjarr....!

Është ky mesazhi gjithëpërfshirës i skicave letrare të Vranarit. Është ky potenciali i fuqisë së saj si krijuese për të treguar drejtimin në të cilin duhet ecur, për të qënë çfarë duhet dhe jo pré e vesit, e fodullëkut, e vetëlëvdatës, por qënie ndershmërisht e aryeshme, fytyrë e punës dhe e dijes së urtë. 
Ajo që vlen të vihet re, në skicat letrare të Vranarit, eshtë fakti se ky lloj mesazhi që i përket këtij realiteti është vjelur si një mësim i përvojës së saj, mohuar prej vitesh. Vranari  kërkon të plugojë mendjet dhe të mbjellë të renë.
 

Gjuha poetike moderne bashkëvepron me formën dhe përmbajtjen

 

     Fjala e autores  është guxim, guxim qytetar, pa frikë dhe pa mëdyshje.
Në mënyrën e shprehjes së mendimit, te Vranari shohim një gjuhë poetike moderne ku ndiehet bashkëveprim midis formes dhe përmbajtjes.Në skicat letrare të Vranarit duket qartë se jo vetëm faktet reale për të cilat shkruan kanë vlerë, po efekti, që ato prodhojnë në vetvete dhe që transmeton te lexuesi është akoma më me vlerë. Në këto skica përveç shkurtësisë gjen dhe shumë figura stilistikore që tregojnë qartë modelet simboliste nga janë nisur. Tekstet e tyre tepër të figurshme (pasthirmat, inversioni, metaforat, krahasimet, similitudat, shkallëzimi artistik,pyetja retorike, përsëritjet e mbi të gjitha epitetet), ligjërimi në vetën e parë, ndërthurrja e fjalisë së gjatë me atë të shkurtër, transmentojne përjetime shpesh përgjërimtare të dashurisë dhe jo më rrallë mendime ngazëlluese, filozofike dhe estetike.
Si për të mbyllur kornizën e këtij libri, apo ndoshta si sentencë për lexuesin, autorja Vrana Haxhiraj, në ballinën e pasme ka vendosur poezinë mjaft domethënëse, me titull:

 

Puhizë magjepsëse   

 Nën lajka puhize,

magjepsur nga brishtësia dhe

hijeshia e dorës nazike të natyrës,

tërë ëndje dhe elegancë,

më tundon aroma dehëse,

shpërndarë tejendanë... 

Më josh buzëqeshja e saj,

si syth' i sapodalë... 

Më  bën të ëndërroj, 

atë puthjen e parë e të ëmbël

si në ekstazë..., i ngashëryer ndiej...

sikur mrekullia ndodhet aty pranë! 

Puhiza ledhatare,brerorja kryelartë, 

më shndrit mbi krye si kurorë e artë, 

pas shpine,krahët papritur ftillohen 

e puplat e bardha hapen ngadalë.

Çuditërisht...vetja papritur e pakujtuar, 

më duket si kryeengjëll në përrallë. 

Kasollja e lojërave fëmijënore...

më duket si kopshtparajsë,

kurse  guri i qelqtë në unazën e gishtit

shndërrohet në rubin, perlë e margaritar.

Eh, ç’kënaqësi...ndjej,

kur uji në bardhakun e lashtë

merr shijen e verës,

si në akuarium merr formë e trajtë, 

si bulëza vese shndrisin të pashkelurin bar!

Oh, ne...,sa të mjerë..., jemi ne,
sa pak, ose aspak e njohim vetveten...!

Gjithandej bota e panjohur

copëza parajse na dhuron,

çdo çast na përshfaqen e gëlojnë

 para syve dhe botës sonë.

Ndërsa ne, ndër horizonte kërkojmë,

atje larg në hapësirë, në hava,

ku veç labirinte të errëta ka ...

aty, ku asgjësi e boshësi gjetëm,  

papërfillshëm pamë dhe aty mbetën! 

                                                  Vivra


L.Gorishti -Redaktorja e librit

Comments (1 posted):

Guri Naimit D. on 08/07/2018 19:23:57
avatar
Bukur;Manushaqia me Menekshene,
Dine c'mbrekulli te licojne.
Njera dore lan tjetren;
Lejla Gorishti,pasqyron te verteten.
Faleminderit Vivra,Lejla Gorishtit
Dhene majane,gjithcka tenden.
Dhene lrxuesit,fine eksperience,
Ne te rralla ESE,mes penave.

Toronto 08-07-2018 Guri Naimit D..

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1