Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | NUK KAM GUXIM TA LEXOJ DERI NË FUND!

NUK KAM GUXIM TA LEXOJ DERI NË FUND!

Font size: Decrease font Enlarge font
image “Prapaskenat e konferencës së Londrës”. Libër i autorit Nuri Dragoj

Kadri Tarelli

NUK KAM GUXIM TA LEXOJ DERI NË FUND!

“Prapaskenat e konferencës së Londrës”. Libër i autorit Nuri Dragoj

Titulli i shkrimit, nuk është gjetje letrare e bukur, por një ndjesi që provova që në faqet e para të librit “Prapaskenat e konferencës së Londrës”, me autor Nuri Dragoj. Unë e lexova deri në fund, duke bindur veten dhe të tjerët ta lexojnë, pasi mësojnë shumë, duke u njohur me të vërtetat e hidhura të historisë, të cilat po na ndjekin edhe sot.

Libri në vetvete është një përmbledhje me përmbajtje historike, sepse bën fjalë për vitet 1912-1913, kur u krijua dhe u njoh shteti shqiptar. Pikërisht, kur nga të “mëdhenjtë” e Europës, u ngul thika e padrejtësisë, duke lënë jashtë trungut të shtetit të ri, 2/3 e territorit të banuar nga shqiptarë, për t’ua dhënë fqinjëve fitues, të “Luftës Ballkanike”.

Duke qenë i diplomuar për histori, e fillova leximin me përtesë, sepse mendoja, se i njihja shumicën e ngjarjeve mbi problemin shqiptar, në bisedat dhe marrëveshjet e dipllomacisë Europiane të kohës. Qenkam gabuar, sepse nuk ma merrte mendja, që burrat e shtetit të fuqive të mëdha, që drejtonin fatet e Europës, në emër të “Drejtësisë universale”, të silleshin e të suleshin aq mizorisht, ndaj një kombi që kërkonte liri dhe pavarësi, siç ishte kombi shqiptar. Nuk e pranoja në vetëdijen time, që të ishin aq cinik dhe pa asnjë parim moral e njerëzor, aq sa të vjen ndot të mendosh për ata burra hijerëndë, që mburren me atë çka bënë, disa edhe duke u qurravitur, se medemek u rrezikohej karrigia dhe posti zyrtar. E pa besueshme ta besosh, por kështu thonë letrat, dokumentet me bisedat e tyre, të pasqyruara aq vërtetësisht në këtë libër.

Mjeshtërisht autori, i shmanget komenteve, duke ia lënë lexuesit të nxjerrë përfundime. Ai u kujdes vetëm të bëjë lidhjen mes kapitujve. Të gjitha ngjarjet zhvillohen në një kohë të shkurtër të historisë, si në një komedi tragjike, që përmblidhet në këto pak fjalë. “Në të gjitha momentet e ekzistencës së vet, Shqipëria i ngjante  një fëmije, të cilin e rrihnin çdo ditë, por nuk e linin të qante. Edhe në çastin kur po bëhej gati të fliste, fqinjët po përgatiteshin t’i prisnin gjuhën, mbas e edhe kokën”, vëren autori. 

Ambasadorët në pamje seriozë, tallen me fatet e popujve të tjerë, konkretisht të kombit shqiptar dhe trojeve të tij shekullor, pa ndjerë aspak pendesë, për çka bënin dhe ç’pasoja i linin kohës. Gjithçka në shërbim të vetes dhe shpërblim të fqinjëve grabitqar, që mjeshtërisht i mbulonin zullumet e tyre me idenë, se po marrin trojet e perandorisë Turke. Aq e vërtetë është, sa cilido nga ne do të qeshë hidhur me fjalët e shkrimtarit Ilir Zhiti, kur shkruan: “E kush i kupton dhimbjet e pulës kur e rrjepin, as vuajtjet e popullit, s`mund t`i kuptojnë ata që e rrjepin”. 

Vetë ndarja e trojeve shqiptare në pesë shtete, nuk le vend për diskutim. Ndoshta është rasti më unik në historinë e botës, që një shtet të kufizohet me popullin vet, siç është shteti shqiptar. Edhe kur dikush nga ambasadorët kërkon, që shteti i ri që po krijohet, nuk mund të jetojë pa territore prodhuese, pa fusha ku prodhohet buka, interesat e të mëdhenjve, nuk i përfillën nevojat e të vegjëlve. Askush nuk çuditet me këtë mësim të historisë, që bie ndesh me parimet që shiten si flori i kulluar, natyrisht për të pafuqishmit dhe për ata, që nuk dinë nga t’ia mbajnë, apo që nuk kanë mbështetje.

            Tekstet e historisë, që përdorojnë nxënësit dhe studentët, natyrisht e pasqyrojnë këtë periudhë, si zakonisht ftohtë dhe pa ndjesi, ashtu siç është historia, duke përmbledhur shkurt ngjarjet dhe përfundimet e tyre. Por lexuesi, në faqet e këtij libri, do të ndeshet me pazare të fëlliqura, ku secili i bie gozhdës dhe lodrës së vet, aq sa edhe bisedat bëhen të neveritshme, pavarësisht se askush nga përfaqësuesit pjesëmarrës në konferencë, nuk u mërzit dhe as nuk u shqetësua. Si mund të gjykojmë fjalët e ministrit të jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Eduard Grey, drejtuesi i konferencës, kur shprehet: “Unë jam mjaft i ndërgjegjshëm që, kur të bëhet i njohur i gjithi, ai në shumë pika do të jetë i hapet për shumë kritika...... Çështja e parë thelbësore, ishte të ruhej mirëkuptimi midis vetë Fuqive të Mëdha....”. Si u thanë aq qetësisht ato fjalë, kur dihen pasojat, që ende i vuan kombi shqiptar? Me të drejtë autori në një kapitull më vete, të gjithë atë prapaskenë të fëlliqur e quan: “Konferencë e dhunës, jo e paqes”. 

Cilido lexues bën natyrshëm pyetjen: Mos vallë u pastrua shpirti nga mëkati i padrejtësisë? Kjo është shprehja më e “Pafajshme”, për të na thënë se, të mëdhenjtë gabojnë dhe mund të kritikohen, por që përjashtojnë veten nga faji dhe ndëshkimi, që s’mund t’ia jepte kush? Nga të gjitha këto, ka të drejtë autori, kur thekson: “Shqipëria mbeti plagë e Ballkanit, që ende rrjedh gjak”.

Njerëzit e thjeshtë, sidomos ata që nuk merren me politikë dhe ca më pak me diplomaci, duke harruar se gabimet e të mëdhenjve shndërrohen në tragjedi për të vegjlit, mendojnë se, kokat e mëdha i parashikojnë ngjarjet, për t’u dalë para të papriturave. E vërteta që mësohet në këtë libër, na tregon se zgjidhja e pazareve, jo gjithmonë shkon në këtë hulli, sidomos kur brenda ka padrejtësi. U desh shtatë muaj biseda, intriga, telefonata, lajka, takime të ngushta e të zgjeruara, për të arritur në vendimin përfundimtar, krijimin të shtetit shqiptar, ashtu të zvogëluar mizorisht. U desh më shumë kohë më pas, për të caktuar kufijtë. Kjo është një histori më vete, po kaq tinëzare, mizore, e trishtë dhe e pabesë, që po zgjat edhe pas më shumë se një shekull. 

Në libër gjejmë edhe momente qetësie, si të thuash limane pa dallgë. Aty autori nuk kursehet të japë edhe disa mbresa e përshtypje nga takimet dhe vizitat në disa vende të botës, ku natyrisht janë pleksur pjesë të historisë shqiptare. Bie fjala, në Prishtinë, Shkup, Janinë, Bukuresht, Londër, pikërisht në sallën muze, ku u mbajt Konferenca e Ambasadorëve, etj, etj.

Në vorbullën e intrigave të përfaqësuesve të botës, shpesh ndodhen e dhe personalitete, luftëtarë, atdhetarë dhe njerëz me ndikim në mjedisin shqiptar. Edhe ata kanë dritë-hijet e tyre, që hynë në çmendurinë e luftës, pa një busull dhe qendër drejtuese. Është e pa mundur të mendosh, që edhe ne shqiptarët të mos kemi fajet dhe mëkatet tona. Çoroditja është aleatja e armikut. 

Autori, me shumë finesë, i sjell librit pak ngrohtësi, duke vendosur në të, krahas personaliteteve historike, edhe emra e figura të njohura, që e kanë thënë fjalën e tyre, pavarësisht se nuk janë pjesë e vendimmarrjes politike. Këtu gjen vend “Zonja e Inglizit” Edit Durham. Më tej, gruaja e Aleksandër Moisiut, Johana Terwin ka një ngjarje që të befason. Jo pak ngacmuese është një ndodhi e vetë Moisiut tonë, i cili në vitet 1912-1913, po korrte sukses të jashtëzakonshëm me dramën “Fedja”. Një rus, zyrtar i Ministrisë së Kulturës, e pyet për origjinën: 

- Jam shqiptar, - tha thjesht Moisiu. Zyrtari rus ngriu dhe nuk bëri asnjë lëvizje. Por pas pak i tha: 

- Shqipëria nuk është akoma shtet dhe nuk dihet çfarë do të jetë.  

- E kini gabim, - i’ u aktori ynë. – Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të botës. Unë luaj në skenat tuaja tani për tani, për shkak se atje nuk ka salla teatrosh.

Në faqet e fundit gjejmë një tjetër rrëfenjë. Krajewski, në ato vite përfaqësues francez i KNK (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit), pati një takim me Liljanën përmetare. Biseda ishte e ftohtë. Krajewski i thotë: - “Tolstoi thotë, se njeriu nuk është kurrë i pafajshëm për fatkeqësitë e veta........” 

Liliana përgjigjet: - Kjo është barbari. Ju i hidhni njerëzit në det, për t’i mbytur dhe pastaj thoni: “Vetë e kishte fajin, që nuk dinte not”.

Në fund të librit, çdo kush bën pyetje: Mirë Europa, mbase pak na do, po ne shqiptarët a e duam vendin tonë? Sa seriozë jemi në sjelljet ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve? Pse jemi të përçarë mes vedit? 

Pas një shekulli, u çlirua dhe u mëvetsua Kosova. U ndreq diçka nga gabimet e historisë, megjithatë jo plotësisht. Me ç’shohim dhe ç’dëgjojmë, edhe sot e gjithë ditën, pazaret ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk kanë sosur. Urojmë që të jenë të dobishme dhe pa dhimbje. Kufijtë ende nuk janë zgjidhur përfundimisht. Dikur fajësuam të tjetër, mbase kishim të drejtë. Po sot, kush na e ka fajin? Përsëri të tjerët? Po ne, ku jemi dhe ç’po bëjmë? 

Comments (2 posted):

Guri Naimit D. on 01/07/2018 13:14:59
avatar
Une mezi pres,te lexoj PENEN tuaj,per me ter me sillni,penen e mikuttim Nuri Dragoi,Ju,Vellai te ndierit Ytbi,qe s'me harroet,mes tokes Kanadez krah femijve te tij jeojme,mik i nderuar.
Rrofshi dhe e kujtofshi sa shkrimet tuaja mos pushofshin.
Guri Naimit D.
viron kona on 02/07/2018 07:14:38
avatar
I nderuar Kadri!
E ke shkruar bukur artikullin,madje eshte edhe emocionues dhe te perfshin brenda tij. Bota ende nuk eshte e qyteteruar dhe civilizuar, ndonese ne po perpiqemi te shkojme revan pas saj. Doemos, mire bejme, se nuk do te ndahemi, sepse i pame sec na gjeti kur u mbyllem ne "kullen" tone. Por mendoj se nuk eshte e drejte qe ne vetem te shajme dhe te nxime veten, mendoj se kjo eshte e padrejte, sepse ajo bote qe levdojme aq shume, dikur na ka bere cope-cope, ne menyren me te pameshirshme dhe anti humane, anti njerezore. Madje, as qe ka ditur per hallet e nje populli qe dikur i eshte gjendur asaj ne veshtiresi. Ne u jemi mirenjohes per te mirat qe na kane bere, po ata?! Cfare mirenjohje tregojne kur jemi edhe ne qe i kemi ndihmuar, here njerin dhe here tjetrin ne kohe te veshtira?
Pse jemi ne te keq, kur jane fuqite e medha qe na kane copetuar? Kur jemi i vetmi vend qe kufizohemi me vellezerit tane? Cdo te benin ata ne rrethanat tona? Ate qe e kerkojne per vete, perse nuk ja japin edhe nje populli martir si Shqiperia e lashte?
Urojme qe edhe bota te behet me e mire me ne, dhe, ne me te mire me njeri-tjetrin.
Faleminderit per emocionin ty, dhe, akoma me shume Nuri Dragoit, qe ka shkruar librin, nje skaner te vertete.
Urime te dy,
Me respekt,
Viron Kona

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1