Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Këndim i fuqishëm poetik dhe pesha e rrugëtimit jetësor...

Këndim i fuqishëm poetik dhe pesha e rrugëtimit jetësor...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Hasan Hasanramaj

Libra të rinj: Doli nga shtypi libri me poezi “Peizazh i jetës sime” të  shkrimtarit Sejdi Berisha

 

 

 Ballina e libri më i ri me poezi   me titullin “Peizazh i jetës sime”.

Këndim i fuqishëm poetik dhe pesha e rrugëtimit jetësor...

 

Hasan Hasanramaj

 

Jetën ta shndërrosh në varg dhe pastaj asaj t’i japësh peshën e rrugëtimit jetësor mbase edhe historik, është një madhështi krijuese, e cila, jo vetëm se josh lexuesin dhe opinionin studiues për ta zbardhur dhe komentuar fenomenin e këndimit më fuqishëm dhe më me përkushtim, padyshim se këtë e hasim tek libri më i ri me poezi dhe i tridhjetë e nënti me radhë i Sejdi Berishes, me titullin “Peizazh i jetës sime”, që para pak kohësh doli nga shtypi. Ky krijues, në këtë vepër ka prezantuar pikërisht peizazh jete, nën lëkurën e të cilit lëvizë dhe “vizatohet” si hartë këndimi, e këndimi s’është gjë tjetër veçse ndijimi i thektë shpirtëror për trakullimat e jetës, të cilat përmes mallit, kujtimit, revoltës dhe lumturisë reflektojnë mesazhin jo vetëm kulturor dhe poetik, por edhe historike dhe filozofik. Këtë konstatim sikur tërësisht e dëshmojnë dy poezitë; ajo “Unë dhe Zef Srembe në Brazil” dhe, “Me Migjenin në Pukë dhe në Tore Peliçe”; e para në fillim të librit dhe tjetra pothuaj përmbyll librin “Peizazh i jetës sime”, kapërthejnë tërë atë zjarrminë përbrenda librit për atë “konglomeratin” e përplasjeve, të dhembjes, mallit e lumturisë, të pritjeve e zhgënjimeve nga më të ndryshmet, e të cilat, kur lexuesi e shprush mirë, e që secili varg e bën për vete, të gjitha këto, sa mirë, bindshëm dhe fortë korrespondojnë në mes vete.

 

Vargjet që jetën e bëjnë edhe këngë dhe histori

 

Shkrimtari dhe publicisti, në këtë vepër, që në fillim, me vargjet: “Fjala lëndon edhe tokën e, toka sa shumë plagë ka...!”, edhe na tërheq vërejtjen për peshën e rrugëtimit jetësor, por edhe na shtron gjithashtu një rrugë të veçantë të përgjegjësisë jetësore, gjë e cila, lexuesin e shoqëron deri në fund me njerëzoren dhe me përjetësinë e gjërave që e bëjnë historinë, pa marrë parasysh periudhat apo edhe krajatat e jetës, që duken dhe janë kolorit dhembjesh të jetës së njeriut. Në poezinë “Unë dhe Zef Serembe në Brazil...”: “Sot/Ama pikërisht sot/ I nisëm unë e Zef Serembe” Më tha ku do vemi /Nisemi e ku të mbërrijmë i thash/Sërish ecëm si ai dikur  / Këmbë / Prej Italie trup e trup /Deri në Spanjë/ Aty u ndalem pak /Pushuam  /Do kujtime /Duke evokuar për dashurinë /E, tash po e di ku do shkojmë /Mallin dhe kujtimin/ Do m’i vësh barrë gjer në Brazil /Të dy u skuqëm u përlotëm /Para se të katrrisemi në anije. Bëmë “selfie” për kujtim...”, ose: “Gjatë e shikova /Dhe sikur nga trupi /Hoqa plotë letra me shkrola /I hedha në det /Dhe vetëm qaja me sy të etur /Thash vet më vete se çfarë bëra/ Edhe unë bëra si Ti dikur 0, Sef Serembe.../Ia shtrëngova dorën duke i thënë: /Ecim tani sërish këmbë/Se kur të mbërrijmë në vend /Do ta shkruaj një këngë /Pas asnjë kuptim /Por vetëm të gjelbëruar/Me atë kripën e kripës /U nisëm të përqafuar /Nuk di a mbërrimë diku /Apo ngelëm në udhëtim/Unë dhe Zef Serembe...”!

A nuk është kjo një tablo e historisë së dashurisë, e cila ka djegur e përcëlluar shpirtra për shumë arsye, për shumë shkaqe, dhe se rrugëtimi, sado i gjatë të jetë edhe tej oqeaneve, ai, nuk ka kuptim dhe as sikur nuk ekziston!

Ky “imponim” peizazhi bëhet tani peshë edhe e lexuesit, i cili nuk ndahet dot nga libri pa i analizuar të gjitha karakteristikat, madhështitë dhe ngjyrat e jetës, që padyshim se janë pjesë e ngrohtë, apo ushqim shpirti, me të cilin dot nuk ngopesh asnjëherë dhe as kurrë.

Ndërsa, poezia “Me Migjenin në Pukë dhe në Tore Peliçe”, është “deserti” i një teme të dhembshme, e cila njeriut tonë kurrë nuk i është ç’kapur: varfëria, pozita sociale, e cila nëpër kohëra e shekuj e ka katandisur njeriun e tokës arbërore nëpër shumë vende gjithandej botës, por e ka lodhur e rënduar edhe përbrenda atdheut. Edhe me këtë temë, autori e madhështon krijimtarinë e vetë letrare, por edhe e përjetëson historinë e hidhur por krenare të kombit: “Lëre biçikletën /Sot po shkojmë këmbë /Edhe në Pukë/Edhe në Tore Peliçe /Kur t’i afrohem shkollës /Kujdes/Se nxënësit nga malli do të djegin /Si sëmundja e mushkërive /Kaluam maleve edhe shkurreve /Edhe në atë rrugën /Që mirë i kujtohej /Kur i mblidhte nxënësit  /Si zogjtë në plim /Kujdes o mësues i vargjeve të lira /Se nëse edhe tash ke dhembje /Ato vitet tuaja dëm do të shkaktojnë /E sërish do shkruash vargje të reja /Me zjarr e me hidhërim /Edhe për bukën /Edhe për mësimin /Por edhe për Lulin e Vocërr/Që tash shumë janë bërë /E ai Luli yt i dikurshëm /Tek dera e shkollës do na pres /Me tullumbat e tij-krenari”!

 

Dhembja, lumturia dhe dëlirësia është vetë njeriu ...

 

Por, sërish u nisëm për në atdhe, sepse, pesha dhe historia e tij e ka bilurin e shenjtërisë, të cilin nëse e kthe kah dielli, ai të djegë, të kallë të tërin!: “U nisëm/Ngelem në kthim duke udhëtuar /Migjeni nxori lapsin dhe letrën /Nisi të shkruante diçka /E luta, Poemën e Mjerimit /Mos ta shkruajë edhe njëherë /E hodhi edhe lapsin edhe letrën /Tash me duar në xhepa/ U nisëm për në atdhe /Por uji me kripë  /Gjatë tërë kohës na lagte fytyrën  /E rrugët e mjegullta ishin /Po kthejmë në Pogradec /Nga zemërplasja i thash Migjenit /Jo se edhe atje i kanë hallet e veta /Të mos e trazojmë Lasgushin / As Mitrush Kutelin/Ma ktheu përgjigjën Migjeni/ i cili për një çast /Nuk di se ku më iku /Dhe nuk e pashë më /Athua /Edhe tash rrugë të mjegullta janë...”!

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, në librin “Peizazh i jetës sime”, me kujdesin dhe respektin, që u ngjajnë këshillës apo ndoshta edhe qortimit për fërkimet dhe përplasjet gjatë rrugëtimit, librin e bën themel dhe si kujdestar të njerëzores, me qëllim që njeriu gjithmonë të jetë promotori i së drejtës dhe i dashurisë së madhe që quhet dëlirësi shpirtërore. Këtë pothuaj se hasim në secilën poezi, në secilin varg, por vlen veçuar poezitë: ”Amanet pasardhësit tim”, dhe: “Nëse lapsi në dorë nuk më rri...”. 

Në këto dy poezi, lexuesi me siguri se do ta shtrijë tërë afshin e dashurisë, të dhembjes dhe lumturisë, duke dëshiruar që njeriu të jetë vetë dhembja dhe lumturia, vetë dëlirësia dhe madhështia njerëzore: “Sot  /Diçka thekshëm më tingëllon /Andaj/Amanet pasardhësi im /Për amanetin që dot s'ta them /Le të mbetet amaneti i amanetit /Je rrugë e ndritshme biri im /I ngjanë tokës e diellit/ I ngjanë rrënjëve /Trungut dhe kurorës së pemës shekullore /Në te të varura amanete e amanete /Biri im/Amanet për nderin /Për tokën dhe kombin Më fal /Sot në këtë ditë /Mu tek të të ngarkoj kështu/Se tjetër sermie nuk po të lë /Pos nderit e njerëzores /Ti drita dhe krenaria e jetës sime”, ose poezia “Nëse lapsi në dorë nuk më rri...”: “Nëse ndonjëherë  /Vargu më tradhton /Apo lapsi /Në dorë nuk më rri /Mblidhini ato cuklat /E mia poetike /I bëni libër të shenjtë këndimi /Ose/Hidhini diku /Ku toka nuk di gjë /Për ujin as për gjelbërim /Aty /Ndoshta si për inat /Do lule do bulojnë  /Dhe në vargje shkrumbi  /Do shndërrohen /Duke njohur vetëm këngën /Duke dashur /Vetëm zemra zemrën /Me shpirtin që do rri/ Atje në lartësitë e qiellit”! 

 

Shkrimtari, poeti, publicisti i tridhjetë e nëntë libra m radhë- Sejdi Berisha

 

Bamirësia ishte dhe me ka mbetur                                                           

Thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe

 

Hasan Hasanramaj

 

“Qysh në vegjëli, por edhe gjithnjë, tërë jetën jam përpjekur që njerëzve t’ua bëjë jetën të lumtur, me aq mundësi e fuqi që kisha dhe që kam edhe tani. Kjo ishte dhe ka mbetur thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe, të cilat gjëra,  i kam përjetësi- na tha shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha

 

Hasan Hasanramaj

 

Dhe, për ta sforcuar tërë që u thekua më lartë, ndoshta më së miri dëshmon edhe shkrimi i autorit në vend të parathënies. Ja, disa nga me të veçantat e këtij shkrimi: “Qysh në vegjëli, por edhe gjithnjë, tërë jetën jam përpjekur që njerëzve t’ua bëjë jetën të lumtur, me aq mundësi e fuqi që kisha dhe që kam edhe tani. Kjo ishte dhe ka mbetur thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe, të cilat gjëra, më duket se i kam përjetësi, mu si shtatoren e atij njeriut i cili nuk ekziston, por që botën e sodit nga një lartësi që askush nuk e sheh, askush e dikton. Kur kam shkruar për njerëzit e mi (unë kam shumë, shumë njerëz), por që edhe sot shkruaj, kjo ma krijon ankthin e lumturisë (nëse ekziston një gjë e tillë), se çfarë do të ndodhë me tokën, me diellin, me hënën,... se çfarë do të ndodhë me stinët që unë i kam shndërruar në kurorë lulesh.

Të gjitha këto “zjarrmi” të mendjes dhe shpirtit, me ndijimin më të thellë i kam shpërndarë si mesazh e si zë (së paku jam përpjekur të bëj kështu) kudo, mu si polenin e luleve! Andaj, një gjë e tillë më ka bërë edhe më idhnak, edhe më të ngarkuar me dhembjen për tërë atë peshën që njeriu asnjëherë nuk di as nuk ka forcë për ta shprehur krejt dhe deri në fund, edhe nëse këtë prore tenton ta bëjë.

Ndoshta, për këtë arsye, gjërat ngelin enigmë e mallit dhe e shkrumbit të pathënë. Prandaj, duke qenë i vetëdijshëm dhe i etur tej mase, në këtë formë vendosa t’i shtroj dhe t’i radhis në vargje disa nga ndijimet e mia për botën e njeriut, por edhe për respektin që kam ndaj njeriut... 

Ndoshta, do t’u pëlqejë, ndoshta do t’u provokojë për shumëçka brenda këtij libri. Sido që të jetë, në këtë mënyrë mu duk se e lajë edhe një borxh që kam ndaj procesit të lezetshëm, të përgjegjshëm dhe të ngrohtë, por ndoshta edhe të çuditshëm, që quhet jetë! Megjithatë, unë prapë, njerëzve u kam shumë borxh, sepse, etjen e kam shokun i cili nuk më lë rehat, nuk më lë të qetë, ta bëj ashtu si duhet bile asnjë sy gjumë...! Këtu e mbështes edhe madhështinë dhe qëndresën e jetës sime, të krijimtarisë sime...”!

 


Comments (2 posted):

Zeqir Lushaj on 04/06/2018 15:04:26
avatar
Me siguri do jete interesant dhe i bukur peisazhi i jetes te nje shkrimtari te madh si Sejdi Peja, Sejdi Berisha.
Urime te perzemerta dhe flm edhe prej reçensentit Hasanramaj.
S. Berisha on 04/06/2018 16:17:25
avatar
Ju faleminderit për fjalët kaq me peshë dhe aq të ngrohta, mik dhe krijues i veçantë, z. Zeqir Lushaj.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1