Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | KRAHË PËRMALLIMI

KRAHË PËRMALLIMI

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qamil Alushi

KRAHË PËRMALLIMI

Nga Qamil Alushi,studiues

Është vëllimi i 13 me poezi I poetit  Qazim D.Shehu.Lexuesi ka tani në dorë një libër me 158 krijime të reja poetike,motivet e të cilave autori i ka qëmtuar  me një punë këmbëngulëse plot pasion e në një mjedis njerëzor,siç bën bleta me nektarin e luleve.Poezia është bukuria e fjalës.Poeti këtë aktkrijim nuk e mban për vete, po di ta thurë në mënyrë të tjillë që ta përçojë edhe tek të tjerët,t`u ngrohë atyre zemrën, edhe pse herë herë njerëzit jetojnë në një mjedis të pashpirt.Të shkruash poezi nuk është e lehtë.Lënda poetike vjen pas një përjetimi të gjatë dhe kërkon format e duhura të shprehjes në mënyrë që kostumi t`i rrijë mirë dhe me elegancë.Kësaj kërkese poeti ia ka arritur t`ia dalë duke na sjellë përmes fjalës së tij aromën dhe meditacionin për jetën.Gjinia e poezisë shpreh forcën e fantazisë dhe të ndjenjave që përcjellin motivin e veshur me jetë.Mendimi artistik i këtij poeti është i shëndetshëm,ai ngrihet kundër dhunës në një mjedis social,bën përgjithësim përmes konkretes:”rrugëve shëtit papritur vdekja/gjarpër pa folenë e tij/kronikë e zezë si alfabet qorr/ troket në ekrane/I pafajshëm u shpall një horr/që dhunoi këtë mbrëmje/”.Zemërimi i poetit është i drejtë,ai nuk mbyllet në vetvete,kërkon që zëri i protestës të dëgjohet.Pasqyrimi është therës,poetik, dramatik.Ky mendim e çon larg në kohë, kur shprehet:”Frëngji e kullës sa një sy/pulitet në diell,hapet nën re/tani pushka s`shkrep aty/tërhequr nga dy pendë qe/vrasja kryhet në tortuar/në  disko lokale nate/I vrari përherë shënon/një shifër komunikate/frëngji e kullës plot ironi/mbyll syrin e vërejtet/e fyer për paburrërinë/kur i kujtojnë mesjetën/”.Shumë motive antidhunë,anti shkreti sociale bëhen zhiva lëvizëse që ngrenë temperaturën e ndjenjës dhe të kundërshtisë.Dhe pse?Sepse ka humbur dashuria,ka humbur ngadalë ajo që quhet ndjeshmëri për ta parë dashurinë si referencën më të lartë,si tabelën më të dallueshme,busullën më të pagabueshme.:”dashuria sot/rend drejt humbjes së saj/gjysmën e gotës mbush me lot/gjysmën me reflekse në faj/ ;dhe më tej:”Hoje mjalti të hidhur/thurur kodesh tinguj thinjur,biem në grackë të parasë…/do thoja dashurisë,por…më falni/dashuria po i afrohet Saharasë/me ëndrra lëndinash të largëta/”.Duke e vendosur heronë lirik në këtë mjedis asocial dhune,poetin shpesh e kap malli për vetërheqje,për një shpëtim përmes arratisë që t`i largohet këtij mjedisi konfrontues edhe kur në dukje ngjan si i qetë.”Më thotë mendja të shkoj/në një ishull me dallgë/Robinson modern,jetën të ndërtoj/prej kornizave të dal/…;por përsëri e ndërron mendjen sepse:”Edhe ishujt i kanë blerë turistët/kolonizatorët e rinj të lekut/”.Dhe gjithë kjo pse,sepse poeti i gjen aktorët e së keqe që luajnë vallen makabre delirante të gënjimit të jetës,ata janë politikanët.Në një antitezë me poetët ja si e karakterizon figurën e tyre:”Kur më lind ndonjë motiv/më duket se zbulova një thesar/ngrihem jerm nëpër shtëpi/fërkoj duart si politikan i marrë/I cili lidhi paktin e radhës/për tenderin dhe miliona/o ç`i pakrahasueshmi fat/i zbulimeve tona…”.Dhe gjithësesi ai e sheh këtë në mungesë të drejtësisë,të cilën kurrë nuk e jep kjo racë mediokre e inkriminuar, por zoti dhe poeti:”Gjykatës të nderuar/e dini ç`do të thotë drejtësi?/atë që zoti në qiell e ka krijuar,/po  s`mundet ta zbresë  në tokë kurrësesi…”. Poezia dhe lirizmi bëhet urëkalimi për të shkuar nga pamjet e trishta drejt atyre më të qeta e më të thella,ku poeti përmes meditimeve i drejtohet herë herë qenies së vet e asaj të njeriut.Ai ende beson se dashuria nuk ka humbur,rikthimi tek ajo është e vetmja rrugë edhe pse shpesh duket se poeti e asgjëson në një trishtim të pafund konceptin e saj.”Porta e dashurisë është një portë floriri/ndërsa leje për të hyrë të jep dielli/portë floriri dashuria s`ka/diamantin e saj në thellësi mba/”Dhe poeti e mban të ndezur tonalitetin e shpresë:”Nga sot nuk do kryhen më vrasje /njerëz të bukur do të dalin nëpër pragje/Ilaçi që s`është shpikur do të shpiket në çast/për zemrat e vuajtura në maraz/sot do të ndodhë patjetër/do të ndodhë s`ka ku shkohet/se mua më besohet…”Edhe pse duke qëndruar në udhëkërkimin e dashurisë si largim dhe afrim,poeti kërkon kurorëzimin e saj përmes lumturisë:””lumturia/ende e besoj atë/Ekziston/vjen kur e kërkon/një korigjim i thjeshtë dhe…/lumturinë shpëton/”.Shehu shfaqet si poet që zemrën e vë në ritëm të shqetësimit për bashkëkombësit e bashkëkrahinarët e vet.I lidhur me njerëz që ndoshta mendojnë a nuk mendojnë si ai, kjo s`ka rëndësi,po gjithësesi duke dashur njeriun, shpëton nga ndjenja e braktisjes dhe gjen një arsye për ta dashur më shumë jetën.Motivi i ikjes,braktisjes, është ngjethës:”Ikën të gjithë dhe s`mbet asnjë fishkëllimë në muzgun e vonë/zajet e bardhë lodrojnë nën një diell me shkumë/sikur prej tyre të lindë një Afërditë e re/”.Por poeti brenda njerëzve  sheh si merr krahë dhe horizonte dashuria e cila është kënduar nga sa e sa poetë:”Nga njëri poet tek tjetri poet/motivet shkojnë në ngjashmëri/si mali përballë malit me mijëra vjet,/rri/,s`shkon e ngutet për dashuri/…Po janë thënë të gjitha/ndonëse dridhjet e zemrës s`janë llogaritur/ndaj kjo botë bëhet përherë më e re/duke u përsëritur/”.Larmia tematike është e gjerë.Ai bën një përshkrim poetik qyteteve me themele në histori,si Korça:”ky qytet me themele në histori/që,veç me serenata dashuri e poezi/afrohet drejt nesh”; dhe flaka e ndjenjës ndizet edhe për Strugën ku:”fjala shqipe me fjalën e huaj/bën duel shekullor /në Strugën/qytet të poezisë,/qytet të dashurisë /me pikëllim malesh të lodhur/diellin liqenor të zhvoshkur…”.Edhe Gjakova, qyteti”nuse që shpin sgjymtyrët/i sapomartuar me lirinë…Në librin e poetit dalin qartësisht idetë,përshkrimet,kontekstet dhe nëntekstet.Qartësia e fjalës dhe dridhja e kësaj qartësie nga ndjenja e hollë dhe e befta e detajit dhe e figurës dhe veçantësia e motivit ,mendoj se, janë tiparet e stilit të Qazim Shehut.Autori nuk bie në kurthin për të  ndërlikuar gjëra të panevojshme për hir të modës poetike për t`iu dedikuar një fantazie që shpesh e errëson fjalën,vetëm e vërteta e thjeshtë ajo që kalon nëpër një fantazi të natyrshme,vetëm ajo mund të besohet.Motivi i natyrës bëhet një tjetër  vijë demarkacioni midis së mirës dhe së keqes, sepse:”Njeriu natyrën ka përzënë/sikterisur si armike/njeriun mendtë e kanë lënë/në jetën e tij nevrike”.Natyra,veçmas ajo urbane, shprehet ndhe ndjehet në poezinë e Shehut përmes pamjeve të saj,ajo është natyra e sotme që e shohim të gjithë, që ngjall trishtim e bëhet e përzishme me ngjyrat e saj akromatike. I ndodhur në këtë ndjesi, poeti mbyllet në dhomën e tij,jo në kullën e fildishtë për të lëngar e për të shtrydhur ndjenjat në lotë,por siç shprehet vetë në poezinë”Dhoma e poetit”:”Një këngë mund të thuret më tepër/një grimcë, fjalë nëpër të/për ta vënë në skeptër/në këtë botë/që ik nga e bukura gjithnjë”.Fundja kjo është motoja e poetit,kështu ka qenë dhe do të jetë.Mision i së mundurës dhe së pamundurës, i luftës së përhershme të tij kundër shëmtisë së jetës,kundër dhunës,gënjeshtrës,mashtrimit,natyrës së përdhosur nga stuhia e betonit dhe e tymit apokaliptik si një mllef që i turret qenies njerëzore.Forcën e përshkrimeve lirike autori e shpreh jo vetëm me gjendje të përjetuara po edhe me një varg të gdhendur të punuar me kujdes .Poet i lirizmit estetik ai e kërkon të bukurën si kutesë(minipoema Braktisja) edhe  në rrafsh të hulumtimit të artit,poezisë,kur mediton për poezinë dhe poetin duke qenë i bashkëlidhur me poezinë(ky fat së toku ne na ra/të vuajmë botën e padrejtë/paçka se bota borxh na ka/ne borxhin s`ia duam asnjëherë); dhe poeti zbulon natyrën e së bukurës kur thotë:”Para bukurisë jam fëmijë/kur botën së pari pa/barot që s`do shkëndijë/ndizet pa vrarë”.Për gjithçka që ikën e vjen,krijohet kështu oazi i mallit dhe poeti shprehet:”Sfungjer i reve thith/tinguj bari, murmurimë ekstaze/në majë vështrimesh lodrojnë/kambana malli”.Dhe këto kambana që tunden në majë vështrimesh bien gjithnjë me gjuhën e mallit dhe përftojnë një gjendje të butë edhe kur poeti duhet të meditojë e të filozofojë nga pak për gruan,gruan e mirë apo atë grindavece kur shprehet prapë:”Të duash ty moj ujkonjë/Ç`fat na jep kjo jetë/a s`iku prej teje dhe Tolstoi/më një mijë e nëntëqind e dhjetë?”.Dhe nga gjithë këto rendje dhe imagjinime krijohet metafora e krahëve të përmallimit  ku poeti kërkon ta përfshijë botën me dashuri,me këndvështrime dhe të zbulojë dridhjet e zemrës , t`i japë ato me afeksionin e një lirizmi estetik të butë.Sepse dashuria është gjithnjë e butë.Pushkini ka shkruar:”Na pëlqen ta shohim poetin në  çdo gjendje, në të gjitha ndryshimet e shpirtit të tij të gjallë dhe krijues,në gëzime,në entuziazëm, në qetësi shpirtërore, në hidhërim e zemërim…dhe kur mërzitet…”.Këto gjendje të autorit reflektohen në vargjet e thurura, ku fisnikëria e ndjenja buron brenda një meditacioni poetik.Ai ka një stil romantik në poezinë e tij?Ka një stil të tillë dhe kjo i ka dhënë origjinalitet ku zbulohen pasione njerëzore,me ndihmë, të pashkëputura nga një shqetësim i natyrshëm i qenies poetike.Forca e poezisë së vërtetë është figura e gjetur dhe poeti e qëmton figurën.Forca emocionale e gjuhës është e ushqyer nga gjuha e popullit,e leximeve po edhe si vënie në lëvizje e fantazisë përmes përjetimit.Muza e poetit herë herë ndihet ngushtë, plagoset nga realiteti i trishtë,ajo nis të shkundullojë në fuqinë e saj si një kambanë kushtrimi  vetëm për dashuri.Kjo është muzë e tij e cila i duhet larguar asaj që me të drejtë Nekrasovi e krahasonte me fatin e një vajze ruse të robëruar:”Shkova dje tek kullë e beut/pas mesdite ora tre/me kamxhik atje po rrihnin/një fshatarkë,vajzë të re/ajo heshte, vetëm shufra/vërshëllente gjëmëplotë/edhe muzës unë i thashë/ja,moj muzë,motra jote”.(Nekrasov).Kuptohet, muza e poetit Shehu nuk e duron atë që në realitet merret si normale në shtratin e anormalitetit dhe absurdit.Se,poezia e këtij poeti është jetësore,larg fluturimeve dhe terratisjeve  kur mungon kontakti me jetën,disponimi për ta njohur atë.Frymëzimi i pastër,sinqeriteti krijues,mospasja turp për ta thënë origjinën tënde, siç porosit Don Kishoti,është veçori e poetit të vërtetë.Dhe poeti shprehet:”Jam fshatar/fshatin e dua/fshati më braktisi/…gatuar me të hidhurin sinqeritet/që s`më hyn në punë/në qytet”.Për një poet është e rëndësishme sinqeriteti,vetëm ai të çon tek mendimi që thyen normat dhe tabutë hipokrite,krijon origjinalitet dhe veçanësi,sepse fjala e poetit ,si e tillë,e ruan sadopak kujtimin e virgjërisë së botës.Prandaj poeti i drejtohet Uitmanit,poetit të madh amerikan:”sërish kur më gjuajnë me turp/moralistët hipokritë/të thërras Uitman i madh/në Amerikë/në tragetin e vargjeve të tua/më hip të çaj detin/të jem atje ku dua/të këndoj vetëm”.Duke iu drejtuar mjaft figurave të artit, poeti  nuk do të ndjehet vetëm,duket se shpesh ka nevojë për ta,sepse:”Në vendet e vogla poetët i vrasin/I vret hapësira dhe çështja kobëtare”; ndaj, ai u drejtohet sa e sa figurave tëmëdha të artit duke shprehur adhurim për artin e tyre të madh.”Heminguej më trullos/ja plaku Santiago/brenda detit të madh/detin tërheq me spango/si të qe lodër dhe aq…”.Vemë re se në mjaft poezi shumë figura,mite,kujtesa faktesh nga kultura dhe art i vijnë rastësisht e natyrshëm në artin e fjalës poetike të Qazim Shehut,gjë që tregon se ai e lexon edhe poezinë e të tjerëve,gjë mjaft e dobishme për një poet.Vëllimi “Krahë përmallimi” është një shpalosje poetike e botës së njeriut të sotëm,i qenies njerëzore në tërësi,me përjetime dhe zbulime të këndshme,me një atraksion lirik dhe reflektim meditativ që i këndon së bukurës në kontrast me shëmtinë,sepse:”Si kjo pemë që nuk e prekin/mbi greminë/ngrijhet hijeshi e jetës/mbi shëmtinë/të ngrihesh gjer atje/gremina frikëson/shëmtia mpreh dhëmbët/hijeshinë tërbon”.Por poetët e vërtetë gjithnjë luftojnë me shëmtinë e çdo kohe dhe ia dalin.Bukuria e jetës u prin dhe ata i prijnë asaj…

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1