Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Një qasje krahasuese ndaj Islamit dhe demokracisë

Një qasje krahasuese ndaj Islamit dhe demokracisë

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fethullah Gülen

Një qasje krahasuese ndaj Islamit dhe demokracisë

…Në këtë mënyrë, Islami pranon unitetin themelor të të gjitha feve. Një mysliman është njëkohësisht një ndjekës i vërtetë i Abrahamit, Moisiut, Davidit, të gjithë profetëve të tjerë hebrenj dhe Jezusit...

Fethullah Gülen 

04 nëntor 2004

 Besimi fetar, sidomos Islami, në vitet e fundit është bërë një nga temat më të vështira që diskutohet. Kultura bashkëkohore, e parë qoftë nga perspektiva e antropologjisë ose ajo e teologjisë, psikologjisë ose psikoanalizës, e vlerëson besimin fetar me metoda empirike. 

Nga njëra anë, besimi fetar është një fenomen që përjetohet dhe ndihet së brendshmi, dhe i cili, për pjesën më të madhe, lidhet me aspektet e pandryshueshme të jetës, nga ana tjetër, besimtarët mund ta shohin besimin e tyre si një filozofi, një grup parimesh racionale, ose thjesht një misticizëm. Vështirësia rritet në rastin e Islamit, i cili paraqitet dhe konsiderohet prej disa myslimanëve dhe politikëbërësve si një ideologji thjesht politike, shoqërore dhe ekonomike, sesa si një religjion.

Nëse duam të analizojmë me saktësi fenë, demokracinë, apo çdo sistem ose filozofi tjetër, duhet të përqendrohemi në njerëzimin dhe në jetën njerëzore. Nga kjo perspektivë, besimi fetar në përgjithësi, dhe Islami në veçanti, nuk mund të krahasohen mbi të njëjtën bazë me demokracinë apo çdo sistem tjetër politik, social ose ekonomik. Besimi fetar përqendrohet kryesisht në aspektet e pandryshueshme të jetës dhe ekzistencës, ndërkohë që sistemet apo ideologjitë politike, shoqërore dhe ekonomike kanë të bëjnë vetëm me aspekte të caktuara të ndryshueshme shoqërore të jetës sonë tokësore.

Aspektet e jetës me të cilat merret kryesisht besimi fetar sot, janë po aq të vlefshme sa ishin në agim të njerëzimit dhe do të vazhdojnë të jenë kështu në të ardhmen. Sistemet botërore ndryshojnë sipas rrethanave, si të tilla ato mund të vlerësohen vetëm sipas kohës së tyre. Besimi në Perëndinë, në botën e përtejme, në profetët, në librat e shenjtë, në engjëjt dhe në fatin hyjnor nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e kohërave. Po kështu, standardet universale dhe të pandryshueshme të adhurimit dhe moralit kanë pak të bëjnë me kohën dhe jetën e kësaj bote.

Prandaj, kur krahasojmë besimin fetar ose Islamin me demokracinë, duhet të kujtojmë se demokracia është një sistem që vazhdimisht zhvillohet dhe rishikohet. Demokracia gjithashtu ndryshon sipas vendeve dhe rrethanave ku praktikohet. Nga ana tjetër, feja është vendosur mbi parime të pandryshueshme në lidhje me besimin, adhurimin dhe moralin. Për pasojë, vetëm aspektet e përbotëshme parë nga perspektiva e Islamit, mund të krahasohen me demokracinë.

Qëllimi kryesor i Islamit dhe dimensionet e pandryshueshme ndikojnë në rregullat e tij që harmonizojnë aspektet e ndryshueshme të jetës sonë. Islami nuk propozon një formë të caktuar të pandryshueshme të qeverisjes, as përpiqet ta krijojë atë. Në vend të kësaj, Islami vendos parimet themelore që orientojnë karakterin e përgjithshëm të qeverisjes, duke i lënë popullit të zgjedhë llojin dhe formën e qeverisë sipas kohës dhe rrethanave. Nëse e shohim çështjen nën këtë dritë dhe krahasojmë Islamin me demokracinë moderne liberale aktuale, do mund të jemi më të aftë të kuptojmë pozicionin e Islamit dhe të demokracisë në lidhje me njëri-tjetrin.

Idetë demokratike rrjedhin nga kohët e lashta. Demokracia moderne liberale lindi nga revolucioni Amerikan (1776) dhe revolucioni Francez (1789-1799). Në shoqëritë demokratike, njerëzit qeverisin veten e tyre, në vend që të sundohen nga dikush sipër tyre. Individi ka përparësi mbi komunitetin, në këtë lloj sistemi politik, duke qenë i lirë të përcaktojë si ta bëj jetën e tij/saj. Megjithatë, individualizmi nuk është absolut. Njerëzit arrijnë një jetë më të mirë duke jetuar brenda shoqërisë dhe kjo kërkon që ata të përshtatin dhe të kufizojnë lirinë e tyre sipas kriterit të jetës shoqërore.

Profeti thotë se të gjithë njerëzit janë po aq të barabartë sa dhëmbët e një krehëri. Islami nuk diskriminon bazuar në racën, ngjyrën, moshën, kombësinë, ose tiparet fizike. Profeti deklaron: “Ju jeni të gjithë nga Adami dhe Adami është nga toka. O shërbëtorë të Perëndisë, jini vëllezër [dhe motra.] "

Ata që kanë lindur më herët, që kanë më shumë pasuri ose fuqi sesa të tjerët, ose që ju përkasin familjeve ose grupeve të caktuara etnike, nuk kanë asnjë të drejtë të natyrshme për të sunduar të tjerët.

Islami gjithashtu mbështet principet themelorë që vijojnë:

'Fuqia qëndron në të vërtetën, mohim ky i idesë se rëndomtë e vërteta mbështetet në forcën.'

'Drejtësia dhe sundimi i ligjit janë thelbësore.'

'Liria e besimit, të drejtat për jetën, pasurinë personale, riprodhimin dhe shëndetin (mendor dhe fizik) nuk mund të shkelen.'

'Privatësia dhe imuniteti i jetës individuale duhet të jenë të ruajtura.'

'Askush nuk mund të dënohet për një krim pa prova, ose të akuzohet dhe dënohet për krimin e dikujt tjetër.'

'Një sistem këshillues i administratës është thelbësor.'

Të gjitha të drejtat janë në mënyrë të barabartë të rëndësishme dhe të drejtat e individit nuk mund të sakrifikohen për hir të shoqërisë. Islami e konsideron një shoqëri të përbërë nga njerëz të vetëdijshëm, të pajisur me vullnetin e tyre të lirë, që mbajnë përgjegjësi për veten dhe të tjerët. Islami shkon një hap më tej duke shtuar një dimension kozmik. 

Islami sheh njerëzimin si "motor" të historisë, në kundërshtim me qasjet fataliste të disa filozofive perëndimore të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të tilla si materializmi dialektik dhe historik. Ashtu si vullneti dhe sjellja e çdo individi përcaktojnë rezultatin e jetës së tij në këtë botë dhe në botën përtej, përparimi ose rënia e një shoqërie përcaktohet nga vullneti, pikëpamja për botën dhe mënyra e jetesës së banorëve të saj. 

Kur'ani thotë: ‘Vendoseni, ju të gjithë, paqen.’ (El-Bekare 2: 208)

‘Shpenzojeni në rrugën e Perëndisë dhe të nevojtarëve të pastër dhe të mirë, atë që keni fituar dhe atë që Ne sjellim për ju nga Toka.‘(El-Bekare 2: 267)

‘Nëse ndonjë nga gratë tuaja akuzohet për pandershmëri, duhet të keni katër dëshmitarë (për ta provuar atë).’ (En-Nisa 4:15)

‘Perëndia ju urdhëron ta justifikoni besimin e publikut duke caktuar në detyrat me përgjegjësi personat e duhur që kanë cilësitë e nevojshme dhe të ushtroni drejtësi kur gjykoni njerëzit.’ (En-Nisa 4:58)

‘Konsiderojeni drejtësinë si dëshmitarë të respektueshëm prej Perëndisë, edhe nëse është kundër juve, prindërve apo të afërmve tuaj.’ (En-Nisa 4: 135)

‘Nëse ata (armiqtë tuaj) anojnë kah paqja (kur jeni në luftë), ju gjithashtu anoni kah ajo.’ (Al-Anfal 8:61)

‘Nëse një i korruptuar, mëkatar, ju sjell lajme (për të tjerët), hetojeni atë, që të mos I goditni njerëzit pa e ditur.’ (El-Huxhurat 49: 6)

‘Nëse dy palë, midis besimtarëve, luftojnë mes tyre, pajtoi ata.’ (El-Huxhurat 49: 9)

 Pra, Kur'ani i drejtohet gjithë komunitetit dhe i cakton atij pothuajse po ato detyra që i janë besuar nga sistemet moderne demokratike.

 

`Njerëzit bashkëpunojnë me njëri-tjetrin duke i ndarë këto detyra dhe duke vendosur themelet esenciale të nevojshme për t'i kryer ato. Qeveria përbëhet nga të gjitha këto elemente themelore. Kështu, Islami rekomandon një qeverisje bazuar në kontratë shoqërore. Njerëzit zgjedhin administratorët dhe krijojnë një këshill për të debatuar çështje të përbashkëta. Gjithashtu shoqëria si një e tërë merr pjesë në kqyrjen e administratës. 

Gjatë sundimit të katër kalifëve të parë (632-661) në veçanti, parimet themelore të qeverisjes, përmendur më lart, duke përfshirë zgjedhjet e lira, u respektuan plotësisht. Sistemi politik u shndërrua në sulltanate pas vdekjes së Aliut, kalifit të katërt, për shkak të konflikteve të brendshme dhe kushteve globale në atë kohë. 

Ndryshe nga kalifati, fuqia në sulltanate transmetohej nëpërmjet familjes së sulltanit. Megjithatë, edhe pse zgjedhjet e lira nuk mbaheshin më, shoqëritë ndiqnin parimet e tjera, që gjenden ende në thelbin e demokracisë liberale të sotme.

Islami është një fe gjithëpërfshirëse. Ajo bazohet në besimin në një Zot si Krijues, Zot, Mbështetës dhe Administrator i universit. Islami është feja e tërë universit. Në kuptimin që i gjithë universi i bindet ligjeve të parashtruara nga Perëndia; çdo gjë në këtë univers është "muslimane", i bindet Perëndisë duke iu nënshtruar ligjeve të Tij. 

Edhe një person që refuzon të besojë në Zot, ose që ndjek një fe tjetër, mund të ndjehet si një musliman, përsa i përket ekzistencës së tij fizike. Gjithë jeta jonë, nga faza embrionale deri te shpërbërja e trupit në pluhur pas vdekjes, çdo ind i muskujve dhe çdo gjymtyrë e trupit ndjek kursin e përshkruar në secilën nga ligjet e Perëndisë. 

Kështu, në Islam, Perëndia, natyra dhe njerëzimi nuk janë as larg nga njëri-tjetri, as të huaj për njëri-tjetrin. Është Zoti që e bën veten të njohur tek njerëzimi nëpërmjet natyrës, dhe vetë njerëzimi; natyra dhe njerëzimi janë dy libra (të krijimit) përmes të cilave çdo fjalë e Perëndisë është bërë e njohur. 

Kjo e çon njerëzimin të shikojë çdo gjë sikur i përket të njëjtit Zot, të cilit ai vetë i përket, dhe për këtë arsye asgjë në univers nuk është e huaj. Simpatia, dashuria dhe shërbimi i tij nuk mbesin të kufizuara për njerëzit e një race, ngjyre ose përkatësie etnike. Profeti e përmbledh këtë me urdhërin, "O shërbëtorë të Perëndisë, jini vëllezër (dhe motra)!"

Një pikë e veçantë, por po aq e rëndësishme, është se Islami i njeh të gjitha fetë që kanë ardhur para tij. Ai i pranon të gjithë profetët dhe librat dhënë popujve të ndryshëm në epoka të ndryshme të historisë. Jo vetëm që i pranon ato, por edhe beson në ta si një parim thelbësor për të qenë musliman. Në këtë mënyrë, Islami pranon unitetin themelor të të gjitha feve. Një mysliman është njëkohësisht një ndjekës i vërtetë i Abrahamit, Moisiut, Davidit, të gjithë profetëve të tjerë hebrenj dhe Jezusit. Ky besim shpjegon përse të Krishterët dhe Hebrejt gëzonin të drejtat e tyre fetare nën sundimin e qeverive islamike gjatë gjithë historisë.

Sistemi shoqëror islam kërkon të formojë një shoqëri të virtytshme dhe në këtë mënyrë të fitojë miratimin e Perëndisë. Ai njeh të drejtën, jo forcën, themel të jetës shoqërore. Armiqësia është e papranueshme. Marrëdhëniet duhet të bazohen në besimin, dashurinë, respektin reciprok, ndihmën dhe mirëkuptimin, në vend të konfliktit dhe ndjekjen e interesave personale. Edukimi shoqëror i nxit njerëzit të ndjekin idealet e larta dhe të përpiqen për përsosmëri, jo thjesht të vrapojnë pas dëshirave vetiake. Thirrjet e drejta për unitet e virtyt krijojnë mbështetje dhe solidaritet të ndërsjelltë, besimi siguron vëllazërim. Nxitja e shpirtit për të arritur përsosmërinë sjell lumturi në të dyja botët.

Demokracia është zhvilluar me kalimin e kohës. Ashtu siç ka kaluar nëpër faza të ndryshme në të kaluarën, do të vazhdojë të zhvillohet e përmirësohet në të ardhmen. Duke kaluar nëpër rrugën e zhvillimit, demokracia do të marrë formë si një sistem më njerëzor dhe më i drejtë, i bazuar në drejtësi dhe realitet. Nëse qeniet njerëzore konsiderohen si një e tërë, pa lënë mënjanë dimensionin shpirtëror të ekzistencës dhe nevojave të tyre shpirtërore, pa harruar se jeta njerëzore nuk është e kufizuar në këtë jetë të vdekshme, dhe se të gjithë njerëzit kanë një dëshirë të madhe për përjetësinë, demokracia mund të arrijë kulmin e përsosmërisë për të sjellë edhe më shumë lumturi për njerëzimin. Parimet islame të barazisë, tolerancës dhe drejtësisë mund ta ndihmojnë të arrij pikërisht këtë.

 https://fgulen.com/en/fethullah-gulens-ëorks/toëard-a-global-civilization-of-love-and-tolerance/global-perspectives/25290-a-comparative-approach-to-islam-and-democracy

A comparative approach to Islam and democracy

04 nëntor 2004. Postuar në Perspektivat Globale

 Përgatiti: Adriana Myrtaj

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1