Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Triniteti i dashurisë në leximin e vargut të Mentor Serjanit

Triniteti i dashurisë në leximin e vargut të Mentor Serjanit

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Triniteti i dashurisë në leximin e vargut të Mentor Serjanit

 Dr Fatmir Terziu

 

Leximi i poezive të Mentor Serjanit ka një arsye që prek pikën treshe të dashurisë mes thjeshtësisë si nocion mesazhier dhe filozofik i leximit. Një lexim i thjeshtë, ashtu sikurse është vetë thjeshtësia e poezive të autorit. Kjo thjeshtësi në këtë lexim të detajuar formon atë pjesë që quhet pjesa trekëndore e dashurisë. Kjo funksionon si një labirinth mes fjalëve, por dhe si një produkt i vetë teorisë së krijuar nga Robert Sternberg. Ashtu sikurse Stenberg ka cituar në hulumtimin e tij dhe tërë poezia e këtij vëllimi të Serjanit vjen në kontekstin e marrëdhënieve ndërpersonale, ku “tre komponentët e dashurisë, sipas teorisë trekëndore, janë një komponent intimiteti, një komponent pasioni dhe një komponent vendimarrësie.” 

Në këto poezi dashuria dhe po aq edhe intimiteti i referohen “ndjenjave të afërsisë, lidhjes dhe arsyes në marrëdhëniet e dashura”, pasioni i referohet “drejtimeve që çojnë në romancë, tërheqje fizike, konsumim seksual dhe fenomene të lidhura në marrëdhëniet e dashura” dhe vendimi, po aq sa zotimi human nënkupton efekte të ndryshme tek disa gjëra në afat të shkurtër dhe afatgjatë. Në periudhën afatshkurtër, ajo i referohet “vendimit që dikush e do një të caktuar” dhe në terma afatgjatë, ai i referohet “zotimit të dikujt për ta ruajtur atë dashuri”. Në mjaft poezi të autorit si tek “Dashuri, nostalgji, mall”; “Kopertina jote”; “Të shkruash për nënën”; “Nënë e bijë”; “Shkuan vitet e rinisë”; “Nënë e bijë lulet më të bukura”; “Ajo ka një zemër” kuptohet më së miri që dashuria e kësaj forme trekëndore është edhe vend, edhe familje edhe trashëgimi. Këto e mjaft poezi të tjera të këtij autori plotësojnë tre komponentët e dashurisë si pasionin, intimitetin dhe angazhimin. 

Pasioni në leximin e këtyre poezive mund të shoqërohet me zgjimin fizik ose stimulimin emocional. Pasioni brenda tërësisë që përcjell kjo lloj poezie është përcaktuar gjithashtu në tri mënyra. Së pari spikat një ndjenjë e fortë e entuziazmit ose emocioneve për diçka ose për të bërë diçka, së dyti një ndjenjë e fortë (si zemërimi) që i shkakton njerëzit të veprojnë në mënyrë të rrezikshme dhe së treti ndjenjë të fortë seksuale ose romantike për dikë. 

Mes këtyre kuptimeve qartësohet dhe intimiteti. Shembulli i poezisë “E bukur si xixëllonja” mes këtyre vargjeve na jep kuptimin e plotë: 

“Pak rreshta do të të kushtoj,

Por të mbushur plot me shumë çiltërsi,

Joshja intimitet më rrezaton,

Ngazëllimi i syve më fton,

Të rrimë afër, bashkë të dy.”

Intimiteti, pra bie në sy menjëherë. Intimiteti duket qartë se përshkruhet si ndjenja e afërsisë dhe lidhjes me njëri-tjetrin. Kjo mes vargjeve të autorit tenton të forcojë lidhjen e ngushtë që ndahet midis këtyre dy individëve. Përveç kësaj, autori mes poezive të tij na jep idenë dhe mesazhin se të kesh një ndjenjë intimiteti ndihmon në krijimin e ndjenjës së të qenit i qetë me njëri-tjetrin, në kuptimin që të dy palët janë reciproke në ndjenjat e tyre.por intimiteti në mjaft poezi të tjera përcaktohet kryesisht si diçka e natyrës personale ose private; familjaritet. 

            Ashtu sikurse e cituam dhe më lart leximi i këtyre poezive qas dhe angazhimin. Ndryshe nga dy blloqet e tjera, angazhimi përfshin një vendim të ndërgjegjshëm për të qëndruar me njëri-tjetrin. Vendimi për të qëndruar i përkushtuar kryesisht përcaktohet nga niveli i kënaqësisë që një partner krijon nga marrëdhënia. Ekzistojnë tri mënyra për të përcaktuar angazhimin dhe këto janë një premtim për të bërë ose për të dhënë diçka; premtimi për të qenë besnik ndaj dikujt apo diçkaje dhe qëndrimi i dikujt që punon shumë për të bërë ose për të mbështetur diçka. 

Leximi dhe kuptimi i dashurisë, po aq sa dhe përvojat e leximit të këtyre poezive bën që mesazhet të varen nga fuqia absolute e këtyre tre komponentëve dhe lloji i dashurisë që përvojat i qasin nga anët e forta të njëri-tjetrit. Fazat dhe llojet e ndryshme të dashurisë mund të shpjegohen si kombinime të ndryshme të këtyre tre elementëve; për shembull, theksi i secilit komponent ndryshon me kalimin e kohës, ndërsa zhvillohet një marrëdhënie romantike e rritur. Një marrëdhënie e bazuar në një element të vetëm ka më pak gjasa të mbijetojë se një në bazë të dy ose tre elementeve. Dhe kjo ndjehet qartë tek poezitë “Një Katinë dhe një Bejkë” ku folku i traditës krijon kombinim tresh dhe diskursiv të mesazhit. Po kështu dhe “Bashkëshortes e fëmijëve” është një poezi që tejçon lidhjen e fortë të dashurisë në mirëkuptimin  e saj. Aty në mesin e vargjeve duken dhe lexohen pastër tre komponentët efikas të dashurisë. 

Të tre komponentët, etiketuar dhe pikturuar në formën e një trekëndëshi, ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe me veprimet që ata prodhojnë krijojnë arsye dhe mesazhe të atilla në mënyrë që të formojnë shtatë lloje të ndryshme të përvojave të dashurisë (kjo nuk është e detajuar në poezitë e autorit, por tek-tuk edhe pse nuk është e përfaqësuar, funskionon ngjashëm). Madhësia e funksioneve të trekëndëshit për të përfaqësuar “shumën” e dashurisë vjen nga familja, fëmija dhe vendlindja. Sa më i madh është trekëndëshi, aq më e madhe është dashuria dehe anasjelltas. Çdo cep ka llojin e vet të dashurisë dhe ofron kombinime të ndryshme për të krijuar lloje të ndryshme të dashurisë dhe etiketave për ta. Forma e trekëndëshit funksionon për të përfaqësuar “stilin” e dashurisë, i cili mund të ndryshojë gjatë rrjedhës së marrëdhënies, si tek poezitë “Peshorja e jetës”; “Profili yt”; “Triolet”, madje kjo e fundit mes dallgëve të vedlindjes vjen si tetëvargësh (oktavë) një nga llojet e strofës, ku përsëriten tri herë vargjet dhe rimat. Vargu i parë, përsëritet si varg i katërt dhe i shtatë.Përveç kësaj vargu i parë rimon me të tretin dhe të pestin, i dyti me të gjashtin.Tek ne e ka perdorur poeti i madh lirik Lasgush Poradeci. 

Këto e mjaft të tjera e bëjnë librin e parë të Mentor Serjanit, sa interesant, aq dhe të lexueshëm e shpresëdhënës për rezultate të tjera. Leximi i këtyre poezive jep tërë udhën e jetës së autorit mes dashurisë si trinitet. Duket qartë se mes këtij triniteti Mentor Serjani i lindur në fshatin Sasaj, të krahinës së Bregdetit të Poshtëm të rrethit të Sarandës më ka mjaft e mjaft arsye të tregojë se dashuria është elementi bazë i jetës së rrethnajës kua i lindi dhe u ushqye me mësimet e para që i mori në vëndlindje dhe në Piqeras. Shkollën e Mesme e mbaroi në Vergo të Delvinës më 1983. U titullua Oficer Artilerie në vitet 1984-1986 në Bunavi të Vlorës. Ka botuar në disa gazeta. Libri “Në rrjedhën e lirikave të jetës” është vëllimi i tij i parë. Aktualisht punon dhe jeton në Greqi.

Comments (1 posted):

THANAS L. GJIKA on 10/05/2018 21:24:20
avatar
Fatmir Terziu punon si bleta. Ai analizon shkrime, poezi, vellime poetike, pavaresisht se ai qe i ka shkruar eshte ose jo i njohur. Fatmiri di te gjeje vlera artistike dhe ideore, di t'i vere ne dukje me nje gjuhe te pasur e profesionale.
Duke lexuar vleresimin e zotit Terziu nuk ka si te mos e uroj Mentor Serianin per kete vellim te pare poetic.
Suksese te tjera!.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1