Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | NAZMI ROLI – POETI QË NGJAN ME ALBATROSIN

NAZMI ROLI – POETI QË NGJAN ME ALBATROSIN

Font size: Decrease font Enlarge font
image SHPENDI TOPOLLAJ

 

 

                (Rreth librit me poezi të zgjedhura “Rrathë uji”)

 

Nuk e di a është tërësisht i saktë ai mendimi se muza e poetëve e gjen motivin e frymëzimit te madhështia e natyrës së bukur. Por edhe në qoftëse pamja magjike që të shfaqet nga kalaja e Shkodrës, liqeni i Poradecit, Lugina e Valbonës, valët e Adriatikut a neonet e Tiranës, kanë qenë vërtetë ato që e kanë nxitur krijimin e shkollëzave poetike, atëherë kushdo mund të pyesë se nga e marrin këtë nxitje poetët e dalë nga Kavaja. Dhe ndofta, për këdo që i ka ruajtur gjatë lidhjet me këtë qytet, është krejt e përligjur përgjigja, se ata frymëzimin e kanë gjetur te banorët e mrekullueshëm dhe me shpirtin e lirë që ai ka. Ja, kjo dashuri për virtytet e njerëzve të thjeshtë dhe për gjërat në dukje të parëndësishme, por që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe ndërgjegjen e tij, dallohet në të gjithë shtrirjen shumë vjeçare të krijimtarisë poetike të Nazmi Rolit, i cili së bashku me të tjerë dhe sidomos me të ndjerin Abdulla Tafa, e kanë ngritur poezinë në nivele filozofike. Dhe e gjithë kjo, pasi me ta ka ndodhur ajo që Nazmiu vetë pohon për Luis Borgesin dhe Lasgush Poradecin se “Kultura e tyre ishte më e lartë se poezia që ata shkruan.” Fundja, poeti mund të mos dijë të shpjegojë plotësisht se nga i vjen dëshira për të shkruar, por ai e ka mëse të qartë se e shkruara është një mision dhe vetë ai një misionar. Bota në vetvete mund të mos merakoset shumë për pagjumësinë Floberiane të gjetjes së fjalës, por nisur nga përvoja e shekujve, poetit ja ka shpjeguar njëherë e mirë detyrën që e pret slloveni Oton Zupançiç i cili shkruante: “Poet, detyrën tënde a e di? / A thua ke mbetur pa fjalë? / Në heshtje i mbytur pse rri? / Lëshoje këngën, në botë le të dalë.” Dhe poeti e nis këtë rrugëtim aspak të lehtë, të mbushur me rreziqe dhe me dilemën e përhershme të Eastmanit se “Poeti në histori është hyjnor. Poeti i derës përbri, qesharak.” Por sido që të jetë edhe lexuesi më i zakonshëm, teksa lexon poezitë, e kupton menjëherë se po njihet me një autobiografi. Në çdo strofë e në çdo rresht ai gjen vetë poetin. Duke e parë si të tillë edhe Nazmiu e nis vargun me përmbledhje të poezive të tij qysh nga libri i parë, botuar në vitin 1970. Ai, fare mirë mund t`i kishte seleksionuar disa prej tyre, por nuk e ka bërë këtë, për të thënë se ky kam qenë dhe ky jam unë. Ndaj nuk e ka për gjë të pohojë dashurinë për të kuqen, erërat e nëntorit dhe rrugën e revolucionit (Ne). Ai kujton kohën kur ecte zbathur mbi gjak atentati, kur i gëzohej ngritjes së një balone, kur piqej ftoi në kopsht, kur e ngazëllente pamja e lule mullagës që kishte mbjellë nëna, kur symbyllazi gjente rrugën për te deti, kur dritarja mbetej e çelur, pas ikjes së motrës së martuar, mësueset që teksa kalonin për në shkollat e fshatrave, ndalonin te porta e hapur dhe me gërshërët që u jepte Ija, prisnin trandafilat që pasi i bënin tufë, i merrnin me vete dhe mbi të gjitha vetë Kavaja, vendlindja e Aleksandër Moisiut, me të cilin i ndanin shumë vite, por i bashkonin gurët. Pra këtë qytet, ku edhe në një gjethe të rënë, dikush mund të lexojë psherëtimën e tij. Për të mbërritur më tej, te denoncimi i dhimbjes prej ferri të Spaçit, nga e cila edhe guri plasaritej e çahej, pra te koha e demokracisë, e cila erdhi për poetin së bashku me zhgënjimin, pasi ai priste shumë më tepër. Armata e poezive që janë rreshtuar në fushbetejat e këtij libri është e pafund, prandaj nuk ja vlen të rrekemi për t`i analizuar veçmas ato. Ajo që unë dëshiroj të ndalem është mënyra me të cilën ato janë shkruar, pra stili që autori ka përdorur në formësimin e tyre. Po ta vësh re me kujdes, do gjejmë në këtë përmbledhje mjaft voluminoze, poezi të traditës, ato me varg të thyer dhe disa proza poetike, të cilat sido që të duken, kuptohen menjëherë se janë produkt i të njëjtës mendje dhe i të njëjtës dorë të shkathët e të mençur. Dhe nëqoftë se ato të parat janë thjeshtësisht të kuptueshme, ndryshon disi puna me këto dy të tjerat, pasi vështirë të mos ndiesh nevojnën t`i lexosh e rilexosh përsëri. Në letërsi, triumfi i rrymave të reja e deri i hermetizmit të lindur fillimisht në Itali e Francë, është i kapërcyer. Dhe ndofta më mirë se kushdo e ka treguar këtë Beniamin Cremicux, ai kushëriri i nënës së Marsel Prustit i cili thosh: “ Stilit të Prustit i mungojnë joshjet e kollajta: tringëllima fjalësh, bashkim i arritur a i habitshëm i lidhorit me epitetin, ritëm muzikor i fjalisë, asnjëherë këto nuk janë të kërkuara me sforcim… Prusti kërkon nga lexuesi një qëndrim aktiv shpirtëror të ripërsëritur në çdo fjali. E ndryshon pa reshtur tonin, këmben pafundësisht gamën. Është e vështirë të ndiqet, por asnjëherë nuk është mund që shkon kot.” Se në këtë përmbledhje do të gjeni poezi krejt të qarta, sipas rregullave të merikës, por edhe nga ato që duhet ta vrasësh mendjen për të gjetur se ku ka dashur të dalë poeti. Për të mbërritur atje ku ai do, Nazmiu përdor me shumë efekt figura të huazuara nga mitologjia, gjë që duhet përshëndetur, pasi jo kushdo ka njohuritë e duhura në këtë fushë. Ashtu sikurse herë pas here, ai u këndon poetëve emërmëdhenj të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Përsa i përket të folurit të figurshëm, Nazmiu është mjaft përzgjedhës dhe i kujdesshëm në tropat që përdor. Ndaj dhe të mbesin në mendje shprehjet: qerpikët e vajzës si halat e grurit, Penelopa end durimin e pritjes, era mpreh gërshërët ose ecën me këmbë të thyera, drurët si legjionarë të vjetër, ngjitet e zbritet pa shkallë porta, vjeshta u zverdh si për festë, dy qiparisë si murgj të mugët, kanë një enigmë që nuk zbulohet etj. etj. Në këtë libër është përfshirë edhe një auto intervistë e cila, krejt papritur ka për kryefjalë politikën dhe politikanët e mbrapshtë, të cilët në të gjitha poezitë e tij, ai thuajse i ka shpërfillur. Shumë mirë bën ai që vë në jetë porosinë e S. Petëfit; “Pra, zgjidh e merr, mos rri ulok, / Çkado na qofsh, çunak a burrë. / Unë them më mirë të plas një kokë, / Se sa ta bëj kurrizin urë.” Për nga forca e gjykimit, kultura dhe kurajua, kjo intervistë jo vetëm që i bën nder këtij autori, por dhe e plotëson portretin e tij si njeri dhe intelektual. Por jam i mendimit se ndofta nuk i është gjetur vendi i duhur, pasi ato 100 faqe mund të përbënin fare mirë një libër më vete. Dhe një vrejtje miqësore; në libër thuhet se Hanibali dogji Romën, ndaj dhe doli shprehja “Hanibal, ante portas”. Vërtetë ai udhëhoqi ushtrinë kartagjenase në luftën e dytë Punike (218 - 201 para Krishtit) dhe pushtoi Italinë, por nuk hyri dot në Romë, e kërcënoi atë, gjersa u shkatërrua nga Scipioni. Pavarësisht këtij saktësimi, duke u kthyer te futja e kësaj interviste në këtë libër, ndofta vetë autori ka pasur si qëllim të theksojë atë zhgënjimin që përmenda pak më sipër, ose ka dashur të kujtojë vargjet e “Albatrosi” - t të Charles Baudelaire: “Poeti i ngjan princit të reve madhështore / Që shpërfill harkëtarin dhe rend ku shfryn tufani, / I mërguar në tokë, midis ya - ve kafshërore / E pengojnë për të ecur ato flatra prej vigani.”

 

Comments (1 posted):

kadri tarelli on 04/05/2018 20:21:29
avatar
Urime Shpendi, urime e Nazmiut, për librin e tij që e përuron së shpejti.
Shkrimi përmban një analizë dhe kritikë të mirëfilltë letrare, duke vënë në dukje edhe dobësitë dhe ato që mund të rregulloheshin, apo ato që duhen saktësuar. E gjtha mund të përmblidhet me dy fjalë: Kritika kërkon mundim për ta njohur veprën, mundim për ta përmbledhur, kënaqësi për ta shkruar.
Urime!Shpendi, te ti janë mbledhur të tria bashkë.
Kadri Tarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1