Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | NJË PËRMENDORE LETRARE PËR POETIN E HARRUAR

NJË PËRMENDORE LETRARE PËR POETIN E HARRUAR

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr. Besim Muhadri

Hyrje

Pas një qëndrimi dyditor në Prishtinë, me sugjerimin e piktorit dhe akademikut Rexhep Ferri, poeti i mirënjohur shqiptar, Frederik Rreshpja, do të ndalojë një natë në Kukës, ku takohet me shkrimtarin dhe studiuesin Petrit Palushi, i cili qe me fat të madh që, jo vetëm ta takonte, por edhe të zhvillonte një bisedë pothuajse spontane, sa njerëzore dhe vëllazërore, po aq edhe poetike, të cilën për fat të mirë ai do do ta evidentonte në një bllok shënimesh. Këto shënime të shpejt e shpejta, ai, do t’i botojë si libër disa vite pas vdekjes së Rreshpes, të cilat jo vetëm që janë një monument i rëndësishëm i paraqitjes së portretit më real të poetit tonë, por edhe një monument i paraqitjes së portretit letrar e njerëzor të Rreshpes, të dalë nga ajo bisedë apo vetërrëfim i poetit të dërrmuar nga  pafatësia jetësore dhe kohore, e cila e kishte përcjellë gjatë të gjitha atyre viteve.

Në këtë ndejë spontane, të shndërruar në një bisedë sa interesante dhe të sinqertë, aq edhe të dhimbshme, jo vetëm për poezinë dhe për vetë poetin, por studiuesi Palushi do të dëgjojë nga Rreshpja disa nga storiet më interesante, më të padëgjuara dhe më reale.

Portreti fizik dhe poetik i Rreshpes

“Nuk kisha miqësi me poetin Frederik Reshpja. E kisha takuar dy a tri herë, thuajse rastësisht në Bar-kafe te “Eurorilindja”, në Tiranë.

Më vonë, si për çudi e shihja vetëm së largu.

Nga larg e dalloja trupin e tij të imtë dhe më ngjante se s’kishte kohë të ndalej e të bisedonte me kënd, por vetëm ecte, ashtu nxitues me gjithë ngadalësinë e vet pa e kthye kryet majtas e djathtas.

E njihja poezinë e tij kryesisht përmes librave “Rapsodi shqiptare” (1967), “Erdhi ora të vdes përsëri” (1994), “Lirika” (1996), “Në vetmi” (2004); ajo poezi që vinte si frymë më ngjante më e veçantë, e pangjashme, sa tokësore, aq edhe qiellore dhe përtejqiellore njëkohësisht, ku imazhet shpaloseshin përmes një drite të çuditshme. (Fq. 11)

Rasti e solli të takoheshim te Hotel Gjalica....”

Kështu e fillon Petrit Palushi librin “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”, një libër të lindur (nëse kam të drejtë të shprehem kështu), nga ajo bisedë apo rrëfyerje (jo rrëfim) i poetit, të cilin, siç do shprehet autori i librit “ftohma dhe idhtaja e kishin mbështjellë në krejt jetën e vet. Biseda apo të rrëfyerit e poetit u bë brenda një gjysëmnate të 11 nëntorit 2005 dhe një gjysëmdite të 12 nëntorit të vitit 2005, apo  vetëm tre muaj para se poeti të ndërronte jetë.

Palushi,vërtet ishte me fat (këtë e thotë edhe vet) që pati rast të takonte dhe të bisedonte me poetin, nga e cila bisedë apo rrëfyerje e Rreshpes, të dilte diçka e bukur, diçka e pathënë, e padëgjuar më parë, që poeti e shpërfaqi atë gjysëmnatë dhe gjysëmditë në Kukës, për ta lënë si një testament të papërpshkruar dhe të papërsëritur të jetës dhe veprës së vet.

Megjithatë, Palushi e pranon se i kanë humbur shumë gjëra nga ajo bisedë dhe se është munduar, por pa sukses, disa herë më vonë të riprodhojë fjalët e tij, d.m.th., pjesën e mungueshme të shënimeve të tij. Sepse ato që thotë poeti i ngjanin si vargje poezish dhe se riprodhimi i tyre ishte i pamundshëm, i njëjtë si riprodhimi i poezive brilante të interpretuara nga dikush tjetër, të cilat ai i dëgjon për herë të parë.

Palushi Rreshpen, këtë bohem shpirtdritë, të cilin “fati e deshi t’ish krejt besimlëkundur te jeta, te bota e gjithçka përreth, do ta cilësojë si shkëlqimtar i zhgënjyer, apo lirik i pangjashëm dhe si një sojtar të poezisë shqipe, që iku si me dhunë për në bujtinzën e fundme; apo edhe si një paqësor deri në dritën më të skajme të diellit, që kreu detyrën e vet, atë detyrë që kishte për të kryer, në një kohë krejt të pa-kohë, tinëzare, e cila sikur bartej prej Mesjete dhe shpërfaqej me ndriçim të vranët, shpesh me mungesë të plotë ndriçimi, që shkurt e trup, si i thonë një fjale, ishte kohë anti-Rreshpjane.. (fq.18)

Por edhe ato që mundi të nxirrte nga ajo bisedë-rrëfim, janë të mjaftueshme për një libër brilant, në të cilin do të mësojmë të vërtetën lakuriqe jetësore e letrare të Frederik Rreshpes, që po ashtu në mënyrë brilante e sjell para nesh krijuesi dhe studiuesi letrar Petrit Palushi.

Libri fillon me një parathënie të studiuesit nga Agim Morina, për të vazhduar më pas me një hyrje nga vetë autori i librit e duke vazhduar me pjesët e tjera integrale të këtij libri që ngërthejnë tërë bagazhin e një të rrëfyeri po ashtu brilant poetik e njerëzor të vetë poetit Frederik Rreshpja.

Nata e Rreshpes apo rrëfimi në vetën e tretë

Autori i libri “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”, Petrit Palushi në fillim të librit e pranon që ishte me fat që e takoi Rreshpjen dhe që këtë takim e shfrytëzoi për të biseduar me të dhe si rastësisht, edhe të mbante shënime gjatë asaj bisede apo vetërrëfimi të Rreshpjes, njeriu i cili siç shprehet Palushi “I kish provuar të gjitha: fëmijninë e qetë, shkëlqimin në poezi dhe rikthimin te ai shkëlqim pas viteve ’90 me një dritë tjetër deri në cakun më të shkëlqimtë” dhe i cili “në midisin e dy shkëlqimeve të tilla kishte provuar burgun në moshën më të mirë, dhe, më vonë, në përpjekjen me u përfshi në ekonominë e tregut, edhe dështimin fatal, ndoshta për fajin e vet dhe shpurës brejtëse që e rrethonte, aq sa pas vitit 2000 ai po provonte mospasjen deri në skajmëni”.

Palushi, librin e tij e fillon me një përshkrim fizik të poetit, duke e cilësuar atë si njeri të vërenjtur në fytyrë, herë-herë të çeltë, të butë dhe të ëmbël në bisedë, por njëkohësisht, me humor të ndjeshëm, por edhe të kulturuar, pa dyshim. Ndërkaq, kur është fjala për jetën e poetit, ai është i bindur, në bazë të rrëfimeve të poetit, se ishte një njeri që s’pati kurrë ngrohmë në jetën e vet, një njeri i cili sikur kishte zbritë n’atë afërmbrëmje të ngrohtë në Kukës, që të linte një dëshmi tronditëse për jetën e vet.

“Kisha pranë, do të shprehet Palushi, njeriun të cilin ftohma dhe idhtaja e kishin mbështjellë në krejt jetën e vet, aq sa s’i kishin lënë kurrfarë shtegu të çeltë. Njeriun, i cili edhe nëse në jetën e vet kish pas qetësi për një farë kohe, ajo kish qenë më tepër një qetësi e trazuar, sa që vështirë të pajtohej me të, njëjtë si të pajtohej me dimrin e acartë, që ia ashpërsonte sytë, fytyrën, krejt trupin, por kurrsesi cilësinë e mendjes...” (fq.14)

Simpatia për Prishtinën dhe meraku për Prizrenin

Prishtina e kishte nderuar poetin që në vitin 1975 kur ia kishte botuar librin me poezi “Enisè, Enisè”, të cilin libër në vitin 1992 poetit ia kishte dërguar në Tiranë Shaip Beqiri, me ç’rast, siç tregon poeti në këtë intervistë apo të vetërrëfyer para Petrit Palushit dhe vëllait të tij, Fatmirit, kishte qarë nga emocioni... Dhe autori i librit po shkonte në Prishtinë plot tridhjetë vite më vonë se libri, se poezia e tij. Librin, siç i kishte treguar Rexhep Ferri, e kishte pëlqyer fort edhe autori i modernes shqipe, Anton Pashku, i cili në kohë kur Reshpja po vizitonte Prishtinën po mbushte plot njëzet vjet që kishte vdekur. Antoni i kishte thënë Rexhep Ferrit atëbotë se “sikur ky poet nuk vjen nga Shqipëria. Është modern”.

 “Natyrisht ashtu do të thoshte ai për Fredin se Pashku vetë ishte modern, stilist me dritë, me shumë shkëlqim. Tregimi “Floçka” është vështirë të shkruhet... Po ai e shkroi... Modernët janë në kohë... Koha nuk kuptohet për bashkëkohësit...”, do të thoshte Frederik Rreshpja atë natë në Kukës, tepër i kënaqur me një vlerësim të tillë të Anton Pashkut.

Por përveç Pashkut, mendim të mirë do të shfaqë edhe për Beqir Musliun, poetit të cilit “ia heq kapelën”, ndërsa poezitë e të cilit i quan metafora mbi metafora, gjithnjë duke iu referuar librit “Libri i anatemave”, të cilin po ashtu, në vitin 1992, ia kishte dërguar publicisti Shaip Beqiri.

“Ne s’i njohim poetët e Kosovës, pohon Rreshpja. Libri i tij më gëzoi tepër. Metafora mbi metafora. Shkëlqejnë. Metafora të ashpra të një kohe të rëndë, të ashpër. Ai ishte poet. E kam lexuar gjatë gjithë atij dimri (1992-1993) këtë libër. E kam ëndërruar tërë jetën time një libër të tillë. Ky është poeti të cilit ia heq kapelën”

 Rreshpes Prishtina i kishte pëlqyer shumë, të cilën do ta quajë edhe si vend i poezisë së bukur. Si një qytet të cilin e përkëdhel qielli, po edhe si një vend aristokratësh, që i ngjan më Shkodrën e fëmijërisë së tij:

“Prishtina është vend i poezisë së bukur. Edhe qielli e përkëdhel Prishtinën. Prishtina m’u duk qytet aristokratësh. Edhe Shkodra e tillë ishte në fëmijërinë time. Kurse me Tiranën s’jam i kënaqur asnjëherë. Tirana është e rrëmujshme, me një rrëmujë të keqe. Të tjerë kënaqën me atë rrëmujë... Fredi përsëri do kthehet në Shkodër. Nuk e ndalon njeri të vdes në vendlindjen e vet. (fq. 23)

Në Prishtinë e kishin pritur mirë, veçanërisht Rexhep Ferri e Ali Podrimja. Por edhe të tjerët. Madje i kishin propozuar që të mbanin një orë letrare për të, por nuk kishte pranuar. Këtë dashuri dhe mikpritje vëllazërore ai nuk mund ta fshehë dhe do ta shpërfaqë në Kukës, në natën e 11 nëntorit të vitit 2005:

“Më deshën shumë në Prishtinë. Ndejta gjatë me Rexhep Ferrin. Edhe me Ali Podrimjen. Edhe me do miq të tjerë. Se kështu zihen miqtë. Deshën të organizonin një takim letrar për poezitë e mija. Unë nuk pranova. U thashë: Ç’lidhje ka Fredi me takimet letrare? Ata që e shijojnë poezinë time le të mblidhen e ta lexojnë. U mbeti hatri, po ky është Fredi u thashë. Fredi nuk ndërron tani që po vdes. Më këqyrnin me vëmendje dhe ndoshta mendonin: A është në terezi ky njeri a s’është? Po s’u mërzitën kurrë me Fredin. Sidomos Rexhepi s’u mërzit me Fredin. Se me ndejtë me Fredin është e vështirë. Se kur e merr dallga e poezisë, ai harron se me kë është në tavolinë”.

Në këtë rast poetit Rreshpja nuk i shpëton edhe cilësimi për poezinë e Prishtinës, që do të thotë të poezisë shqipe që krijohet në Kosovë, veçanërisht për poezinë e Azem Shkrelit e të Ali Podrimjes:

“Prishtina ka poezi të bukura. Azem Shkreli e ka atë poezinë “Para elegjisë” si të veshur me dritë vezullimi. Po edhe plotë të tjera. Edhe Podrimja e ka “Lum Lumin një thirrje për jetën....”

Ndërkaq, prej Prishtine biseda zhvendoset në Prizren, apo për brengën e pamundësisë që  ta vizitonte edhe Prizrenin, të cilin siç shprehet poeti, gjatë luftës së Dytë Botërore e kishte vizituar Mitrush Kuteli, kur kishte shkruar për këtë qytet të lashtë, me ç’rast i kishte lindur edhe “Poemi kosovar”:

“Më mbeti merak që s’e pashë Prizrenin. Kur shkova me autobus në Prishtinë, kaluam nëpër Prizren, por shoferi s’e ndaloi autobusin. E kur u ktheva s’pata mundësi ta shoh. Por Kuteli ka qenë në Prizren... Atëherë ishte luftë, kurse unë nuk munda ta shoh as në paqe”.

Mirëpo është interesante dhe tepër poetike përgjigja që poeti i jep Palushit, kur ky i fundit i thotë se do ikim e të shohim edhe Prizrenin: “Jam shtegtar, shtegtari s’kalon dy herë në të njëjtën rrugë” (fq. 26).

Rreshpja për Nënën

Për Rreshpen nëna kishte qenë ndër pikat më të dobëta, prezenca e së cilës e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës, prandaj me një ndjeshmëri fëmijërore ai e ndiente mungesën e saj, sepse ajo kishte qenë vetë Perëndia e poetit. Dhe derisa  Palushi, si më gjysmëzëri do t’ia përmendte vargjet: Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin vargje të poezisë “Ave, nëna ime”, derisa poeti po fliste për Nënën e tij, e cila siç rrëfen poeti kur ishte i vogël, bashkë me disa murgesha të Shkodrës ia kishte mësuar qëndisjen, ai do t’i përgjigjej me psherëtimë:

“Eh, nëna ime. Ajo qe Perëndia ime. Zot tjetër nuk kam patur kurrë dhe se pleqëria ime nisi kur vdiq ajo”.

Pakënaqësia për jetën, profecia për ditën e vdekjes së tij dhe pavarësinë e Kosovës

“Po ikin vitet e me vitet edhe jeta ime. Një herë nuk u kënaqa në jetë, por as kam kohë të kënaqem”, do të shpërthejë poeti jo vetëm në një rast. Këto fjalë tregojnë më së miri se sa Frederik Rreshpja ishte lodhur me jetën, e cila kurrë nuk e kishte përkëdhelur, kurrë nuk kishte qenë me të. Gjatë të rrëfyerit të tij, atë natë në Kukës, poeti në vazhdimësi dhe nxitueshëm e thërret vdekjen, duke ardhur edhe deri te profecia se ai do të vdiste shumë shpejt, madje pa kaluar dimri, gjë që ndodhi me të vërtetë. Në këtë konteskt ai do të japë edhe një profeci tjetër se dy vite pas vdekjes së tij për shqiptarët do të ndodhë një ngjarje e bukur:

“Fredi do vdes shpejt, -foli sërish. – Ditën që do vdes do ndodhë një ngjarje e bukur për shqiptarët. Mendja ma thotë se nja dy vjet pas vdekjes së Fredit. Se edhe dita e vdekjes së Fredit është e bukur...” (fq. 100)

Poeti vdiq vetëm dy muaj pas bisedës së zhvilluar në Kukës, apo saktësisht më 17 shkurt 2006, ndërsa dy vite më vonë, apo saktësisht në atë datë të vitit 2008, ashtu siç e kishte paralajmëruar Rreshpja, do të ndodhte ajo ngjarja e bukur për shqiptarët. Kosova do të shpallte pavarësinë e saj.

Duke folur për vdekjen e tij, gati në mënyrë poetike do të tingëllojnë fjalët që ai thotë për të:

“Më vjen keq që nuk vdiqa vjet, por më vjen keq që nuk vdiqa parvjet. Më vjen keq që nuk vdiqa edhe pa lindë...”

Por poeti edhe herë të tjera e kishte parandier vdekjen, të cilën e kishte mundur me ringjalljen e tij si për inat të saj dhe të tjerëve:

“Ehu, sa herë kam vdekur e jam ringjallur. Vjen një kohë që njeriut i sosen të gjitha. Fryma shkallmohet e fundit”.

Në vetërrëfim e sipër poeti sikur risheh poezinë e vet të mëhershme ose jep variante të tjera vargjesh, duke kaluar lehtas në mbindërtime vargjesh. Një nga personazhet më të dashur, përveç nënës që ishte Perëndia e tij, ai ka edhe kapelën, për të cilën thotë se është prona e vetme e tij, e cila ia heq vetminë dhe pa të cilën s’mund të rrijë.

“S’mund të rri pa të. Kjo është prona e vetme që kam. Ma heq vetminë... Derisa të vijë nata e të na merr të dyve... Se unë vdekjen dhe kapelën i mbaj me vete. Kur të më marrë vdekja, kapelja ime do tretet. Do të kujtojnë se është kapelja e vjetër e një lypësi dhe do e flakin... Po ndoshta e gjen dikush dhe e ruan diku si imazhin e fundit të Fredit... Ma thotë zemra”. (Rreshpja flet për Fredin në veten e tretë, pra flet për vetveten si për një person tjetër, të cilin e njeh thellësisht). Madje për kapelën e tij ai shkruan edhe në poezinë “Dita e gjahtarëve”, ku në mes të tjerash shprehet: Na zuri mëngjesi në udhë

Moj kapelja ime e vjetër

Në librin e tij “Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”, përveç shumë të tjerave, autori ka fiksuar edhe rrëfimin dhe vlerësimin e Rreshpes për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sipas të cilit ajo ishte një organizatë e cila bënte luftë kundër shkrimtarëve. Prandaj, duke e parë si të tillë ai e cilëson si një organizatë jo të shkrimtarëve, por si një organizatë lufte. Po ashtu Rreshpja flet edhe për shkrimin e një romani, fabulën e të cilit siç shprehet e kishte në tru. “Ndoshta kam kohë të shkruaj edhe një roman. Fabulën e kam në tru. Ndoshta s’do ta shkruaj kurrë se po më dridhen duart e s’e merr vesh kush shkrimin tim...”. Por  poeti iku bashkë me fabulën e romanit të pashkruar. Ndonëse në fund të librit, lexojmë se Rreshpja e kishte filluar së shkruari këtë roman, por që nuk e kishte përfunduar, sepse vdiq në kohën kur edhe kishte krijuar profecinë e tij për vdekjen.

Palushi në librin e tij tregon edhe për bisedat me Fredin, që kishin të bënin me shkrimtarët botërorë, për të cilët, siç e shohim ai kishte shumë informacione. Po ashtu edhe për Shtetin dhe mostregimin e përkujdesit ndaj shkrimtarëve e veçanërisht ndaj Fredit, që s’e kishte ndihmuar e s’e ndihmonte dot. Madje ai e edhe e kishte dënuar shtatëmbëdhjetë me burg:

 “Shteti gjithmonë ka qenë kundër Fredit. Fredi ka jetuar, por tani s’jeton më. Iku Fredi. Edhe koha e fëmijnisë s’e pranon më se është rrugë e largët deri atje... ka shumë pengesa deri atje. Ata që kanë dënuar Fredin, që kanë rrënuar Fredin i kalonin para syve dhe as rrugë nuk ndërronin. Të paktën të ndërronin rrugë. Buzëqeshnin. Zgërdhiheshin. Dhe Fredi shihte, e ndjente deri në palcë, por nuk thoshte gjë. Se Fredi qe i vetëm, se Fredi ishte i butë. Ai ishte poet dhe poetët janë gjithmonë të butë’, që ka ditur të jetojë, por edhe të vdesë”.

Rreshpja për poezinë e tij dhe për kritikën letrare

Në këtë libër nuk mungojnë edhe mendimet e Rreshpes për poezinë e tij dhe për vlerësimet e kritikës letrare për të, me të cilat mendime nuk pajtohet, por edhe nuk ka dëshirë që të shkruhet për poezinë e tij. Apo se mjafton të shkruhet vetëm ajo se “Poezia e Fredit është poezi e imazheve” dhe kaq: “Tek-tuk kam lexuar ndonjë shkrim për poezinë time. Diku lexova, ku shkruhej se Fredi përdor epitetin, krahasimin, metaforën. Por poezia tek ato shtylla mbahet dhe pa to është si një pemë e zhveshur. Poezia ngjan me një tablo pikturë. Piktura nuk shpjegohet. As poezia. Më kotë përpiqen ta shpjegojnë poezinë. Ajo vetëm shijohet njësoj si piktura. Por piktorja më e zonja është vjeshta. Në vjeshtë bie shi i mirë. Bien hijshëm edhe gjethet e reja. Duke ëndërruar për gjethet e reja harrojnë se vjen dimri.... S’kam qejf të shkruhet për poezinë time. Mjafton të thuhet: Poezia e Fredit është poezi e imazheve. Imazhet nuk shpjegohen, imazhet vetëm shijohen. Fredi është poet posmodern. A e kuptojnë? Nuk e di...” Ndërkaq, duke folur për kritikën letrare, Rreshpja haptas deklaron se nuk i pëlqen të thuhet kritikë letrare dhe se për këtë duhet gjetur një emërtim tjetër, por vetëm kritikë letrare jo, ndonëse nuk ka ndonjë ide se si të quhet, ndërsa për ata që merren me kritikë apo me shqyrtimin e veprave letrare thotë se “notojnë në lumë pa e kuptuar se janë në ujë” dhe se “më shumë merren me lëmshin dhe s’e gjejnë fillin e veprës” (fq. 72)

Gjatë rrëfimit për poezinë, për imazhet poetike, ai kalon te proza dhe përrallat. Sipas tij, “shkrimtari i mirë shkruan thjeshtë, ndërsa te përralla shfaqet filozofia e Dantes, Shekspirit, Hemingueit, De Radës, e Kafkës. Shfaqet e thjeshta, me një fjalë e kuptueshmja...”

Rreshpja është i bindur se disa nga kritikët letrarë apo edhe bashkëkohësit e tij poetë përpiqen ta shpërfillin poezinë e tij dhe se ata nuk duan ta pëlqejnë atë, sado që ajo është një poezi e mirëfilltë: “Unë e di se disa përpiqen ta shpërfillin poezinë time. Nuk duan t’u pëlqejë, edhe pse e ndiejnë  se është mirëfilli poezi. Por s’mund ta flakin. E kam lënë aty, të shkruar. Poeti, është ose s’është. Mund të jetë 50 vjeç e s’shkruan gjë, mund të jesh 20 vjeç e shkruan bukur. Migjeni shkroi deri në moshën 25 vjeç, se në dy vjetët e fundit ishte i sëmurë. Kurse Fredi shkruan, edhe pse është i sëmurë. E mundohen ta shpërfillin si njeri. Thonë: Ky që mban këpucë të vjetra, që mban kapele të vjetër, që s’ka familje, që i ka vdekur nëna. Por edhe thonë: Ky që s’ka pare me pi një kafe me raki. S’ka gjë se vetëm qentë lehin pa të zot në hënë. Fredi s’ka kohë të vishet bukur... s’ka kohë të ndërrojë këpucët, se nuk ka këpucë të tjera. Po Fredi kapelen e mban bukur mbi krye...”

Fredi tregon edhe për mënyrën se si e shkruan poezinë e tij. Në këtë vetërrëfim apo bashkëbisedim me Petrit Palushin poeti thotë se poezinë e shkruan dhe më vonë kthehet dhe i lexon, duke i mbajtur vetëm ato që i pëlqejnë dhe duke i flakur ato që nuk i pëlqejnë:

“I shkruaj poezitë dhe i lexoj më vonë. Mbaj atë poezi që më pëlqen. Pse t’i mbaj ato që s’më pëlqejnë?”

Por Frederik Rreshpja flet edhe për njeriun dhe njerëzit dhe thotë se ai di të dallojë të mirin dhe të keqin:

“Fredi i ka sytë. E dallon të mirin, por edhe të keqin. Por njerëz janë, të mirët dhe të këqijtë. Edhe stinët kanë të ftohtin dhe të ngrohtin, kanë shiun dhe ylberët. Ata nuk e dinë se edhe Homeri ishte pa sy, por la vepra të përkryera si “Iliada” dhe “Odiseja”.... “

Edhe Fredi ka shkruar do poezi, njëlloj si “Këngët e Milosaos”. Po t’i mbledh dikush e t’i futë poezitë e mija në një libër, le t’ua heqë titujt poezive e del një libër si “Këngët e Milosaos”. Titujt e poezive vihen për me i dallu poezitë njëra prej tjetrës, sikur u vihen emrat fëmijëve. Ka poezi të mira, ka edhe poezi të dobëta, por nuk ka emra të këqinj fëmijësh...”

Migjeni më modern se sa Poradeci

Frederik Rreshpja në librin e Petrit Palushit flet edhe për Lasgushin, Migjenin, De Radën, Seremben, por edhe për Kafkën, Xhojsin dhe shkrimtarë të tjerë me përmasa botërore. Sipas tij Lasgushi ishte poet, por edhe poet në përkthime, për çka të tjerët, siç shprehet ai “nuk e kanë vërejtur këtë gjë”. Lasgushit ai ia vlerëson disa poezi dhe sipas tij atij në opusin e vet i mbetën shtatë-tetë poezi. Ndërkaq për Migjenin thotë se ishte poet ekspresionist dhe më modern se sa Poradeci. Ai është i mendimit se Migjenin politika zyrtare ua ka mësuar keq nxënësve, sepse para tyre nuk e prezantuan “Rrezignatën” dhe disa poezi të tjera me përfaqësuese të tij:

“Edhe Lasgushit i mbeten shtatë a tetë poezi. Jo më tepër. Po ai ishte poet edhe në përkthime. Kurrkush s’e thotë këtë. E dinë por nuk duan ta thonë. Po edhe Migjenin ua keq nxënësve nëpër shkolla. Nuk ua kanë mësuar Migjenin e vërtetë. Nuk ua kanë mësuar “Rezignatën” e do poezi të tjera. Migjeni ishte ekspresionist. Qe shumë më modern se Poradeci. Me qenë modern do me thënë me qenë në kohë. Edhe De Rada qe modern”.

Në këtë vetërrrëfim të Frederik Rreshpes, të shpërfaqur në natën e 11 nëntorit të vitit 2005 para Petrit Palushit, të cilin të rrëfyer të poetit do ta strukturojë në përmasë libri, fjalët më të shpeshta që  zë në gojë dhe të cilat i janë ngërthyer në mendime ishin: nëna, poezia, vjeshta por edhe vdekja e paramenduar, siç u tha edhe në një rast tjetër, në formë profecie.

Gjatë këtij rrëfimi, shkrimtari dhe studiuesi Petrit Palushi, do të arrijë të ndërtojë portretin e poetit, ndoshta ndër më të mirin deri më tani, që unë do ta quaja një portret brilant të sublimuar në një libër të veçantë, krejt të ndryshëm.

Petrit Palushi, përmes kësaj interviste apo rrëfyerje të poetit fatkeq Frederik Rreshpja, jo vetëm arrin të ndërtojë portretin letrar dhe njerëzor të Frederik Rreshpes, por edhe në një farë mënyrë të studiojë dhe, para lexuesit, natyrisht përmes gojës së poetit, jep edhe disa nga mendimet më brilante të tij për poezinë, jetën dhe shoqërinë. Por, penës së studiuesit dhe shkrimtarit Palushi, rrjedhshëm e qartë, nuk i shpëton dot as ndërtimi i vlerësimit për poezinë e këtij poeti, të karakterit të tij njerëzor e letrar, apo edhe për aspekte të tjera që ndërlidhen me poetin, të cilin, për shkak të kompleksitetit të tij të natyrshëm, e shpreh edhe në titull “s’e kuptuam kurrë”, ” anipse ai krijoi epokën e vet të pangjashme, epokën e poezisë vezulluese, pa kurrfarë shkëlqimi të mangët, por gjithnjë me dritë të parme”.

Përmbyllje

Libri “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”, i Petrit Palushit, për shkak të materies që ngërthen brenda në vete, pa dyshim është një libër i veçantë. Dikush mund ta quajë intervistë, dikush improvizim interviste, ngase autori nuk zhvilloi intervistë klasike, por thjeshtë një bisedë dhe një bashkëbisedim që rezultoi me vetërrëfim apo rrëfyerje të poetit që e parandiente në çdo fjalë vdekjen e vet. Ai mund të quhet edhe një ese apo edhe një studim i mirëfilltë, që lexohet me kërshëri e që rezulton me një zbulim të paparë të poetit të harruar nga cinikët. Ai mund të cilësohet lirisht edhe si një synopsis apo skenar filmi, ndoshta ndër më të veçantit, për poetin dhe bohemin e quajtur Frederik Rreshpja. Por ai mund të cilësohet dhe është edhe një testament letrar dhe një thesar i paçmuar i letrave tona, që tani dhe në të ardhmen do t’iu shërbejë lexuesve dhe studiuesve që të zbërthejnë figurën më markante të postmodernit të poezisë sonë, Frederik Rreshpja, “kthimi e jo rikthimi të filozofia e të cilit është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm, sepse nuk pati asnjëherë vështrim të duhur a vëmendje të parë, për të mos thënë më tepër se, pati vetëm shpërfillje të vazhdueshme” .

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1