Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | INTELEKTUAL DO TË THOTË TË ZGJIDHËSH NYJE TË PAZGJIDHURA NË SHPIRTIN E SHOQËRISË

INTELEKTUAL DO TË THOTË TË ZGJIDHËSH NYJE TË PAZGJIDHURA NË SHPIRTIN E SHOQËRISË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Robert Martiko

Robert Martiko, shkrimtar

 

 

 

 

             (Rreth një përsiatje të shkrimtarit Konstandin Vogli )

 

Duke lexuar një përsiatje të Kostandin Voglit, autori i mjaft librave me vlera letrare e historike, me titullin ‘‘Gjerdani i djegur i Shën Vasilit’’, të bie në sy qysh në rreshtat e para, pasioni i fshehtë për vendlindjen e të parëve të tij. Kemi të bëjmë me një shkrim që padashur të kujton romantizmin e shfaqur si rrymë mendimi në fund të shek të XVII me karakteristikën kryesore, të kapë të largëtën dhe të pakapshmen.

Dikur Shën Vasili ka qenë një fshat i madh me më shumë se katërqind shtëpi. Thimo Mitko e quan Shën Vasilin qytet te libri ‘‘Bleta Shqiptare. Po aq e vërtetë është kur bëhet fjalë për farën e zgjedhur trime, të burrave me karakter të fortë, të veçantë, të asaj kohe. Shëvasjotët dhe niviciotët vite të tëra nuk i nënshtroheshin një individi veçanërisht dinak e mizor si Ali Pashë Tepelena. Rojet që mbanin natë e ditë në kufi me Delvinën, njoftonin lëvizje të dyshimta ushtrie mercenarësh të aktivizuara nga Pashai. Përherë kishin dalë fitimtarë ndaj tyre. Në përpjekje për ti nënshtruar, Veziri i Janinës u lidh me konsullin francez të Korfuzit, i cili i ofroi disa anije për goditje pas shpine. Ky diversion ushtarak çoi në masakrën e madhe në vitin 1798, diçka që rrënoi përfundimisht një kështjellë të mrekullueshme heroizmi jo vetëm kundër Ali Pashës por edhe kundër pushtuesit turk. Është një fakt i admirueshëm historik se, në saje të rezistencës burrërore, gjithë Krahina e Himarës, kishte arritur të mos paguante të ashtuquajturën ‘‘Taksë të Gjakut’’: mos dërgimin e ushtarëve për të shërbyer në radhët e ushtrisë otomane.

Në përsiatjen e bukur të Kostandin Voglit bie në sy nostalgjia për të kaluarën. Parë në një prizëm më të gjerë, filozofik, kemi të bëjmë me diçka si përralla e ‘‘Mbretit të Ngrirë’’ ku dhimbja, në pamundësi për të gjetur shërim, kthehet në një mit shërues. Megjithatë, duke ndier përgjegjësinë për të ardhmen e Vendit, autori, me mençurinë e tij, nuk mungon të induktojë një mendim mjaft të çmuar, për të ardhmen e shqiptarëve. Mbasi asnjë komb i prapambetur në botë nuk bën dot këmbë përpara, nëse nuk i drejton gjithë energjitë e tij shpirtërore drejt të tanishmes, për të ndërtuar të ardhmen. E kaluara, pa këto dy parametra të domosdoshme, është diçka që jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë vendet me kulturën analoge, i mban shoqëritë jashtë kohës, në një gjumë të përhershëm shekullor. Nostalgji Romantike për Njeriun me Mendje të Hapur do të thotë që, nëpërmjet përpjekjeve të tij, të arrijë përsëri ‘‘Parajsën e Humbur’’.

Konkretisht, matanë historisë së një gjakpirësi të rrallë si Aliu i Tepelenës, te ‘‘Gjerdani i djegur i Shën Vasilit’’, lexuesi gjen rastin të dallojë armiqësinë klasike, karakteristike për të gjitha kombet më të prapambetura të botës. Është diçka që vijon edhe sot. Kjo është më e tmerrshmja. Shqiptari i gjorë pret një rrugëdalje nga i ashtuquajturi Sistem Politik. Mirëpo, sado të thuhet para zgjedhjeve, se ‘‘gjërat nuk do të shkojnë më keq’’, rezultati është krejt i kundërt. Duket sikur një zë realist përgjigjet: ‘‘JO! Gjërat do të shkojnë keq, po nuk ndryshove!’’ Nuk dallohet dritë në tunel përderisa politikanët shqiptarë nxisin urrejtjen sa herë i drejtohen popullit, veçanërisht në fushata elektorale. Pasojnë veprime të çmendura siç janë zëvendësimet e personelit në administratë, në mënyrë analoge sipas të ashtuquajturve fitues të zgjedhjeve. Për të folur realisht, e keqja qëndron te përçarja shpirtërore brenda vetë votuesit. Njëri grup politik urren tjetrin dhe kjo nuk mund të mos quhet veç një prapambetje e madhe fatale, me karakter kulturor. Historikisht gjithçka zhvillohet sipas një cikli të mbyllur vicioz. Mund të kenë kaluar shekuj nga koha e vëllavrasjes së realizuar nga dora e një Pashai, por armiqësia mbahet gjallë edhe sot, në trajtën: i majtë apo i djathtë. I ashtuquajturi revolucion kulturor duhet të ndodhë në shpirtin e gjithsecilit. Ky është kushti themelor për ndryshim.

Vetë qëndrimi amoral i konsullit francez, i cili i ofroi anijet Ali Pashës, tregon se çfarë bote e egër mbretëronte edhe te mentalitetet e evropianëve të asaj kohe. Mirëpo të gjitha shoqëritë e vendeve të Kontinentit të Vjetër, pas dy luftërash të tmerrshme botërore, ndryshuan. U zbutën tensionet e brendshme jo vetëm brenda kombeve por edhe në marrëdhëniet midis tyre. Shumica e evropianëve me mendje të hapur morën situatën në dorë. Krahas filozofisë me karakter njerëzor, artistët dhe shkrimtarët i shërbyen vendit të tyre me një lloj inteligjence të admirueshme, për të çuar mendimin paqësor përpara. Një kompozitor i madh si Zhorzh Bize, me muzikën e tij gjeniale, arriti ti bashkojë francezët. Të njëjtën gjë arriti edhe Xhuzepe Verdi në Itali. Duhet që edhe në Shqipëri të dalin shkrimtarë dhe artistë të tillë, të cilët në plan të parë të vendosin jo kotësinë qesharake të të dukurit personal, por të ndihmojnë konkretisht në praktikë, për të drejtuar shoqërinë drejt koncepteve kulturore të tilla, që bënë të mundur ndryshimin e saj. 

Ky është pikërisht konkluzioni i madh që Konstandin Vogli përçon nëpërmjet përsiatjes së tij. Sepse Intelektual në radhë të parë do të thotë të ndriçosh shoqërinë. Të zgjidhësh nyje të pazgjidhura në shpirtin e shoqërisë.

Comments (1 posted):

Luani nga Vlora on 07/03/2018 16:59:08
avatar
"Bashkim e ndriçim shoqëror" përfundim logjik i njëjtë, i dy shënvasiasve të shquar!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1