Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | NJË LIBËR QË NUK MUND TË ANASHKALOHET

NJË LIBËR QË NUK MUND TË ANASHKALOHET

Font size: Decrease font Enlarge font
image Faslli Haliti

             NJË LIBËR QË NUK MUND TË ANASHKALOHET

               Impresione për librin antologjik “Në syrin e ciklonit”

                 TË SHKRIMTARIT TAHSIN XH. DEMIRAJ

ese nga FASLLI HALITI

 

Që ditën e parë të ardhjes së regjisorit të ri në qytetin tonë, qyteti e quajti atë, i ardhuri me flokë të gjata. Ky i ardhuri me flokë të gjata në qytetin tonë ishte regjisori i ri i Shtëpisë së Kulturës, Tahsin Demiri. Unë e njihja atë, sepse kishim studiuar që të dy në Liceun Artistik për pikturë. Më vonë që të dy ne u ndamë nga piktura. Tahsinin e rrëmbeu aktrimi, regjisura, kurse mua poezia.
I gjatë, simpatik, natyrë, pak e rëndë në dukje, sepse në të vërtetë ai ishte me një humor të tipit anglez, tepër qytetar, i pastër. Edhe këtë cilësi unë ia njihja regjisorit të ri që vinte nga Durrësi. Në lice bëhej humor, sepse atje studiohej për pikturë, muzikë, teatër. Si shkollë artistike, Liceu ishte më elitari nga të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë. Që në vitet pesëdhjetë, kur shkollat e mesme u bënë masive, në Liceun Artistik, nuk mund të futej kushdo. Futeshin vetëm më të talentuarit, ata që fitonin konkursin e pranimit. Kjo e bënte atë edhe më elitarist.
Që në Lice, Tahsin Demiri dallohej si një talent sui generis dhe si një nxënës që pretendonte të bëhej dikush në jetë siç e thotë edhe vetë në librin e tij “Në Syrin e Ciklonit”. Dhe rasti iu dha, me të ardhur në Lushnjë, në qytetin me intelektualë vendas e të ardhur nga Tirana dhe gjithë Shqipëria, po thuaj. Në Lushnjë ai gjeti një elitë intelektualësh specialistë  të Institutit të Kërkimeve Bujqësore, Ivan Miçurin, diplomuar në akademitë e perëndimit e të lindjes si dhe në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës në Tiranë. Jo më pak elitar ishin edhe profesorët e gjimnazit, të ardhur nga Tirana, vendasit dhe mbi të gjitha talentet e që grumbulloheshin në Shtëpinë e Kulturës që përndritej nga gjenesha e këngës, Vaçe Zela. Këtu regjisori i ri do të gjente elementin më ideal dhe pas shumë shfaqjesh të suksesshme me grupet teatrore amatore do të krijonte Teatrin e Estradës në Lushnjë

Duke qenë aktor, regjisor, piktor, skenograf, poet, Tahsin Demiri ia dilte që pjesën më të madhe të shfaqjes ta përballonte vetë. Por ai nuk mbështetej vetëm te vetja, ai mbështetej te aktorët më të talentuar dhe kjo i siguronte suksesin. Jo rrallë shfaqjet e tij ai shkëlqente me Takimet me estratadën e vendit duke u kthyer jo rrallë me trofe të ndryshme.
Premierat e Estradës së Qytetit tonë ktheheshin në një manifestim artistik gjithë kolor e dritësi. Në muzgun e atyre viteve ato bëheshin dritë dhe në qiellin e artit lushnjar filluar të shkëlqenin yje aktorësh, këngëtarësh, poetësh, piktorësh, skulptorësh, të paerrësuar e eklipsuar nga askush, emrat e të cilëve, Tahsini i bënë të njohur, në librin e tij, mbase pa harruar askënd. Tahsini botonte poezi në shtypin qendror letrar, organizonte së bashku me shokët ekspozitat e arteve figurative në Shtëpinë e Kulturës, duke marrë pjesë dhe vetë në të, realizonte skenat e dramave që vinte vetë në skenë, shkruante skeçe, pjesë dramatike me një e dy akte, bënte pllakate, shkruante tregime, radiodramatizime. Ai buronte i gjithi krijimtari. Një fat për Lushnjën.
 Edhe pse i gërricur vazhdimisht nga thonjtë e disave që zhvillonin te artisti kotësisht Luftën e klasave për shkak të babait të tij të burgosur si kombëtaris, oficer akademist e me kulturë perëndimore. Por artisti periodik e përballonte këtë luftë mjeranësh me art, krijimtari, me dashuri të epërme për atdheun, njerëzit, madje edhe me mirënjohje e vlerësime për disa nga pushtetarët e partiakët e asaj kohe që janë treguar objektivë e lealë me të, për të cilët ai shprehet pa asnjë mëdyshje e rezervë, duke i përmendur edhe me emër disa prej tyre në libër. Rrëqethës edhe largimi i artistit nga Lushnja, nga vendlindja e tij e dytë siç e quan edhe ai vetë.
Unë e njihja krijimtarinë e Tahsinit që në vitet gjashtëdhjetë, kur ai erdhi në Lushnjë, por një gjë po kuptoj tani me krijimtarinë e tij, nëse te ne ato vite në krijimtarinë e tij vihej re një mëgojëz, një pengojcë e padukshme që linte përshtypjen e diçkaje të sforcuar, arsyeja paska qenë se artisti krijonte e përformonte në gjendje striksioni.  Krijimtaria e tij shihej me dyshim. Ai e dinte këtë dhe shtonte kujdesin, përforcimet që të mbrohej sa më gjatë e sa më mirë që të vinte një ditë me një libër gjithë dhimbje, peripeci, telashe, dëshpërime, bezdisje mizash, zhgënjime, por, në të cilin në asnjë çast që do të përshkruhej e në asnjë kapitull, paragraf e faqe nuk do të mungonte vetëm diçka: shpresa...
Dhe Tahsin Demiraj, i përvuajturi i madh i regjimit, ia arriti qëllimit, ai e shkroi këtë libër që s’do të mund të anashkalohet lehtë, sepse tregimet, esetë, memuaristik e tij sundohen nga jeta, popullohen me njerëz të mirë e të ligj, me të kulturuar e injorantë, me progresitë e konservatorë, me të talentuar, të penguar nga sistemi, mediokër beniaminë të sistemit të vjetër, tashmë. Personazhet e tregimeve janë kryesisht drejtorë, inspektorë, brigadierë, sekretarë partie zuzar, shefe kuadri me autoritaristë, maskilistë, pa shkollë, injorantë që vetëdemaskohen me gafat që bëjnë në të folur e me qëndrimet e tyre vanitozë përpara vartësve. Autori nuk i përqesh, nuk i tall, nuk i abrutizon, por i vë që të zbërthehen në valën e humorit si elementë dhe forca regresistë që i sillen nëpër këmbë shoqërisë dhe ngadalësojnë ecjen përpara të shoqërisë.
                     Por, mbi të gjitha, libri i Tahsin Demirajt, është dhe do të mbetet, një libër i dashurisë për prindërit e tij të përndritur me kulturë, etikë, humanizëm shqipëtar, përndritje të cilën, s’do të  mund ta zymtësonin dot përndjekjet e gjata perfide, paradoksale, absurde, fatale; por ky është edhe libri i dashurisë, i përkushtimit, përkujdesjes për dy fëmijët e vet, për dy neonet e tij me dritë të dëbortë që nuk e lenë asnjë sekondë të përhihet, ta mbulojë muzgu të atin e tyre të çmuar që për hir të avenirit të fëmijëve, brezit të ndritur, mori rrugën e syrgjynit, siç thotë dhe vetë në libër; por ky është edhe libri për vëllezërit, motrat, për nipat dhe mbesat, për të cilët autori shqetësohet, merakoset si për veten e vet, sidomos për motrat sa intelektuale dhe amvisa, sa estetike dhe të thjeshta, sa krenare dhe modeste; një përkujdesje të veçantë ka sidomos për vëllanë e madh, Bardylin dhe për motrën e vogël, Dezin e cila e ndoqi e s’e la vetëm të vëllanë, gjatë gjithë odisesë së tij dhe sidomos gjatë kohës që punonte në Lushnjë, qytet për të cilin ajo u bë topmodelja e tij, ndonëse e veshur me gjëra të thjeshta, por të prera e të qepura në mënyrë tepër estetike.
                       Po kaq libri është edhe libri i shokëve të shumtë të cilët autori i përmend me emër, i vlerëson dhe pjesëton hidhërimet dhe shumëzon gëzimet e pakta me ta. Llukan Kola, regjisori i talentuar, shoku, miku dhe mbi të gjitha protagonisti i dramës së jetës së tij të gjatë e me shumë akte demirjane e shoqëron autorin në skena të rënda dramatike dhe normale. Pranë Tahsinit, Llukani, është si Horati pranë Hamletit. Ju do t’i lexoni vetë emrat e tyre dhe do të njiheni në këtë libër dëshmi beletristike, me fatet e cilitdo, do të njiheni me ata me peripeci e me të tjerë me më shumë peripeci akoma të cilët do të jenë lexuesit më të uritur të librit të shkrimtarit Tahsin Xh. Demiraj. Prandaj thashë që në krye se ky libër zor se mund të anashkalohet.

Faslli Haliti

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1