Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Një libër me vlerë historike me autor Nuri Dragoj

Një libër me vlerë historike me autor Nuri Dragoj

Font size: Decrease font Enlarge font
image Bashkim Saliasi

Nga Bashkim Saliasi

Prapaskenat e Konferencës së Londrës

Një libër me vlerë historike me autor Nuri Dragoj

 

Me të drejtë Nuri Dragoj shkruan: “Ky libër është një kujtesë historike për ngjarjet kryesore, në të cilat u përfshi Shqipëria 100 vjet më parë”.

Ky paragraf më ngacmoi ta rilexoj dhe një herë veprën me vlera historike “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”.

Njihesha më parë me shkrimtarin, publicistin dhe studiuesin  Dragoj, por  ishte data 27 korrik që, së bashku me miqtë e mi Viron Kona, Kadri Tarelli dhe Nuriu do të udhëtonim në drejtim të qytetit verior të Shqipërisë, Tropojës, në një takim me miqtë e diasporës së Suedisë për përurimin e veprës tashmë të njohur “Thesari kombëtar”.Takimi ishte organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Tropojës dhe Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë, që kryesohej nga kryetari i saj z Hysen Ibrahimi.

Nuri Dragoj na mundësoi me mjetin e tij, që të njihnim jo vetëm trevat veriore të Shqipërisë e Kosovës, por edhe vet atë gjatë bisedës që unë zhvillova gjatë udhëtimit. Në një pushim të shkurtër në qytetin e bukur të “Bajram Currit”, të dy shkëmbyem edhe librat tanë.

Pas kthimit nga ajo veprimtari mbresëlënëse i lexova të dy veprat e z. Dragoj, “Prapaskena e Konferencës së Londrës” dhe “Trebeshina një jetë para gjyqit”, por do të ishte një kohë tjetër e pushimeve dimërore për t`i rilexuar dhe një herë tjetër dhe reflektuar mbi mbresat dhe emocionet që më dhanë këto dy vepra shtuar dhe tjetra “Sfida e një poeti”.

Shumë mendime më ngacmonin për të reflektuar për ato sfida që autori paraqet në veprat e tij, por si çdo krijues edhe unë kam krijuar bindjen se po nuk erdhi vetvetiu mendimi për ta hedhur në letër mundohu sa të duash, nuk del nga shpirti. Libri “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, është libër me vlera historike, i cili është shkruar me një gjuhë letrare të pastër dhe me një drejtshkrim gjuhësor, që nuk të lodh gjatë leximit, por përkundrazi të jep mjaftë kënaqësi dhe mund të them se nuk të lëshon ai deri në faqen e fundit.

Dragoj me këtë vepër historike,  bazuar në fakte konkrete, duke shfrytëzuar arkivin e kohës, por edhe burime nga kujtimet personale të personaliteteve të asaj kohe, ka arritur që të ngrejë një kështjellë, brenda së cilës fshihen shumë labirinte dhe se çdo labirint fsheh një enigmë, ku autori me mjaftë delikatesë i ka dhënë zgjidhjen e duhur bazuar në faktet historike të një populli të martirizuar nga fqinjët që na rrethojnë dhe deri te sllavët që kurdoherë janë munduar që jo vetëm të fshehin historinë e këtij populli vital, por edhe ta copëtojnë e vjedhin, ashtu sikundër bëjnë hienat me prenë e vrarë nga tufa e luanëve.

Një popull vital i zhytur në një errësirë pesëqind vjeçare nënë sundimin  e Perandorisë Osmane, me një histori të vjedhur nga fqinjët e vet grekë e serbë, provon në kurrizin e tij sakatimin e trojeve të veta, por do ishin bijtë e shqipes me në krye Ismail Qemalin, që  me mbështetjen e Austro-Hungarisë dhe ShBA, të shpallnin në 28 nëntor të vitit 1912 pavarësinë e Shqipërisë dhe, prej asaj kohe, Shqipëria do të kishte Qeverinë e vet të pavarur.

Autori Dragoj me një vullnet të çeliktë, përveç dokumenteve dhe kujtimeve personale të personaliteteve të asaj periudhe, ka shfrytëzuar dhe kronikat e kohës, gjë që e bën veprën një kështjellë të pa lëvizshme dhe shumë komode.

Vepra është e pasuruar me një bibliografi të pasur kërkimore dhe shkencore, ku mbi bazën e fakteve historike, u tregon shqiptarëve se si mundën shqiptarët e emigruar në troje të ndryshme të globit, që nga Amerika e largët, Hungaria, Turqia dhe vet shqiptarët e Shqipërisë, të luftojnë për kauzën e mëvetësisë nga Perandoria Osmane të shpallnin pavarësinë e vendit tonë.

 Meritë e autorit Dragoj është se ai i sjell lexuesit dhe mbarë studiuesve të fushës së historisë fakte mbi zhvillimin e ngjarjeve bazuar në dokumente. Falë kulturës njohëse të gazetarisë dhe aftësive hulumtuese autori arrin të na dhuroj një vepër me mjaftë vlera artistike, jo vetëm për nxënësit e shkollës së mesme dhe studentët e degës së historisë, por edhe për vet mësuesit dhe pedagogët, që punojnë dhe mësojnë nxënësit dhe studentët.

Është kënaqësi që të radhisësh në bibliotekën tënde  veprat e studiuesit, tregimtarit, publicistit dhe mendimtarit z. Nuri Dragoj.

Nuk është se po bëj analizën e veprës së z Nuri, por në këtë artikull thjesht po jap mendimet e mija për mbresat dhe emocionet që më dhuroj kjo vepër për të njohur edhe më mirë historinë e vendit tonë.

Vepra përmbledh gjithsej katërmbëdhjetë kapituj dhe, autori Dragoj, duket se i ka vënë qëllim vetes, që mbi bazën e studimeve të thella shkencore, bazuar në faktet konkrete historike, të zbardhë të fshehtat që fshihen në arkiva duke i kujtuar lexuesit se fuqitë e mëdha, nga hera na e kanë pasur me hile dhe kanë synuar copëtimin e trojeve.

Në qendër të subjektit të kësaj vepre  me vlera historike  është historia  e gjallë e një kombi vital, të dalë nga errësira  e krijuar nga pushtimi osman i vendit në pesë shekuj robëri.

Autori Dragoj me një gjuhë të pastër letrare e rrjedhshmëri të mirëfilltë të mendimit, të bën që duke kaluar nga njëri paragraf në tjetrin, të ndihesh sikur je në stinën e pranverës ku syri qetësohet  duke parë bukuritë e natyrës e ku lulet shumëngjyrëshe të falin ndjesi pozitive dhe të kthjellojnë mendimet.

Është meritë e autorit që me kulturën që ai zotëron të trajtoj mjaftë mirë problemet dhe hallet e popullit tonë jo vetëm të periudhës para 100 vjetësh, por dhe të atyre që ne jemi koherent dhe ballafaqohemi çdo ditë, duke u ndeshur me situata jo të këndshme me fqinjët tanë, qoftë ata verior apo jugor për sa i përket kufirit tokësor dhe ujor.

Gjatë leximit të kësaj vepre nga faqja në faqe të lind pyetja: -Cili do jetë fati i shqiptarëve në këtë shekull, që ne po jetojmë? Këtë përgjigje mendoj se e jep mirë dhe qartë z.Dragoj në librin e tij,duke theksuar se janë vetë shqiptarët, që zgjidhën problemin e pavarësisë dhe u takon po atyre që të çojnë Shqipërinë në Europën e bashkuar e të finalizojnë bashkimin e trojeve shqiptare.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1