Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Poezia çan detin e ngrirë brenda nesh

Poezia çan detin e ngrirë brenda nesh

Font size: Decrease font Enlarge font
image MARK SIMONI

Poezia çan detin e ngrirë brenda nesh 

MARK SIMONI

Në dhomën e madhe të një bukinisti fiorentinas gjeta librin e famshëm “Poezia dhe diskurse mbi poezinë” të Kuasimodos. Në shpinë të librit qe shkruar: “Ndoshta poezia është iluzioni përfundimtar i godinës së të gjitha vlerave të njeriut, përpara se njerëzimi të shpërbëhet.” Sa klas, sharm e nder i jep ky autor i madh poezise me këtë thënie. E ngre atë në kultin e epërm, i jep zotnillek. Dhe janë poezitë e bukura, të thurura mbi këtë botë, garanti që ia ka mbushur mendjen dhe e kanë bërë të sigurtë Kuasimodon të arrijë në këtë definicion. Sot, që kam në dorë librin poetik “Krejtin krejt” të Eli Kaninës, e ndjej se edhe këto poezi, do ta kishin ndihmuar Poetin e madh të besonte tërësisht në atë që thote në fjalën e tij. Në të njëjtën logjikë, italiani tjetër i madh Ungareti, fetishizon poezinë kur thotë se, “ Unë besoj se ditën që nuk do të ketë poezi, nuk do të ketë më as njerëz mbi tokë”, pra në një farë mënyre është pikërisht ai art i vargut që përcakton dhe fatin e njerëzimit dhe është i lidhur pikërisht me këtë gjest krijimi. Të keshë në dorë një libër të ri të bukur, në një farë mënyre ke në dorë një çast shprese se njerzimi mbi tokë do të jetë akoma edhe për shumë jetë e mot. Edhe Eli Kanina ma ndez këtë dritë për të ma iluminuar rrugën e gjatë të njerëzve, dhe ky libër i ri i saj është akt për të na kultivuar shijet e së bukurës dhe për të na rritur melodinë e vokacionit të brendshëm që kemi për ditët që do të vijnë. Libri “Krejtin krejt” është libër për të gjithë, siç është në vetvete njëkohësisht dhe një libër përsonal i poetes, i nxjerrë nga arketipali i brendshëm i ndjesive, logjikave, mvetësive, mallit dhe kujtimeve. Pikërisht ky libër që kemi në dorë sot më kujton të vërtetën e madhe të kritikut Ricardo Piglia “Letërsia është formë private e utopisë”.
Ja çfarë thotë Anne Sexton, që e mbështet metaforën e saj mbi një logjike të Kafkës. “Poezia ka misionin e sëpatës, që çan detin e ngrirë brenda nesh.” Osho thotë se “fjalët kanë ndërgjegje”. Dhe po t’i biesh kryq e tërthorë letërsisë së Eli Kaninës e kupton se ajo e ka pjesë të koshiencës së saj krijuese këtë argument. Duket sikur fjalet behen të kuptueshme nga që janë simbolet e fonemave, dhe ashtu të rënditura japin një kumt. Jo, është më tepër se kaq. Germat s’janë vetëm simbole. Brënda tyre ka të ndryra energji të kuptimshme. Ndërsa Lau Tze mendon se jo vetëm fjalët, por çdo tingull i vogël i saj, thotë më shumë se vetja e vet. Pra, ai rreket të mendojë që, tek fjalët tingujt rrinë me njëri tjetrin si në një akt magjik, diçka mes misterit dhe qiellores. Këtë çast fatlum, këtë lexim temperature, jehone dhe dimensioni që kanë fjalët dhe tingujt, ka ditur të kapë Eli Kanina. E në kapjen e këtij regjistri aktivizohen shijet, ndjesitë, intuita dhe inteligjenca. Fjalët e figurshme kanë vlerën estetike dhe artistike, taman ashtu si dhe elementët e tabelës së Mendelejevit që kanë valencat e tyre. Përzgjedhja e fjalës, vendosjen e saj si në pazëllin e fjalisë, kapja intuitive e fjalëve që artikulojnë më qartë kuptimshmërinë e vet, gjetja me kujdes e zjarmisë dhe e temperaturës ndjesore të fonemave të vogla, loja e figurshme, si dhe tërheqjen e lexuesit në domenet më të bukura estetike, janë vetëm një pjesë e agregatit ku prodhohet letërsia e vargut të Eli Kaninës. Njëri nga rradhitësit në kompiuter të poezive të Frederik Rreshpjes kujton se, sa herë haste ndonjë vështirësi në leximin e poezive të bëra me laps në fletët e zhubrosura, pyeste Poetin: “Fredi, çfarë fjale ke shkruar këtu?”, dhe shkruesi mundohej t’ia shpjegonte disi se ku qe kjo fjalë në poezi. Rreshpja, që përtonte të lëvizte nga kolltuku i tij i vjetër e gërdallë, i përgjigjej: “Çfarëdo fjale të vesh, e thotë fjala vetë nëse i shkon a si shkon vendit të vet”. Dhe vërtetë. Tek Rreshpja dallojmë preçizionin gati matematik të gjetjes së fjalëve dhe vendosjes së tyre bash aty ku e kanë vendin e askund tjetër. Kjo më ka kujtuar një shkrim të Anna Ahmatovës mbi artin poetik. “Ta njohësh fjalën e të jeshë i përpiktë me të. Çdo fjalë duhet të ndodhet në varg bash në vendin e vet, sikur të ketë qenë aty prej mijra vjetësh, por që lexuesi e dëgjon thuajse për herë të parë në jetë.”. Këtë sy të stërvitur e ka kultivuar dhe Kanina. Kur e lexon poezinë e saj kupton se në vendin e një fjale s’mund të shkojë asnjë fjalë tjetër, madje as dhe sinonimati më i përafërt dhe i përngjashëm. Kjo është valenca dhe vlera e dimensioneve të një fjale, ashtu si në kutiat e Mendelejevit s’mund të vihej një simbol në vend të një tjetri. Madje kjo është harmonia. Tek lexoja dorëshkrimin e Elit, mu kujtuan dy piktorë, të mëdhenj, të ndryshëm e shumë të veçantë. Njëri është Polloku që hedh e derdh si pa të keq fuqi të mëdha me bojra ngjyra ngjyra nëpër relievin e shkretëtirave amerikane
Kur merren pamjet nga lart të asaj çfarë ka “nakatosur” Polloku, kupton se ngjyrat janë në një kompozim e harmoni artistike të jashtëzakpnshme, të prodhuar nga ajo që quhet në psikologji “koshienca e rastësishme”, pra ka një alkimi mes spontanitetit dhe rregullit, mes inkoshiencës dhe harmonisë. Pikërisht këtë praktikë, të hedhjes (në dukje) si pa të keq të një grushti fjalësh në poezi, ndjehet tek shumë tekste të Eli Kaninës. Dhe ke përshtypjen sikur rastësia i ka vendosur në një rregull e harmoni të jashtëzakonshme. Kjo është nënshtresa e koshiences dhe vetëdijes që fle tek njerëzit e talentuar, dhe aktivizohet në mënyrën më të çuditshme, duke na dhënë krijime të përkryera. Sepse zeja e artit është brenda arketipit të tyre krijues, në formën më të përsosur. Tek këto talente s’ka se si të ndodhë ndryshe përveçse dhe ajo shkujdesje në dukje, që prodhon një art harmonik të çuditshëm e të realizuar në mënyrën më të përsosur. Eli Kanina ka aftësinë e jashtëzakonshme që të hedhë brenda poezisë së saj dy a tri fjalë, (si pigment), si tinguj ngjyrash, që pastaj përndezin gjithë atmosferën e krijimit. Kjo më kujton Pikason kur thotë se, “ mjafton një penelatë kuqalashe spanjolle ta hedhësh në pikturë, dhe ato bëhen në çast të egra si sytë e kuq të demave”. Më duhet ta ripërsëris dhe një herë Anne Sexton, që e mbështet metaforën e saj mbi një metaforë të Kafkës. “Poezia ka misionin e sëpatës, që çan detin e ngrirë brenda nesh.” E dikund tjetër Sexton shkruan se “E di, poezia është jeta / jeta që s’mundem dot ta jetoj.”. A nuk është i tërë libri “Krejtin krejt” një apologji pengu? Aty këtu nëpër libër ndjehen jehonat e “këngëve të pakëndueme”, portave që s’hapen dot lehtë, kuisja e bravave të ndryshkura të shoqërisë, shirat e ftohtë të keqkuptimeve. Eli Kanina ka ndezur një qiri të kuq, ta shkrijë disi atë detë të ngrirë, ta ndriqojë atë shteg portash, ta thajë lagështirën e atij shiu të vjetër, të iluminojë sadopak këtë botë që na rrethon. Për të hyrë në librin delikat dhe elegant të Eli Kaninës ka ca çelësa kulture dhe talenti, ashtu siç ka dhe një stil fin. Pikërisht ai lloj stili që përmend Paolo Mattei në një shkrim për Alda Merinin kur thotë që për të mbërritur brenda vargjeve të Merinit duhet të ecësh në maje të gishtave e pa bërë zhurmë. Përherë më ka munduar pyetja se a ka një alkimi të fshehtë mes formës dhe përmbajtjes, sidomos në rastet kur vetë forma shfaq vetinë e përmbajtjes bash drejtpërdrejt. Dhe sa luan forma ndikim direkt në kuptimshmërinë e përmbajtjes dhe artikulimin e idesë së saj. Kritiku Kruk Zekel kur merr në analizë poezitë formaliste të Gijom Apoliner thotë se “unë e ndjej aromën e athët të verës tek poezia qe Apoliner ka kompozuar grafikisht si gotë vere, pavarësisht se në të s’ka anjë shenjë vere. Tek poezia në formë peme ndjej në tërë vargjet fëshfëritje gjethësh, puhiza të lehta pavarësisht se poezia flet për tjetër gjë”. Mendime njërëzish të studimeve të sipërfaqëshme insistojnë se s’ka kurrfare lidhje mes torsit të një femre dhe formës së violave, (violinës, violonçelit, kontrabasit). Por ne asnjëherë s’duhet të heqim dorë nga ideja se, në imazhin e modeluesve të kësaj vegle, ka shëtitur në mënyrë mistike dhe forma e trupit të një gruaje. Raporti i formës (violina si grua dhe gruaja si violinë), me substancën e tingullit është mistik, është një mardhënie alkimike. Nuk është fare e rastësishme që shumë njerëz që kanë parë djegien e violinës së kuqe në sheshin e Kinës, thonin gati të tromaksur se ajo violinë qante si zë gruaje. Ndërsa Frederik Garsia Lorka tek eseja për ninullat spanjolle thotë që: ”Vetëm zëri i grave, si melodi violinash, mund t’i vinte në gjumë ata fëmijë”. Po ta shohësh në këtë mënyrë poezinë e Eli Kaninës, të keshë këtë lloj regjistri leximi të mbështetur në këtë teori që thashë më lart, patjetër që mbetesh i mahnitur. Ka një përputhje të jashtëzakonshme mes mjeteve të përdorura, figurave dhe domethënieve, nënteksteve dhe teksteve, formave arketipale dhe kuptimshmërive të fshehta. Unë mendoj që për të shijuar “Krejtin krejt” patjetër që lexuesi duhet të jetë i paisur me mjete e regjistra të shumtë leximi, i përgatitur për të hyrë në terrenin e një letërsie të veçantë, të çuditëshme e tepër cilësore.

(Kjo eshte PARATHENIA e librit “Krejtin krejt”, parathenie qe do te botohet dhe ne dy nga gazetat me te medha te vendit. Ky liber, qe del nga shtypi keto dite, eshte botim i Shtepise Botuese MUZGU,. Javet ne vazhdim MUZGU do te prezantoje para publikut edhe librin tjeter te Eli Kanines, tashme ne proze, titulluar “Vetja ma shkel syrin”).

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1