Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | NJË ZGJIM I HARESHËM

NJË ZGJIM I HARESHËM

Font size: Decrease font Enlarge font
image “Zgjim nga Nostalgjia”.

NJË ZGJIM I HARESHËM

 Siç mund të kuptohet, nga ky libër i poetit të sapozgjuar Behar Çaushllari, talenti është një dhunti, e cila nëse nuk aktivizohet që në fillimet jetësore, bie në gjumë letargjik, derisa t’i  vijë koha, të shkundet me krijimin e parë. Ky poet  i talentuar, ndonëse e ka emrin Behar, u zgjua hareshëm në një dimër të butë si i sivjetshmi. Dhe shkak u bë nostalgjia për vendlindjen e tij të largët, tashmë kur ndodhet me banim ne Tiranë. Këtë titull mban dhe libri i tij i parë “Zgjim nga Nostalgjia”. 

Poezitë e tij me temë  nga jeta e fshatit, të publikuara në internet, ranë menjëherë në sy të lexuesve dhe me mua tërhoqën vëmendjen. Unë ndjeva në tinguj e tij, një poet që i përngjan Robert Bërnsin të famshëm skocez, i cili i këndoi jetës se bukur fshatare, me një lirizëm tepër të ngrohtë e të pashoq. Do të thosha me kënaqësi, se kur lexoj krijimet e Beharit, ndjej shijen e një poezie, jo vetëm origjinale por edhe “bio” që vjen nga trevat malore, rrëzë Tomorit “të shenjtë” siç e quan autori vendlindjen e tij.  

“Shtëpinë time, në fshatin ku kam lindur, 

Shpesh herë në ëndërr të bukur e shoh. 

Tepër i sigurt dhe shumë i bindur, 

Se më ka pritur viteve, të më ngrohë. 

 

Oxhaku me dru lisi lëshonte shkëndija 

Ruheshim prej tyre, sidomos nga sytë. 

Aty kam fshehur ëndrrat e para të mia, 

Duke fërkuar Balon lidhur me hallka në fyt. 

 

Gjumin aty e lashë, bashkë me fëshfërimat, 

Lulet që erëmojnë lëndinat dhe luleshtrydhet; 

Gurët, pemët, ujin bashkë me gurgullimat, 

Me magjinë hyjnore të ozonit që falin pyjet.”

Autori kujton me nostalgji të bukur fëmijërinë e tij me shokët e paharruar dhe lodrat gazmore: 

“Në fëmijërinë time të bukur, 

Me shumë shokë lodërtarë, 

Çdo ditë, gjithmonë jam lutur, 

Për Çilon tim, kecin manar.” 

Puna në tokën e fshatit, shkruan autori, ta shpërblen shumëfish me të mirat e saj, për të jetuar në kushte të qeta, e të shëndetshme për njeriun:

“Gjithë sakrifica shpërblehet shumëfish 

Me lëndinat pranë dhe kurorën e pyllit, 

Freskinë e ajrit, askush s'mund ta prish, 

Bukuria e këtij vendi ia kalon dhe yllit. “ 

Krejt ndryshe i duket atij jeta në qytet, me ajrin e rënduar nga smogu dhe jetën monotone:

“Qytetet sot janë tym dhe smog i gjallë, 

Ku s’po mundemi dot të marrim frymë, 

Kush ka vilë, mburret si qytetar i parë,

Por nuk sheh smogun, që i ka plasur sytë. 

 

Me syze të mëdha, si byth’ kavanozi, 

Në çdo çast mban në dorë, celularë, 

Mbushur xhepat plot me letra bixhozi 

Por jeta çdo ditë e godet për ta vrarë.” 

Një vend të rëndësishëm në këtë libër, zënë poezitë kushtuar babait të tij të dashur, karakterin e të cilin poeti e ka pasur si shembull në tërë jetën e vet:

“Bilbilat e zgjonin me cicërima, 

Parfum kishte aromën nga ara, 

Fytyrën ia freskonte me vesë bryma, 

Dhe vështrimin e mbante veç përpara.”

Dhe më poshtë poeti e mbyll poezinë:

“Kam dashur t’i ngjaj atij, sa të mundem,

Në sjellje devotshmërie dhe në karakter, 

Por ende s’e kam arritur tamam si duhet,

Se ai qe shembulli, i të jetuarit me nder.”

Pas hapjes së vendit, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe poeti emigroi në disa shtete perëndimorë, për të siguruar gjendjen ekonomike të familjes, ku aty vuri re një marrëdhënie krejt tjetër, mes pronarit dhe punëtorit: 

“Kam punuar gjithandej,
Në disa vende, ku isha vet,
S'gjeta dot një "bos"për be,
Të mbahej me kokën përpjetë.

 

Në Londër nuk kish pronarë,
Drejtonin veç menaxherët,
Dhe kryepunëtori i parë,
Thoshte jam si gjithë të tjerët.”

Po ashtu, duke punuar në shtetin fqinj, atij i ka berë përshtypje kjo marrëdhënie: 

“Edhe greku më i pasur,
Hante, pinte bashkë me ne,
Kur të shihte të fandaksur,
Të pyeste, çfarë halli ke?

 

Te platia, ku ishte shtruar,
Bashkë me miq në restorant,
Të quante mik të respektuar,
Mes shokësh të bënte vend.”

            Në antitezë me ta, poeti përshkruan pronarët e rinj shqiptarë: 

“Mirëmëngjesi, po t’u thuash,
Ta marrin se iu the, plaç,
Në punë të bëjnë sa të vuash
Dhe prapë të kërkojnë haraç.”

            Temën e respektit dhe vendin qe zë gruaja në jetën familjare e shoqërore, të cilën poeti e quan zonjë e ndritshme e shtëpisë, ai e trajton në disa krijime:

Nuk mundet shtëpia, të quhet e tillë, 

Pa zonjën e ndritshme, aty të qëndrojë. 

Ajo me dorë e mendje e kthen në vilë, 

Dhe kur ndjen lodhje, fillon të këndojë.” 

Në disa krijime të tjera, poeti Behar Çaushllari, nuk qëndron indiferent edhe ndaj gjendjes së sotme të vendin tonë, ku ai ngre zërin për disa fenomene negative, që vë re në jetën e përditshme:

“Po, jetojmë kohë të vështira, 

Dhe nuk po kuptojmë dot,

Si e liga dhe e mira, 

Po shoqërohen me lot. 

 

Shoh fëmijë që mezi rriten, 

Nuk shoh të ardhme për ta,

Zihen rrihen dhe vriten, 

ose i shesin, për para... “

Poezia e poetit të sapoekspozuar në faqet e këtij libri, ka shumë dukuri cilësore për t’u vlerësuar, por më mirë atë vlerësim, duhet ta bëjnë vetë lexuesit, pasi të kenë marrë në dorë vëllimin e tij të këndshëm, “Zgjim nga nostalgjia”.  

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1