Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Një zog memorjesjellës në tavolinën e në vargun e poetit

Një zog memorjesjellës në tavolinën e në vargun e poetit

Font size: Decrease font Enlarge font
image Faslli Canaj

Një zog memorjesjellës në tavolinën e në vargun e poetit

Dr Fatmir Terziu

 

Në ditët e para të vitit që sapo nisëm ta bashkëshoqërojmë, poeti Faslli Canaj, na solli “bardhësisnë” e vargut të bardhë nga Atdheu, të strukur në simbolikën dhe mesazhin e një zogu që zbret me urtësinë e tij në tavolinën, ku dy pena shqiptare gjerbnin kafenë e tyre të zakonshme. “Një zog mbërrin në tavolinë”, i ardhur për ne, për lexuesin, dhe për vetë protagonistët, si ngjarje reale e kohës mes dy miqve, tek kafja pranë Liqenit Artificial, sipas poetit detajon: “më shumë se flisnim, ngjante se belbëzonim/për të mos ua trazuar qetësinë/të pashqetësuarëve/ashtu, /si valëzat e përgjumura të liqenit,/pulëbardha gjumashe,/na shkelnin syrin vjedhtas/sikur të ishin kameramanë të përsosur/dhe qetësinë tonë sekretore/filmonin”. Përtej të gjithave, qetësia “sekretore” trazohet vetvetiu. Dhe ja shfaqen ky simbol i lirisë së ajrit të na zgjojë dhe ne të kujtohemi për poetin, për Faslli Canajn.

Simboli i shpendëve në tavolinën ku ndodhet “thjeshtësia” e penës së poetit, bri filxhanit të kafesë, natyrisht së pari mund të interpretohet pa ndonjë hezitim, se ardhja e zogut është si një arsye “mesazhiere” nga Qielli, si një pararendës i lajmeve, pasi zogjtë u përdorën herët dhe kemi mësuar se janë përdorur si të tilla për komunikim qysh nga lashtësia. Edhe pse dy protagonistët, njëri që shkruan vargjet dhe tjetri një mik i tij i penës, një shkrimtar, Xh. Beqaraj, nuk janë në “pasionin” e leximit të kafesë, ajo që lexohet dhe shkon tej frymëzimit të poetit është fakti se përkon me një realitet, madje flet qartë dhe apriori tregon se poeti na qas atë preambul ku leximi i zogut në këtë rast do të parathotë se do të marrë një lajm të mirë nga të dashurit, por dhe një lajm i keq është i mundur nga një person i cili është larg nga ajo tavolinë e vogël me prezencën e dy penave. Nganjëherë kjo prani e shpendit të lirë të natyrës së lirë, është si një pararendje e një mysafiri që vjen nga larg, apo dhe një pranie perceptuese që shfaqet vetëm në leximin dhe mendjen e poetit. Shkurt është detaj artistik. Saktë është mesazh i qartë artistik. Dhe këtë poeti e ka kthyer në art. E ka bërë të lexueshëm me këtë varg të bukur të bardhë. Të tjerat, si dhe ato që thamë janë detaje për të hapur rrugën e analizës. Ajo që është në këto detaje mbetet tek loji dhe emërtesa e zogut. Emërtesat e ndryshme kanë interpretime të ndryshme. Poeti dhe kolegu i tij në këtë rast ndoshta do të donin të ishte një tufë e zogjve në ardhjen e tyre të lirë në atë tryezë bri filxhanit të kafesë, pasi ajo tufë dukshëm paraqet pasuri dhe bollëk. Por kur ky zog shihet në atë tryezë, kjo ka një kuptim të fshehtë në mendjen dhe zemrën e poetit, që meton se “lajmi” do të vijë nga agjencitë qeveritare.

Një zog mbërrin në tavolinë”, ashtu sikurse sqaron poeti Faslli Canaj, “është një gjarje reale me poetin Xh. Beqaraj, tek kafja pranë Liqenit Artificial”, ku “Të dy/gjerbnim kafetë”. Me mbërritjen e zogut në tavolinë: “Të dy folëm/zëulët, por mjaft ngrohtësisht,/por mjaft kujdesshëm/që dhe dy zonjave me ne gati supengjitur/të të mos ua trazonim sadopak qetësinë.” Këtu vargu jo aq sa për të vënë në dukje praninë e zonjave, godet gjetkë tek makuteria e sotme, tek “këta pronarët makutër,/mendonim të dy,/por as që deshëm dhe të mërmëritnim /sikur dhe zëmbytur,/grykësia, largësinë mes dy tavolinave,/se ka lënë as dhe sa një gisht”. Kaq mund të bëjë poeti. Vetëm kaq e ka fuqinë e tij. Fuqia tjetër e tij është tek memorja, përtej fjalës dhe perceptimit: “Të dy me radhë folëm/për lulet e bukura,/për Vjosën,/që zbret nga grykat e maleve/vajzë e harbuar, leshrapakrehur,/në Fushën e bukur të Kutës/belpërdredhur, nuse e bukur plot nur e hire,/me brigjet trëndafila buzëqeshjesh.”

Sakaq “Një zog mbërrin në tavolinë” ofron një interpretim për mjaft lloje të zogjve të ndryshëm të zbritur në tavolina të tilla “kanonike”. Zogjtë në këtë rast luajnë një rol të rëndësishëm në artin poetik. Këtë e kanë bërë që nga fillimi i shfaqjeve të formave gojore të komunikimit poetik mes njerëzve të ndryshëm, ku që herët në objekte të gjetura vërejmë zogjtë fatidikë. Bota poetike dhe ajo e interpretimit të artit shkon edhe tek dyzetë zogjtë që rrethonin një shqiponjë në mozaikun e shekullit të gjashtë, të cilat janë interpretuar në mënyrë bindëse nga autorë të shumtë. Kështu në forma të ndryshme folklorike shqiptare zogjtë paralajmërojnë ngjarje. Në rastin konkret zgjojnë bisedën e lirë dhe kohën e bukur rinore: “Folëm/për barin/ se si në mëngjes/zgjohet buzë brigjesh me syçkat e argjendta/larë me vesë,/për zogjtë, /sidomos për bilbilat,/që shelgjet leshëralarë në rrjedhat e kaltra/dhe rrapet degëlartë/i përkundin e zgjojnë në djepe cicërimash/dhe kurrë nuk harronin t’i spërkatnin /me parfumë petla trëndafilash”.

Zogjtë teksa shfaqen, natyrisht kanë dhe arsyen e kujtesave të tjera, trazojnë më thellë dhe shpotisin mes memorjeve: “nuk harruam të flisnim/dhe për vargun e pambarimtë të milingonave”, edhe pse “… kurrë/ s’na ra në mend të flisnim/për “burra shteti”, /për ata “Të lartët”, lart,/ata letër flakur në kosh për ne/përherë janë e kanë qenë hedhur/dhe nëse nëvargje do t’i futnim /do na i bënin vargjet me baltë.” Ashtu sikurse zogjtë dinë më mirë gjuhën e zogjve dhe poetët me këtë mbërritje qiellore folën shumë “për vargje, poezi, hiperbola, litota, krahasime/komente të Çabejit, Nolit,/për këngët e mrekullueshme të sonës vendlindje,/për nejrëzit që në botë thirren NJERËZ,/për kohën kur mbi bar u hidhnim, pas bore, /zogjve thërrime”. E ku nuk bredh poeti me fjalën e tij intime.

Poeti, Faslli Canaj, që këndon “Ah, këto  bredhërima!” natyrshëm rrugëve të fëmijërisë, i gjen “Bredhjet/pas krahëve të fluturave/lëndinave magjiplote,/vrapimet,/pas korit mrekullues të zogjve”. Ndryshe nuk do të kishte kuptim, si të zbriste krejt papritur e të trokiste, ashtu i “paftuar” ai zog memorjesjellës në tavolinën e në vargun e poetit. 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1