Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Vepra e Hyjni Cekës, jo thjesht si “bibliotekë” por si vlerë e pavdekshme letrare

Vepra e Hyjni Cekës, jo thjesht si “bibliotekë” por si vlerë e pavdekshme letrare

Font size: Decrease font Enlarge font
image Hyjni Ceka

Vepra e Hyjni Cekës, jo thjesht si “bibliotekë” por si vlerë e pavdekshme letrare

Dr Fatmir Terziu

 

Aleksandër Pope (21 maj 1688 - 30 maj 1744) shkrimtari më shpesh i cituar në “The Oxford Dictionary of Quotations” pas Shekspirit, e ka thënë që në vitin 1711 fjalën e tij të pjekur në vargje për rëndësinë e një fjale të shtruar, një fjalë që sadoqoftë, dhe sidoqoftë të jetë e shtrenjtë për të cituar sadopak vëmendjen e një autori. Aleksandër Pope ishte një poet anglez i shekullit të 18-të. Ai njihet më së miri për vargun e tij satirik, përkthimin e tij të Homerit dhe për përdorimin tipologjik të kupletës heroike. Një kupletë është një mjet letrar, që mund të përkufizohet si dy rreshta vargorë në një varg dhe ka të njëjtin metër për të formuar një mendim të plotë. Ajo shënohet nga një ritëm i zakonshëm, skema e rimës dhe inkorporimi i shprehjeve specifike. Po të vëzhgojmë stilin e tij të shkruarit, vlerën që ai ka lënë më pas për ne, brezat që do të pasojnë, shohim se ka një arsye të veçantë të themi se kemi fatin ta lexojmë atë, por dhe të shohim në rrugën e tij dhe përtej këtij leximi, mes forcës satirike të tij. Në një nga esetë e tij në vargje të titullur për kritikën ai thekson me një theks satirik, herë të kuptueshëm, e herë të strukur fort pas nënkuptimit, të gjithë atë fjalë që ai e kërkonte tek domosdoshmëria e saj për autorin, për shkencën e vetë asaj fjale, por në një mënyrë të qasme, ndryshe, pikërisht mes këtyre dy vargjeve nga ajo ese:

disa e kapën në fillim me lajthitjen, pastaj me vdekjen e poetit si rend,/

u kthyen në tekstin e kritikëve dhe më në fund e gjetën të pamend”.

Duke shkuar më tej në këtë ese vargore, ku falë leximit të qetë e të ndjeshëm, përkore shkon dhe “satirikja” e autorit natyrisht thellësia e këtyre fjalëve na bën të metojmë thellë duke marrë frymë dhe duke menduar për vetë arsyen e këtij të shkruari:

“Një shkencë vetëm një gjeniu do t’i përshtatet,

aq i madh është arti, aq e ngushtë zgjuarsia njerëzore,

jo vetëm e kufizuar në artet e veçanta, pa garë,

por shpesh në ato pjesë të vogla qull,

si mbretërit humbim fitimet e fituara më parë,

nga ambicie të kota, ende për t’i bërë ato më shumë ...”.

Mjafton vetëm kaq të ritheksojmë atë që tashmë dihet se Aleksandër Pope ishte dhe mbeti një mjeshtër i fjalës poetike, në të gjithë kuadratin e saj, dhe kur qëllonte në shenjë me satirë, dhe kur diktonte mesazhin e drejtë. Mbi këtë lexim të këtij autori të fasmshëm, natyrisht jo me një format të njjtë, në lëminë e letrave shqipe, dhe pse me një vëmendje të kornizuar lokale, shfaqet pena dhe krijimtaria e poetit, studiuesit, kritikut, shkrimtarit dhe publicistit elbasanas, Hyjni Ceka. Me Hyjni Cekën në një rrugëtim jetik krijues vijnë “Tempuj dhe apostuj”; “Shenjtorë dhe djaj”; “Djemërishte dhe pleqërishte”; “Lule më lule e këngë më këngë”; “Horizonte të elektrifikuara” në një stil dhe gjuhë tejet të pastër, në prozë e poezi, në hulumtim e në publicistikë, në kthjethtësi e çiltërsi mendimi, si radhë ndonjëherë në të shkruarit e viteve që humbën lexuesin, por që na sollën vepra të tilla plot vlerë e të domosdoshme për kohën dhe kohërat më pas. E ndërsa rithkesoj në këtë shkrim, qasja dhe pikëtakimi me Popen, natyrisht nuk ndodh as në kohë, as në hapësirë e as në vend, por në tekst. E siguroj lexuesin tim se për këtë shkrim do të më duheshin disa vite leximi dhe më pas studimi të autorit britanik dhe thellim në shkrimin e disaplanshëm të Hyjni Cekës.

Shkrimtari Hyjni Ceka, teksa hedh pas shpine 85 vitet e jetës së tij, natyrisht përtej atyre fjalimeve të tij të mjaftvlerësuara, leksioneve dhe ligjëratave të shumta si edukator i brezave të shumtë, ka në libraritë e bibliotekat anemnbanë Atdheut dhe në disa vende të tjera mjaft libra me një vlerë të padiskutueshme Kombëtare dhe me një interes akoma më të madh. Historia e dhimbshme e Manastirit të Shën Gjon Vladimirit në fjalën e autorit është, mbetet dhe do të jetë si një ekzemplar edhe përtej kufijve shqiptarë. Po ashtu dhe libri i këtij autori “Dita e verës” që vjen për lexuesin me biografi të letrarizuara, tregime dhe esse është mjaft e domosdoshme, po aq detajuese për këtë traditë të vjetër të Elbasanit, që përkon me një identitet kulturor sa domethënës, po aq dhe ndihmës në drejtimin identitar shqiptar. Natyrisht kufijtë i kapërcen dhe libri i këtij autori “50 vjet më parë, Ilia Ehremburgu në Elbasan”, po aq sa satira, grotesku dhe filozofia e autorit tek “Davidi mund Goliathin”: [Qamil Çelirama. Enver Hoxha]. Poezia e Hyjni Celës është një vazhdë e bukur e penave të shkquara elbasanase, është një stil i kombinuar me traditën dhe modernen, ku spikatin “Divani i dimrit të fundit”; “Sokëllet Karaburuni”; “Kur rreh një zile; Po jam më i lumturi në botë; Ja ku jam në shtat'dhjet vite”. Në prozën e tij të shkurtër spikasin me fjalën e bukur “Gëzimi i motrave”; “Valezakja”; “Muzika e jetës”; “Mos ma harroni këngën” etj. Proza e gjatë, romanet dhe veprat me karakter historik të Hyjni Cekës janë me vlera historike dhe mitike sikurse mbeten “Mihal Shahini dhe të bijtë”; “Vepra e tre baballarëve të shquar elbasanas”; “Qamil Çelirama (Çela) – kryengritësi” ; “Lim Kateshi”; “Traditë shënjtorësh: Në të "dyzetat e Baba Rexhepit”; “Në themelet ku u vendosën rilindasit”; “Banka e Ismail beut: Nga kronikat e hershme”;  Sotir Kolea. Një figurë e nderuar (1872 -1945)”; “Apostulli Petër i Shpatit”; “Poetit M. Xhaxhiu”; “Autobiografi e Kostaq Cipos”; “Marije Dhama, artistja lirike që ringjalli folklorin”; “Mikesha e Lef Nosit, agjente e Shërbimeve sekrete britanike: albanologia angleze, Margaret Hazllyk”.

Hyjni Ceka, është natyrisht edhe studiuesi elbasanas, që sikurse e cituam është marrë gjerësisht me festimet e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit dhe ka hulumtuar origjinën e lashtë të saj. Në librin e tij “Dita e Verës”, Monografi (“Onufri” 2001), shkruan se kjo festë i kushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, sipas tij, “tempullin e vet, gjithë motit, e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse, qysh hejrit, në këto anë ndodhej ajo faltore e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Djana Kandaviensis). Dhe të gjithë e dinë se Perëndesha Djanë mbahej në kohë të lashta, si hyjneshë e gjuetisë… e pyjeve dhe e gjithë natyrës…”. Në tërësinë e  shkrimeve të Cekës, ka një harlisje tejet nga bukuria, gjë e cila është një frymëzim, ushqim i përshpirtshëm i traditës dhe bukurisë që natyra elbasanase i fal njeriut. Në këtë harlisje më shumti qaset poezia e tij, që ngjashëm me Pope, ka një rezonancë të thekshme e të ndjeshme përshpirtjeje. E me të drjetë mund të themi se kjo është vetë poezia që harliset nga bukuria.

Ngjashëm mund të gjejmë se në pastoralet e tij, Alexander Pope, harliset bukuria, pasi ky poet evoluon një teori të marrëdhënieve mes natyrës dhe artit, e cila ndihmon për të shpjeguar bukurinë dhe përshpirtjen e brendshme. Ai fillon, në poezinë e tij “Pranvera”, me atë që duket supozimi më i përshtatshëm për shkrimin e poezisë baritore: arti thjesht pasqyron bukurinë natyrore. Po aq mund të themi se harlisja e bukurisë së luleve dhe stinës që i sjell ato në jetë, ka apeluar tek artistët që nga koha e Pauzianëve, tek mjeshtrat grekë të pikturimit. Nëpër vite, artistët kanë frymëzuar të tjerët me aspekte nga kjo bukuri delikate duke ardhur në Rilindjen shqiptare ku mrekullisht u thurën vargje për manushaqen, lulen e verës apo nëpërmjet natyrës një sy natyrshëm iu kthye kësaj bukurie delikate.

“Shpirtëzimi” i luleve që aq shumë shihet dhe në krijimtarinë e Pope dhe simbolizmi i tyre në jetën e njeriut apo në besimin e tij së bashku me anatominë e petaleve më vonë plotësuan atë dedikim të hershëm që e morën në dorë poetët. Dhe që nga ajo kohë kur magjia e bukurisë natyrore u fiksua ndër lule dhe fjalë, stina që u dha jetë atyre në shekuj u fiksua si një telajo ku poetët pikturonin ndjenjat e tyre poetike.

Në këtë rrugë të gjatë poetike është edhe krijimtaria e poetit, mjeshtrit të fjalës, njeriut që edhe të shkruarën e përditshme e ka një poezi më vete. Është poezia e poetit të shquar elbasanas Hyjni S. Ceka. “Pranvera” është poezia që në tërë krijimtarinë e tij krijon çelësin hyrës në një mori krijimesh të kësaj fushe. Aty vjen fjala, vargu, natyra, stina e dashur dhe natyrshëm ‘mikja e dashur’ të cilën autori e kujton gjithmonë. Por nëse mjaft poetë i kanë kënduar natyrës dhe bukurisë së luleve, poezia e Cekës është një refren poetik që vjen si një nënkuptim për çdo të tillë. Dhe nëse do të lexonim Cekën nën postulatin e Oscar Ëilde tek “Lady’s Ëindermere’s fan” në aktin e tretë ku thotë se “eksperienca është emri që gjithkush i jep gabimeve të veta” ne do të gjenim atë gabim në thonjëza, që pena dhe zemra e poetit bëri për fajin e kohës që i ndaloi mosbotimin e veprave vetëm se ai pra këndoi me gjithë zemër dhe lotoi pa lot në poezinë e tij, ku vetëm pranvera vinte e ikte duke numëruar Prillin në ikje dhe Majin që afrohej. Por ndërsa natyra e autorit ‘qeshte’ dhe ‘vendi zbukurohej’ një tjetër arsye e detyronte poezinë e autorit të kujtonte miken, ta kujtonte gjithmonë. Duke patur goditjen e asaj kohe për hir të të Atit që u dënua me pushkatim në diktaturë dhe më pas përfundoi me burgim të përjetshëm, autorit gjithë pranverat iu bënë të ngjashme vite me rradhë.

Duke shkruar për krijimtarinë e tij kritiku dhe krijuesi shqiptar Ahmet Mehmeti shprehet: “Pra cili është dinjiteti ynë njerëzor, në këtë periudhë të qenies sonë. Cila është kahja për të dalë nga udhëkryqi. “Sokëllet Karaburuni” është poezi e shqetësimit qytetar. Intelektualit i është ngritur mendja dhe s’e zë gjumi për atë që ndodh para syve të tij. Këtë gjendje tronditëse shoqërore, autori e përjeton si brengë me përmasa të mëdha.”

Ky është poeti që gjen frymëzimin e tij në kompleksin e fuqisë së fjalës për të ‘shprehur artistikisht’ atë që deformon atë bukuri të natyrshme të natyrales, të delikates që fiksohet në petalet e fjalëve të përzgjedhura të artistit elbasanas Ceka. Kështu Hyjni Ceka, nuk është thjesht një poet, nuk është vetëm një krijues apo publicist i përsosur, ai është një kompleks i armatosur me sinqeritetin e shpirtit poetik që pikturon deri në detaje.

Ne e lexojmë poetin Ceka dhe shfletojmë fletët që shpalosin jetën e tij. I lindur në qytetin e Elbasanit, më 6 Tetor 1932 ai mban në veprat e tij të hershme punën e tij 49 vjeçare të fiksuar në organe të ndryshme të shtypit letrar dhe në librat e tij që nisin që nga viti 1969 dhe që ndalen nga diktatura për disa vjet për tu rikthyer më të pjekura pas viteve 1990 me mjaft nga veprat e tij që cituam më lart. Por përsëri këtu fjala e Mehmetit vjen në ndihmë: “poezitë e tij “Qëmoti paç dashur një vashë”, “Anakreontike”, “Pleqëria” etj., tingëllojnë befasuese e të freskëta… Të krijohet bindja se e bukura adhurohet nga të gjithë… Ky shenjtërim nuk njeh kufinj moshe. Të paktën për Hyjni Cekën që ‘erotikën’ di të na e japë me format më humane…” Unë do të thoja se poeti mbledh polenin e luleve të verës elbasanase, apo të Labërisë ku u degdisën të punonte, më pas të Kavajës dhe Cërrikut, ku mes zhurmës së nxënësve gatoi mjaltin më të ëmbël poetik në vite për zonën e madhe krijuese të Elbasanit.

Më kujtohet një thënie e elbasanasit Selman Biza, që gjithmonë shkroi nga ‘frika’ me SEBI, të thënë mes krijuesish “Ai do të vdesë me dosje dhe poezi në duar. Atij edhe natën i flet poezia si në Bahçe, ku Lulet e Verës i duken me minifunde dhe erë severgjeni…” Dhe natyrshëm unë të paktën kështu e mbaj mend poetin e shquar, me dosjen dhe poezinë nën sqetull, me nektarin poetik për poetët e rrinj. E mbaj pranë tani me librat e Pope, gati të gjithë krijimtarinë e këtij krijuesi të gjallë elbasanas jo thjesht si “bibliotekë” por si vlerë të pavdekshme letrare. Kjo natyrisht vjen me ndihmën e asaj që Barthes e cilëson tek vepra e tij si “kënaqësia e tekstit” (“The pleasures of the text”), apo ajo që Rimbaud e citon për dashurinë në tekst “ajo duhet të rimbursohet me lexim”.

Comments (3 posted):

Luani nga Vlora on 04/01/2018 18:05:04
avatar
Urime Fatmir: një diplomë ekselence për poetin e shquar Elbasanas!
Fahri Dahri on 04/01/2018 19:41:09
avatar
Profesor Hyjniu i meriton sa shkruan i nderuari z. Fatmir.Krahas tyre miku ynë i vyer ka edhe vlera të larta njerëzore, tek ai ne, miqtë e tij të hershëm kemi lakmuar urtësinë, zgjuarsinë, durimin dhe guximin që ai shfaqte ndaj trysnive të ndryshme që i bëheshin në kohën e "luftës së klasave". Ai i kalonte ato me shumë qetësi, falë mprehtësisë të spikatur. Kudo që ushtroi detyrën e mësuesisë, nxënësit e tij të djeshëm e dallonin veç të tjerëve, jo në kuptimin klasore, por sepse tek ai vlerësonin mënçurinështë, aftësitë profesionale të një niveli të lartë mësimdhënie.
E përshëndes dhe e uroj jetë të gjatë mikun tonë Hyjni.Falenderoj edhe z.Fatmir, i cili ka arritur të nxjerrë vlerat e çmuara të këtij kollosi të shqipes.
Respekte Fahriu Dahri.
Itali. 04.01.2018
Resmi Osmani on 05/01/2018 14:58:28
avatar
Dr.Terziu, pergezime per kete studim vleresues e te thelluarte vepres se Hyjni Cekes, shkrimtarit dhe njeriut.
Mbaj mend se ne te rite e mi kam lexuar ne shtypin letrar te kohes krijime te tij. Me kane mbetur ne kujtese jo vetem per emerin e veçante(Hyjni!), por edhe per realizimin e tyre artistik. Kane kaluar shume kohe qe atehere, dhe nuk e dija qeshkrimtari jetonte(Ju befte dita njemije) Me trishton ky fakt, harresa e atyre krijuesve, qe i bejne nder letersise sone dhe e kane vendin ne kreun e saj. Fatkeqesisht, ka dhe krijues te tjere, jetegjate, per te cilet nuk kujtohet kush.
Ne nuki kemi lidhje te vertete te shkrimtareve, e cila veç te tjerave, do te ishte e vemendshme, do te kujdesej nderonte dhe vleresonte shkrimtaret e "harruar". Pse jo, edhe Ministria e Kultures, duhet t'i evidentonte, nderonte dhe t'i trajtonte si figura te kultures shqiptare e kombetare.
Edhe njehere pergezime dhe Hyjni Cekes shume vite te tjere jete me shendet e gjithe te mirat.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1