Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | KUR HIQEN MASKAT

KUR HIQEN MASKAT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Rakip Zhguni

KUR HIQEN MASKAT

(Rreth librit me fabula “Maska dhe fytyra” të Shefit Doksanit)

Shefit Doksani paraqitet para lexuesit me një përmbledhje fabulash me titullin “Maska dhe fytyra”. Është me të vërtetë një gjetje e bukur që nga titulli i librit, pasi problemet dhe shqetësimet e fabulistit, ndonëse të mbuluara nga maska, nxjerrin në shesh fytyrën e vërtetë të shoqërisë sonë. Nuk është i pari Shefiti që lëvron me sukses fabulën. Historia e saj është shumë e lashtë, atëherë kur për njerëzit e hershëm bota e kafshëve shihej si një botë krejtësisht e lirë dhe e virgjër. Aso kohe instiktet e këfshëve lidheshin me dukuri të jetës shoqërore. Veçoritë e tyre shfaqeshin qartë edhe te njeriu, duke i veshur fytyrën dhe veprimet instiktive të kafshëve. Kështu dhelpra u bë dinake, gomari i trashë, delja e urtë, qeni e kali miq besnikë të njeriut etj, etj. Evolimi i mëtejshëm i fabulës solli edhe shpirtëzimin e sendeve jo të gjalla, sipas mënyrës së jetesës së tyre (kujtoni fabulën me gramin dhe vreshtin). Kësisoj edhe Shefiti nuk përfshin vetëm kafshët, por edhe sende jo të gjalla, duke na dhënë vërtet fabula të goditura e të arrira.

Në qendër të fabulave të Shefitit mbeten fshikullimi i veseve të këqija te njerëzit, duke përfshirë në to politikanë e pushtetarë, dukuri negative, si: korrupsioni, prostitucioni, droga, mosmirënjohja, smira, vjedhja, pasurimi në kurriz të të tjerëve etj, etj. Nuk mbeten pa u fshikulluar edhe mashtrimi, gënjeshtra, përfitimi pa u lodhur e munduar etj. Kjo dëshmon edhe për një konceptim te qartë e të saktë të fabulës, si gjini e lëvuar që në kohën e Ezopit.  Për sa i përket ndërtimit, ato shquhen për thjeshtësi e qartësi në të ndërtuar. Herë-herë nuk ruhet gjatësia e vargjeve, por rima është e pranishme. Edhe aty ku ka zgjatime, mendimi jepet në mënyrë të plotë e më të gjerë, duke krijuar një harmoni të këndshme. Në fabulat e Shefitit vihet re lakonizmi në të shprehur, nuk ka fjalë të tepërta. Kryesore mbetet që morali i tyre nuk jepet i gatshëm. Lexuesi e gjen vetë moralin dhe mesazhin e çdo fabule. Diku mendohet, diku qesh me ndonjë monstër, diku i ngjallet  urrejtje për veset e shëmtuara, diku edhe gëzohet. 

Ky libër është i katërti i Shefitit në fushë të fabulave. Kësisoj ai ka fituar një përvojë të mirë në lëvrimin e kësaj gjinie kaq të dashur për të gjitha moshat. Punë të kujdesshme ka bërë edhe redaktori, Ferit Rama, i cili ka ditur të përzgjedhë fabulat më të goditura të Shefitit. Po kështu edhe shtëpia botuese “Jonalda” ka botuar një libër luksoz.

Shpresojmë që fabulist të na japë të tjera libra shkruar në këtë gjini.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1