Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Magjia e vargjeve të një poeteshe “të panjohur”

Magjia e vargjeve të një poeteshe “të panjohur”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof.dr. Eshref Ymeri

 

            Para do kohësh dhe pikërisht më 08 dhjetor 2017, poetesha e talentuar Armela Hysi, në Portalin “Fjala e lirë”, kishte botuar një artikull, me titull “Një urim për një Zonjë të Letrave Shqipe”, kushtuar shkrimtares dhe publicistes së shquar, Zonjës Vilhelme Vrana Haxhiraj, me rastin e 73-vjetorit të lindjes së saj.

            Me bëri shumë përshtypje ngrohtësia e ndjenjave të saj, të cilat i përcillte me shumë respekt dhe me shumë objektivitet në adresë të Zonjës Vilhelme. Prandaj, në rubrikën “Komente” të Portalit në fjalë, i shpreha kësaj poeteshe vlerësimet e mia për artikullin e saj. Pikërisht Zonja Vilhelme ishte ajo që u bë sebep për të shkëmbyer adresat elektronike me poeteshën Armela Hysi, e cila para do ditësh më dërgoi me postë elektronike katër vëllime të saj poetike: 1. “Amazonë prej rëre” (Botimet Toena. Tiranë 2005). Vlerësimi kritik: Stefan Martiko dhe Visar Zhiti. 2. “Ndoshta” (Botimet Toena. Tiranë 2010). Vlerësimi kritik: Stefan Martiko. 3. “Ujdhesës së përrallës tënde” (Shtypshkronja “Milosao”. Sarandë 2013). Vlerësimi kritik: Stefan Martiko dhe Prof. Fatmir Terziu). 4. “Po të mos ishte rëra” (Shtypshkronja “Milosao”. Sarandë 2016). Vlerësimi kritik: Fatmir Terziu.

Por këto nuk janë vëllimet e vetme të poeteshës. Ajo ka botuar gjithsej gjashtë vëllime poetike dhe vëllimin e shtatë e ka në përfundim e sipër. Ajo jeton prej vitesh në Greqi, ku ka krijuar poezi me një lirizëm befasues. Poezitë e saj të mahnisin me forcën dhe çiltërsinë e ndjenjave, me peshën e muzikalitetit, me larminë dhe risinë e ritmeve. Ato bien në sy për begatinë e metaforave dhe të epiteteve, me rimat e brendshme dhe aliteracionin. Poetesha ka një ndjesi delikate ndaj natyrës. Kur lexon poezitë e saj, të ngjallen përfytyrime tablosh të detit blu, tek tretet tej në horizont me kaltërsinë e qiellit të paanë. Përshkrimet e natyrës në penën e poeteshës herë-herë shoqërohen me nota filozofike. Në to tingëllon ideja e pavdekësisë së natyrës, e zhvillimit të saj të amëshuar.

Diapazoni poetik në vargjet e kësaj poeteshe të talentuar ka një gjerësi të mahnitshme. Aty lexuesi ndien fshikullin hijerëndë majakovskian, i cili vjen e ndërkëmbehet me përkëdhelinë e lirizmit dehës shelian. Prandaj në poezitë e saj bashkëjetojnë akulli me flakën, rreptësia me butësinë (delikatësën)

Në këndvështrimin tim, tonaliteti i përgjithshëm i poezisë së Armela Hysit është optimist. Në tablotë e bukura poetike që shpalosen para lexuesit, autorja herë prehet në vorbullën e problemeve sociale të jetës shqiptare, herë arratiset në brendinë e shqetësimeve tërësisht individuale, me një domethënie përgjithësuese.

Mendoj se vlerësimet kritike të Prof. Fatmir Terziut, të Stefan Martikoit dhe të Visar Zhitit, si personalitete të letrave shqipe, shërbejnë si një mbështetje dhe nxitje e fuqishme për krijimtarinë poetike të kësaj poeteshe me zë në letërsinë shqipe. Më bënë përshtypje të fuqishme fjalët e poetit Stefan Martiko në analizën që i ka bërë vëllimit poetik “Ndoshta”. Ai thotë:

            Këtë poete në Shqipëri e njohin veç pak vetë. Është një nga zërat e rrallë të ligjërimit në shqip, që përhap aroma të jashtëzakonshme, frymëzim dhe përjetësi. Si frymë e thellë që vjen prej një Zoti që vë gishtin për të treguar se sa lart qëndron e vërteta e nëpërkëmbur. Bashkë me mua, le të ngrenë zërin edhe të tjerë, si filozofë të artit. Mjekë të shpirtrave njerëzorë, të bashkohen me zërin tim, që, në të vërtetë, besoj se ka një peshë tjetër më të rëndë, por që në këtë rast, ndoshta, nuk ka gjetur dot fuqinë e duhur për t’u shprehur. Me kaq pak fjalë, i tronditur prej poezisë së saj, thjesht dëshiroja të bëhesha zëdhënës i një opinioni, që, në të shumtën e herëve, nuk ka zë në dalldinë e zhurmave vdekjeprurëse, që njeriu mbart pa kuptuar të keqen që po i sjell vetes”.

            Jam plotësisht në një mendje me poetin dhe kritikun  dashamirës dhe mendjehollë Stefan Martiko. Megjithatë, i bindur plotësisht për thjeshtësinë madhështore të poeteshës Armela Hysi, dëshiroj t’i përcjell optimizëm kritikut Stefan Martiko, duke i kujtuar atij një shprehje aforistike me domethënie filozofike të poetit të shquar anglez  Sheli ( Percy Bysshe Shelley - 1792-1822). Ai ka thënë:

            “Poetët e panjohur janë ligjvënësit e kohës”.

            Në këtë ditë të fundvitit, kur i hodha në kompjuter këto pak shënime, poeteshës sa të heshtur, aq edhe të

talentuar Armela Hysi, i uroj nga zemra gëzuar Vitin e Ri 2018, mbarësi familjare, suksese në punë dhe në krijimtarinë artistike, në bashkëpunim të ngushtë me vajzën e saj, e cila, si një njohëse e talentuar e greqishtes, ka përkthyer dhe botuar një cikël poetik të nënës së saj në revistën letrare greke “Mandragora”.

            Kolumbus, Ohajo

            31 dhjetor 2017

Comments (10 posted):

vilhelme vrana haxhiraj on 02/01/2018 08:32:41
avatar
I nderuar Prof.Eshrefi!Edhe njëherë, Gëzuar këtë vit që sapo nisi të ecë, i cili i ngjan fëmijës së sapolindur!
Si do të bëhet vallë?- është pyetja që shqetëson prindërit. Eh,është dilema e së nesërmes së kohës,ajo që e di se ç'rrugë do të marrë.
Kurse Armela jonë, e ka nisur rrugën, madje po i ngjit shkallët e suksesit një e nga një.
Profesor, urime për analizën e bukur, të thellë dhe të ndjerë. Çdo përcaktim i Juaji për poezitë e Armelës, të ngacmojnë dhe njëkohësisht të shtojnë kureshtjen dhe dëshirën për t'i rilexuar dhe shijuar! Ju përgëzoj se, e nisët shumë bukur vitin 2018, me një analizë poetike, për vlerat e poetes Armela,të një vajze të re.që është shumë e talentuar si në krijimtari edhe në kritikë.
Armelës i uroj vullnet që talenti i saj të marrë përmasat e një poeteje apo kritikeje të afirmuar! Urime të dy miqve të mi! Ju uroj vit të mbarë e të suksesshëm për gjithë shqiptarët!
Vivra- 2-1-2018
Eshref Ymeri on 02/01/2018 14:43:37
avatar
E nderuar dhe e respektuar Zonja Vivra,
Ju falënderoj nga zemra për kujdesin tuaj intelektual, për ta thënë fjalën tuaj me peshë, si përherë. Pra, edhe në rastin e krijimtarisë së poeteshës së talentuar Armela Hysi. Mendoj se fjala juaj, si një shkrimtare dhe publiciste eme emër në botën e letrave shqipe, do t’i shërbejë kësaj poeteshe si një mbështetje e fuqishme dhe burim frymëzimi në ecjen e saj drejt majave të artit poetik.
Me respekt të veçantë ndaj jush.
Eshrefi
Kolumbus, Ohajo
02 janar 2018
Fatmir Terziu on 02/01/2018 16:55:36
avatar
Natyrisht ta nisësh Vitin e Ri 2018-të, me leximin e përkushtuar të Prof Eshref Ymerit, për një poete me vlera, sikurse është Armela, po aq dhe me komentet e Mjeshtres Vivra, ka mjaft arsye të thuash është thjesht ndalesë. Kjo ndalesë plotëson tërsinë e mendimit vlerësues të Ymerit, fjalët e ndjera dhe të merituara të Martikos, e mjaft të tjerëve që njohin mirë këtë valë poetike të plotë e të fuqishme deri në qelizë. Analiza e Profesorit e ka bërë këtë poezi të dalë nga vallëzimi i saj me hijen e dukshme e të padukshme që fjala e bukur e Armela Hysit e mban në lartësinë e duhur.
Eshref Ymeri on 02/01/2018 22:23:12
avatar
Prof.dr. Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh, një personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare, si një moderator i shquar i Portalt “Fjala e Lirë”, ka krijuar një hapësirë të admirueshme për shumë pena të talentuara, për të shpalosur aftësitë e tyre në disa gjini letrare. Jo vetëm kaq, por Profesor Fatmiri, si një mjeshtër i papërsëritshëm i kritikës letare, me fjalën e tij me peshë në analizat kritike që ka botuar në këtë Portal, u ka ngrohur zemrat shumë krijuesve të rinj, jo vetëm nga atdheu amë, por edhe nga diaspora. Si një personalitet i mirënjohur i kulturës sonë kombëtare, Profesor Fatmiri ka krijuar një risi të vetën, një risi origjinale në lëmin e kritikës letrare, të cilën e ka parashtruar fillimisht në veprën autoritare me titull “Kritika ndryshe”, të botuar gati nëntë vjet më parë. Ajo vepër ka shërbyer si një melhem çudibërës për shumë pena shqiptare. Jehona e asaj risie ndihet më së miri edhe në vlerësime ktitike që Profesor Fatmiri u ka bërë dy vëllimeve poetike të lartpërmendura të poeteshës Armela Hysi. Jam shumë i bindur që ato vlerësime kanë ndikuar drejtpërsëdrejti që kjo poeteshë “e panjohur” ta ngrejë edhe më lart “stekën” e artit te vet poetik.
Kolumbus, Ohajo
02 janar 2018
Noke on 03/01/2018 08:22:42
avatar
Armela meriton. Ka mbi 20 vite që meriton. Respekt për penat që vlerësojnë krijimtarinë e saj, krijimtari që e ka fronin në tufën e zgjedhur të poezisë shqipe.
I nderuar, në veçanti, prof Eshrefi
Armela Hysi on 03/01/2018 12:59:27
avatar
I nderuari
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Qe një çast befasues për mua, me të hapur portalin tim të preferuar, të shoh se në këtë ndërrim vitesh, kur pak a shumë kemi dëshirën të kemi një fillim të mbarë, më bëni një dhuratë të tillë e me një buqetë të tillë përshëndetjesh nga Penat aq me peshë të rëndësishme, miqtë e admiruar, Zonjës së Letrave Shqipe Vilhelme Vranari Haxhiraj dhe një nga hallkat më vepruese e me rëndësi të Kulturës shqiptare, Z. Fatmir Terziu.

Mungonim për festat nga shtëpia dhe aktiviteti i zakonshëm, ndaj më lejoni
Prof. Dr. Eshref Ymeri t' ju uroj sot dhe nga ana e familjes sime, me shumë dashamirësi për Vitin e Ri 2018, të jetë plot fat, shëndet e arritje, për ju dhe të dashurit e zemrës tuaj!
Z. Ymeri, në "bilancin" që do mund të bëj për vitin që kaloi, në momentet më të bukura të tij, vendos plot nderim edhe kontaktin me ju - që përmendni dhe ju më sipër. Nuk do të them njohjen me ju, sepse 4-5 vitet e fundit që jam lexuese e rregullt e Fjala e Lirë, jam njohur me punën dhe veprën tuaj të palodhur, atdhedashurinë tuaj aktive, sublime dhe me mprehtësinë e thellësinë që çështjet kombëtare jo vetëm i vini konkretisht në jetën e tuaj, por dini të zgjoni e të paralajmëroni me fuqinë e dinamizmin e Rilindasve tanë të njohur dhe me përgatitjen e theksuar Akademike, si dhe me ndjesinë estete e artistike, prandaj ishte një nder i madh për mua si autore të lexoni atë që përçoj dhe aq më tepër të ndaloni me kaq modesti.
Ju falenderoj nga zemra!
Respekt!
Armela Hysi on 03/01/2018 13:25:07
avatar
Dr. Terziu edhe një herë ju falenderoj!
Paçi vetëm shëndet e gëzime, ju dhe familja juaj, e energji të pashterëshme të vazhdoni të na jepni veprën tuaj shumë-planëshe!
Për shumë nga ne autorët më të rinjë e të panjohur, ka qenë fat, siç dhe e cilëson me fisnikëri Prof. Dr. Ymeri, mbikëqyrja juaj profesionale, që me aq bujari të vazhdueshme e keni dhuruar gjithëherë, por është gjithashtu e një veçantie dritësjellëse, për gjithë lexuesin shqiptar prania e Revistës intelektuale, artistike, kulturore e informatike Fjala e Lirë, që na lejon të lexojmë, të shprehemi, të njihemi, të kontaktojmë e të shohim opinionet e penave më të njohura të bordit të inteligjencës shqiptare.
Respekt e nderime!
Eshref Ymeri on 03/01/2018 14:15:50
avatar
I nderuar Noke,
Ju përshëndes miqësisht që e vlerësoni krijimtarinë poetike të Armelës. Ju jam shumë mirënjohës për fjalën e ngrohtë në adresën time dhe ju uroj nga zemra gëzuar Vitin e Ri 2018.
Kolumbus, Ohajo
03 janar 2018
Armela Hysi on 03/01/2018 15:02:51
avatar
Znj. e dashur Vivra, z. Noke, mik fisnik dhe autor përherë e më befasues, si dhe padyshim esteti, poeti i lartësive Martiko, që përmendën me të drejtë sipërshkruesit, një nun artistik i poezisë sime,
falenderime prekëse dhe urime të ngrohta!
Respekt!
Eshref Ymeri on 06/01/2018 03:27:14
avatar
E nderuara Zonja Armela,
Ju falënderoj miqësisht për reagimin tuaj ndaj vlerësimit që unë i kam bërë krijimtarisë suaj poetike në katër vëllimet që më dërguat. Poezia juaj përbën me të vërtetë një gjetje origjinale në botën e letrave shqipe. U gëzova edhe për dashamirësinë tuaj ndaj publicistikës sime nacionaliste dhe më gëzon shpirti që në personalitetin tuaj është mbrujtur një poeteshë e talentuar me formim nacionalist. Ky formim është reflektim i drejtpërdrejtë i edukatës nacionaliste, të cilën ua kanë mëkuar prindërit tuaj të dashur që në moshë të njomë.
Edhe një herë gëzuar Vitin e Ri 2018 dhe suksese në artin poetik.
Me urimet më të mira për familjen tuaj dhe për të gjithë njerëzit e gjakut tuaj.
Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
05 janar 2018

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1