Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | REGJISORI BESIM SAHATÇIU I RINGJALLUR NGA PENA E KOPI KYÇYKUT

REGJISORI BESIM SAHATÇIU I RINGJALLUR NGA PENA E KOPI KYÇYKUT

Font size: Decrease font Enlarge font
image KOPI KYÇYKU

 

 

Shumë vite më parë, atëherë kur njeriu te ne fshihej edhe nga vetja, ashtu si vjedhurazi, pata parë në një stacion televiziv jugosllav, një film që më tronditi. Më tronditi dhe më la mbresa të pashlyera. Quhej “Era dhe lisi” dhe fliste me vërtetësi rrëqethëse dhe një guxim të pabesuar për fatin e shqiptarëve atje. Veç kësaj, ishte dhe loja e mahnitshme e aktorëve dhe sidomos atij kryesorit, Abdurrahman Shalës, portretin dhe karakterin artistik të të cilit do ta kishin zili edhe ata në Hollivud. Po asnjëherë nuk e mësova se cila qe ajo dorë që i kishte përzgjedhur këta aktorë virtuozë dhe ajo mendje që e kishte realizuar këtë film, që jo vetëm i bënte nder Kosovës, por dhe tregonte se ç`forcë krijuese kishin intelektualët e saj, pa harruar të përbotshmin Bekim Fehmiu. Por ja si është jeta; miku im i shtrenjtë, akademiku Kopi Kyçyku, ai i dituri, energjiku, shoqërori, tokësori e prodhimtari i rrallë, ma shoi kureshtjen, duke më dhuruar librin - album të tij “Besim Sahatçiu - një jetë për ekranin dhe skenën”. Këtu zbulova regjisorin enigmatik të atij filmit mbresëlënës, por dhe gjeta një figurë poliedrike që gjithë talentin dhe aftësitë e tij profesionale i vuri në shërbim të vendit të tij fatkeq. Përherë kam menduar se pas luftës çlirimtare në Kosovë, e cila kushtoi jetën e mijra e mijra njerëzve të pafajshëm, të paktën shkëmbimet kulturore, pra ato shpirtërore, mes dy vendeve të ndara poshtërsisht, do intensifikoheshin. Por kurrë nuk e kuptova apatinë zyrtare për të dhënë e marrë në këtë drejtim, pra për ta mbajtur të ndezur zjarrin e njohjes dhe dashurisë mes vëllezërve dhe motrave të të njëjtit gjak, të të njëjtës histori dhe të të njëjtit fat. Ja pse duhet nxitur, inkurajuar, përkrahur dhe përshëndetur ç`do nismë e marrë, ç`do përpjekje e bërë, ç`do veprimtari e realizuar në këtë drejtim, për të cilin nuk ke pse i merr dorën askujt. Kjo nuk ka të bëjë me atë paralajmërimin e Markezit se “Ekzaltimet nacionaliste verbojnë zgjuarsinë.” Përkundrazi, duke njohur më mirë njëri - tjetrin, ne do të bëhemi edhe më të mençur. Ja pse, ky libër i autorit Kopi Kyçyku merr një vlerë të veçantë, pasi u shkrua dhe botua në kohën kur kemi më shumë nevojë. Dhe si është shkruar. Ashtu siç di ky burrë i mençur, ky atdhetar i palëkundur, ky intelektual i përmasave evropiane. Miku i Besimit, prof. dr. Akil Koçi në parathënien e tij të mrekullueshme ka thënë se ky autor përveçse e ka shkruar këtë libër me ngrohtësi, me gjuhë të pastër e lakonike, me stil të rrjedhshëm e sidomos plot me vërtetësi, na e paraqet edhe “Si soditje, si reflektim dhe si komunikim …  aqsa ngjason me një refren të madh e të fuqishëm, si metamorfozë e përjetshme, si këngë e universeve, si një qenie ndijimi që nuk shter, si një muzikë e këndshme, që na sjell një doktrinë të mahnitshme, frymëzuese, optimiste.” I gjithë libri, që nga faqja e parë e deri në fund, nuk është thjesht një monografi e rëndomtë, nga ato që lindi, jetoi dhe vdiq, por një trajtesë plot vlera sociale, politike, profesionale e deri filozofike që na jep jo thjesht formimin dhe veprën e një njeriu të përmasave të pazakonta si Besim Sahatçiu, por edhe një himn për atë që gjithë mundësitë e tij, e deri shpirtin e papërlyer ja dhuron si një detyrim moral popullit të vet e çështjes madhore të tij. Kopi, me të drejtë e quan Besimin korife. Po, i tillë del ai në këtë jetëshkrim të një lloji krejt të ri. I bukur në të parë, i ëmbël, i urtë, i mbushur me vullnet, përherë i menduar dhe me një shikim të tretur larg e plot dritë, ai kuptohet lehtësisht se ka vetëm një preokupim: si të arrijë më të mirën. Dhe jo vetëm kaq; por si ta ngrejë nivelin atje ku nuk e ka çuar kush, atje ku me përparimet e sotme ka mbërritur arti skenik evropian, i cili asnjëherë nuk lë jashtë vëmendjes tragjikët e lashtë apo Shekspirin. Dhe është i bindur se kësaj i paraprin dija e kultura. Jo pa qëllim, ai vetë, pasi evokon Pushkinin i cili qysh atëherë çuditej me “Revizorin” e Gogolit: “Si është e mundur që me aq zotësi të deshifrohet njeriu dhe të paraqitet sakaq i tëri, vetëm me ca vija, si të ishte i gjallë?” dhe bashkëkohësin, historianin e artit d`Amiko që thosh: “Suksesi i Revizorit qe tejet i madh në kohën e vet, por mbeti i këtillë edhe pas një shekulli…” shton nga ana e tij se këtej u nisëm edhe ta inskenojmë për herë të parë në skenën tonë të re… Prandaj shpresojmë se jemi në shërbim të tij (Gogolit) dhe të publikut tonë. Dhe në vazhdim të këtij qëndrimi, Besimi, kur vjen fjala tek aktori, mendonte se “Mbresat nuk kanë të bëjnë me doemos me përmasat e rolit, ngaqë bëhet fjalë që cilido aktor të jetë në gjendje, në vetëm disa çaste, të krijojë një imazh aq mprehtësisht të ngjizur, aq thellësisht të përcaktuar për mendjen dhe shpirtin, saqë më tej të mos ndahet për vite me radhë nga mendja.” Duhet pranuar se Besim Sahatçiu, krahas të qenit njeri i veprimit, pra një organizator mjaft i aftë për të përgatitur një pjesë për teatër apo film, ishte në radhë të parë një njohës i thellë i të fshehtave të këtij arti, pra ai ishte një teoricien në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe për këtë të vërtetë, askush tjetër më mirë se enciklopedia e gjallë Kopi Kyçyku, nuk mund të na bindë. Besimi i provoi të dy ekranet dhe skenën e teatrit me sukses, brenda atyre mundësive që kishte Kosova. Madje, ai edhe guxoi t`i maste forcat me dinjitet nëpër tridhjetëepesë festivale të ndryshme me të huajt, si në Itali, Portugali, Spanjë, Poloni, Turqi, Siri, Kroaci, Tiranë etj. Mësimet e Akademisë së Arteve në Zagreb, djalit nga Peja e mahnitshme e plot virtyte, i kishin vlejtur shumë, por ai nuk iu nda asnjëherë studimit, çka e dëshmon dhe biblioteka e tij e pasur, dhe sidomos shkëmbimit të mendimeve me njerëzit e shquar të letrave dhe artit në Kosovë. Ai e kishte kuptuar dhe e zbatoi në jetë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë e të sinqertë me ta. Me shokët e miqtë që i donte aq shumë, ai u soll si Akati i Virgjilit tek  “Eneida”. Por Atropoja, të cilës i bindej edhe vetë Zeusi e preu  fatalisht fillin e jetës së tij, atje ku e kishte paracaktuar motra e saj e vogël Klotoja. Ditën që ai u mbulua me dheun e lirë të vendlindjes, Parajsa u lumturua, por arti dhe kultura u zhytën në zi e trishtim. Për gruan e tij Besa, koha e Astirias perëndoi. Tani ajo mund të përsëriste fjalët e Tarita Teriipaiës për vdekjen e Marlon Brandos “Dhe tani, do të përpiqem të pranoj atë që është jeta ime pa të.” Do ngushëllohet vetëm me djemtë e mirë, Besnikun dhe Bekimin dhe sidomos me Rita Orën, mbesën e saj që po nderon me talentin e spikatur si këngëtare, jo vetëm Kosovën, por mbarë Shqipërinë. Rita Orën e cila përherë e kujton gjyshin e saj flokëbardhë: “Më mungon gjysh… / Të dua shumë…/ Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme. / Ti besove tek unë para se unë vetë / të besoja në veten time. / Të do Rita Pita!” Kosova, pa tjetër do krenohet gjatë me një artist si ai, i cili me atë që realizoi i bashkangjitet pa asnjë mëdyshje kolosëve të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, dhe që i dha përgjigjen e merituar shpifjeve dhe fyerjeve të shovenëve si Miodrag Bullatoviqi te libri i tij “Njerëzit me katër gishta”. Kurse ne në Shqipëri e kemi për detyrë ta kujtojmë këtë njeri duke shfaqur filmat e tij “Tre vetë kapëcejnë malin”, “Pasqyra” , “ Përroi vërshues”, “Pehlivanët”, “Bukë e kripë e zemër”, “117” që e kanë quajtur “portret shpirtëror të popullit tonë”, dhe sidomos “Era dhe Lisi” që më kishte mbetur aq gjatë në mendje dhe nuk dija asgjë për regjisorin e saj. Por që tani ma tregoi kaq thjeshtë dhe madhërishëm njëkohësisht, miku im i mirë Kopi Kyçyku.  

Comments (1 posted):

kadri tarelli on 07/12/2017 17:18:35
avatar
Përshëndetje Shpendi, për shkrimin kushtuar librit me autor Kopi Kyçyku. Është një analizë e thekur e veprimtarisë së artistit dhe regjizorin e shquar shqiptar Besim Sahatçiu, me të cilin duhet të mburremi. Po si mund të arrijmë aty, kur kemi shumë pak njohje pë kollosët e artit shqiptar të Kosovës? Ju Shpendi e vini gishin mbi plagë të shoqërisë dhe te institucionet që na pëfaqsojnë. Nuk di pse nuk jemi të vëmendshëm ndaj vlerave tona, nga pakujdesia, xhelozia e sëmurë, apo nga keqdashja? Kam frikë, se janë pak nga të tria, ca më shumë kjo e treta, keqdashja.
E përshëndes edhe autorin e librit, që ka bërë përpjekje vetiake, pasi na tregon edhe vazhdimësinë artistike të kësaj familjeje, ku përfshihet edhe mbesa, këngëtarja e famshme Rita Ora, që e nderon racën shqiptare nëpër botë.
Urime dhe mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1