Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | JETË E KALUAR NË ZBULIM TË SË VËRTETËS

JETË E KALUAR NË ZBULIM TË SË VËRTETËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image SHPENDI TOPOLLAJ

SHPENDI TOPOLLAJ

 

                     JETË E KALUAR NË ZBULIM TË SË VËRTETËS

                 (Rreth librit “Dy krisma në mesnatë” të Marenglen Rrapit)

Edhe pse më tepër se një libër artistik, jemi si para një romani policor i cili më shumë se sa i shkruar për lexuesin e gjerë, i drejtohet atij me një kualifikim profesional, duke realizuar kështu kriteret e një teksti mësimor për ata që merren me hetimin e krimeve, libri që po merrni në dorë, në çdo faqe të tij të sjell ndër mend romanet e Agatha Cristie - s. Ndaj dhe personazhi kryesor (që edhe pse pa emër, është vetë autori Marenglen Rapi), të ngjet me hetuesin belg Herkul Poirotin te libri i saj “Zbulimi i një vrasje misterioze” që aty nga fundi i romanit shpërfaq kredon e tij: “Që nga ai çast s`bëja gjë tjetër veçse mendoja, se si të gjeja prova të mëtejshme për ta plasur në burg atë maskara që vret njerëz pa iu dridhur qerpiku fare.” Krimet që jo rrallë arrijnë deri në vrasje, pavarësisht motiveve, janë të lashta sa vetë historia njerëzore. Asnjë sistem shoqëror nuk mund të mburret se ka mundur t`i shmangë plotësisht ato. Ndaj dhe e gjithë vëmendja e shoqërisë, me anën e përpjekjve të pareshtura të organeve të specializuara dhe ligjeve është përqendruar te parandalimi, zbulimi dhe ndëshkimi i autorëve të tyre. Kuptohet që kjo nuk ka qenë asnjëherë ndonjë punë e lehtë, pasi krimineli i ka marrë dhe masat e duhura për të fshehur gjurmët dhe për të krijuar alibi sa më të besueshme. Pikërisht për këtë merr rëndësi të veçantë roli i atij që ndjek krimet, i vërteton ato dhe i përgatit për t`i çuar para drejtësisë, pra ata që aq mjeshtërisht dhe bindshëm i ka personifikuar Viktor Hygoi me gjeninë e tij në personazhin e inspektorit të policisë, Zhaverit. Ndershmëria, pasioni, kurajua përkushtimi, durimi dhe zgjuarsia, pa harruar aftësinë profesionale janë cilësitë që duhet të ketë hetuesi për ta kryer me sukses të plotë detyrën e ngarkuar, gjë e cila sipas legjislacionit tonë i është ngarkuar Policisë Gjyqësore. I tillë paraqitet në librin me kujtime “Dy krisma në mesnatë” edhe hetuesi i Marenglenit i cili edhe pse në një regjim, ku voluntarizmi në këto punë tashmë është mëse i njohur, përsëri ia del të nxjerrë në shesh të vërtetën. Ai, gjatë gjithë fazave të hetimit, duke bashkëpunuar seriozisht me kolegët, dhe duke iu referuar sistematikisht ekspertizave shkencore, me anë deduksionesh dhe induksionesh llogjike, me studime të gjendjeve psikologjike të të dyshuarve, shpesh dhe me privime vetjake, ja del që t`i vejë fajtorët me shpatulla pas murit. Nuk i qëndron shabllon as dogmave të politikës dhe ideologjisë së asaj kohe. Ndaj e gjen të arsyeshme që të njohë dhe shfrytëzojë mentalitetin e banorëve të trevës ku ka ndodhur ngjarja, te të cilët ende nxjerrin kokë normat e tejkaluara të Kanunit. Madje, ai në funksion të gjetjes së kriminelit, pra për të marrë deponime të sakta, kërkon edhe betimin mbi Kuran gjë që në kohën që flasim, konsiderohej sakrilegj. Në metodën e punës së tij nuk gjejnë vend as presionet dhe as dhuna ndaj të pandehurit. Ai e di se arma më e fortë dhe më e sigurtë për të është zgjuarsia. Nuk gënjehet ngaqë vrasësi ka pritur të kalojë një kohë e gjatë për të realizuar hakmarrjen ndaj atij që përhapi dikur fjalë për nderin e gruas së tij, me shpresë se tani askush nuk do të dyshojë për të. Asnjë shpërblim nuk pret ky hetues nga puna e lodhëshme që bën. Dhe kjo anë mbetet një tjetër vlerë e këtij libri. Se duhet pranuar që sot, kur e gjithë drejtësia jonë është e tronditur, jo rrallë ndeshim në punë shkel e shko dhe ndryshim rrethanash a faktesh e provash për ndonjë përfitim të pamerituar. Rastet e krimeve dhe pse jo, edhe ato të vrasjeve aktualisht janë shtuar. Por tani edhe shkenca e zbulimit të kriminelëve ka përparuar. Ajo është mbështetur te traditat demokratike të vendeve më të zhvilluara perëndimore.  Funksionet dhe detyrat e oficerit dhe agjentit të Policisë Gjyqësore qartësisht janë përcaktuar si në Kodin e Procedurës Penale, ligjin nr. 8677 dt. 02.11.2000, por dhe në komentarët e ndryshëm që janë botuar, ku përparësi merr zbulimi i autorit të krimit dhe sigurimi i provave materiale. Dhe ashtu sikurse e ndeshim edhe në librin e Marenglenit, gjithmonë ruhen raportet me Prokurorin përkatës, duke respektuar drejtimin dhe kontrollin e tij. Oficeri i Policisë Gjyqësore s`duhet të harrojë asnjëherë rëndësinë që ka ekspertimi si provë e rëndësishme e cila ka për qëllim konstatimin, sqarimin ose vërtetimin e fakteve me peshë, duke marrë konkluzionet e specialistit me dijeni të sakta shkencore, kulturore apo teknike. Pikërisht këtyre elementëve u ka mëshuar edhe autori i këtij libri në ngjarjen kriminale që shtjellon. Dhe ja pse ky libër do t`u shërbej si një përvojë e mirë të gjithë atyre që merren me to, pra kujtdo që duhet të zgjidhë me sukses ekuacionin e ndërlikuar dhe me shumë të panjohura të krimit të zakonshëm ose të sofistikuar. Pra me zbulimin dhe dërgimin e fajtorit para gjykatës për të marrë dënimin e merituar, gjë të cilën çdo shoqëri njerëzore e ka dëshiruar. Mjafton të kujtojmë se duke komentuar urdhërin që mori Oresti i mitologjisë  nga hyu Apollon që të hakmerrej për vrasjen e të atit, Janis Benekos thotë: “Larja e krimit ishte një ligj i patundur për grekët e lashtë. Në se të liqtë mbeteshin të pandëshkuar, atëherë e keqja do të shumohej dhe shoqëria do të shkatërrohej.” Ky ka qenë edhe shqetësimi qytetar dhe profesional i juristit të mirënjohur Marenglen Rapi kur i është futur punës jo të lehtë për shkruarjen e këtij libri dhe që ia ka dalë me sukses të plotë.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1