Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Dy fjalë autores Vivra

Dy fjalë autores Vivra

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof.dr. Eshref Ymeri

  Prof.Dr.Eshref Ymeri

Përshëndetje nga Santa Barbara –Californi-USA

 

Prosf.Dr.Eshref Ymeri

 

  Dy fjalë autores Vivra:

  Posteri, ftesa dhe fletëpalosja janë kompozuar bukur, shumë mirë. Kopertina e librit është befasuese: rrathët vërtitës në kopertinë përcjellin thelbin e mendimit filozofik të Profesorit të Madh, mendim që endet mbi rruzullin tokësor në përjetësi. Në librin tuaj ju keni zbuluar thelbin e filozofisë të atij mendimtari të shquar. Thelbi i filozofisë tij më sjell në kujtesë një thënie të margaritartë të poetit, personalitetit politik dhe mendimtarit anglez Xhon Milton (1608-1674):     

    “Moj filozofi hyjnore! Ti nuk je as e ashpër, as e thatë, siç mendojnë një takëm budallenjsh, por je plot muzikalitet, si llauta e Apolonit. Kur i provon një herë frytet e tua, atëherë në gostinë tënde mund të shijosh atë nektar të ëmbël, me të cilin s’ke të ngopur”.Xh.Milton.

       Po ajo fotografi! Në portën e gurtë, poshtë stemës së Vrana-Arianitëve. Dukeni si perëndesha e bukurisë dhe e dashurisë, vetë Afërdita, që ka bekuar Kaninën me madhështinë e saj mbizotëruese mbi tokë dhe detet!... Timit nuk i luan ndopak tepeleku kur shikon atë fotografi?

                              

Përshëndetje miqësore gjithë auditorit!

 

         Të nderuar zonja dhe zotërinj, të pranishëm në prezantimin e librit të zonjës Vilhelme, kushtuar Profesorit Isuf luzaj. Ju lutem të më lejoni edhe mua të them dy fjalë me rastin e botimit të kësaj vepre të shquar në historiografinë dhe në memorialistikën tonë kombëtare.

        Kjo vepër është një homazh mjaft emocionues që kjo zonjë e nderuar ia ka kushtuar një figure emblematike të kombit shqiptar, një personaliteti të madh në aradhën e figurave të ndritura të kulturës botërore. Është nder dhe përgjegjësi e madhe të shkruash për Profesorin Isuf Luzaj, i cili, me veprimtarinë e tij të pasur letrare dhe shkencore në disa fusha të dijes, ka shkëlqyer si një meteor në historinë e shek. XX.

        Nga përmbajtja e veprës-homazh e shkrimtares dhe e publicistes me emër të madh,Vilhelme Vranari Haxhiraj, rezulton se Profesori Isuf Luzaj i ka bërë rentgenografinë më të përsosur ideologjisë komuniste, kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, e cila personalitetin e njeriut e shtyn drejt një përçudnimi marramendës me pasoja shkatërrimtare. Ai e pati studiuar komunizmin që në gjenezën e vet, duke pasur parasysh terrorin e jakobinëve. Karl Marksi jo vetëm e pati justifikuar terrorin revolucionar të jakobinëve, por u bënte thirrje edhe klasës punëtore dhe udhëheqësve të saj për të vënë në jetë përvojën e jakobinëve, praktikat e Robespierit për larjen e hesapeve me kundërshtarët politikë përmes organizimit të banjave të gjakut, çka solli si pasojë që edhe vetë të përfundonte në gijotinë. Metodat jakobinase në luftë  me kundërshtarët politikë, të cilat Marksi i pati mbështetur aq fuqimisht, i patën përvetësuar me zell të madh revolucionar Lenini dhe Stalini. Ato metoda, duke i pasuruar edhe më shumë me artin e urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin, të cilin krimineli Enver Hoxha e përvetësoi aq mjeshtërisht sipas udhëzimeve të emisarëve serbosllavë, çuan në përçarjen tragjike të popullit shqiptar, me pasoja të rënda edhe në ditët tona.

        Autorja e librit ka hedhur dritë mbi personalitetin e Profesorit Isuf Luzaj, i cili, me nuhatjen e një intelektuali mendjehollë, pati zbuluar thelbin e ideologjisë komuniste në kushtet e Republikës së Shqipërisë, ideologji, e cila kishte si pikësynim ta shndërronte shumicën e popullit shqiptar, siç edhe e pati shndërruar faktikisht, në një turmë të bindur, të paaftë për të menduar, kurrizshtruar dhe servile shembullore ndaj udhëheqjes komuniste. Kësisoj udhëheqja kriminale komuniste e Enver Hoxhës përjetonte një kënaqësi të jashtëzakonshme kur populli e shikonte në dritë të syrit për kafshatën e gojës.

  Pra, zonja Vilhelme i shpalos lexuesit filozofinë e Profesorit Isuf Luzaj, i cili, në jetën e tij është udhëhequr nga një tjetër metodë, antikomuniste, që ka në qendër të vëmendjes edukimin e personaliteti të njeriut.

    Me shumë të drejtë, zonja Vilhelme revoltohet që mjaft personalitete të shquara nga radhët e nacionalizmit shqiptar, nuk gjetën vlerësimin që u takonte pas ndërrimit të sistemit në fund të vitit 1990. Klasa politike që ka hipur dhe ka zbritur nga pushteti gjatë këtyre gati 27 vjetëve, nuk ka treguar kurrfarë interesimi për rehabilitimin tërësor të atyre personaliteteve të shquara nacionaliste, të cilat, duke iu kundërvënë politikës kriminale të kastës komuniste, me në krye argatin e Beogradit Enver Hoxha, kërkonin orientimin e vendit drejt Perëndimit. Kjo nuk ndodhi se në kushtet e pluralizmit, frenat e pushtetit i morën në dorë neokomunistët, trashëgimtarët e veprës kriminale të Enver Hoxhës, i cili nacionalizmin shqiptar e zhduku me rrënjë dhe me degë. Prandaj edhe Profesori Isuf Luzaj nuk u vlerësua që në vitet e para të vendosjes së demokracisë, si një personalitet i jashtëzakonshëm i kombit shqiptar.

    Në mbyllje dëshiroj të theksoj se shkrimtarja dhe publicistja e talentuar Vilhelme Vranari Haxhiraj, ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në botën e letrave shqipe, jo vetëm me krijimtarinë e saj artistike, për çka dëshmojnë dyzet vepra të botuara në disa gjini letrare brenda dy dhjetëvjeçarëve, por edhe në fushën e publicistikës nacionaliste, së cilës i ishte zënë fryma tërësisht në periudhën e diktaturës komuniste. Është e vetmja zonjë që ka botuar vazhdimisht në këtë fushë mjaft të rëndësishme të dijes, e cila lidhet tërësisht me tre probleme me një peshë të jashtëzakonshme kombëtare:

   Së pari, me nxjerrjen në dritën e diellit të të vërtetave të dhimbshme për tragjedinë e rëndë që i shkaktoi vendit tonë krimineli Enver Hoxha me shfarosjen e lules së inteligjencies shqiptare, e dalë nga gjiri i nacionalizmit shqiptar. Këtë problem ajo e ka trajtuar me mjaft profesionalizëm në librin që ka nëpër duar dhe që po përgatitet ta botojë së shpejti, me titull “Tradhtia e madhe ndaj kombit”.

   Së dyti, me përpjekjet e saj të mundimshme për rehabilitimin e elitave të nacionalizmit shqiptar, të cilat klasa politike e këtij më shumë se një çerek shekulli nuk ka dashur t’u japë vendin që meritojnë. Në këtë kuadër, libri që po prezantohet sot, është dëshmia më e gjallë e djersës që ajo ka dedhur dhe vazhdon të derdhë për rehabilitimin e elitave tona të shquara nacionaliste, çka do të konkretizohet edhe me librin mjaft interesant që ajo ka nëpër duar, me titull “Elitat  e mohuara”.

  Së treti, me kujtesën për klasën politike mercenariste se pa zgjidhjen e Çështjes Kombëtare, Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur, kombi shqiptar nuk do të ngrihet kurrë më këmbë dhe ka rrezik që të shkojë drejt rrëgjimit të shkallëshkallshëm.

Me këtë rast më lejoni ta përshëndes ngrohtësisht zonjën Vilhelme për këtë vepër-thesar që po e vë në dorën e lexuesve dhe t’i uroj asaj nga zemra shëndet dhe, si gjithmonë, krijimtari të begatë, për prezantimin e të tjera veprave me rëndësi kombëtare. Përshëndes ngrohtësisht drejtorin e Bibliotekës Lumo Skëndo, intelektualin e shquar, zotërinë Uran Butka, i cili vuri në dispozicion mjedisin e kësaj biblioteke për këtë prezantim, presidentin e Shtëpisë Botuese “Nacional”, krijuesin e talentuar të letrave shqipe, zotërinë Mujo Buçpapa, për hedhjen në qarkullim të këtij libri, redaktorin e librit dhe krijuesin e mirënjohur të letrave shqipe, zotërinë Xhevat Beqaraj, disenjatorin me shije të hollë, zotërinë Jorgo Saqellari, menaxherin, fotografin dhe moderatorin e këtij takimi, artistin e talentuar të koreografisë, zotërinë Fitim Haxhiraj, si edhe të gjithë të pranishmit e nderuar.

Me respekt dhe mirënjohje.

Prof.dr. Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

07 nëntor 2017

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1