Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | BIO-Poezia e Preng Macaj

BIO-Poezia e Preng Macaj

Font size: Decrease font Enlarge font
image Preng Macaj

BIO-Poezia e Preng Macaj

Faruk Myrtaj
Pak ditë më parë, në “Milosaon” e Gazetës Shqiptare, pashë një cikël me poezi që ma rrëmbeu vëmendjen dhe kohën për “Të Tjerët”. Qenkeshin poezi marrë prej një libri, nja dy emra prej redaktorëve e botuesve në kopertinën e brendshme, Sadik Bejko e Ndue Gjika, ishin të afërt për mua–lutemi që Ndue të jetë sa më mirë ndërkohë…, dhe ua nisa një mesazh, më saktë nje titull emaili: “Po ky qenka POET, or miq!”
Teksa koha rrjedh, dhe si ujrat njerëzit shfaqen diku e në momentin tjetër sikur humbasin, por padyshim janë aty, shfaqen burimesh të tjerë, ne e kemi për detyrë, përvec kënaqësi të thellë, të brendshme, t’i sjellim ndërmend çfarë dashamirët tanë bënë dhe bëjnë për ne, dhe ndjehemi mirë sa herë që kujtohemi se të gjithë, përjetshëm, kemi nevojë për “Dorën e Tjetrit”.
Autorin e këtij cikli poetik, Preng Maca, as e dita dhe as e kisha lexuar.
Dy fjalët e mia, përcjellë tek ai nga Sadik Bejko, mu kthyen në një email si “e mira, hedhur në det”, të mirë që, tek e fundit, për Veten e bëjmë!
Edhe Sadik Bejko promovon një libër poetik këto ditë, por s’di pse e kam ndjesinë se më mirë Dy Fjalë për Preng Macën se sa të shkruaja sërish për të!
Mirënjohja merr pafund formash, mjaft që të jetë e shpëtuar prej kalkulimeve të imponuara prej Hijes së Të Tjerëve…
Behet edhe me mire nese citoj ketu pak fjale te Sadik Bejkos: Po ky eshte poet..Prenga e ka poezine te lehte si frymemarrje e fryme nxjerrje, po dhe aq e thelle....ushqyer prej vogelsive te perjetshme te tej-jetshme te perditshmerise.
Ai jeton permes vargjeve si zogjte ne ajer, si peshqit ne uje. Eshte ne mjedisin e vet. Dhe eshte i tejdukshem dhe i vertete..." Poezitë e Preng Macës zor se pranojnë koment. Nëse nuk është përdorur edhe më parë si term, më duket se u shkon për shtat cilësimi “bio”. Bio-Poezi.
Mund t’i lexojmë sërish e sërish…
========
Lutje njerëzve
kur ngjiteni në pushtete
ju lutem ruajeni zemrën,
mbajeni me vete!

Udhëtim
Det i trazuar, gjithë dallgë
ne jemi nisur për diku
vetëm udhëtimi …na shpëton!

Të gjithë jemi në anije.
Askush prej nesh nuk e di
kush është në …timon!

Stinë
asokohe isha shumë i varfër,
vishja këpucë të riparuara,
e shihja këpucarin, si perëndi,
vrapoja  tek ai për riparimet e radhës,
duke ja shkelur syrin,
që të m‘i  bënte këpucët , si të reja
pasi i vishja,
nëpër takime e rrugë
vrapoja si era.

Iku ajo kohë,
tani kam këpucë të reja,
që më presin në radhë,
këpucë për xhiro, për verë, për dimër,
këpucë për tango
por dreqi ta hajë
tani më  vrasin… kallot.

Mungesë
ndodhesh aq larg
aq e përkryer!
Dashuria ime…e kursyer!

Shi
bie shi pa pushim
nën çadra ecim nxituar,
për ti ikur zemërimit të qiellit…

duke mbrojtur secili veten nën çadra
harrojmë…njeri-tjetrin!

Zogj dhe xhama
Nga dera e hapur hyn zogu
i gëzuar se tashmë është ngrohtë
shpëtoi nga akulli përjashta.
Pas pak provon daljen
Nuk e gjen më derën
Xhamave të mëdhenj përplaset
Ose siç thonë rëndom njerëzit
“Vrau veten!”

Rrugës
jemi gjithnjë të lirë
kur jemi rrugës.
Kudo qëndrojmë në vende fikse
Vetëm ndërrojmë…burgjet.

 Deti i munguar
Akuarium me peshq
Peshq në akuarium!
Pronari i akuariumit
Mashtron peshqit
Se, gjoja,akuariumi është …deti.

Larg prej dhomës gjëmon deti!
Po peshqit janë tashmë të shurdhër,
Janë të lumtur peshqit!(?)

  Vetmi
mos më lër vetëm!
Nga zemërimi yt
Bien çastete e mia të gëzuara
Si një pemë prej së cilës bien frutat
Prej erës së fortë,prej erës së tërbuar!

Mos më lër vetëm!
Ngjaj brenda zenkave,
Si një fetus,
Me kokën në…duar

Mbreti
Ai më tregoi,se rastësisht u panë
krejt rastësht së bashku u njohën
ishte rasti fatlum dhe u deshëm
kësisoj  rasti, pra, është Mbreti i botës!

Pastaj erdhi rasti dhe u ndanë
(sa keq ishte ndjerë pas ndarjes!)
E vërtetë, se prapë rasti është sërish Mbret
por kësaj radhe ishte një Mbret vrasës!

Instinkt
Mos u tremb
në këtë jetë asgjë nuk humbim!
Nëse shpirti ynë,
e tradhton…trupin!


Brishtësi
kur do që ta kapësh,kërcen si top
nga dyshemeja në tryezë.
kur bie poshtë,
rrezikohet të thyhet si një vezë.

përpëlitur në dëshira
zihem si në një lak, në…pendesë!

Kob
në grykë e kam Atdheun tim
një dënesje, një parandjenjë, një si…kob!
mbeti deteve gjithë jetën
kurrë nuk u bë Kolomb!

Skeptikët
Ata rrijnë e vështrojnë vezën e çarë, habiten me lëvozhgën
ndërsa mbi kokën e tyre shkon “ushtria” e zogjve!

Shtëpi
Mendimet e mia janë trarët,
çastet e fiksuara janë…çatia,
fjalët e shkruara janë…muret,
raportet me jetën e vdekjen janë…themelet,
ndërsa dashuria ime janë…dritaret!

Ju gjithnjë mund të shihni
çfarë ndodh  në këtë shtëpi,
brenda së cilës gjendem i mbyllur,
nga  mungesa e dyerve,
shkaktuar prej pavetëdijes!

Për dashninë
sa do të kisha dashtë
me e vu kangën time për dashninë
e të shëndrrohej ajo në një… burim!

ndonjë ditë të mbrame,
të pijsh e etur ujin
e kohës së tashme
e të shihesh në atë ujë,
si në veten tande!

Varkat në fëmijëri
kur isha fëmijë e plot ëndrra
lëshoje mbi lumin e qytetit tim verior
varka prej letre,
mbi to shkruaja dëshirat e mia të shumta

aq shumë i kam dashur ato varka prej letre
e mendoj se ato akoma nuk janë mbytur
tashmë lundrojnë… nëpër dete!

Sekret i lexueshèm
Ti je gjithnjë brenda meje
Siç rri shiu e fshehur pas njè…reje!

Ditë si një vezë…
ditë të rrumbullakta krejt si…vezë Pashke
trembem tek e mbaj në dorë,
mos bie dhe e thyej, pa dashje
e kriset, e thyhet
e përfshihemi të gjithë në…ngjarje!
Antigjetje
Aq shumë e kërkuar, ti je gjëja e duhur
në këtë pyll të ngatërruar… gjetje e pamundur!
Ne jemi të hutuar dhe pafajësisht …të humbur!

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1