Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | NJË LIBËR SI SHEMBULL DHE THIRRJE QË TË NXJERRIM NGA HARRRESA PATRIOTËT SHQIPTARË

NJË LIBËR SI SHEMBULL DHE THIRRJE QË TË NXJERRIM NGA HARRRESA PATRIOTËT SHQIPTARË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qazim Shehu

QAZIM KOKOSHI, FIGURË E NDERIT PATRIOTIK

NJË LIBËR SI SHEMBULL DHE THIRRJE QË TË NXJERRIM NGA HARRRESA PATRIOTËT SHQIPTARË

 

Rreth librit: ”Qazim Kokoshi, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë Kombëtare,1912; Një histori e shkurtër e ngjarjeve kombëtare”, nga Enver Memishaj

 

Qazim  Shehu, poet.

 

Figura e Qazim Kokoshi është bërë nxitëse për studiuesin Enver Memishaj, po jo vetëm për të, sepse ai duke na e paraqitur të plotë, ia arrin të sjellë nxitjen e kuriozitetit edhe tek lexuesit,veçmas tek ata lexues që historinë dhe të shkuarën kërkojnë ta njohin më mirë.Enver Memishaj me librin e vet,ashtu si dhe me libra të tjerë interesantë, ka ditur edhe kësaj herë të na japë një faqe të re nga historia jonë kombëtare, jo shumë e largët, duke spikatur një burrë të vërtetë të kombit, një nga ato figura që i kanë shokët e rrallë, siç është Qazim Kokoshi. Ky atdhetar, intelektual i klasit të parë, njeri i veçantë, vjen sot me shembëlltyrën e gjithë heronjve dhe atdhetarëve më të mirë, për të na sjellë në këto kohë të koklavitura  dimensionin e të menduarit dhe të ndjerit me zemrën e atdheut. Pothuajse nuk ka ngjarje të rëndësishme, kulmuese, në shekullin 20, ku të mos ndodhet ky atdhetar e të mos japë ndihmesën e tij në dobi të atdheut, që nga kryengritjet antiosmane, nga shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës,1920, Revolucioni i Qershorit 1924, Lufta e Dytë Botërore; ku ai të mos marrë pjesë e të mos jetë protagonist dhe ndihmues .

I brumosur me ideale demokratike, i edukuar dhe pajisur me kulturë perëndimore, jeta e tij do karakterizohet nga ndershmëria maksimale, edhe kur është i detyruar që në mars të vitit 1939 t`i shkojë akundërshtarit të tij, Ahmet Zogut,  dhe t`i deklarojë se është tentuar të paguhet e së shpejti Italia pushton Shqipërinë.

Në kulmimet e ngjarjeve dramatike që përmendëm, ai nuk do të zerë një skutë, po do jetë në ballë të  tyre, do të kuptojë gjithnjë se vendi jo vetëm ka nevojë për bijtë e tij më të mirë, por se kjo nevojë nuk mund ta krijonte arsenalin e duhur të ndihmës pa një  veprimtari të detajuar duke u mbështetur tek shpirti luftarak i popullit e duke i prirë atij. Kumtet mesazhore të kësaj jete janë të ndritshme dhe na sjellin hijen e lartë të një peronaliteti që pena e Memishajt e gdhend me frymëzim dhe faktologji të palëkundur.                                                                                                                                                                                                                               

                                                                                  *      *      *

Qazim Kokoshi ishte ideator i mjaft nismave, por edhe realizues i tyre, i patërhequr përballë sfidave dhe vështirësive , në dukje të pakapërcyeshme, por që kërkonin vision, syçeltësi e guxim. Kështu autori I librit Enver Memishaj na zbulon tek ai, atdhetarin, shtetarin, politikanin, diplomatin, botuesin e gazetave, njeriun mendjehollë e sypatrembur, që dinte ç`bënte dhe atë që realizoi dhe e jetësoi, kurrë nuk e mallkoi, as u pendua, kur shihte se kjo i shërbente atdheut. Pati shumë armiq, u dënua tre herë me vdekje nga Turqianë vitin 1908, Italia në vitin 1920 dhe Mbretëria shqiptare në vitin 1932, po kurrë nuk e theu idealin e vet kombëtarist. Komunistët shqiptar në stilin e tyre absurd, krejtësisht të pamotivuar, e dënuan në vitin 1946 dy vjet në burg. Vdiq aty nga torturat dhe ende nuk i dihet varri, por jeta dhe vepra e tij e ”nënçmuar” nga harresa e ideologjisë së kuqe, sot merr një liçensë të merituar nga pena e Memishajt dhe sqaron më së miri gjithë atë traumë të historisë sonë, mbajtur peng nga politikat afatshkurtra të puthadorëve të të huajve dhe të atyre që shikonin tek madhështia e kësaj figure një kërcënim serioz për mbrapshtinat e tyre në dëm të çështjes kombëtare. Persekutimi, përndjekja nga pushtuesit e vendit, Mbretëria, emigracioni politik, përndjekja nga fashistët, nazistët dhe komunistët, nuk ia thyen vullnetin këtij njeriu, përkundrazi ai doli më i pamposhtur, sepse rriste në zemrën e vet dashurinë për atdheun dhe lirinë e kombit të vet. Ajo që spikat më së shumti në jetën e vet, që e përshkon atë si një fill i artë është përjekja për shpëtimin e trojeve amtare nga copëtimi, kur edhe Shqipërisë londineze ende i turreshin për t`i shqyer copa e për ta zvogluar edhe më. Shqiptarët e vërtetë do t`ia dinë për nder edhe këtë, këtij njeriu të madh e burri të shquar të Vlorës.

                                                            *       *      *

Qazim Kokoshi vjen nga një derë e pasur,dhe,siç thuhet në libër,pasurinë kjo familje e vuri në shërbim të shkollimit dhe të çështjes kombëtare. Vetë Qazimi ishte një njeri i ditur dhe me njohje të madhe të problemeve sa kombëtare aq ndërkombëtare e mbi të gjitha me prirje dhe intuitë për të kuptuar se cilët ishin miqtë dhe armiqtë e vendit të tij. I brumosur me ideale të larta patriotike po edhe demokratike, ai mori pjesë në lëvizjen politike të kohës që nga viti 1907, kreu detyra e mbajti poste të larta si firmëtar i deklaratës së Pavarsisë në vitin 1912, prefekt i Vlorës, deputet në vitin 1921, kryetar i Partisë Popullore,  kryetar i Bashkisë së Vlorës në vitin 1922, udhëheqës i Revolucinit të Qershorit më 1924 etj, provoi privacione për shkak të kundërrrethanave që e spostonin shpesh shigjetën e fatit dhe, në asnjë moment, ne nuk gjejmë në personalitetin e tij brengën dhe pendesën më të vogël. Ky atdhetar i kulluar e dinte fare mirë se çdo gjë ishte e përkohshme dhe do të kalonte, nëse radhët do mbeteshin të bashkuara.

Nuhatja e tij dilomatike është e admirueshme, sepse ky aristokrat klasi duke pritur konsullin amerikan në Torino, Josef Haven në vitin 1919, të cilit i bëri një përcjellje të qartë dhe të thelluar të çështjes dhe pozitave të kombit shqiptar. Qazim Kokoshi dhe Ali Asllani, jo vetëm që e pritën, po ata i rezervuan ngrohtësi dhe një mikpritje të tillë, sa konsulli amerikan pa diçka tjetër, ndryshe nga ç`servirnin për shqiptarët disa qarqe të huaja. Ai pa me sytë e vet dhe ndjeu nga afër entuziazmin e popullsisë së Jugut për ardhjen e tij dhe besimin se vetëm Amerika do t`i vinte në ndihmë këtij populli të vogël,  rrethuar nga çakejtë shovinistë që kërkonin të shqyenin edhe më nga trupi i drobitur i Shqipërisë,edhe pse kishin gëlltitur copra të majme prej saj.

Enver Memishaj bën një përshkrim të qartë të kësaj ndodhie dhe evidenton rolin e këyre patriotëve në këtë pritje ndërmjetësimi ku spikat veçanërisht figura e Qazim Kokoshit.

Veprimtaria e këtij patrioti në dobi të çështjes kombëtare dhe të idealeve demokratike do marrë një diametër tjetër në perimetrin e ngjarjeve; ajo zgjeron rrezen e shtrirjes dhe rrit intensitetin e veprimit, sidomos pas ngjarjeve shumë tronditëse e mjaft domethënëse kur patriotëve shqiptarë iu desh të vepronin me shpejtësi pa dilemën më të fundit, siç janë Lufta e Vlorës e vitit 1920 dhe Kongresi i Lushnjes, dy ngjarje madhore të ndriçura tashmë nga historiografia e sotme dhe që përbëjnë nyjet kruciale të sendërtimit të ëndrrës shtetërore të shqiptarëve.

Edhe këtu veprimtaria e Kokoshit zë këndin e vet dhe ky kënd rrethohet e ndriçohet me dritë edhe sot  dhe i jep atij vlerën që vetë ia dha vetes pa e huazuar nga kush.

Edhe si botues shtypi ai do të krijonte gjithmonë mundësinë për shpalosjen e mendimeve të veta duke kuptuar se fjala e shkruar ishte po aq e rëndësishme dhe treguesi i emancipimit sa edhe lufta në llogore për liri. Ndërsa si kryetar bashkie, Qazim Kokoshi do të dallohet për projektet e tij interesante  në qytetin e Vlorës, për ndërhyrjen dhe nxitjen e jetës qytetare drejt niveleve të përparimit duke u interesuar edhe për sportin. Një figurë e gjallë, koherente dhe e nxitur jo vetëm nga detyrat e besuara, po edhe nga ajo prirje e brendshme dhe formimi patriotik që vinte nga një traditë e lashtë; që dalin qartësisht në librin që po analizojmë. Ai mbajti një qëndrim të fortë dhe të përcaktuar ndaj pushtimit fashist e nazist dhe në këtë kohë do e gjejmë emigrant politik në Beograd.

                                                                  *       *       *

Janë interesante dhe me interes kujtimet e Qazim Kokoshit të cilat i ka mbledhur me mundim e sakrifica z. Enver Memishaj, ku ai përshkruan momente të bombardimit gjerman në Beograd, rastësitë prej të cilëve shpëtoi, udhëimet nga Beogradi në Kosovë, gjendja e kosovarëve, takimet me ta dhe përshkrimi i jetës së atëhershme ku herë herë bie edhe të dhëna etografike, mënyrën e jetesës së kosovarëve, traditën e mikpritjese, shpresën se mos me ardhjen e gjermanëve do shporrej pushtuesi serb etj. Këshilla e Kokoshit është mjaft racionale: asnjëherë nuk duhet me u mbështet tek një pushtues për të pritur shporrjen e pushtuesit tjetër. Kjo maksimë merr një vlerë filozofike, verifikuar në sa raste të tjera të historisë botërore. Ne mund t`i quajmë këto kujtime një reportazh lufte, një skenë e gjerë  ku lëvizin sa e sa personazhe të rëndësihëm dhe rastësore e njëherit perceptojmë sot pas sa kohësh ato momente të vështira në zgrip të jetës në ato vise dhe në treva të tjera të Ballkanit. Kuptohet në këto shënime Qazim Kokoshit i vijnë në ndihmë edhe njohuritë e tij mbi historinë, diplomacinë dhe leximet e shumta të tij, profesioni prej publicisti dhe botuesi të  shtypit.

Në libër bie në sy një fakt që nuk mund të anashkalohet. Vajza e tij është gruaja e heroit të Pojskës: Reshit Çollkaku. Dhe as këtë fakt komunistët nuk ia morën parasysh dhe autori hedh dyshime edhe për vrasjen e Reshit Çollakut, por një gjë është e sigurtë: komunistë pasi morën pushtetin, të dehur e të ndërkryer nga era e gjakut, nuk mund të duronin ekzistencën e figurave të tilla si Qazim Kokoshi me reputacionin e tyre në popull, prandaj ata gjetën shkaqe të sajuara dhe e dënuan këtë martir të kombit.

                                                                   *      *      *

Figura e Qazim  Kokoshit shpërthen dimensinet e kohës për të mos u mbyllur vetëm në to dhe rrezaton edhe sot për mesazhe të reja në dobi të çështjes së kombit; kur për kombin duhet punuar me ndershmëri dhe profesionalizëm, cilësi që ai i kishte në shkallën superiore.

Libri i Memishajt sqaron shumëçka me një pasurim dhe sistemim të gjithë ngjarjeve që vijnë hallkë pas hallke sipas të ndodhurës së tyre. Pasuria e të dhënave sistemohet me një renditje tematike konceptuale dhe gjithë qëllimi thuret e merr udhë në ndriçimin sa më të mundshëm të kësaj figure, duke u ruajtur nga superlativat dhe gjuha e vjetëruar e një retorike që mbulon mungesën e faktit. Duket se Memishaj ka punuar me kujdes duke e parë protagonistin e tij të lidhur me ngjarjet e gjysmës së parë të shek . XX, ngjarjet si vërshim i trazirave kombëtare,ballkanike dhe europian.

Dhe në këtë kujdes të tij spikat një prirje reale për ta paraqitur këtë protagonist të rëndësihëm në sfondin historik si një figurë që bën hije dhe pritet me respekt nga ndërgjegja e pastër e shqiptarit të ditëve të sotme; sepse mirënjohja ndaj figurave të tilla nuk i përket thjesht një libri,por ajo duhet shtrirë më gjerë, për të kuptuar më mirë historinë dhe aktorët më të devotshëm të saj që vepruan drejt në çaste kthesash të mëdha.

Memishaj përdor dhe ngre në rrafshin e komunikimit një gjuhë  që rrjedh nëpër relievin e ngjarjeve, gurët kilometrikë të fakteve, si shenjim dhe njësi matëse e vlerave, duke dëshmuar dhe saktësuar të ndodhurën historike përmes dramatikës së saj. Lexuesi jo vetëm do gjejë pasurinë e faktit, çka është i domosdoshëm në librin monografik, po ky fakt nuk do mbytet nga përshkrimet autoriale, sepse libri e mbart tendencën shkrimore që synon ta shterojë sa më shumë vlerën e së dhënës për Qazim Kokoshin dhe ta nxjerrë në dritë atë, duke ia sjellë në duar lexuesit portretin e tij që të mendojë mirë mbi të.

Dhe duhet thënë se autori ia arrin kësaj me një kujdes të kompozimit tematik të librit,  ku ngjarjet rrjedhin në rendin e tyre kronologjik. E në këtë kronologji, Qazim Kokoshin e gjejmë gjithnjë në radhët e para të luftës për sendërtimin e ëndrrës kombëtare. Ky nxitim i tij  përligjet nga fakti se shfrytëzimi i momentit historik, gjetja e aletatëve të kuptueshëm dhe ndihmues, është një gur prove për të mos humbur shanset e historisë për të bërë shtetin.

 

Memishaj jo vetëm ia ka arritur të na e shpalosë këtë, po edhe ta mbjellë në ide që aktualizohen vetiu në ditët e sotme, kur duhet të mendojmë se ku duhet ta gjejmë modelin e intelektualit dhe të përkushtuarin ndaj kombit dhe fatit historik të popullit.                                                                                                                    Dhe një model mbetet Qazim Kokoshi, një figurë e harruar, e anatemuar, që edhe në harresë nuk e shuajti zjarrin e vet ashtu si thëngjilli nën hirin e vatrës. Dhe Enver Memishaj e ka hequr mirë pluhurin e harresës duke na dhënë plotwsisht një personalitet të tillë me dimensione  të gjera që do rrezatojë  vijueshëm në qiellin e idealizmës kombëtare.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1