Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | MOIKOM ZEQO, SEKRETI I FLUTURIMEVE PINDARIKE NË POEZI

MOIKOM ZEQO, SEKRETI I FLUTURIMEVE PINDARIKE NË POEZI

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vangjush Ziko

MOIKOM ZEQO, SEKRETI I FLUTURIMEVE PINDARIKE NË POEZI


E lexova me kureshtje dhe kënaqësi librin më të ri poetik të Moikom Zeqos “Letrat për Makabe Zaharian”, botim i APARKEAS-ABRAXAS, 2017.

Poezia e Moikomit është një poezi e veçantë që kërkon një përqëndrim maksimal. Të emocionon dhe të zgjon mendime asociative komplekse dhe të thella,- është poezi e përjetimeve jo të zakonshme, të bukura dhe alternative. Një poezi thellësisht bashkëkohore, që i flet mendjes, zemrës kujtesës, përfytyrimit dhe ëndërrimeve.

Nuk po përqëndrohem në një analizë të thelluar të brendisë së saj. E quaj ordiner, të thjeshtëzuar, kalimtar një koment dhe riinterpretim me fjalë të bukura boshe të të vërtetave filosofike dhe estetike të mishëruar në prozodinë dhe të figuracionin e saj, Poezia e vërtetë ka nevojë për një gjykim teorik të argumentuar dhe interpretuar profesionalisht.


***

Duke lexuar dhe rilexuar krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos, nuk po e quaj thjesht “Poet”, sepse më duket e ngushtë kjo “këmishë”, “kostumi” i tij më ngjan edhe me togën antike, edhe me pelerinën kalorsiake, po edhe me smokingun e një “dandy”, bile edhe me fustanellën tonë të pashëmbullt ilire.

Më vjen mirë ta quaj edhe Filosof, e quaj edhe Magjistar, pse të mos e quaj dhe një njeri jo të zakonshëm, që i mban sytë nga qiell duke lexuar Zodiakun e fatit njerëzor mbi tokë.

Kam përshtypjen se kur lindi frymëzimi i tij, Muza e ka pritur në pelenën e Alegorisë, pelenën, e cila i shkaktoi plot shqetësime, kur në ato vite shkruhej, kryesisht, poezi politike. Ajo poezi ishte poezia e argumentimit politik.

Si mund ta duronte Moikomi i ri këtë sfidë?

Heroi lirik i tij, megjithatë, nuk hoqi dorë asnjëherë si ahere si dhe tani nga kjo figurë sfiduese e realitetit dogmatik. Ai e përdori edhe atë me kujdes duke vënë shprehjen e figurshme në themel të stilistikës së tij poetike. Mbi këtë themel ai e lartësoi hap pas hapi korpusin e veprës së vet, duke e bërë devizë të kredos së vet poetike Alegorinë. Ajo e përsos dhe e bën mjeshtërore shprehjen e figurshme të mendimeve. Alegoria si figurë artistike na jep konteksin e mendimit në përgjithësi, e vesh me velon e vet atë dhe, si çdo gjë e mbuluar, zgjon në forma të befta kërshërinë. Të bën të mendosh dhe të përfytyrosh.


***

Por frymëzimit universal të Moikomit nuk i mjaftonte vetëm thjesht përfytyrimi i sendeve, ngjarjeve të zakonshme, përfytyrimi i përditshmërive të zakonëshme dhe profane tokësore. Heroi lirik i Moikomit është vizionar.

Atë e interesojnë jeta dhe vdekja, pavdekësia dhe pafundësia, e tashmja dhe e ardhmja edhe përtejardhmëria. Realja plekset te ai me metafiziken, truporja me shpirtëroren, ëndrra me zhgjëndrën, Parajsa me Ferrin, konkretja me abstrakten.

Vizioni tij filosofik dhe estetik nuk kish si të realizohej vetëm me “magjinë” e Alegorisë së zakonshme jetësore. Nuhatja e tij artistike dhe estetike e drejtuan atë në korpusin e mitologjisë antike, në mitet. Vizionit të frymëzimit të tij i duhej “Alegoria mitologjike” mbi kozmosin, mbi zotat, mbi njerëzit, sinkretizimi i njeriut me natyrën, i së kaluarës me të tashmen, i trillimit me realen. Ai i studioi dhe i bëri të vetat këto sekrete të mjeshtërisë mitologjike.

Kuptoi dhe pervetesoi si askush këto koncepte dhe “asociacione të pathëna paraprake”. Poezia e tij u bë kështu prej vitesh universalisht një poezi konceptuale figurative, duke vënë në themel të stilistikës së vet metodën avanguardiste që e solli shekulli i njëzetë në krijimtarinë letrare,dmth konceptualitetin.

Në stilistikën e Moikom Zeqos janë të pranishme edhe elementë të postmodernizmit, siç është mistifikimi i realitetit dhe intertekstualiteti, operimi me figura dhe tekste të së kaluarës. Por edhe një rikthim i habitshëm në fluturimet e befasishme të Pindarit antik,kaq te parapëlqyera nga Moikomi.

Metaforat dhe personifikimet e Moikomit janë, sipas përcaktimit të tij, “mashtrime optike për të krijuar asimetri të frikshme”. Një mendim të përafërt me poetin tonë shpreh edhe poeti Joseph Mosconi: ”Më pëlqen të mendoj për poezinë konceptuale, si për fëmijët me sy të zes, që duam t'i vemë në gjumë, jo që t'i mbrojmë dhe t'i mitologjizojmë, por të ecim më tej, që të shpërndajmë fantazmat në familje”. 

Qëllimi i Moikomit nuk është, thjesht, risjellja e mitologjisë apo rikopjimi i miteve dhe i figurave të saj mitologjike, as t'i depozitojë, koleksionojë ato në vargjet e veta. Moikomi nuk do të na mahnitë apo të na “trembë” me hijen e tyre të rëndë, të mbinatyrshme Poeti ynë i çmitizon ato dhe, nga “fantazma”, na i bën simbole. Ose i bën dhe metafora të koncepteve, të ideve dhe kategorive universale të moralit, të bukurisë, të dashurisë, të madhështisë, të heroizmit dhe të poshtërsisë, të dlirësisë, të kohës dhe të pavdekësisë.


***

Si përfundim-kjo stilistikë poetike kërkon dhe një psikofizikë të re leximi, pra edhe një raport të ri Poet-Lexues. Poezia e Moikom Zeqos përfshin në vetvete të sotmen, bashkë me të shkuarën dhe të ardhmen-sintezën e kohërave shpirtìrore. Gjuha e poezisë së vërtetë, niveli kulturor, pa harruar edhe nivelin gjuhësor nuk është kurrë e barabartë me nivelin kulturor si dhe gjuhësor të lexuesit,ajo ( e para) i paraprin asaj (të dytës )-, rëndësi ka që lexuesi të kapë si duhet dhe me inteligjencë thelbin e poezisë.


***

E parë në këtë optike stilistika poetike e Moikom Zeqos është kurorëzimi me sukses të madh dhe të plotë i rrugës së saj krijuese në të gjitha aspektet letrare dhe jashtëletrare. Kurse për letërsinë shqipe është një nga arritjet e saj më madhore, që e rradhit atë me dinjitet, krahas poezisë bashkohore moderne të botës.

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 12/09/2017 01:03:05
avatar
Nuk eshte aq e kollajte t'i ngjitesh e mepastaj ta zbresesh lartesine, per tu kthyer ketu poshte, mes njerezish, dhe tu flasesh per atje lart...

Jane krijues te nje kohe kur tere burimet e njohjes, dijes dhe argetimit, gjithcka, vinte permes leximit te librave, te atyre librave qe arrinin te hynin ne ate mjedis refraktar, por qe ashtu sic pertypeshin e treteshin, mbeteshin si kulture...

Jane ca guva qe s'pushojne se buruari. Nuk u merret dot me mend nga u vjen tere ai uje, kristalin, kokrrizash, qe ke drojen mos avullojne sapo te rroken prej menyres se zakonshme te te ndjerit, te perceptuarit, te shijuarit...

A s'eshte e vertete se kemi frike se te sormit shume me shume shkruajne seç lexojne!

....

Profesor Vangjush Ziko, poet i nje natyre te tjetert, me ngjan se arrin ta ç'kodifikoj fabulen e fjales se ofruar si magji dhe na e ben te afert, si nje burim qe fillon e rrjedh diku brenda qenies sone...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1