Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | KRENARE NË NJË LIBËR HEROINA RUKIE RAMA

KRENARE NË NJË LIBËR HEROINA RUKIE RAMA

Font size: Decrease font Enlarge font
image SHPENDI TOPOLLAJ

 

SHPENDI TOPOLLAJ

 

          ERDHI KRENARE NË NJË LIBËR HEROINA RUKIE RAMA

Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Copëza jete”

 

 

Ne vimë në Tropojën e njerëzve fisnikë, me kënaqësi të veçantë, me gëzim dhe kujtime të bukura. Por, pak tjetërsoj qëndron ardhja në vendlindje e bijës nga më të shquarat dhe të nderuarat e këtij vendi, Rukie Ramës. Ka një tregim shkrimtari turk Muratan Mongan që titullohet “Një grua e quajtur Meda Gabler”, ku edhe pse nuk mund të ketë bazë krahasimi i protagonistes së tij me Rukien tonë, përsëri e gjej me vend të riprodhoj përshkrimin që ai i bën ardhjes së heroinës së tij: “Tejet e lodhur, tejet e trishtuar, e mbytur në kujtime, e kalitur në përvoja dhe me ferrin e saj të dashur hedhur pas shpine, durimtare deri sa s`mban më, gjithmonë në këmbë, me rraskapitjen e shkruar kudo në fytyrë, ajo ecte, ndërsa fundi i saj me kinda fshinte tokën e rrahur nga era, në “Rrugën e Ernave”, ajo eci nëpër të gjitha rrugët, të gjitha bulevardet, të gjitha trotuaret, të gjitha format e ekzistencës, të gjitha monumentet plastike - dhe erdhi.” E tillë vjen edhe Rukia, në Shqipëri nga Belgjika ku jeton, në Durrës ku e respektojnë gjithë ata që e njohin qoftë dhe për së largu dhe sidomos, këtu në vendlindjen e saj, ku siç thotë vetë është e dashuruar me lulet e fushës së Bytyçit, me karajfilin e Gjerovicës, me puhinë e liqejve të Sylbicës, me nxënësit e saj të paharruar, me të gjithë ju banorërë krenarë të kësaj treve me histori kreshnikësh. Pra ajo vjen thjesht me kokën lart! E tillë vjen ajo edhe para lexuesve me librin që po promovohet “Copëza jete”, pa ç`ka se vetë ajo e pati jetën të coptuar. Ose më drejtë; që ja coptuan. Dhe pikërisht këtu qëndron ndryshimi; Rukie Ramën e ndjek pas dhe natyrisht që e mundon, një brengë e madhe. Një brengë që ajo nuk do t`ua përcjellë të tjerëve. Se nuk do që t`i mërzisë dhe t`i trishtojë ata. Jeta është e bukur dhe ajo e kreu me nder misionin që i kishte rezervuar fati. U shndërrua në simbol të vuajtjeve të padrejta dhe të pa merituara, por edhe i qëndresës trimërore plot dinjitet, para xhelatëve që gjeloseshin përballë një vajze të re të pa mbrojtur. Sa e sa femra të tjera, motrat tona të pafajshme, me akuza nga më absurdet e pësuan si ajo; me tortura, me turpërime, me burgime, me internime, me shkatërrime familjesh. Edhe te ne po ndodhte ajo që thotë i burgosuri i ndërgjegjes Daut Gumeni për librin e shkrimtarit Varllam Shallamov “Tregimet e Kollimës”: “Shekulli i energjisë bërthamore, i psikanalizës dhe i artit absurd, shkon në Rusinë Sovjetike me çizmet e rënda të shekullit të “dyshimeve, mosbesimit, dhe vigjilencës.” Ishte koha, kur ashtu si te libri që sapo përmenda pushkatohej a burgosej edhe gjenerali (si biri i Tropojës Sadik Bekteshi) që ka parë në ëndërr sikur (Larg qoftë!) e kishte zënë gripi “udhëheqësin kryesor”. Të gjithë ata që e pësuan nga ky arbitraritet, Rukia i përfaqson, u bën homazh, por dhe drejton gishtin burrërisht ndaj persekutorëve. Pa patetizma e nevojë për të rënë në sy, ajo bën thirrje: Mjaft më me barbari të tilla! Turpi rëndoftë mbi ata që ngritën dhunën në sistem mes vëllezërve të një gjaku! Njëkohësisht, ajo me veprimtarinë e pareshtur të saj, në mësimin e gjuhës tonë të magjishme fëmijëve që rrethanat i kanë detyruar të jetojnë larg atdheut, me lartësimin e figurës së femrës shqiptare në sytë e gjithë botës, me anë artikujsh përkujtimorë dhe të problemeve aktuale që rezatojnë kulturë dhe botë të pasur shpirtërore, dhe pa lënë kurrë jashtë vëmendjes Kosovën e shtrenjtë dhe domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar, ajo e ka çuar misionin e saj në nivele të admirueshme, për të mos thënë të papara. Rukia nuk kërkon hakmarrje ndaj askujt, por në këtë libër, krahas nderimit për figurat dhe familjet me emër të Tropojës, herë pas here nuk e fsheh dot zhgënjimin nga gabimet e demokracisë. Se për këtë, sado që t`i gëlltisë lotët e kristaltë, përsëri nuk e lë ajo qelia Nr. 7, ku ka shkruar së prapthi emrin e saj Eikur Amar, ashtu sikurse së prapthi shkoi dhe pjesa më e bukur e jetës së kësaj vajze që personifikonte në gjithë qenien e saj tërë virtytet e heroinave legjendare që ky popull ka nxjerrë në shekuj.  

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1