Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | NJË VËSHTRIM MBI LETËRSINË KANADEZE

NJË VËSHTRIM MBI LETËRSINË KANADEZE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vangjush Ziko

NJË VËSHTRIM MBI LETËRSINË KANADEZE


Këtë vit Kanadaja festoi 150-vjetorin e themelimit të Konfederatës Kanadeze. Edhe historia e mirëfilltë e letërsisë kanadeze lidhet me këtë datë historike.

Historia e letërsisë kanadeze njeh disa etapa të ecurisë së saj: trashëgiminë gojore indigjene, atë të periudhës paskolonizuese, letërsinë pas krijimit të Konfederatës kanadeze dhe letërsinë bashkëkohore që pas vitit 1967.

Kanadaja është cilësuar si “kombi i emigrantëve”. Të gjithë janë të ardhur në tokën kanadeze: të parët popullsitë indigjene, pastaj kolonizatorët anglezë dhe francezë, emigrantët e mëvonshëm janë nga e gjithë bota. Kanadaja i ka llogaritur këta si burim identiteti, si lulëzim dhe rritje të kombit, kurse letërsinë si një faktor të rëndësishëm në përcaktimin e identitetit të vet.

Identiteti i hershëm kanadez i pasqyruar në kulturën, artin dhe letërsinë gojore të fiseve indigjene e ka emrin “mbijetesë”. Kjo mbijetesë ka dy personazhe: indigjenët

dhe kolonizatorët. Simboli i mbijetesës shprehet kudo me “gjendjen e viktimës” dhe të shkallës së ndërgjegjes dhe të vetë aktualizimit të viktimës në raportin “fitimtar/viktimë”. Fitimtarë në këtë skenar janë kolonizatorët, natyra e egër dhe faktorë të tjerë të jashtëm e të brendshëm, të cilët e kanë sunduar “viktimën”, popullsinë indigjene. Ky raport ka ardhur duke u zbutur dhe “aklimatizuar” me konsolidimin e shtetit dhe të shoqërisë kanadeze jo aq lehtë, me probleme dhe shqetësime të ndryshme dhe në periudha të ndryshme, me konflikte të brendshme të emigrantëve, sidomos të atyre të erdhur pas kolonizimit, midis synimit të integrimit dhe synimit për të mbetur të veçantë. Shteti kanadez, në vitin 1988 shpalli parimet bazë të politikës së vet multikulturaliste. Shoqëria kanadeze dhe filozofia e zhvillimit të saj ekonomik, politik, demografik dhe kulturor ka në themel barazinë, lirinë, mbështetjen dhe respektin multinacional etnik, fetar, kulturor.

Dokumentat e para të shkruara dhe të botuara letrare janë përshtypjet, ditaret dhe rrëfimet e kolonizatorëve francezë dhe anglezë mbi Kanadanë dhe për banorët e saj të autoktonë të botuara në gazeta apo revista franceze dhe angleze. Letërsia e mirëfilltë kanadeze krijoi, më vonë nër vite vepra të arrira të shkruara në gjuhën franceze dhe angleze. Në këtë letërsi, natyrisht që ndikoi fuqishëm letërsia e këtyre vendeve.

Letërsia kanadeze është shkruar në gjuhën angleze dhe në atë franceze.

Në fillim të shekullit XX filluan të përvijohen zërat dhe indivitualitetet e kësaj letërsie dygjuhëshe. Atyre, nër vite iu shtuan dhe zërat e shkrimtarëve të dalë nga gjiri i emigrantëve të erdhur nga vende të ndryshme të botës, nga Evropa, nga Shtetet e bashkuara të Amerikës, nga Amerika latine, Azia dhe nga Afrika. Që nga Lufta e Dytë botërore multikulturalizmi u bë tipari i ri i letërsisë kanadeze.

Letërsia kanadeze nga viti në vit është bërë dhe vazhdon të konsolidohet si një letërsi me identitetin e saj letrar; ajo lëvron poezinë, prozën dhe dramaturgjinë, pra, të gjitha gjinitë letrare. Ajo është bërë një letërsi që pasqyron jetën dhe shijet artistike dhe estetike të komunitetit multinacional bashkë me problemet e zgjidhura dhe të pazgjidhura, që shtron specifika demografike kombëtare; probleme që lidhen me brendinë, nivelin dhe konsolidimin, përcaktimin e tipareve më të qenësishme dhe specifike të saj. Si e tillë, letërsia kanadeze është një përvojë interesante letrare dhe jashtëletrare, që kushtëzohet edhe nga eterogjeniteti nacional i krijuesve dhe i lexuesve të saj.

Në këtë ekostitem, letërsia kanadeze e vlerëson zhvillimin dhe dobinë e saj në korrigjimin e padrejtësive dhe zgjidhjes së problemeve shoqërore dhe kulturore; ajo trajton problemet e ekzistencës së shumëgjuhësisë dhe larmisë së traditave të sjella me vete nga të ardhurit nga kontinente të ndryshme, që përbëjnë kombin kanadez. Kultura kanadeze, ka vënë në themel të spektrit të vet devizën e jashtëzakonshme demokratike : endjen e qilimit të kulturës kanadeze me fijet e kulturave bashkëjetuese në gjirin e saj. Rrugë vërtet gjeneroze, joshëse dhe sfiduese; sfidë për kulturën kanadeze, në përgjithësi dhe për letërsinë kanadeze, në veçanti.

Shkrimtarët kanadezë me prejardhje angleze, franceze, amerikane të lindur dhe të rritur në Kanada si edhe emigrantët ose ekspatriotët e tjerë, që kanë marrë prej vitesh kombësinë kanadeze dhe e kanë bërë të tyren gjuhën dhe kulturën kanadeze, përbëjnë një pasqyrë komplekse, jo vetëm tematike, por edhe artistike edhe estetike. Në krijimet e tyre zotëron, jo vetëm tematika tipike kanadeze, por edhe romantika e “të huajit”, të cilin e tërheq kërraba e origjinës. Megjithatë, të gjithë i bashkon idea e rilindjes së këtij kombi të ri, të paqes dhe të dashamirësisë, të respektit që zotëron në jetën e bashkësisë kombëtare kanadeze. Kjo është me të vërtetë një përvojë tejet futuriste, një ëndërr sa e guximshme, po aq edhe e vështirë, e arritur dhe e kuruar me përpjekje dhe maturi të vazhdueshme të politikës kombëtare.

Ndër shkrimtarët më të shquar kanadezë të vlerësuar, jo vetëm me çmime kombëtare, por edhe me çmime ndërkombëtare janë: Michael Ondaatje, Margaret Atwood, Alistar MacLeod, Carols Shields, Lawrence Hill, Alice Munro, e para shkrimtare kanadeze e lauruar me Çmimin Nobel në vitin 2013 etj.


Kontigjentet e emigrantëve shqiptarë të erdhur në dekadat e fundit të shekullit të kaluar apo në fillim të këtij shekulli, e kam fjalën për krijuesit e pakët në gjirin e tyre, kanë ardhur me një përvojë dhe emër krijues të fituar në vendin e vet dhe nuk mund të llogariten si kontigjent i letërsisë kanadeze. Pengesa kryesore për ta është zotërimi i gjuhës letrare angleze si dhe ndikimi i konceptit të filozofisë krijuese të trashëguar të realizmit socialist. Ata kanë problem, në radhë të parë, përshtatjen me këtë vend dhe me ritmin e kësaj jete të re, me zakonet dhe ligjet e saj; u duhet t'i japin një kuptim të ri jetës së tyre, problemeve ekonomike dhe, mbi të gjitha, zotërimit të gjuhës letrare kanadeze. Shumë rrallë mund të gjesh midis tyre shkrimtarë që sprovojnë të shkruajnë në gjuhën angleze dhe aq më pak, t'i radhitësh veprat e tyre si pjesë të kësaj letërsie. Tematika e veprave të tyre trajton, kryesisht, tema nostalgjike të atdhedashurisë për atdheun e munguar, apo ruajtjen e ndjenjës së traditës, të identitetit të tyre kombëtar; ka vetëm reflektime të sipërfaqëshme të problematikës së jetës kanadeze të mirëfilltë, të jetës së përditshme, të jetës në emigrim; ndërsa filozofia e tyre krijuese është shumë larg asaj të letërsisë bashkëkohore kanadeze, është akoma një filozofi e trashëguar nga tradita e letërsisë së angazhuar qytetare dhe politike e vendit të vet. Por kjo është një temë më vete dhe e komplikuar. Është shpejt, shumë shumë shpejt që të flasim për shkrimtarë apo poetë kanadezë me origjinë shqiptare. 


Comments (1 posted):

Dhimiter Xhoga on 09/09/2017 02:27:10
avatar
Mirenjohie sa na ofroniPr.Vangjush Ziko

Faleminderit Pr.i nderuar per keto horizonte qe na hapni,per njohien e shtetit Kanadez,tashme bere atdheu i dyte i bashkekombasve tane.
I jemi mirenjohes.
Me shume konsiderate,sa faleminderit, se m'i plotesoni mangesite e mia,ardhur von e nuk zoteroj gjuhet e tyre baze.
Paci mirsi dhe shendet.
Mesuesi pesionist
Dhimiter Xhoga.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1