Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | KUJTIME TË PAHARRUARA TË SHPREHURA ARTISTIKISHT NË LIBRIN E PRENJO IMERIT

KUJTIME TË PAHARRUARA TË SHPREHURA ARTISTIKISHT NË LIBRIN E PRENJO IMERIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image PRENJO IMERI: Mall dhe brengë

 

 

Pashmangësisht, në jetën e njeriut vjen një kohë që kujtimet marrin përmasa akoma më të mëdha. Ato i shfaqen atij përherë e më të qarta. I bëhen edhe më të dashura dhe nga largësia e kohës, jo vetëm i shndërrohen në nostalgji, por dhe i shërbejnë për të gjykuar veprimet e kaluara të tij dhe të të tjerëve apo ngjarjet e shkuara, me gjakftohtësi e pa pasione. Zakonisht, lind dëshira për t`i evokuar ato gjithnjë e më shpesh, ndër biseda miqsh, nëpër tavolina kafenesh, aq sa ndofta pa e kuptuar i mërzisim bashkëbiseduesit. Kurse ai që ka durim dhe një fare prirjeje, preferon t`i sistemojë ato dhe t`i hedhë në letër. Pra, duke i botuar në ndonjë libër, mund edhe të presë romuze e ta qesëndisin duke i thënë shokët e miqtë që e rrethojnë se “na u bëre shkrimtar tani në pleqëri.” Atij s`i mbetet tjetër, veç të qeshë hidhur dhe me vete të thotë se “mirë keq, unë e bëra punën time. Fundja, llafet i përplas era në skutat e harresës, kurse e shkruara këtu mbetet.” Por ja që ka edhe nga ata, të cilët pasi ua lexon këto kujtime, kupton se falë kulturës dhe talentit të tyre janë shkrimtarë të mirëfilltë dhe sepse të vjen keq që pavarësisht rrjedhave të jetës, duhej ta kishin ushtruar shumë kohë më parë këtë talent me krijime të mirëfillta letrare. Të tillë e gjeta dhe unë doktor Prenjo Imerin, vëllanë e pedagogut dhe mikut tim të shtrenjtë, autorit të disa librave dinjitozë, kolonelit në rezervë dhe përherë të ri, Xhemalit, pasi lexova librin e tij voluminoz “Mall dhe brengë”. Me këtë libër, ai përmbush atë betimin e hershëm para varrit të së ëmës se: “Po betohem nëna ima / përmbi varr, /  Se për jetë do ju ngre / lapidar!” Me një kujtesë fenomenale, libri është një bashkim tregimesh të mrekullueshme që së bashku përbëjnë një roman të vërtetë, sikurse e ka quajtur edhe vetë autori. Këtë bënte dikur edhe James Joyce te “Dublinasit”, për çka i kumtonte botuesit se kam si qëllim “…të shkruaj një kapitull të historisë morale të vendit tim… Jam munduar t`ia paraqes publikut indiferent nën katër aspekte: fëminia, adoleshenca, pjekuria dhe jeta publike.” Por edhe në mos qoftë tamam kështu, më vjen për mbarë të kujtoj atë që dikush ka thënë për “Jetë fshati” (se dhe këtu me të tillë jetë ndeshemi më së shumti) të Amos Oz: “Në këtë libër ka gjithçka nga jeta mbi tokë, në këtë lloj jete ka njerëz dhe kafshë, me skena dhe pikturime mes qensh, të cilët, ku raktësisht e ku enkas, hyjnë në jetët e njeri - tjetrit. I shkruar kësisoj, çdo lexues e ka të drejtën ta lexojë këtë vepër si një roman. Por “Jetë fshati” nuk është roman, por copëza të lidhura jete, që japin e marrin mes tyre si arterie të një trupi, të tilla që i japin atij jetën e një qenieje intriguese. Besnik i lojës së tij psikologjike, i vizatimit të karaktereve, i përshkrimit në detaje të jetës dhe natyrës, të veshura të gjitha me sfond historik të kohës në të cilën jeton.” Përmenda pak më sipër talentin dhe kulturën e autorit, por sa pa vlerë do të ishin ato, sikur në këtë lloj letërsie, pra në të rrëfyerit biografik, të mungonte sinqeriteti. Se koha kur autori jetoi fëmininë, u arsimua dhe punoi, ishte e mbushur vetiu edhe me gënjeshtra e hipokrizi, ndaj sot ajo do dhënë ashtu sikurse ishte realisht; pa maska e doreza, pa drojë se mos i mbetet qejfi dikujt e mos zemërohet ndokush. Ndofta sinqeriteti është ndihmësi më i pazëvendësueshëm i artit të të shkruarit. Tragjasi i viteve kur lindi Prenjo Imeri, ishte si gjithë fshatrat e tjera të Shqipërisë, me të mirat e të këqiat e veta. Ama, për atdhedashuri, tragjasiotët ishin të parët. Vetë babai i tij Seferi, ashtu sikurse donte të thosh edhe emri i tij nga turqishtja, ishte një luftëtar sypatrembur, njeri i drejtë dhe burrë me karakter të fortë. Nacionalist besnik i idealit të tij antikomunist, ai u vra pabesisht së bashku me trimin Hysni Lepenica atje në Grehot më 14 shtator 1943. Edhe vëllai i madh, Bilbili, ndahet nga nacional - çlirimtarja dhe në fund largohet jashtë vendit dhe përfundon në Amerikë. Kurse vëllai tjetër, Xhemali bashkohet me partizanët. Pas çlirimit, pjestarët e kësaj familjeje që edhe far e fisi kishte dhënë kontribute të mëdha në luftën për çlirim, nuk dinte njeriu i gjorë ku t`i rreshtonte. Në fakt, ata ishin si shumica e familjeve shqiptare, ku komunizmi me rregullat e tij të rrepta e djallëzore, i përçau keq dhe sipas rastit mundohej t`i mbante të nënshtruar sipas parimit liro e shtrëngo. Me vullnet e këmbëngulje, ata u shkolluan brenda dhe jashtë vendit. Por letrat e kallximet e fshehta, survejimet e sigurimsave, nuk ju ndanë asnjëherë, gjersa Prenjon e kthejnë nga R.D.Gjermanisë, kurse të vëllanë, Xhemalin, pas përçartjeve të E. Hoxhës për “grupet armiqsore” në ushtri e përjashtojnë nga Partia dhe ushtria. Edhe pse ndonjë i shihte me përbuzje, ata të bindur në ndershmërinë e tyre, sido që u vajti filli, asnjëherë nuk u ndanë nga fshati. Me çfarë dashurie e malli i përshkruan Prenjua Tragjasin e vjetër që piktorit anglez Edwart Lear i kishte bërë aq përshtypje, sa gati kishe thirrur; “Shkoni o piktorë të vizitoni malet e Vetëtimës!”, ata njerëzit e mirë e bujarë, zakonet e tyre të trashëguara nga brezi në brez, vendet ku bridhte kur ishte i vogël e hipte pemë më pemë, stanet ku ruante bagëtitë, shkollën ku mësoi shkrim e këndim, burimet e Izvorit në krye të fshatit, ku shuante etjen gjatë verës, lëndinat ku u merrte erë luleve, ata tregtarët ambulantë që u thoshin pramatarë, ajo xhamia minarekëputur, fiqtë aq të shijshëm shëngjinës e deri manin legjendar të nënë Sulltanës. Me mjaft kompetencë autori sqaron toponimet e pambarimta të asaj treve dhe detajon ngjarjet kryesore historike të fshatit. Dhe pastaj burrat e gratë, pavarësisht nga rëndësia që patën në jetë. Ata, ai i sheh si pjesë e së tërës dhe i jep me vërtetësi dhe imtësitë më të vogla. Ka aty ngjarje herë të gëzueshme dhe herë të hidhura. Por që të mbeten në mëndje. Përpjekjet për t`u rregjistruar në shkollë, studimet, shokët, hareja mes tyre, vajtjen në shkollën “Skënderbej”, ai i pikturon me akuarel të ngrohtë, se janë vite të gëzueshme që mbahen mend tërë jetën. Dhe pastaj puna në Korpusin e Elbasanit si stomatolog ushtarak, miqësia me kolonelin e mirë rus Zarçenko dhe transferimi pas lirimit nga ushtria. Ai ruan kujtimet më të mira për drejtuesit dhe punëtorët e minierës së Krrabës që me dashamirësinë e tyre e vlerësuan ashtu siç ishte. Po ashtu, jep detaje rreth udhëtimit për jashtë shtetit, luftës për rezultate sa më të mira, domosdoshmërisë për të ruajtur dinjitetin si shqiptar, veprimtaritë kuturore, leksionet e albanologut Maximilian Lambertz, shoqërinë me vjazat si pjesë e pandashme e moshës, e pastaj kthimi i papritur në atdhe, ku nuk kishin harruar “vetëvrasjen” e dajiut të tij, guximtarit të çartur të luftës, kuadrit të lartë dhe deputetit Sali Ormëni, dhe vazhdimi i shkollës këtu. Sa mirënjohje ka ky njeri për këdo që ju gjend kur kishte nevojë. Sa i dhimbsen ata që nuk jetojnë më. Janë me dhjetra e dhjetra personazhet e këtij libri. Duke evokuar jetën e tyre, Prenjua shpesh përdor dhe një humor të hollë e të zgjuar, sa patjetër do të qeshësh me vete. Në krye të ç`do kapitulli, ai ka zgjedhur e vendosur nga një citat të goditur, pjesë e erudicionit të tij. Në gjuhën që përdor takon shpesh dialektalizma dhe fjalë zyrtarisht gati të harruara, por që janë pjesë e pasurisë sintaksore dhe që e bëjnë akoma më të besueshëm përshkrimin. Dhe ka një zgjidhje mjaft interesante, kur jetën e Sefer Ismail Imerajt, babait të tij, shpallur  Martir i Demokracisë nga Presidenti i Republikës, ja lë shënimeve mjaft interesante dhe të goditura të vëllait të tij Bilbilit, me të cilin u takua në SH.B.A. pas plot 53 vjetësh. Dhe me qenë se jemi në këtë vend të madh, kampion të demokracisë, po i mbyll këto shënime me fjalët e Williams S. Faulkner nga Nju - Albani, Misisipi, i cili në përshëndetjen e tij gjatë marrjes së çmimit Nobel tha shprehjen e vlefshme për cilindo shkrimtar serioz: “Jam i sigurt se njeriu nuk do të mbijetojë, ai do të ngadhënjejë. Ai është i pavdekshëm, jo sepse vetëm ai, midis krijesave, ka një zë të pashtershëm, po sepse ai ka një shpirt, një frymë, që janë të afta të dhembin, të flijohen, të mbijetojnë. .. shkrimtarit, s`i mbetet asgjë tjetër, por se të shkruaj për këto. Është privilegj ndihma që i jep njeriut që të mbijetojë duke i dhënë zemër, duke i ndërmendur guximin, nderin, shpresën, dhembshurinë, mëshirën, flijimin - lavdinë e së shkuarës së tij.” Ja, këtë detyrë e ka kryer mësë miri Prenjo Imeri me librin e tij lapidar “Mall dhe brengë”.   

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1