Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | VESVESELIU PA KOKË

VESVESELIU PA KOKË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dionis Qirzidhi

VESVESELIU  PA  KOKË

(Shënime për Aleksandër Baben e krijimtarinë e tij)

Nga Dionis Qirzidhi

Me Aleksandrin na bashkojnë ëndërrat dhe kujtimet e fëmijërisë. Ai, Nestor Jonuzi dhe Pandeli Koçi,  të tre miqtë e mi, nuk i njohën baballarët, pasi ata humbën në Mat΄hauzen.  Shtëpit e tyre dhe e imja pikësoheshin në haspirën e qytetit tonë në një vendosje të çuditëshme. Sikur donin të formonin një lloj kostelacioni të paparë… Do t’a emërtoja “kostelacioni i pinguinëve”. Alekua kishte një papafingo në shtëpin e vet. Ajo ishte “sinagoga” jonë. “Vendi i shenjtë “ i rinisë së herëshme, ku faleshim, rrëfeheshim dhe “pasaltnim” krijiimet tona të para, dufet dhe mendimet tona. Derdhnim ekstratin e shpirtit kryenghitës të asaj moshe... Giximi i një pathosi, që sot e përjetomë me atë që iku, iku, iku, duke na lënë gjurmë, që nuk fshihen. Papafingo mes kaosit monstruoz të luftës së klasave… Tek papafingua e shtëpisë së Lekos, që ndodhej në qendër të Vlorës, mësuam nga njeri tjetri të dëshërojmë misteriozen, të panjohurën, mesazhin e së bukurës, që edhe sot e kësaj dite nuk dimë nga na vinë... Ëndërruam, me pasion të nesërmen dhe ndërtuam me instinktet e bletëve artitekturën e kosheres sonë. Alekua pati grumbulluar në atë “fole” misterioze, aparate elektrike, epruveta, makina të vjetra shkrimi dhe libra, libra, libra... E shihnim atë dhomë magjike, të fshehur nga vështrimet e kalimtarëve, dhe na përngjallte studjon e Faustit. Asnjë nga ne nuk ishte Fausti. Dhe për çudi të gjithë ishim Faust…  Mblidheshim atje, sodisnim akuarelet e skicat e Nestorit, Harallambit, Luanit, Alekos...Rekomandonim njeri tjetrit librat për të lexuar dhe shfletonim enciklopeditë, italiane e greke, që kishte biblioteka e papafingos.  Lekua ishte djal i vetëm në mes të tre motrave. Më shfaqet në kujtesë nënë Maria, me ata sytë e saj të qeshur, gjithë mirësi, tek na sillte kafe dhe për të ngrënë. Në teleskopin e montuar prej Alekos vrojtonim yjet, eklipset, hënën, galaktikën. Nga ai ne pamë Ganimedin, Afërditën, Andromedin… Të shtunave e të djelave mrekulloheshim me bukuritë e detit. Për të vajtur nga Kalaja sëpari do kalonim nga “ajzbergu” shkëmbor i Luanit dhe Qerim Vrionit.  Zukatnim anëdetit ashtu si “Pinguinët” gjithëandej, me fantazinë e përndezur, për të mbledhur polenin e mjalteve tona... Fjala jonë, sa vinte e bëhej edhe më koloristike,  nëpërmjet akuareleve të qëndisura nga peneli i Nestorit e zhytjes në thellësitë e Jonit. Rrethi ynë intim dalngadalë u zgjerua. Në papafingo erdhi Hiqmet Meçaj, nga talentet më të spikatura të poezisë. Mandej Nestor Nepravishta, me kulture elitare,  poliglot e njohës i thellë i filozofisë e i artit klasik greko-romake. E vizitoi Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Shefqet Tigani. Erdhi Milto Shuka, çehovist e admirues i teatrit absurd. Unë solla në papafingo Minush Jeron, pasi ishim kolegë në shkollën e mesme. Debati për moralin fals të kohës ishte një nga temat, që do të merrte impulse të reja të pakontrollueshme… Papafingua ra në syrin e ciklopit. Një zot e di çfarë intrigash u gatitën më pas, nga ata… Vite  të cilat ishin për ne, ashtu siç thotë Sheksipiri me gojën e Hamletit, “na vrau në lulëzim mëkati”. Veç pasionit për fjalën e shkruar, Lekua studjoi matematikë, astronomi, lexoi botën e ngjyrave, gdhendi si skluptor dhe foli me penel. Kultivoi në vetvete përsosmërinë e fjalës. Shpesh Lekua kërkonte përgjigjen e fenomeneve të paspjegueshme. “Sa e sa personalitete janë mbytur në këtë oqean agnosticizmi”, thotë zonja Athina, portretizuar në një nga tregimet e tij. “Ce Uomo” mendoja atë frazë aq të njohur të Pilatit, në një moment kur u bind se nuk kishte fuqi më të gjykonte, sepse mbi të ishte dikush tjetër që vendoste… Me makinën e tij të shkrimit “Oliveti” e kohës së Luftës, ai shkroi vëllime me poezi, romane, drama, esse... nga të cilat as njëzetë përqind nuk panë dritën e botimit  Në Athinë jeton siç shkruan poeti Fatos Arapi:

Vetarë- vetmisë i mësojmë të flasë

gjuhën e një trishtimi të ri...

Nga xhepat e gërryer u bie vetvetja

ata e kërkojnë njeriun që s’është.

Shtëpia përbri bulevardit të zhurmshëm Sigru, në Athinë, është e mbushur me piktura, dorëshkrime... Në qendër të oborrit ndodhet një sklupturë prej betoni, “Njeriu pa kokë”. Nga brenda shtëpisë të duket se të sheh një sy i shqyer, gdhendur tek një copë trungu ulliri sjellë nga Vlora. Më tej dallon një rrëke loti, që ndrin përbri “Afërditës” së Praksitelit, të skicuar në telajo, si një bukuri, e harruar mes rënkimeve të kohës...

Secila thërret, ulurin...Shpreson me himnin “Me vdekjen, vdekjen shkeli!”. Dhe ti mes këtij oqean dhimbjeje kërkon ndihmë.

Kam një zemër dhe dua ta nxjerr jashtë, ta dinë të tjerët, por meqënëse ata më të shumtët s’e kuptojnë, unë e fut prapë në kraharor, se ashtu qenka më mirë. Mbart kryqin dhe ecën. Ecën në Golgothanë e mundimshme vetjake, me shpresë se pas kryqëzimit do të vijë edhe ringjallja... “– shkruan L. Poradeci.

* * *

Korfuzi më është bërë i dashur jo vetëm për peisazhet ishullore të pakrahasueshme…Është edhe afërsia, tani gati një orë me skafet e shpejtë nga vendlindja. Është dhe ai intimiteti që të kumton ishulli, kur në shtegtimin e tij, Odisenë e flakën dallgët e mëdha lakuriq në krahët e Navsikasë... Shkoj tek muzeu i Akilit i krijuar me merakun e Perandoreshës së Bukurisë, austro - hungareze, Sisi. Në sallën e pritjes së këtij pallati fantastik ndodhet kompozimi impozant “Triumfi i Akilit”. Mbi karocën mitike Akili i fuqishëm tërheq zvarrë Hektorin e bukur. Çdo detaj pikture flet: kuajt e shkumëzuar, luftëtarët që brohorasin, Troja në sfond.

Sisi, admiruesja e Akilit, u pat kërkuar piktorëve e skluptorëve, më të mirë të kohës, për të pasqyruar me vepra arti botën mitologjike të Homerit. Në prag të inaugurimit të këtij pallati mbi detin Jon, njeri nga princat vuri re një të metë në pikturë: rrotat e karrocës së Akilit, në kompozimin e Franz-it, ishin statike, kur në të kundërt çdo detaj i kompozimit ishte në lëvizje.

Gojë më gojë u përfol, në pallatin perandorak, lajthitja e piktorit austriak. Të nesërmen piktorin, Franz Matsch, e gjetën të varur në studion e vet...

E pyes Lekon në telefon:

-Kam ditë të tëra që po e përjetoj këtë ngjarje tragjike, Leko, me gjithë mend i shpëtoi piktorit të talentuar e me me përvojë detaji i rrotës statike?

Lekua, kur nuk e pret, të befason:

-Mendo pak, Nisi, ku do ta çonte rrota Akilin!

-Në Trojë. - i them

Ai qesh dhe diçka bëlbëzon.

Dhe unë i nervozuar mendoj e mendoj variante të ndryshme. Alekon s’e kënaqin. Ja mbyll telefonin. 

Kujtoj, se në një poezi të çuditshme, të tij, ka vargjet: Dhe unë qaj, qaj, qaj...

E ripyes, të nesërmen: “Përse piktori u vetvra?”

-Se ajo rrotë fatale do ta çonte Akilin drejt vdekjes. Akilin e bukur, heroin...

Fletë nga ditari i vitit 1974

Ishte viti kur, pas Plenimit të IV të K.Q Skënder Kamberin, Nestor Jonuzin, Zihni Veshi, mua, vëllanë tim Spiron (sepse kishte sjellë disa libra të ndaluar nga jashtë shteti), e në veçanti Lekon, na kritikojnë ashpër për ndikime të huaja në krijimtari.

Në fjalën e Enver Hoxhës në Plenumin IV demaskoheshin vargjet e disa poetëve, që e personifikonin veten me fik deti, shpendë, zarigogë, peshk..., metafora krejt të natyrshme poetike, që për çudi morën pamje kërcënuese. Një nga ata autorë isha edhe unë. Në këtë atmosferë mbytëse u zhvilluan disa seanca “gjyqi” ndaj Aleko Babes për dy “gabime fatale” të tij në letërsi e në picture. Nuk di pse mbetën në memorien time si “Netët e korbave” fjalët: “ndikime të theksuara frojdiste tek “Vesveseliu”, si dhe futja në pikturë e elementëve jashtë mendimit estetik e logjikës marksiste-leniniste”. Çdo fjalë e hedhur jashtë kornizës së Plenumit të çonte pranë inkuizicionit. Në fantazinë time u ngritën turrat e druve dhe më dukej se kërkohej një flakadan që t’u vinte flakën këtyre e të digjnin mikun tim.

Mbledhja e organizuar nga komiteti i partisë vazhdoi ditë të tëra…

-Pas kaq viteve, ç’të ka mbetur në kujtesë nga kritikat përçudnuese të asaj kohe? - e pyes Aleksandrin.

-Bedri Dedja botoi i pari kritikën ndaj “Vesveseliut” ...Pas disa javëve ai më thërret që të shkoja në Tiranë. Ishte sekretar i Akademisë së Shkencave. Pati bindjen se do të njihte tek unë një filozof të ri, i cili donte të bënte karierë. Por kur më pa u deziluzionua… Unë nuk kisha më shumë se pamjen e një mësuesi province dhe i erdhi keq që në çastin e parë të njohjes me mua, se më kishte qëlluar aq rëndë. Unë e ndjeva se ai nuk ishte njeri i keq. Përkundrazi, ishte një burrë simpatik, i ëmbël e shumë tolerant. M’u desh të frenoja veten. Të peshoja fjalët. Atëhere i thashë vetes: më ndihmo o Zot!

Dhe ai më dha gjakftohtësinë. Me këtë dhuratë Zoti iu përgjigja buzagaz.

-Ju doni të prisni në gijotinë kokën e një filozofi. Po unë s’jam as Dantoni, as Robespieri. Jam një mësues i thjeshtë që jam i gatshëm ta jap kokën time, vetëm më jepni një titull: të mos sakrifikohem si një mësues pa vlerë.

Ishte e guximshme për atë kohë të flisje në këtë mënyrë. …

Veçse unë spekullova mbi mirësinë, që ndjeva tek Bedri Dedja...

-Ik Aleksandër! - më tha - Sot e tutje do të të ndihmoj.

Veçse, nuk mundi të më ndihmojë, sepse ingranazhet e mekanizmit kishin filluar të punonin.

-Ç’të sjell në kujtesë ajo zyrë e Akademisë?

      -Meshini. Mjedisi sikur nuk përkonte me pamjen e atij njeriu. Nga të katër anët meshin i derdhur me kuintalë Mure prej meshini, kolltukë prej meshini. Instinktivisht vrava mendjen për ato kafshë që ishin sakrifikuar. Përjetova një fantazmagori të shfrenuar, sikur turreshin demat e arenave të toreadorëve dhe unë u gjenda brenda tyre. Nuk e di me çfarë cilësie. Zhurmat e kasapëve që thernin demat për lëkurë, gjaku që rridhte, fillimisht më hutuan, pastaj më revoltuan. Që nga ajo ditë fillova ta shikoja ndryshe meshinin. Le të qeshim: edhe sot e kësaj dite më sjell alergji çdo gjë prej meshini. Zinxhirë, hallka, asociacione, çaste të vështira të jetës sime...Nuk dua të bëhem i bezdisshëm, as nervoz, me pa të drejtë, e ku ta di unë, sa herë shoh çanta meshini të varura në supa. Nga ajo kohë më sjell në kujtesë çanta sekretarësh, sigurimsash, komisarësh…Shokë të mi: ju lutem, mos i mbani ato çanta prej meshini,  në doni të më keni mik. Ato çanta prej meshini, vijnë erë thertore, vijnë era gjak, vijnë era kasaphanë. Të më falni. Nuk di sa e teprova. Por i tillë jam unë.. .

Në asociacion, e analogji ndijimesh me botimin e “Veseveseliut”, më përfytyrohet një profil Danteje, i mishëruar tek Faik Ballanca, i cili para se të shuhej, nuk u shua si një kandil që nxjerr tym, por kërkoi që të udhëtojë sikur të ishte një asteroid

     Kujtesa përpëlitëse mërmërit me veten, sikur të kem nëpër duar negativat e filmave të kohëve të shkuara.

Vite të ikur, kohë që fle. T’i retushoj? U fsheha një çast njerëzve me maska me kokat si qypa ku dimërojnë gjarpërinj. Kërkoj me stërmundim nartioti ta nxjerr kripën si trillim, por dhe kripa tani në këtë mjedis të shpërfytyruar paska marrë tjetër shije. Në celuloid pozime, role teatrale, njerëzit duartrokisnin gënjeshtrën për të vërtetë.  Rizgjova në celuloid, qetësi kortezhesh, funeral ditësh,  vitesh. (“Golovezhga njerëzish- i emëron Lekua). Pengjet nisën të ankohen, përse i kurdisa orët e ndryshkura, dhe me gjeste të frikëshme nisën gjymtyrët që t’i shpijnë. Me sy balene, përmes heshtjes kërkova të sodisja në atë det të mistershëm kujtimesh: njëri sy të bredhërinte nga perëndimi, syri tjetër të kulloste nga lindja. Misteri i asaj që fshihet, më i dhimbshëm u bëkërka.

 Me tragjikun e letrave- Faik Ballanca

Faiku e botoi “Vesveseliun” ashtu siç ishte, pa e redaktuar. I pat folur për novelën e Alekos miku i tij, Pandeli Koçi, alias Pirr Astra, Sazan Goliku.

Dhe Lekua kujton: Faik Ballanca vjen enkas në Vlorë të më njihte. Ishte në “Sheshin e Flamurit” me Kristaq Rmën, Shaban Hadërin. Thërrasin Ferhat Çakërrin, si kryetar i degës së Lidhjes, të më kërkonte e të më sillte mes tyre. Faiku më njihte vetëm me emrin Aleksandër. Kur do të ndaheshim, Faiku i thotë Ferhatit i revoltuar: ore, të thashë të më thërrasësh Aleksandrin! Ferhati buzëqeshi me xhentilencë dhe i tha: ja ku është Aleksandri! Faiku më pa nga koka në këmbët dhe me fjali stereotipe tha duke iu marrë goja:

-Unë e përfytyroja krejt ndryshe, të shkurtër, muskuloz, nervoz...

Lekua me tregonte dhe filloi të përlotej. Mandej vazhdoi:

Faiku më mori prej tyre e shkuam në Ujin e Ftohtë. U njohëm e u afruam më mirë. Nuk zgjati shumë kohë, Faiku vrau veten. E humba. Fati im. Më vonë vdiq Kristaqi. E humba. Fati im. Falë zotit kam miq plot të tjerë që më duan...

Njeriu pa kokë

-Kam lexuar disa shkrime ku komentohet skluptura “Njeriu pa kokë”. Tani, pas disa vjetësh, si do të shprehesh për të?

   -Mendova shumë para se ta hidhja në beton. Nuk jam i veçantë. Të gjithë, që krijojnë kështu bëjnë. E veçanta mund të jetë në forcën për të parë të vërtetën.  Koha për çudi filloi të rrjedhë me shpejtësi. Na rrëmbeu si lumi pas inondatës. Në fillim nuk patëm kohë të mendojmë se lumi rridhte shpejt.

Njeriun pa kokë, i  cili me një shkop në dorë qëllon kokën e vet të hedhur poshtë, e emërtojë Uomo sapiens  i shkullit tim. Është përfaqësuesi simbolik i shoqërisë. Njeriu, që nuk duhet të mendojë. Ai, që nuk di të mendojë. Ai, që bredhërin nëpër autostrada të pafundëme, pa kokën, që tenton t’i kafshojë çapin, që e pengon në vrapin e tij. Dhe ai e qëllon me shkop! Nuk dua ta them, edhe unë si të gjithë, fatkeqësisht, e godas këtë kokë, që më pengon vrapin… 

    Le të qeshim me ironi: ku do të shkojmë pa kokë?  Zoti për të gjithë. Amin!

Instinkti dhe e ashtuquajtura arsye supreme

Këto ditë, tek po hidhja në komjutër këto shënime, më ra në dorë revista “Klan”. Një prej prozatorëve e kritikëve më në zë të brezit të tij, Virgjil Muçi, shkruan për “Vesveseliun”. Miku im, Virgjili e vlerëson novelën e Alekos si një kryevepër të vockël, që ka hisenë e vet në parcelën e lëvrimit të letrave shqip.

Jo rrallë qëllon që t’u kthehesh librave që i ke lexuar këtu e vite të shkuara duke iu nënshtruar në një farë mënyre një verifikimi të ndërsjelltë: domethënë, teksa nga njëra anë kqyr se sa i ka qëndruar libri kohës, nga ana tjetër çmon ose përçmon, pas evoluimit që kanë pësuar shijet e tua estetike, ato çka mund t’i quash vlerat e tij... Pak a shumë këtë ndjesi do të përjetoja kur mora në dorë e lexova novelën e Aleksandër Babes, “Vesveseliu”, një kryevepër e vogël në llojin e vet, (dhe këtu nuk duhet anashkaluar) me një fat të mbrapshtë... Instinkti tek Vesveseliu është shprehje e lirisë, ashtu si arsyeja shprehje e ndrydhjes, robërisë. Dhe pikërisht këtë liri (lexo: mosnënshtrim kundrejt shoqërisë njerëzore dhe, ç’është më e keqja kundrejt autoriteteve), Vesveseliu do ta paguajë me kokë...”

-Aleksandër, kur do të dalin në dritë, kur do të botohen veprat e tua?

-Përgjigja është e thjeshtë, kujto poezinë time.

Dikush do t’më trokasë,

askush nuk më trokiti në derë,

…unë pres

dikë të më trokasë

Nuk e di nga do të vijë, nga njerëzit apo nga zoti. Por di se dikush do t’më trokasë.

Duke lexuar librin “Shpjegimi i ëndërrave”, gjatë procesit të shkrimit të romanit

“Njerëz gollovezhga”.

Alekua gjatë këtij vitit shkruante e shkruante Golovezhga njerëzish”,që më krijonte (nga çka kam lexuar), përfytërimin e golloverzhgave të vezëve. Pa brendi… Një roman sarkazëm me një konstruksion të çuditshëm.

-Ç’është ky roman? - e pyes, tek skiconte, një nga variantet e ballinës..

-Njerëz, që degjeneruan në guacka, bosh. Bredinë ia gryenë qeveritarët e qeveritë, të cilëve u interesonte të mos kishte njeriu individualitetin e vet. Dhe ata përfunduan në qënie, që përjeton absurdin e mosqenies njeri i vërtetë. E qënies të një gollovezhge, që nuk di të jetëojë, dhe mendon se ekzistenca e vet është jetë. Njerëz, ose më mirë, gollovezhga me fat e pa fat, mes rrugëve të fatit. Ç’mund të ndodh me koto gollovezhga? Le ta lëmë rezerëvë epilogut të romanit, kur ai të lexohet…

-Nga cikli i tregimeve lirike veçova për Fjalën e Lirë” prozën poetike “E  puthura”... Ç’mund të më thuash për të?

- Ne përjetuam një periudhë, në një vend ku n’a privoheshin shumë të drejta njerëzore, midis tyre edhe adhurimi për femrën. Edhe dashurinë... N’a ndalonin të hynim në këtë tempull.

-Ç’është ai fluturim imagjinar i dy gjurmëve të së puthurës, si flutura?

-Do të të flas me gjuhë metaforike: ishin ato flutura që do të çlodheshin mbi lulet. Ishin një simbiozë poetike midis fluturave dhe luleve. Ne përjetuam ëndërrat tona duke mohuar kështu atë realitet të vështirë.

      I dashur lexues, unë e njoh Alekon me subjektivizmin tim. Vepra e tij nuk më habit, se është pjesë e jetës së tij. Ndaj i lutem, cilitdo të më falë entusiazmin, emocionin, mbivlerësimin, për këtë shok, që e quaj pjesë të pandarë të jetës sime, njeriun e shumë talenteve.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1