Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | QAZIM KOKOSHI NJË FIGURË EMBLEMATIKE E HISTORISË SHQIPTARE

QAZIM KOKOSHI NJË FIGURË EMBLEMATIKE E HISTORISË SHQIPTARE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qazim Kokoshi

 

Pedagoge e Historis në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë

 

Në dekadat e fundit të jetës demokratike shqiptare, publicisti dhe historiani Enver Memishaj është shfaqur përpara lexuesit me artikuj, studime e monografi, të cilat jo vetëm kanë tërhequr vëmendjen për kompleksitetin e tyre, por në thellësi zbulohen ngjarje e  personazhe kombëtare, tablo e detaje të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e vendit tonë.

Në vargun e 17 veprave të botuara përmëndim: “Hysni Lepenica...” (2000),

 Pseudonime të përdorura gjatë Lëvizjes Antifashiste 1939-1944” (2005), “Emblema e një epopeje” (2010), “Fillimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë” (2011), “Major Ahmet Lepenica...” (2012), “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912-2012” (2013), “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës 1912-2012” (2014), “Fejzo Lepenica...” (2015), “Eliminimi i Grupit Komunist të “Të Rinjve” (2016), dhe së fundi “Qazim Kokoshi – një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare” (2017), kujtime, me një studim të gjatë mbi jetën dhe veprën atdhetare të Qzim Kokoshit.

Për këto arritje ai është dekoruar nga Këshilli Qarkut Vlorë “Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë” dhe nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”

Në të gjithë këtë krijimtari publicistike dhe historike të bie në sy pasioni, dashuria, por edhe këmbëngulja e autorit për të zhbiruar dhe hulumtuar në të fshehtat e ngjarjeve dhe personazheve duke nxjerrë në dritë mjaft fakte e dokumente të mbuluara nga pluhuri i kohës, por një pjesë e tyre edhe të anatemuara nga regjimi totalitar, duke mohuar mjaft personalitete të çmuara.

Një prej këtyre personazheve të anatemuara është edhe Qazim Kokoshi, i cili e nisi veprimtarinë e tij atdhetare qysh në fillim të Lëvizjes Kombëtare të shek. XX, atëherë kur Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi e mjaft atdhetarë të tjerë e kuptuan se  thyerja e vargonjve të robërisë së gjatë turke për të fituar autonominë dhe më pas pavarësinë e për të krijuar shtetin pavarur shqiptar.

Autori i librit Enver Memishaj, duke zbuluar në sytë e lexuesit një varg dokumentesh të panjohura, si dhe artikuj nga shtypi shqiptar i kohës në vitet 1908-1924, nxjerr në dritë se ashtu si Qazim Kokoshi që kishte kryer studimet e larta edhe disa bashkëkohës të tij si: Ibrahim Abdullai, Abaz Mezini, Spiro J. Koleka, Hamza Isai, Jani Minga etj., u bënë një vatër e zjarrtë për përhapjen e arsimit shqip dhe ndjenjave kombëtare në trevën e Vlorës. Ishte Qazim Kokoshi dhe këta mëmëdhetarë, të cilët çelën shkollën shqipe të Muradies (1908), themeluan klubin atdhetar “Labëria” dhe u përfshinë në Kuvendin e Drashovicës, korrik 1911, në përkrahje të Memorandumit Gërçes dhe kërkesave të shqiptarëve për autonominë e Shqipërisë.

Qazim Kokoshi udhëtoi nëpër shtigjet e vështira të kohës deri në Podgoricë e Guci, si përfaqësues i Toskërisë në kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe në Kosovë, në krah të Ismail Qemalit dhe të Luigj Gurakuqit.

Autori na e paraqet Qazim Kokoshin në kryengritjet antiturke 1911-1912 në bashkpunim të ngushtë jo vetëm me Ismail Qemalin, por edhe me Pandeli Calen, Nikoll Ivanajn, Namik Delvinën, Çerçiz Topullin, Elmaz Xhaferin, Ahmet Demën, Muharrem Rushitin, Xhemil bej Vlorën, Azis Pashë Vrionin, Alem Mehmetin e Ibrahim Avdullain duke i dhënë vrull të ri Lëvizjes Kombëtare dhe shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Autori, duke zbuluar dokumentet dhe kronikat e harruara ndër arkiva e kujtime të bashkëkohësve, na e përshkruan personalitetin e rrallë të këtij atdhetari si delegat në Kuvendin e shpalljes së Pavarësisë, si nënprefekt të Lushnjës në Qeverinë e Vlorës, si deputet në parlamentin shqiptar, si prefekt e kryetar i Bashkisë së Vlorës, si antifashist në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kurdoherë në shërbim të interesave të larta të Atdheut.

Botime të tilla si monografia “Qazim Kokoshi – një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare” janë të veçanta për kohën e sotme, pasi këto figura të përhumbura dhe të anatemuara e ringjallin historinë tonë kombëtare në përmasat e veta. Figura të tilla historike qëndrojnë përkrah mjaft personaliteteve të tjera, të cilat i kanë dhënë pavarësisë kombëtare energjitë dhe shpirtin e tyre atdhetar. I tillë na shfaqet edhe Qazim Kokoshi në këtë monografi të autorit Enver Memishaj, i cili duhet thënë se ka bërë përpjekje të shumta nëpërmjet gjurmimit të dokumenteve arkivale, të shtypit të kohës, por edhe nëpërmjet dorëshkrimeve  të panjohura të vetë autorit.

Si pedagoge e historisë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, kam ndjekur me vëmendje mjaft botime që janë bërë për figura të tilla si: Osman Haxhiu, Spiro Jorgo Koleka, Ibrahim Avdullahi, Ahmet Lepenica, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Vlorës më 1920, dhe më bie në sy që historia e Vlorës dhe e Labërisë shikohet në rrafshin kombëtar edhe nga studiues vlonjatë të njohur si: Bardhosh Gaçe, Neil Shehu, Zeko Braho, Musa Muho, Aleko Rrapo, Foto Bixhili, Shpresim Kasaj etj.

Në faqet e këtij libri, kushtuar firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, Qazim Kokoshi, mbi të gjitha gjëmon historia e Vlorës dhe mjaft pika kulmore të saj në të cilat Qazim Kokoshi ka fytyrën e tij; ai qëndron në krah të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Jani Mingës, Osman Haxhiut, të cilët punuan në kryengritjet antiosmane të viteve 1911, 1912 dhe përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës.

Nga libri del qartë se nëpër këto dallgë të jetës shqiptare, Qazim Kokoshi është ndër atdhetarët më të flaktë të Vlorës, i cili takohet me të dërguarin e presidentit Uillson, Jozef Haven, bën përpjekje pranë qeverisë së Sulejman Delvinës që me çdo kusht Vlora t’i bashkohej qeverisë së Tiranës duke kërkuar largimin e ushtrisë pushtuese italiane. Si kjo ngjarje, edhe në momente të tjera historike, siç na i përshkruan në këtë libër autori Enver Memishaj, portreti i këtij atdhetari na shpërfaqet si një pasrilindës. Në faqet e këtij libri ka mjaft tablo e ngjarje historike ku personazhe të tilla si Qazim Kokoshi lëvizin plot gjallëri e dinamizëm për ta bërë Shqipërinë një “copëz Europë”.

Botimi i këtij libri jep shumë mesazhe për kohën e sotme dhe tranzicionin e zgjatur shqiptar, pasi Qazim Kokoshi dhe brezi i tij, ashti si Ali Asllani dhe Osman Haxhiu, si Qazim Koculi dhe Abaz Mezini, si Ibrahim Avdullahu e Spiro J. Koleka, si Jani Minga dhe Alem Mehmeti e shkrinë tërë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë. Ai ishte modeli i një shtetari, politikani,nëpunësi e gazetari dhe atdhetari të papërkulur edhe pse regjimi komunist e burgosi dhe mbuloi me harresë.

Një syth më vete në këtë monografi zë edhe kalvari i vuajtjeve të familjes Kokoshi. Dhëndri i tij, Reshit Çollaku, u vra në betejën e Pojskës në Pogradec. Astrit Kokoshi mbeti dëshmori i Atdheut si antifashist. Burimi dhe Engjëlli u burgosën për qëndrimet e tyre politike, vetë Qazim Kokoshi vdiq në burgjet e regjimit totalitar, poeti nacionalist Kudret Kokoshi vuajti në burgje dhe internime.

Sigurisht, të gjitha këto fakte historike nga publicisti dhe historiani Enver Memisha janë analizuar mbi bazën e dokumentave të para në sfondin historik të jetës e të zhvillimeve shqiptare të kohës, duke e dhënë qartë e saktë personalitetin atdhetar e intelektual të Qazim Kokoshit, i cili plotësohet edhe me kujtimet që ai ka lënë në Arkivin e Shtetit, si një dëshmi të gjallë për t’u folur brezave dhe kohëve tona.

                                                  *     *    *

Vlerësime të veçanta i takojnë Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”, që drejtohet nga historiani njohur Uran Butka për botimin e kësaj vepre, konsulentit të librit Dr. Bujat Leskaj, dhe redaktorit Remzi Zeqja.

Faleminderit Enver Memishaj për këtë botim serioz, që i jep një dritë të re botimeve për historinë e Vlorës!

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1