Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | HAPËRIM I VRULLSHËM DREJT RRITËS SHUMËDIMENSIONALE

HAPËRIM I VRULLSHËM DREJT RRITËS SHUMËDIMENSIONALE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Sibora Huda: “DITARI IM’, poezi , botoi “KRISTALINA - KH” – Tiranë, 2016

Xheladin MJEKU

HAPËRIM I VRULLSHËM DREJT RRITËS SHUMËDIMENSIONALE

 

Dy përqafime të njëpasnjëshme

        Ishte ditë paksa e ftohtë shkurti, po salla ku po takoheshim krijues të shumtë nga të gjitha viset dhe më gjërë, bënte ngrohtë dhe gumëzhinte nga zëra që po përshëndeteshim, po takoheshim, ndoshta ndonjëri edhe  për herë të parë, e po këmbenim mendime e biseda nga më të mirat e miqësoret. Na takonte poezia, me plot besimin e fjalës! Një vogëlushe po ngarendte në mesin e pjesëmarrësve të tjerë, pa e njohur dhe pa ndonjë informacion se kush mund të ishte. Mbase, ndonjë çupë që nuk i është shqitur nga dora nënës, apo gjyshes, mund të supozonim. Po në fakt doli e kundërta e mendimit, se ajo ishte një krijuese e re, që kish marrë guximin të futej në garën e “Fjalës poetike”, që po ndodhte për herë të parë me një përmasë të tillë prezantimi. Në raste të tilla nuk ka si të mos ndihet mirë njeriu, kur vargjet e saj vijnë si cicërima zogjësh në syrin e kristaltë të pranverës.

       Me Siborën më takoi pikërisht organizatori i këtij manifestimi të madh poetik, z. Klisenko (Azem Tahiraj), duke ma prezantuar si krijuesen më të re, që po e mrekullonte manifestimin me prezencën e saj këtu në ambientet e bukura të Hotel “Tirana Internacional”, të përgatitura veçantë për këtë manifestim poetik. Kjo më bëri kurreshtar të mësoj se kush në fakt mund të jetë kjo çupëz që përftonte si flutura mes njerëzve, e hareshme dhe pa pikë “mendjemadhësie” që ndodhej mes nesh!

        Rastisi të ulem fare pranë me familjarët e Siborës, të cilët po e shoqëronin në këtë organizim poetik, derisa ajo vetë po qëndronte ulur në radhët e para të sallës, bashkë me nënën e saj. Para fillimit zyrtar të kësaj ngjarje të rëndësisë së veçantë, po këmbenim biseda e njohje me të pranishmit. U njoha më për së afërmi përmes tyre me “bukuroshen e poezisë”. Kështu, pas informacioneve të para për te dhe njohjes nga afër, ia dëgjova zërin derisa po cicëronte vargjet e saj me shumë përkushtim, nuk kisha çka të them tjetër, përveç ta qerasja me një “Pranverë në shtator”, me besimin se aty do të takonte botën e saj prej gëzimeve, lojës, cicërimave të bukura e deri në frymëzimet nga bukuritë e atdheut dhe kuvendimet e pambarim me poetët që për një jetë i kënduan fëmijërisë, për ta përcjellur pastaj këngën e tyre tek brezat e rinjë, tek Siborat e vargut të ëmbël poetik!

      Pas pak ndodhi befasia tjetër! Këtë radhë ishte vetë Sibora që kishte lënë firmën e saj në librin e parë “Ditari im” dhe po ma dhuronte. Ishin këto çaste të bukura nga kjo voglushe, me të cilën tashmë këmbyem dhuratat e para. Nuk dija si ta shprehja atë kënaqësi që po përjetoja nga veprimet e saj,  përveç një fjalë befasie: Ah Sibora, Sibora!

      Ajo, tashmë po synonte të ngjitej në skenën e artit, të fjalës së bukur poetike krah shumë krijuesve tjerë moshash të ndryshme.

      Vërtetë, pas kësaj njohjeje të re më mbetej të shoh se çfarë sjell libri i saj “Ditari im”, që ma dhuroi me një fjalë përkushtimi në brendinë e kopertinës së saj. Derisa kisha përjetuar përqafimin e saj të parë në çastet e njohjes, tashmë do të përballem edhe me përqafimin e dytë, në urimin për librin-dhuratë  që po shfletoja me kurreshtje.

    Vargje që të mbajnë peng deri në fund

     Në librin e parë me poezi “Ditari im”, Sibora Huda ka vënë në spikamë interesimet e saj për gjithçka e rrethon nga përditshmëria, duke mos anashkaluar edhe bukuritë natyrore, yjet, hënën, rrezet e diellit, etj. që shikuar nga mënyra e çasjes ndaj këtyre fenomeneve natyrore e tejkalon nivelin e moshës së saj, duke thelluar mendimet deri në imtësira. Interesimi i Siborës për njohjen e fenomeneve natyrore, duke shfrytëzuar imagjinatën e saj krijuese, nënkupton krijimin e një bote vizuele krejt ndryshe nga ajo që në fakt e shohim ne. Këto vrojtime paraqiten pothuajse krejt spontanisht, si diçka e rëndomtë. Kjo nënkupton ngritjen në nivel të lartë të imagjinatës së  fëmijës për të zbërthyer artistikisht fantazitë dhe fenomenet natyrore, duke përafruar me ngjasimet e përditshmërisë, që zgjojnë kërshërinë e botës fëmijërore në vazhdimësi. Janë të  shumta këto vrojtime të Sibora Hudës, e cila i paraqet shumë bukur, me pak fjalë e vargje, si: hënën, natën , flladin, vjeshtën, shiun, borën, detin; pastaj pranverën e bukur, pemët, etj.

 

                                                           “Pasdite ndjek perëndimin,

                                                           Diellin tek zhytet në det,

                                                           Hëna ka mbledhur yjet rreth saj,

                                                           Ylli polar ndjehet mbret”.   

                                                                                                                      (“Ditë vere”, fq. 20)

 

        Për asnjë çast familja nuk mund të anashkalohet, veçanërisht në rastin e kësaj krijueseje të veçantë për shumëçka, si për moshën që ka, pastaj për shkathtësitë krijuese, vigjilencën dhe përkujdesjen për çasje të shumanshme tematike, etj. që, shikuar nga prizmi i botës fëmijërore, ajo është pikënisja e hapërimit në jetë, që nga belbëzimet e para të të folurit; pastaj njohja me gjëra të përditshmërisë, sforcimi i dashurisë prindore, duke shtrirë këtë rreth edhe tek njerëzit tjerë të afërm, me të cilët kanë kontaktet e para, për ta zgjëruar këtë rreth njohjesh e dashurish fëmijërore gjithnjë e më fuqishëm: 

 

                                                            “Babi,

                                                            Dashurinë e madhe , veç nga ti e marr

                                                            Në ditët e mia me shi

                                                            Dielli im je ti”                    

                                                                                                                          (“Babi”, fq. 24)

 

       Poaq me dashuri shprehet edhe “Për mamin tim”, “Daja Fani”, ”Gjyshi im”, etj. për të vazhduar pastaj me “Ditari im”, që në fakt është përfaqësimi i gjithë lëndës poetike në këtë libër, ndonëse e para e saj, po e veçantë për shumë arësye. E vlerësoj si të veçantë për faktin se Sibora ka bërë një rrjeshtim kronologjik për emrat e saj të dashur, për familjen, fenomenet dhe bukuritë natyrore ashtu si i perception mendja dhe syri i saj vigjilent prej krijueseje fillestare, po me diapazon paksa përtej moshës dhe mundësive që do të kishin bashkëmoshatarët e saj. Mbase ky mund të jetë ndonjë fenomen më i veçuar, apo aftësia e saj për të vrojtuar ka shkallë të theksuar të vigjilencës dhe ndjeshmërisë ndaj fenomeneve e ngjarjeve që e preokupojnë dhe e provokojnë intuitën e saj krijuese. “Në ditarin tim/ Çdo gjë unë e shkruaj,/ Ndonjë gjë për të qeshur,/ Apo gjë për të sajuar”, do ta sqaronte me kujdes gjithë punën e saj krijuese, duke e ndërlidhur të vërtetën e takuar dhe sajesën letrare që ia provokon muzën prej poeteje të vyer. Ndonëse ky ditar për Siborën “është si një kuti”, autorja aty ndrynë gjithçka nga jeta e saj, nga përditshmëria, nga kujtimet për lojën, për shoqet, e për çka jo tjetër dhe i mendon si diçka sekrete, të ndryra në mendjen dhe shpirtin e saj, qofshin gëzime apo hidhërime “Ato i di veç ditari im”. Me këto fjalë do ta përkufizonte mendimin e saj, e bindur se edhe kur të rritet do ta shfletoj këtë ditar, që t’ia kujtoj një kohë të kaluar, duke mos fshehur mendimin se në rikujtimin e tyre edhe mund të mallëngjehet  dhe e hamendësuar shprehet: “Ndoshta do qesh/ Ndoshta do lotoj” (Po aty, fq. 31).

      Edhe poezitë: “Unë jam ajo” dhe “Ditëlindja ime”, shquhen për tematikën e gjetur dhe të shtjelluar mirë, për paraqitjen e bukur me elementet e përngjasimit me gjyshen, pastaj gëzimin e festës së ditëlindjes, që e sjell si detyrim ndaj të gjithë atyre që e shoqërojnë në këtë ditë të veçantë, e sidomos për prindërit, të cilëve u premton se edhe më tutje do të ketë përkushtim të  vazhdueshëm në mësime, në krijimtarinë e vargjeve të reja dhe zotohet se do “Të ju gëzoj gjithmonë,/ Ju o prindërit e mi”. Imagjinata e saj krijuese nuk mungon edhe në sajimin e temave, si te poezia “Humbja e nënës”, që këtu e takojmë si humbje të çastit, diçka e përafërt me ëndërrat, që mund të shqetësojnë, por për fat zgjasin shumë shkurt. Të realizuara dhe shumë interesante për lexuesin janë edhe shumë poezi tjera, ndër të cilat mund të veçohen: “Koha ime”, “Mbrëmja e ndërrimit të viteve”, etj.

        Sibora, edhepse në moshë shumë të re, nuk mund të anashkaloj edhe ngjarje e fenomene të tjera që i takon në përditshmëri. Jeta sociale edhe në kohën që po jetojmë ka aq shumë ndryshime e dallime mes njerëzve, sa vështirë mos të bën të ndihesh keq kur takon njerëz që nuk kanë as shtëpi, as bukë e kushte të tjera elementare për jetë. Këtë ndieshmëri plot dhimbje e paraqet në poezinë “Të pastrehët”, ku në mbyllje të vargjeve të saj shpreh mendimin dhe dëshirën e saj, njëkohësisht: “Ndoshta jam e vogël, / E shumë gjëra nuk i di,/ Po të më lexoni mendjen, Shumë gjëra do  ndryshoja,/  Çdo ditë të tyre do e zbukuroja, / Dhe nga një çati secilit do i siguroja”. (fq. 39). Po këtë çasje dhembshurie e shpreh edhe në poezi tjera, si: “Një ditë dimri”, “Jetimët”, “Babëzia dhe mjerimi”, “Fat i mallkuar”, “Endacakut”, etj. 

      Më bindshëm se në çdo poezi tjetër e shpërfaq mendimin e saj në poezinë “Ndryshe”, ku e portretizon veten e saj me pak fjalë, se është një fëmijë që po vjen në kohën tonë, i rritur para moshës, i pandalshëm në ecjen përpara krah ndryshimeve të jetës, meqë “Bota e tij kalon kufijtë”, duke e konkretizuar me mendimin se “Çdo gjëje në këtë botë/ Mund ti thuash çudi,/ Por mos u çudit është një fëmijë,/ Ndryshe…” (fq. 47). Vërtetë, e tillë na vjen edhe autorja e këtyre vargjeve, e pandalshme në vrojtimet e gjithçkaje përreth, duke e shprehur me fjalën e saj poetike, të veshur me petkun letrar dhe me vlerësimin plot dashuri për atdheun e saj, për qytetin e lindjes, për Tiranën e bukur, për Delvinën dhe mrekullitë e saj natyrore përreth, për Syrin e  kaltër, për lumin Bistricë, etj.; pastaj për shkollën, shtëpinë, shoqet dhe shokët, me të cilët kalon kohën më të mirë në lojë, duke mos i harruar “Librin e madh” (enciklopedinë) dhe “Shkollën Ali Demi”, ku çdoherë aty gjen frymëzimin për jetë e dije.

        Për Sibora Hudën, si krijuese e re dhe e kujdesshme që është, nuk mund t’i kalojnë pa i ndier në shpirtin e saj poetik edhe aromën e luleve, ku veçon “Mimozat”¸ pastaj shijen e ëmbël  për “Pemët krahlëshuara”, dhimbjen për “Shtegtimin e zogjëve”, për të rikujtuar edhe “Vesën e mëngjesit”, “Retë e natës”, “Ditët e vjeshtës”, e sidomos “Ylberin përrallor”, ku gjen frymëzimin e pashuar në çdo kohë që ta ketë pikturuar si një pamje të dashur, përmes të cilit dëshiron të shëtis gjithë botën dhe “Të marr penelin/ Me ngjyrat e tua të vizatoj,/ Dhe kur ti në qiell të mos jesh/ Në vizatimin tim të qëndrosh”, (fq. 68).

Krahapur drejt shtigjeve të dijes dhe vlerave të reja

        Sibora Huda nuk përkufizohet veç në një pikë të vetme të interesimeve, por ajo e shtrinë diapazonin e dijes duke lexuar e hulumtuar nëpër libra e Enciklopedi të ndryshme për shumëçka. Poashtu, ajo nuk do të ndaloj veç tek poezia, por ka bërë hapat e parë edhe në gjininë e prozës. Sypatrembur dhe me hapa prej guximtareje i është çasur temave të ndryshme, në të cilat trajton   ngjarje të ndryshme nga bota fëmijërore, për të shtuar interesimet e saj në njohjen dhe trajtimin sa më të gjërë në fantazitë për universin, për gjithçka që mund të parafytyroj fëmiu i kohës së saj. Këtu, në pjesën e fundit të librit ka vënë edhe tri nga prozat më të realizuara, për të dëshmuar interesimet e saj edhe në këtë gjini letrare. Që të tri prozat: “Hëna”, “Aventurat e maçokut Riko” dhe “Intervista”, që takojmë në këtë libërth, lexohen me një frymë dhe lënë mbresa të mira, që na kujton se kemi të bëjmë edhe me një prozatore të re në të ardhmen, krijimtaria e së cilës do t’na rrëmbej në shtigjeve dhe ngjarjeve që trajton, për të harruar gjithçka tjetër përreth për aq sa do të ndodhemi në botërrëfimet e imagjinatës  që sjell pena e saj premtuese, gjithandej.

LEXO ME SHUME KETU

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1