Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | LIBRI I RI ME POEZI ‘’SHTRATI I SHPIRTIT” I POETES MARJETA MUSARAI

LIBRI I RI ME POEZI ‘’SHTRATI I SHPIRTIT” I POETES MARJETA MUSARAI

Font size: Decrease font Enlarge font
image MARJETA MUSARAJ


 
Libri i ri me poezi “Shtrati i Shpirtit” i poetes vlonjate Marjeta Musarai, është përmbledhja e fundit krijimeve të saja poetike më të mira, të përzgjedhur me kujdes në këto katër vitet e fundit, nga prodhimtaria e saj intensive në portalet dhe gazetat e revistat periodike të kohës.
Libri u botua cilësisht në 170 faqe, nga Shtëpia Botuese “EMAL” Tiranë, me parathënie të shkrimtarit Shpëtim Ferraj dhe përmbledh 162 poezi të larmishme, interesante e të këndshme për nga forma dhe përmbajtja.
Vëllimi poetik, ka brenda tij, poezi me vlera të vërteta jetësore bashkëkohore. Poetja ka sjellë këtu për lexuesin një shpirt të ndjeshëm njerëzor femëror, që trajton me bukuri dhe cilësi, ngjarje qysh nga çastet e para të jetës fëmijërore, ku njeriu përkundet në djepe e rritet me këngët dhe ninullat dhe deri në  formësimin dhe burrërimin e tij, në  përpjekjet për mbijetesë, si dhe përshkruan me ndjenjë, brenga po dhe rrugëdalje, për përplasjet me hallet e jetës së përditshme. Më tej ndalet tek malli dhe dhimbja e emigrantit, që endet nëpër botë, mes vështirësive për jetesë dhe ndjenjës së dashurisë për vendlindjen, që e gërryen, dëshpëron dhe e venit për ditë, pa e bjerr asnjë herë shpresën dhe dritën përfund tunelit jetësor. 
Poetja, ndalet, shqetësohet dhe vuan për fatin endacak të bashkëqytetarëve të saj, që morën udhët e botës, ndaj u këndon:
 
MBETEM TËRË JETËN RRUGË DHE RRUGË,
Endacak, të mbetur endacak,
Brez anemik, të mjerë, pa ujë, pa bukë
Vdekur revolta shpirtit, kthyer butak.
Mes dramash, dhimbjesh ecim
Me shpirtin ndër dhëmbë, plagosur.
Ëndërrimtarë, endacakë mbesim,
Dhimbjet tona kurrë s’kanë të sosur.
Endacakë, vazhdojmë mileniumit,
Pa shpresë, pa vetëdije, pa dritë,
Harruam gurët, i morën valët e lumit.
Përzhitemi flakës, natë dhe ditë.
Kuçedrat udhëve gjakun na thëthijnë
Ne endacakeve pa vatër, pa Atdhe,
Qielli jonë shtrëngata vetëtin
Endacakë modern, botës së re.
 
Por duhet thënë pa mëdyshje se optimizmi dhe shpresa për një jetë më të mirë, janë motivi jetësor i poetes, ndaj ajo pozicionohet dhe këshillon gjithandej dhe shpesh në vargjet e saj dhe porosit rrugë zgjidhje, e bindur dhe me ndjenjë të thellë besimi:
 
BUZEQESHNI , KENDONI , VALLZONI, LODRONI
O njerëz kudo jeni, miqtë e mi,
Putheni jetën, jetoni, dashuroni
Mes mirësisë, mes ndjenjës simfoni,
Ndizni me ndjenjat në zemër zjarre,
Mbani  syve veçse stinën pranverë,
Dashuroni Driadat në fusha dhe male,
Jetoni jetën, se vjen veç një herë!
 
Poetja, në librin e saj te bukur, ka ndalur gjatë dhe ka trajtuar me këmbëngulje, dashurinë njerëzore, si të vetmen e më të këndshmen mënyrë jetese e lumturie, “flake të një drite vetëtime’’.
 
ZJARRI I ZEMRAVE
Lumi i shpirtit ndër vena më vërshon.
Dallgë ortekësh, jehojnë me gëzim,
Krahët e mallit kam dalë përqafoj,
Dashuria jonë më fal lumturinë.
Po dehem me prushin e këngës time,
Të kam si yll dhe diell do të quaj,
Ti nuk je flaka e një drite vetëtime,
Je dhembja e bukur që më bën të vuaj.
Unë rrahjet e zemrës akoma ti ndiej,
Busti i hijes time brenda të ka mbetur.
Mbi shtratin e ëndrrave pushtojmë qiej,
Zjarri i zemrave kurrë s’ka për t’u tretur!
 
Poetja  e ka ndërtuar vëllimin e saj të ri poetik me një realizim artistik dhe stil tërheqës, duke e bërë librin mjaftë interesant. Në vargjet e poezive janë rreshtuar e zgjedhur mësime të urta e të vlefshme filozofike e njerëzore, deri këshilla e porosi të nënës së dhembshur dhe të babait autoritar. Te libri i poetes Marjeta Musarai, pasqyrohet realisht  mirësia dhe dashuria për njerëzit, bukuria e vendlindjes, zakonet dhe traditat tona të pakrahasueshme me asnjë komb tjetër në botë dhe deri besimi i emigrantit për t’u kthyer sa më parë në atdhe dhe për të ndërtuar një jetë 
gjithnjë e më të mirë. 
 
DASHURIA
Mundet ndjenja ime të durojë
Marrëzinë e shpirtrave të marrë,
Quaj mëkatar atë që në dashuri
Godet ndjesitë, i var në litar.
Dashuria, po të qe mëkat,
Zoti nuk e zbriti magjikun Eden,
Evën dhe Adamin, yje të lartë,
Që  të mbeten, rrënja e të madhes penë!
 
Marjeta Musarai, me vargje të fuqishme të saj, godet padrejtësitë njerëzore dhe gjykimet e padenja në shtet e  në shoqëri.
Poetja me një mjeshtëri profesionale, tashmë të fituar ndër vite, pas shtatë librash të b otuara me poezi, ka përsosur gjuhën e saj artistike dhe stilin krijues, duke e bërë vëllimin e ri, një vepër të vërtet letrare me  vlerë.
Figura të fuqishme letraro-artistike e përshkojnë teje, tej veprën e saj të fundit. Krahasimi mbetet në qendër të çdo poezie, çka i zbukuron dukshëm vargjet e saj, ndërsa metafora përdoret dukshëm dhe me vend, duke rritur vlerat artistike poetike. 
 
Përfundimisht mund të themi se libri me poezi “SHTRATI I SHPIRTIT” i Marjeta Musarait është një sukses dhe arritje superiore e krijimtarisë letrare të saj dhe një kontribut i ri letrar mbar kombëtar. Urime dhe suksese të mëtejshme!
Vlorë, më 15.07.2017

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1