Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Poeti që do të"blejë" pranverë

Poeti që do të"blejë" pranverë

Font size: Decrease font Enlarge font
image Përparim Hysi

Vëllimi poetik "A ka kund pranverë për ta blerë?" i FRAN  UKCAMËS
(ese)

Nga   Përparim  Hysi

Me FRAN  UKCAMËN kam mbi dyzet vjet që njihemi. Sado që është tropojan, unë e kam nominuar si "Fierakun nga Tropoja". Dhe, me të vërtetë, që kështu është. Ai erdhi nga Tropoja aty mesviteve '70-të dhe mbeti  në Fier. Dhe është më fierak se nga çdo fierak. Jo se ndodhi ajo shpotia:- Jam nga fshati i gruas, por me punën e tij me përkushtim në fushën e arsimit dhe kulturës, me penën të kthyer në plug, ky, "ardhësi nga Tropoja", erdhi dhe u vendos jo në Fier, por mu në "qoshen e nderit",se nder i bënte vendit ku rrinte. Sa, për lexuesin që nuk e njeh  Fran Ukcamën, në vija të trasha, mund  të them: u martua me një vajzë fierake ( Liljana, e shoqja, ishte nga ato mësueset që u nis vullnetarisht për të punuar në Veri dhe atje, në fshatrat e Tropojës, u njoh me Franin dhe krijuan familje) dhe, pasi u vendos në Fier në të gjitha fushat ku ka punuar, qoftë në arsim a ca më  shumë në atë të kulturës, Frani e ka faqen të bardhë.
Por kam dhe arsye të tjera,pse e quaj" Fieraku nga Tropoja".
                                                   *     *    * 
Para se të jusitifikoj "nominimin" tim, është vendi që  të shkruaj  qoftë dhe shkurt për Fran Ukcamëm edhe si poet, por edhe si shkrimtar. Nëse shikon biografinë e tij letrare, nuk ke se si mos çuditesh. Ka  nxjerrë dhe ka botuar deri tani 32 vepra letrare dhe në të dy gjinitë: në poezi dhe në prozë. Ka një shpirt të brishtë e delikat. Tek e çmoj me syrin tim prej fshatari, Frani, më ngjet me brishtësinë  e lulkuqes. Pse ka një shpirt të tillë, ai është aq afër botës së fëmijëve, sa për fëmijët, shkruan dhe boton: 10 vëllime me poezi. 12 romane për fëmijë dhe, po të llogaritësh dhe pjesët dramturgjike,të shkruar,enkas,për fëmijë, atëherë lista del e gjatë, shumë e gjatë, sa më vjen ndërmend një dyvargësh shpotitës nga Skrapari (epo nga gjaku,skraparli jam) që thotë: " Atje poshtë tek larushku/ më i madh dhëndërri/ se sa krushku?!!!".
Po daleni se nuk kam  mbaruar. Ky që"është më i madh se sa krushku", ka shkruar 7 monografi për NJerëz të nderuar të Fierit apo të nderuar në gjithë Shqipërinë. Ka shkruar dhe tri vëllime poetike  për të rritur. NJë libër me ese dhe ka në procesbotimi romanin "Rrapatush   Taso Çakmaku". Siç e shihni, vetëm kështu "skiç", Fran Ukcama, sikur është ai personazhi që na çonte dikur buzën vesh më vesh me batutën" Doni më për Belulin". Nëse e përqas këtë batutë, e bëj me qëllim.  Aktori që i dha jetë personazhit "Doni më për Belulin" është Artisti i Merituar, Fuat Boçi, por që ta njihni njësoj të madhin Fuat Boçi siç njeh veten, doravetë FUATI, lexoni monografinë të shkruar nga Frani dhe do të bindeni se çfarë pene perfide ka autori dhe se ç'zemër dhe çfarë shpirti që ka.
Sa për vete (unë kam shkruar dhe më parë për këtë), them: nuk ka monografi aq cilësore dhe aq të bukur,sa kjo. Lexuesi e ndjen veten të relaksuar dhe i duket vetja sikur ndjek një film me senkuenca të gjata që nuk do të mbaroj. Dhe për të qenë edhe më i saktë: është libër që mund ta lexosh herë pas here dhe nuk ke për t'u mërzitur.Është si këngë që të vjen gjynah që nuk e hedh dot në një partiturë.
                                                           *     *     *
Nëse  shkruaj kështu për Franin, nisem jo  nga ndonjë vlerësim subjketiv apo hipotetik imi, por Fran UkCama është jo vetëm anëtar i Unionit të Shkrimtarëve dhe të Artistëve,por dhe anëtar i Akademisë së Arteve të Letërsisë Europiane në Bruksel: anëtar i klubit"Drita" në Athinë dhe, nëse do rri këtu e të rreshtoj vlerësimet, medaljet apo nominime të tjera,atëherë prapë do arrij tek ajo shpotia nga Skrapari. Por, le ta lëmë këtu këtë listë të gjatë dhe të dal tek vëllimi me lirika " A ka kund për të blerë pranverë?".
                                                                *   *  *
Ky libër ka gati 300 poezi dhe kaq nuk janë pak. Dy të tretat e këtij vëllimi janë me poezi lirike që,asnjëherë, nuk e humbasin vlerën. Duke i vënë librit një titull kaq hipoetik, poeti sikur të vë në ngasje që të gjesh atë përgjigje që kërkon. Pyetja është e drejtpërdrejtë që kërkon përgjigje:- A ka apo nuk ka? Pyetja është pak evazive dhe i ngjan atij "filxhanit pa bisht" që kafen ta servir të nxehtë, mirëpo nuk e zë dot me dorë,se të djeg dorën. Epo aty është mjeshtëria e Poetit që, në një farë mënyre, të bën "pjesëmarrës në vrasje". Do s'do të fut në "rrjetën që të ka hedhur" dhe ti do të luftosh që të dalësh nga ajo "rrjetë". Unë me profesion jam mësues dhe gjithmonë nxënësve, për të kaluar nga më e lehta tek më e vështira, u përqasja shembuj analogë. Pyetjes " A ka kund pranverë për të blerë", unë i përgjigjem kështu: Në Myzeqe, nga jam, thonë:" Kësaj(ta) i thonë, hajd kap leprin, t'i mbathësh opingat!!!". Po, për të qenë më afër realitetit dhe për atë që mendoj unë, pasi lexova vëlimin, dua të them: me vëllimin me lirika, Fran Ukcama, tregon atë që thotë Poeti i madh grek, JORGOS SEFERIS, që thotë: " Trualli i poezisë është në zemër të njerëzve me zemër të madhe". Të madhe,- them unë, jo si vëlllim, por zemër njerëzore. Dhe, kur pranëvë një POET si SEFERIS, nuk flas me apriori, por me fakte që gjejnë domethënien e tyre në dhjetra e dhjetra poezi të veçanta.
                                                               *    *    *
Kur po mendoja për një titull pak intringues për këtë ese kushtuar këtij vëllimi, mendova fillimisht që ta titulloja "Poeti që ka Vezuvin në kraharor". NJë metaforë e bukur e një prej poezive të Fran UKcamës, po nuk e bëra për shkak të"klimës së nxehtë" të këtyre ditëve që bëhen pak më "të nxehta" nga politika. Bukur   e ka gjetjen  e kësaj metafore kaq hiperbolike, Fran Ukcama, por më e bukur bëhet poezia, kur "Vezuvi" i poetit (lexues, hapi veshët mirë!) ndërsa çan "koracën" nga magma, zë e prodhon: vetëm dhimbje dhe dashuri. Ndodh po  ai fenomen që Poeti dhe përkthyesi Faslli Haliti, tek përkthen L.Hausman, thotë:" U shfaq dashuria dhe solli jetë". Dashuri dhe jetë sjell dhe Fran Ukcama në lirikat e tij: " E kam dashtë, sa e kam dashtë/ E kam dashtë sa fort një vashë/ E kam dashtë sa desh kam plasë/tek kasollja mb'lue me kashtë". NJë lirikë si baritore dhe pak me peizazhe fshati... se e thërret "gjaku". E gjaku nuk bëhet ujë. Apo vëreni këtë dyvargësh: "... greminë udha.Krejt qyteti/ Qyteti... shkreti, pa hise? Apo dhe pak më tej:"... ike ti dhe që atëherë/ mua m'u mbyll rruga me ferrë.
Tek i shoh poezitë një nga një, vihem pak në siklet. Duke qenë vet, paksa poet lirik, nuk di kë të vlerësoj më parë. Tek lexoj" Kur kam  zemrën e një femre", nuk kam se si mos ndalem. Jo ndalem.Ngulem apo për të qenë më afër "huqeve" të tij; ngujohem. Ngujohem si ai "viktima" që ruhet prej hasmit. Po, me të vërtetë, si mos ngujohesh para vargjesh të tillë:" Kur hurb mjaltin e një zonje/ Gjoksit si zgjua plot hoje/ Bëhem mbret i një bote/... apo ca më parë, po tek kjo poezi:"... kur kam zjarrin e një gruaje/ kaloi halle,edhe vuajtje/ si gjahtari rri në gjuajtje dhe për të arritur në apogje:"Një ushtri e shtyj më tutje". Pra,  i tillë lirik dashurie është Fran Ukcama.
Ai në lirikat e dashurisë sikur vuan atë "sindromën"e  shkrmitarit amerikan  Dan Fante(vdekur në vitin 2015 që ka shkruar:" Më mahnit mrekullia femërore orë e çast". Kjo përshtypje të krijohet në sa e sa të tilla.Apo qëndroni vetëm pak tek kjo strofë: "Aq sa ka dallgë,shtrëngata deti/ Renkime e suferinë, cunam/ Aq dhe shpirti im, i shkreti/ vdes e ngjallet mbi trupin tënd. Komentet e tepërta e prishin. Një fshatar   shakaxhi si unë, për të tilla poezi thotë vetëm kaq:" Qenke keq nga mideja dhe të paça fatin!". Pak për të qeshur, por, sidoqoftë, poezia është e bukur.
Ose sa sinjifikative është poezia "Rryma  e Golfstrimit": "Ngricat që më sjellin stinët/ dimra që më vijnë dhe në verë/
U lëshoj "rryma Golfstrimi"/ që i ruaj në shpirt përherë. Pra, poeti, ka një shpirt e zemër të nxehtë që"shkrinë ngricat e moshës apo të stinëve.
                                                              *    *    *  
Ka shumë poezi lirike të autorit, sa me to mund të bësh një album. Por nuk mund të rri pa lakuar poezinë për "Lurën". Tek e sheh ashtu të"sakatuar" thotë:" Lura po bën kimioterapi". Është zëri i protestës të një poeti me zemër të madhe. Apo sa njerëzor del Poeti (unë ia njoh hallin. E shoqja ka vjet që vuan nga një sklerozë) në Poezinë" Ti je burgu ku unë lidhem". Veç finalja e kësaj poezie ka një domethënie të madhe: " Nuk vajtoj për hallin tim/ as për prangat n'muzë lëshua/ dhimbje ndjej der në përgjërim/ se ti vuan, vuan me mua! Se, për të qenë dhe më afër:" Ti je burgu që unë lidhem/Zemra ime, mos ki dert/ Jo.Nuk çmëndem as nuk trishtem/ liria ndonjëherë nuk  ia vlen/. Sa njerëzor del Poeti në këtë poezi.
                                                            *    *    *  
Nuk do ta mbyll këtë ese, pa lakuar dhe një meritë tjetër të autorit. Fakti që u këndon artisteve të mëdha si, Vaçe Zela,Nexhmije Pagarusha, Shkurte Fejza , Fatime Sokoli apo artistes të madhe të skenës,Hajrie Rondo, tregon se  ai përulet me vargun et ij tek këto ikona që asnjëherë nuk i humbasin vlerat.
Në vëllim ka poezi për emigarcionin që ta bjerrin shpritin (Frani e ka provuar atë fat të keq), por, në të njëjtën kohë, në vëllim del se si e grryen malli përvendlindjen, tutje nga Nikaj Mërturi a Curr i Epërm se nuk ka në botë"si ftonjtë e Tropojës dhe, në mos gaboj (me të vërtetë u lodha kam mbi tri orë që po shkruaj), nuk ka si"ngjalat e Cërrnicës apo si trofat me famë. Tek i lexoj, këto për"vendlindjen", më duket sikur vë krahë si zok dhe fluturon e sillet andejpari:bjeshkëve e rudinave, përrenjëve me ujë të kulluar që çajnë shkëmbinjtë duke shkumëzuar.
 Për më shumë, "noti mësohet duke u "mbytur". "Mbytuni" duke e lexuar librin" A ka kund për të blerë pranverë" dhe nuk kini për të mbetur të zhgënjyer. Flet njëri që u"mbyt".

                                          Tiranë, 17 qershor 2017

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1