Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Kur shteti kish marrë "brinjën"

Kur shteti kish marrë "brinjën"

Font size: Decrease font Enlarge font
image Përparim Hysi

Kur shteti kish marrë "brinjën"

Romani "Semaforët e thyer" i Myrteza  Marës

 (ese)

Nga   Përparim   Hysi

Myrteza Mara e  ka, tashmë, emrin në letërsinë shqiptare edhe si poet, por, në të njëjtën kohë, edhe si prozator. Po ta gjykosh nga profesioni ( ai është shkolluar si oficer dhe ka arritur atë shkallë të epërme në hierarkinë ushtarake që të futet në rrangun e OFiCERËVE MADHORË me gradën Kolonel), pa menduar se bëj ndonjë befasi, metaforikisht si"militar që është", mund ta quash: pushkë që hap zjarr me dy gryka. Hap "zjarr", por ky zjarr veç të ngrohë dhe nuk ka fare ngjyrim "militar".

Pa  sofizma e rrotulla fjalësh, në poezi jo vetëm ka botuar mbi 10 libra, por ka fituar çmimin"Pena e artë" në konkursin "Kadmus" në vitin 2006, organizuar nga klubi  I shkrimtarëve "Drita" në Athinë. Është vlerësuar nga gazeta"Horoskop" në konkurisn"San Valentino" 2006 dhe, po në vitin 2006 në konkursin kombëtar"Poezi për detin" (zhvilluar në Durrës) ka marrë çmimin e dytë.

                                                    *    *   *

Po kur flas për poezinë e Myrteza Marës, nuk  kam si mos veçoj librin me poezi "Stina e pestë". Që në titull jo vetëm është pak i veçantë, por, në të njëjtën kohë, disi intringues. Kur e kam lexuar atë libër, edhe kam shkruar për të, por, sidoqoftë, mund të shtoj dhe diçka që, ndoshta, nuk kam  arritur ta them atëherë. Stinët janë katër.Kaq i ka bekuar Zoti dhe, për ateistët, natyra. Katër dhe nuk e luan topi. Antonio Vivaldi, sado që ishte mjeshtër i shquar në violinë, piano dhe mësues i shquar muzike, klerik me një barrë shkollë,i mori katër stinët, i hodhi në partiturë dhe ne,sado që Vivaldi ka mbi  treqind vjet që kompozoi "Katër stinët", ne nuk ngopemi duke dëgjuar një muzikë relaksuese që të kënaqë shpirtin.

Mirë, mirë po  ja tek ia bën ferk, ky "pushka me dy gryka" dhe, "xhagajdur" siç  është në jetë, tak dhe nga katër, i bënë stinët pesë. Pesë dhe nuk lë vend për ekuivoke. Mu në ballë shkruan "Stina e pestë". E pesstë dhe ç'gjelëbrim poetik ka brenda, mjafton ta marrësh librin dhe jo vetëm nuk ke  për t'u penduar, por ke  për t'u bindur: ka dhe një "stinë të pestë". Kolombi i këtij zbulimi: është Myrteza Mara.

                                                      *     *    *

Sot nuk do flas për Myrteza Marën si poet, por si prozator. Si prozator, por mos kujtoni se me këtë "grykën tjetër të zjarrit" ky djeg barot kot. Përkundrazi. Markez kur flet për prozën, thotë: "Proza është e bukur kur shkruhet si poezi".

Dhe, duke patur frikë se mos e harroj këtë porosi të Markez, them se në romanin "Semaforët e thyer" kjo "proza e shkruar si poezi" sikur ka shumë vend. Pse ka ndodhur kështu, unë si lexues aq e kam "humbur pusullën",sa, po ta shohësh librin që më ka dhuruar, është plot me faqe të thyera. I kam "thyer" jo për të ndrequr " Semaforët e thyer", po për t'u rikthyer tek ato faqe dhe për të "rrufitur" ndopak poezi.

                                                     *    *   * 

Nëse vini re,"eseja" ime është pak metaforike. Metafora nuk është imja. Është e një labi nga Sevasteri, Gani Tahiri, të cilin e kujtoj me mall. Më thoshte:- E di ti se si themi ne, nga Labëria për këtë rast? "Deles së trullosur, krrej binanë! Lëre të marrë brinjën!". Dhe unë, pasi lexova romanin e Myrteza Marës, arrita në përfundimin që autori këtë"shtet që i ngjan asaj"deles së trullosur" që lakonte miku im, i ndjerë, Gani Tahiri, e vë në bankon e akuzës.

                                                      *    *   *

Myrteza Mara si prozator është aq i guximshëm,sa pa ia bërë syri"tërr" në faqe të tëra tregon se kush e katandisi shtetin në atë"delen e trullosur"; tregon se kush i hapi ato firmat fatkeqe piramidale; kush e solli atë vitin e mbrapshtë 1997; kush e solli atë  emigrim aq galopant; kush e rrënoi vendin deri në atë "derexhe" sa të kthehej në një "vend me semaforë të thyer", ku përplasja e "makinave" është e pashmangëshme.

Ai e sheh se ky "rrënim" apo kjo "trullosje" ka  filluar, kur zunë e emëroheshin njerëz të paaftë si "shulet",servilëe nepotikë dhe, pak nga pak, shosha ku do "shoshiteshin" kuadrot, po i zmadhonte "vrimat" dhe zuri të"rrjedhë lirshëm" paaftësia.

                                                          *    *   *

Sipas meje, "arkitrau"  që mban "shtëpinë e romanit", është ish-oficeri, Zamir Murati. Ky,ish-kolonel, nuk  është ulur mbi një zhezlong këmbë përmbi këmbë, si "punë terezi", por, si të thuash, është ai  mjeku  human, që, pasi ka shpikur një vaksinë, para së gjithash,e provon  në trupin e tij. Kështu ndodh  dhe me Zamir Muratin. Ai, në një farë mënyre,edhe autor, por dhe aktor në"skenën e  madhe", kur"delja e trullosur ka marrë  brinjën". Duke e gjykuar,Myrteza Marën si autor, s'kam si nuk pranëvë disa përqasje.

Së pari, më vjen ndërmend shkrimtari  amerikan, Dan Fante (ka vdekur në vitin 2015),që, pak a shumë  thotë kështu:

- Me demek, ti e shikon se  ç'ndodh. E shikon dhe, për fat të keq, hesht. Hesht ti, po nuk të lë unë: direkt e të marrë të pandehur!!!

Më vjen pak si për të qeshur, me të ndjerin Dan Fante. Ka patur gjak të nxehtë në rremba. Është i biri i John Fante,edhe ky  shkrimtar amerikan, po me origjinë  sikur është pak kalabrez, në mos gaboj.Se mos ka pikagjaku nga Shqipëria? Epo ku ta dish? Por ajo që dua të them është që Myrteza Mara jo vetëm nuk të lë që"ta marrësh si të pandehur", por vë fajtorin kryesor në bankon e akuzës( gjurmët të çojnë mu tek kreu i shtetit (ky ka patur jo vetëm shtetin, por dhe pushtetin), që e katandisi Shqipërinë në një "shtet me semaforë të thyer".

Në optikën time, sikur t'i marrësh të gjitha për ç'ka shkruar autori, të duhet një kaleidoskop dhe, mbasi të vendosësh në të disa "diapozitivë", filmo dhe do shohësh si në pëllëmbë të dorës: firmat piramidale me gjithë"grosistët" në krye; rrënimin e këtyre firmave që u ngritën me slloganin aq të"qëruar" të kryeshtetarit:" Paratë tona janë nga më të pastrat në botë". Shikon "larjen e duarëve prej Ponc Pilati të kryeshtetarit e CO..., kur në sheshe dëgjohej:"Duam paratë tona"; do shohësh atë krismë armësh si në"brigjet e lumit Jordan"; do gjesh eksodin biblik; ikjen me skafe; vrasjet e Kainëve kundër Abelëve; prosttucionin made in Beta dhe plot diapozitivë të tjerë.

                                                    *    *   *

Zamir Murati është ai koloneli aktiv që vëren që eprorët janë"dehur" nga karriera dhe kanë filluar të vegjetojnë në punët që u janë besuar. Ndodh ajo që thotë,poeti grek, Kosta Kariotakis (1896-1928):"Nëpunësit shkrihen e zhduken /si bateri në zyrat ku punojnë/ Mandej,shteti dhe vdekja janë"eletriciteti"/ që i karkojnë. Por në"shtetin" që po binte, erdhi ryshfeti, paaftësia dhe nepotizimi. Se shteti po mbushej me "Shule dhe Jaçe...,sa, pa dashur që të prekë sadopak, linnjën e romanit, dua të tregoj për ndonjë"shule" të ushtrisë. Qe komisar dhe dinte sa një fillorist.  I them një të aparatit politik, por qe me brumë:

- Ore,- i thashë unë. Pse i mbani këta masatër? ( ekisha fjalën  për komisarin aq"tëditur")

Dhe ai,flakë nga për flakë ma preu:- Me se do ta ndezim  eshkën?!!!

E, pra, këta "për të ndezur eshkën" i gjen tek kaleideskopi I Myrtezait.

I parë në  tërësi romani, merr vlera të epërme se është shkruar me nerv dhe me impulse që autori i  ka përjetuar. Me Myrteza Marën ka ndodhur ajo që ka thënë dikur aktori Holiivudian me origjinë shqiptare,Xhim Belushi: "  Unë po kënaq të tjerët, pse mos shkruaj pak për veten time".

Me Zamir Muratin zë e mbresohesh,se tek ai gjen shprehjen e vet ajo që thotë Çarli Çaplini: "Bota i takon atij që guxon". Nga kjo anë, Zamir Murati e ka faqen të bardhë. Se sa i guximshëm është ai, e ka treguar në çdo çap të jetës: në regjimin që u përmbys, pa qenë komunist, ai karakterizohej nga përkushtimi dhe ndjenja e lartë e punës dhe  disiplinës; e priti çmobilizimin jo duke rënë në gjunjë  e duke u qarë ciu-ciu si zok inkubatori, por çau me skafe e gomone në emigracion duke bërë punë të rëndomta. Përplasja me "pasanikun Astore" tregon se përplasen dy botë apo figurativisht: dy pushkë që hapin zjarr në të njëtën kohë. Në këtë "duel", kur sheh që fitimtar është Zamir Murati, ti, si lexues, e ndjen veten mirë.

Por, në fund të fundit, përse ndodh kështu? Ndodh kështu se Zamir Murati është nga ata njerëz që di të vdes vetëm njëherë. Paulo Coelho, ai shkrimtari i madh brazilian, thotë: " Nëse jetën e jeton plotësisht, do të vdesësh vetëm njëherë. Por, nëse frikësoheni në çdo hap, frika do t'ju vrasë ditë pas dite."

                                                             *    *   *

Nëpër faqe të romanit gjen dhe njerëz të ndershëm: gjen dhe shoqëri të pastër e të sinqertë: se shokët e vërtetë u ngjajnë yjeve në qiell; kur zotëron errësira, janë të parët që bëjnë dritë.

Në fund të fundit, sado që në këtë "shtetin që ka marrë brinjën si dele e trullosur", pak nga pak gjërat sikur po ndreqen,sado që ndonjë "jaçe" që punon në doganë zgjat duarët prej hajduti, e ardhmja do jetë e bukur. Ka një thënie aksiomë në roman:

- Mos u trishto kur të shikosh ullnjtë e prerë. Ka plot tokë të mbjellim të tjerë!

Vet ulliri është pema gjelbëroshe e  fitores dhe e optimizmit. Nuk më mbetet tjetër, që t'i uroj Myrteza Marës:- Me romane të tjerë!


Tiranë,15 qershor 2017

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1