Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | VILHELME VRANARI “RINGJALLUR SI KRISHTI” - NJË PRINCESHË E LETRAVE SHQIPE SHKRIMTARE E FEMRËS SË EMANCIPUAR*

VILHELME VRANARI “RINGJALLUR SI KRISHTI” - NJË PRINCESHË E LETRAVE SHQIPE SHKRIMTARE E FEMRËS SË EMANCIPUAR*

Font size: Decrease font Enlarge font
image Albert HABAZAJ

VILHELME VRANARI “RINGJALLUR SI KRISHTI” - NJË PRINCESHË E LETRAVE SHQIPE

SHKRIMTARE E FEMRËS SË EMANCIPUAR*

Dy fjalë rreth veprës letrare të autores Vilhelme Vranari Haxhiraj

 

Nga MSc. Albert HABAZAJ

[Publikuar sipas variantit origjinal, botuar për herë të parë në gazetën “SOT”, Nr. 25, datë 6 shkurt 2003, f. 20]

Shtëpia botuese “Toena” ka hedhur në qarkullim kohët e fundit romanin “Ringjallur si Krishti” të Vilhelme Vranari Haxhiraj, një dëshmi tjetër e penës së pashtershme të shkrimtares së mirënjohur vlonjate.

Në këtë vepër shohim edhe një herë talentin, fantazinë gurgulluese, e cila ngacmon imagjinatën e lexuesit, potencialin krijues që bart autorja.

Duke kthyer e rikthyer 217 faqet e librit, lexuesi kalon nga një botë në tjetrën, po të gjitha botët e kanë një fokus: Filozofia e jetës gjallon në to, me dhembjet e dështimet, pohimet e mohimet, virtytin e vesin, mashtrimin dhe zhgënjimin… të gjitha ngërthehen në një pikë e bëhen nyja gordiane e librit. “Sa dëshira shuhen, sa ëndrra treten, sa shpresa vriten, s ajetë humbasin…” -shkruan autorja kur tregon vitalitetin e femrës si shembull besnikërie. Mesazhi del i qartë: Për femrën shqiptare, vdekja është më e ëmbël se jeta me turp.

Shumë nga motivet e këtij libri janë rrahur edhe herë të tjera prej Vranarit (Haxhiraj), po këtu ato marrin forcë e gjallëri të re dhe harlisen ashtu si bari pas vesës së mëngjesit. Vilhelmja të habit me fantazinë e saj pjellore, me forcën imagjinative dhe kreative dhe, tamam kur ti mendon se ajo përsërit vetveten (çka mund të jetë një proces i natyrshëm te çdo shkrimtar), ajo shfaqet rishtaz me një vezullim të ri, që t’i lëbyr sytë nga mrekullia. Është ajo fantazi që vë në lëvizje dhe  jep frymë edhe atij fakti prozaik e pa rëndësi për një sy të zakonshëm, por që në penën e saj fiton përmasa të reja, duke u bërë palca e tregimeve dhe ushqyesi i shpirtit të njeriut.

Kjo fantazi si një turbinë e fuqishme vepron sidomos në vëllimet më të spikatura: “Dhembje nëne”, “Mamaja”, “Kush e vrau Kaftanazin”, “Jetë në udhëkryq” dhe vëllimi më i ri “Ringjallur si Krishti”.

Në këtë vështrim të shkurtër letrar të veprës së Vilhelme Vranarit (Haxhirajt), nuk bën të harrohet veprimtaria e saj krijimtare, që humbi në vitet e  gjata të diktaturës. Është shfaqur vetëm me disa prej tyre, si autore e kompletuar me mbi dhjetë tituj librash. Lexuesi e njeh si publiciste, si poete lirike, si tregimtare, noveliste, romanciere, shkrimtare për fëmijë, fabuliste, skenariste dhe përkthyese.

Ende nuk është e mundur të vlerësohet vendi që zë në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Provat për larminë dhe dinamizmin e saj letraror i ka dhënë dhe për këtë autorja ka marrë vlerësime të larta nga kapacitetet kombëtare të kësaj letërsie e kulture kombëtare si Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti e Teodor Laço, apo prof. Odhise Grillo, Lejla Gorishti, Fatmir Toçi,  prof.as. dr. Bardhosh Gaçe, etj.

Në prodhimtarinë e suksesshme të autores gjejmë metafora dhe imazhe të freskëta, ndërkohë që e shohim të udhëtojë në krahët e kohës dhe të hapësirës. Vranari e do femrën shqiptare të emancipuar, jo të degraduar; në vendin që i takon në shoqërinë e qytetëruar, jo me liri të pakufizuara.

Gruaja është kryefjala e kabinetit krijues të Vranarit. Në veprën e saj vërejmë se ngjarjet zhvillohen në mjedisin shqiptar. Në këtë mjedis, lexuesi njeh dhe vlerëson bujarinë e mikpritjen, shpirtin atdhetar që rrjedh nga fisnikëria e autores dhe që aq mjeshtërisht e ka skalitur pena e saj. Edhe pse kanë kaluar kohë nga leximi i veprave letrare të saj ndër vite, ngelen të pashlyeshme personazhe si Havaja, Blerina, Adelina, Eva, Ariana, Viola, Adela, Erjeta, Artemisa etj., që autorja i ka përshkruar me dashuri, respekt dhe art original. Vilhelmja nuk është vetëm shkrimtare grua por edhe shkrimtare e gruas dhe ky aspekt duket më fort në romanin “Ringjallur si Krishti, si në natyrën femërore ashtu dhe në aftësinë femërore për të ndier ngjyrimin emocional dhe për të vrojtuar imtësitë. Vilhelme Vranari Haxhiraj e heton botën nga tryeza e saj e punës, e shoqëruar ose më mirë me thënë, e armatosur me gjëlpërën qepëse të saj në hapësirën e madhe që shpalos gruaja - heroina e preferuar, të cilën s’e zëvendëson askush.

Edhe pse nuk ka Shqipëria një zonjë të madhe në letërsi, sidomos në prozë, Vilhelme Vranari ka meritë të ketë vendosur gurë të qendrueshëm në godinën e letërsisë shqiptare, ku ka punuar edhe Dhurata Bozgo, Helena Kadare, Diana Çuli, Brunilda Zllami, Mimoza Ahmeti e ndonjë tjetër.

Në veprën e shkrimtares vlonjate, gruaja është ringjallur si Krishti, sikurse dhe vetë autorja jonë, që është stërmbesa e denjë e Rugjinës dhe vjen në letrat shqipe të qetësojë shpirtrat e dallgëzuara të njerëzve.

Figura e gruas në roman, karakteri i saj i analizuar hollë janë vërtet një ndërmarrje e guximshme e autores. Bën paralele jetësore lexuesi pasi mbaron veprën e saj, bën ballafaqime, nxjerr përfundime. Kjo ndodh se shkrimtarja operon shpesh dhe me simbolikën, e cila, sado që lexuesit të thjeshtë mund t’i duket si një labirint i pafund, e ka trokitjen e saj në realitetin tonë. E thotë bukur redaktori i librit, prof. Grillo, që Vilhelmja, si një kirurge e mirë, vjen të operojë plagët e vjetra e të reja të shoqërisë. I fuqishmi Spahiu e ka patur shoqe klase Vilhelmen. Duke pirë kafe bashkë, na thotë se hartimet e saj shkonin si stafetë në shkollë. Ne u bëmë shkrimtarë, asaj donin t’i thanin gjelbërimin…pastaj buçet me atë zërin e tij gurgullues, siç di shpërthyesi Xhevo: “…por ja, Vilheme Vranari Haxhiraj ka ardhur sot si Antigona të shpëtojë dhe shërojë shpirtrat njerëzorë”. Dhe për këtë mision, ajo derdh shpirtin e saj si gurgullimë gurr, që buron vetëm mjalt.

-Mua më flet shpirti - thotë ajo - shkruaj dramën tonë, Vlorën tonë, personazhet jetësore.

Duke u rreshtuar në krahun e intelektualëve përparimtarë me palcë kombëtare, ajo, si mishërim i së mires, lufton pa mëshirë të keqen. Dhe na kujton viganët e këtij grupimi human: Ernest Heminguej e Petro Marko. Vilhelmja ëshët princeshë nga origjina, nga pamja dhe nga vepra që bën. Ajo emeton vetëm mirësi, vetëm buzëqeshje. Veçse i dhemb Shqipëria, i dhemb Atdheu shumë. Kjo ndihet tek romani “Ringjallur si Krishti”. Ja një fragment, që më ngjan si një klithmë kombëtare: “Dhe sikur mendjet e politikës shqiptare të ishin aq të pasura dhe të virgjëra, sa vetë relievi i këtij vendi të begatë, asnjë shqiptar nuk do ta kishte braktisur atë tokë të shenjtë”. Ajo e do shumë Shqipërinë, si familjen. Dhe është krenare si për familjen e saj të shenjtë. I është mirënjohës bashkëshortit të saj artist me shpirt artisti Fitim Haxhiraj, që i krijon aq shumë lehtësira, se pa ndihmën e tij nuk mund të na shfaqej kaq prodhimtare në letërsi. Çmon fëmijët e shkëlqyer Ermelindën dhe Vladimirin, që sponsorizojnë nënën e tyre shkrimtare për veprat e bukura që krijon. Vlerësim të veçantë ka për dhëndërrin, trompistin e talentuar Lekë Spathari, që s’mund ta ndajë nga Ladi i saj. Leka ka qenë trompisti i parë në RTSH, sot drejton orkestërn “Band Blu” në Italinë e Veriut. Pra, një familje e re artistike, sepse dhe Ermelinda ka punuar me Andrea Boçelin, rrjedh nëpër kaltërsitë e shpirtit të pasur artistik të Vilhelmes dhe Fitimit.

Pena mjalt, e nderuar shkrimtare! Buroftë fisnikëri dhe dritëroftë për Shqipërinë tonë!

*) Kjo është fjala e mbajtur në promovimin e romanit “Ringjallur si Krishti” në Vlorë më 20.01.2003.

Botuar për herë të parë në gazetën “SOT”, Nr. 25, datë 6 shkurt 2003, f. 20, me titullin: “Një princeshë e letrave shqipe, Vilhelme Vranari “Ringjallur si Krishti”. Meqenëse, as autori i shkrimit, as autorja e romanit nuk kanë mundut ta kenë në arkivin e tyre gazetën, ku është botuar ky vështrim i thjeshtë letrar, pa i shtuar apo pa i hequar asnjë presje, po e ribotojmë në gazetën tonë të dashur “Fjala e lirë” online, duke i qëndruar besnik origjinalit në fletë të printuar.

 

Respekt nga Albert HABAZAJ

Comments (2 posted):

kadri Tarelli on 15/06/2017 14:52:35
avatar
Urime dhe falënderime që na e solle përsëri këtë shkrim kaq të bukur, i cili flet për "Princeshën" tonë "Vivra". Fjalët magjike thurrur për të që para 13-14 vjetësh, janë pararendëse e shumë shkrimeve të tjera kushtuar kësaj shkrimtareje të suksesshme, me përmasa universale, që unë po e quaj: "Vullkan që shpërtheu vonë". Ajo e nderon "Brezin krahëthyer", njëkohësisht të gjith ne shqiptarët kud që ndodhen.
Urime "princeshës" Vivra.
Mirënjohje dhe falënderim autorit!
Nga Kadri Tarelli
Durrës
vilhelme vrana haxhiraj on 15/06/2017 15:48:58
avatar
Z.Albert, ju faleminderit për ribotimin e një shkrimi mbresëlënës të vitit 2003. Berti, ishin kohë të tjhera, kohë të bukura atëherë, kur ne të sapolindurit në letërsi,e shihnim njëri-tjetrin me dashamirësi, na gëzonte fakti se të gjithë bashkë po vendosnim një gur në kolanën e letrave shqipe,pavarësisht nga pesha e tij. Eh, more mik! Iku ajo kohë. Tani krijuesit maten me një kut tjetër.Ndaj më duket shumë e largët ajo kohë, koha e çiltërsisë. Unë shkrimin tuaj të mrekullueshëm e kam printuar nga origjinali i gazetës. Gjithsesi ju falenderoj dyfish, si për ribotimin dhe për botimin e vitit 2003, titulli që kishit vendosur Ju, bëri kurioz Presidentin Rexhep Mejdani dhe Bujar Hudhrin, që ngriti vetullat si me habi. Nëse ju kujtohet ishim duke pirë kafe në katin e dytë tek "Riviera" një tavolinë e madhe me shkrimtarë,me të dy zotërinjtë e nderuar dhe Presidentin e ShB Toena, z.Fatmir Toçi,i cili ju mbështeti. Kurse Z.Mejdani u shpreh: "Sot asgjë nuk duhet të na çudisë,se koha i nxjerrë veprat e mira apo të këqia.Urime ,zonjë!".
Veçse dua të them se unë jam po ajo që isha atëherë,një nxënëse e etur për të mësuar nga jeta dhe nga njerëzit!
Ju uroj shëndet!
Me konsiderata të veçanta :Vilhelme
Vlorë-15-6-2017

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1