Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ANALIZA | Nata murgatore pa një ‘yll përmbi Dhëmbel’ në vargun e Malos

Nata murgatore pa një ‘yll përmbi Dhëmbel’ në vargun e Malos

Font size: Decrease font Enlarge font

 

Mos e lexoni të ‘dyzuar’ poetin Dashamir Malo. As titullin ‘Ndoshta’ mos ia besoni. Mos ia besoni këtë ‘kostum të katërt poetik’, se e tëra është ndryshe. Nuk është fare ‘ndoshta’, por është dhe mbetet një arsye në këndin e tij poetik të ekzistencës. Një ekzistencë që lexohet sa tek ‘Takimi i dashurisë’, ‘Ylbere të rreme’, aq edhe tek ‘Përse mendon mendimi im’. Por, jo vetëm kaq, këndi i tij poetik i shtrirë qashtër në shtratin e jonit poetik sjell edhe ‘Gra në pranverë’, duke mbetur ‘Precedent’ në tërë këtë rrugëtim poetik të Malos që nuk mund të jetë ndoshta edhe tek ‘Fshehja e lotit’. E nisa kështu i nderuar lexues se këtë rrugëtim poetik Malo e vulosi qëkur shkroi për këngën e vjetër të Gjonit, mes së cilës ai gjeti arsyen të ndërtojë pse dhe për çfarë arsye ai do të sillte në skenën poetike vëllimin poetik ‘Ndoshta’. Një ‘ndoshta’ që vjen nga udhë e largët, ku kjo këngë e ‘vjetër’ e kënduar apo e nisur të këndohet nga Gjoni i tij, mbi një lis do të shtronte udhën e tij të mbarë që niste në Përmetin e tij të dashur, duke kapërcyer vitet që i dhanë udhëjetën e gërmave shqip në bangat e Shkollës së mesme në qytetin e lindjes që më pas do ta dëpërtonin penën e tij mes disiplinës në Akademine Ushtarake dhe më vonë Akademinë e Policisë. Kështu udhëtonte mes ndjesisë së Malos edhe gjeografia e jetës, por edhe rrokada poetike e gjërave që funksiononte si një katalizator teksa ai tashmë ishte në një rrugëtim mes vendlindjes Përmetit të dashur, që e fiksonte nga memorja, Tiranës ku ndoqi studimet, Sarandës ku jeton, dhe asaj kohe me të cilën ai nisi të ushqehej edhe me dhimbën e kripur të lotit, që aq shumë i trazohej në valë jonike, atje ku nisi të kthente tërë metafizikën e ngjyrimeve me penelatën e shkollës dyvjeçare për pikturë në Greqi.

Edhe pse kjo gjeografi dhe kjo metafizikë jete kalonte disi edhe nga ‘kufiri’ i saj artistik, aspak nuk do ta pengonte me detyrën e tij, në ‘kufirin’ me uniformë të kthente dritën e leximit dhe dhuratës poetike për lexuesit, miqtë dhe poetët. Ai kështu dhuroi dhe vazhdon të prodhojë libra që kanë vlerësime të shumta, si në truallin ku ai shkruan, po aq edhe jashtë ku mjaft kritikë kanë folur e flasin me ëndje. Librat e tij me poezi ‘Midis vetmise dhe heshtjes, ‘Precedent’ dhe ‘Fshehja e Lotit’ ishin ata që ndërtuan staturën e tij poetike. Ka përkthyer nga greqishtja vëllimin poetik "Poezi te zgjedhura" të poetit, publicistit dhe gazetarit grek Jorgos Hronas si dhe librin me esse "Vallja e çmendur e Merylin Monroe". Gjithashtu eshte pjesëmarrës në antologjitë poetike "Portat e harresës", "Itaka e fjalës" dhe "Korsi e hapur". Ka botuar vazhdimisht cikle me poezi ne gazetat letrare të tilla si: “Fjala e Lirë”; "Drita", "Fjala", "Nacional", “Shkrimtari”, “Art Jonian”. Gjithashtu ka botuar cikle me poezi në gjuhën greke, norvegjeze dhe gjermane.

Dashamir Malo, me botimin e vëllimit poetik “Fshehja e lotit”, botim i Shtëpisë Botuese “Milosao”, 2006 duket se arriti të konkretizojë pikërisht atë lidhje mes koordinatave të tij që rrekeshin sa në labirinthe spontane aq edhe në skuta të dritëzuara e po aq të hijëzuara jete. Ai pikërisht këtu solli sekretin e fatit të padukshëm, asaj ngjizjeje të paqme me vargun me të cilën ai zbuloi ‘Gjonin’ dhe ‘këngën e vjetër’, ‘malin plak’ apo edhe tejdukshmërinë e gjërave, dhe më pas mes larmisë bojallishe të ‘ylberëve të rremë’ ai solli jetëfaktin e stiluar me penelatë të ndjeshme. Pikërrisht kështu faktori i një vargu të lirë e të bardhë zbriti tek ‘Ylberë të rremë’ si një rekuiem: “mbrëmjeve/dëgjonim një moshatar që qante/mëngjeseve gjithashtu/u rritëm/në sajë të urisë/shpresonim/kjo ishte e vetmja zgjidhje /që na kishte mbetur /dëshirat tona /ishin ylberë të rremë /që i treste koha /prisnim të ktheheshin zogjtë e ëndrrave /ata prej kohësh na kishin braktisur /pritëm /pritëm gjatë /nuk duhet të qanim /vetëm duhet të qeshnim /ndaj dhe qeshnim trishtueshëm /pastaj /pastaj u bëmë të belbër /forma sendesh morën qëniet tona /dita-ditës vdisnim pak e nga pak /dhe dyshonim /shumë e më shumë.” (Malo, “Ylberë të rremë”)

Por edhe pse kjo poezi në një farë mënyre, mes kontekstit dhe metaforave të saj merr një formë të pozisë dramatike, ajo e struk këtë dramaticitet jetik mes një katarsisi të vetë jetës, ku autori zhbiron mes vargut të lirë, por edhe fsheh mes tij, arsyet e një jete që është vetë faktor ushqyes i ndërtimit kompozicional, ku veçoritë e veta që e dallojnë si ‘konflikti’ i arsyes zhvillohet mes njësive e mininjësive të zvogëluara qëllimisht. Kështu një poezi e tillë e lidh akoma më shumë këtë poet me tabanin me të cilin arti jonian ka ndërtuar themelet e veta. Me arsyen e këtyre mininjësive autori skicon mes vargut edhe ‘imazhin’ e një të dashure ku ai shfaqet në udhëtim, në tërë hapësirën ditë-natë: “tek eci i vetëm buzë mbëmjes /dehur prej flladit të luginës /më shfaqet befas para syve /hija jote që shkon tinëz/vërtet je ti që më ndjek pas /a ndoshta është imazhi i rremë /tek më shfaqet në një breg /tek më fshihet në një pemë”. Dhe retorika si një nga pjesët e arsyes stilistike në këtë poezi të Malos, rreket të plotësojë vetë arsyen e dramaticitetit shpirtëror: “por veten pyes: vallë si mund/të dashurohesh me një hije /jepu këmbëve kapiten/nata korb i zi po bie”.

Mes këtij dramaticiteti jetik dhe përshpirtës të Malos, jetësohet edhe miksazhi i sotëm i tij, ku lirakat e tij moderne nuk e përjashtojnë mundësinë e kultivimit edhe më tutje të poezisë tradicionale, madje poezi të tilla të Malos si ‘Bie një shi vjeshte’ e përfshirë në vëllimin e tij të hershëm “Fshehja e lotit” dhe ‘Gjurmët e tua’ publikuar në Sarandë më 17.02.2013 (ora 08 e 21), gjithmonë sipas shënimeve të vetë autorit, janë afër me disa lloje të poezisë tradicionale. Në poezinë moderne të Malos në jo pak raste të tjera gjejmë të përdoret vargu i matur ose disa lloje vargjesh, siç ndodh te soneti etj., që edhe sot shkruhet me ambicie të mëdha poetike. Poezia e Malos, si e tillë, ndiqet dhe ushqehet nga fryma e saj e re, që ndikon tërë poezinë e lëvruar sot në ambiente të tilla ku ndodhen pena si Agim Mato, Timo Mërkuri, Irena Gjoni, Bardhyl Maliqi, Andrea Zarballa, Fotion Dhame, Vangjel Zafirati, Kiço Papa, Katerina Kule, Vullnet Mato, Odisea Gremo, Adriana Dhrami, Kostandin Vogli, Hekuran Halili, Dionis Kola, Sulejman Mato, Thoma Sterjo, Lediona Braho, Zaho Vasili, Guxim Shameti, Xhorxhi Vasili, Vasil Gjivogli, Gavrosh Kavaja, Spiro Kuvarati, Xhorxhi Vasili, Pajtim Çaushi, Abedin Hasani, Vangjel Ppakristo, Vasil Ciko, Halil Shabani, Jorgo Çati, Agim Nelaj, Daut Sheme, Spiro Thomari, Thoma Thimjo, Dionis Qirzidhi, Petro Prifti, Abaz Goxhaj, Murat Aliaj, Ziso Lluci, Ilir Haxhi e mjaft të tjerë që kanë ‘parë’ e ndikuar këtë mjedis edhe mes “Milosaos”, apo arti i Gjergji Rodhes me punimet e tij të arta në dru, portretet e Kostandin Voglit, peisazhet e Lefter Çekos, mjaft artistëve që bëjnë emër dhe gdhendin emrin e tyre në vepra arti, si edhe të rrinjtë si Iris Malo etj.

Tematika e lirikave moderne të Malos, qëllimthi është natyrale mes këtij ambienti të ngjeshur arti. Ato shpesh janë të zakonshme, kurse synimi i tyre shkon që nga loja e fjalëve e deri te përpjekja për të zëvendësuar filozofinë: “Shi i ftohtë shkurti,/por miqësor./Shi elegant./Deti gri,/qielli gri,/mes tyre shpirti im/me një ngjyrë/të papërcaktuar./Më mbulon një mjegull e dëshiruar/kujtimesh./(Kështu më ndodh shpesh/kur bie i tillë shi)./...Se si gushtin që shkoi,/Ti erdhe ranishteve të mia/të nxehta,/këmbëzbathur,/e lakuriqtë në shpirt./S’ka det harrimi që t’i fshijë,/kaqë gjurmë le ti/në shpirtin/tim!” (Sarandë 17.02.2013 (ora 08 e 21). Dhe një varg nga “Bie një shi vjeshte”: “iki pastaj muzgut/tinëz si një hije /bie një shi vjeshte /një shi vjeshte bie’. Këtë determinacion folozofik e ngjeshim më së shumti të pastër e më të qartë tek “Një grua plakë”: “një grua plakë /zgjohet ndaj/të gdhirë /nxitimthi del nga shtëpia /zgjat dorën /një copë gris prej yllit të mëngjesit /një copë /dhe si shami e lidh në kokë /një plakë çemberbardhë /me draprin e hënës në sup /shkon/nëpër ara /të korri vetminë /mbjellë vite e vite më parë”.

Poezia e Malos nuk ka ndryshuar shumë në rrugëtimin e saj. ajo është bërë disi më pjekur, më komplekse në të lëvrimin e figuracionit. Ndjenja e hollë e saj mbetet po aq romantike që shkon deri në kufi të dhembjes e të pikëllimiy, zëvendësohet me ftohtësinë e këmbënguljen për të qenë deri në fund e pakuptimshme. Dhe kjo qëllimisht, se brenda vargut të saj autori Malo, përdor koncepte të largëta e të papritura, që vështirë se krijojnë raport lidhjesh ndërmjet tyre. Për poezinë  etillë të Malos, rëndësi kanë sugjerimet e mundshme, ajo nuk shpjegon, nuk tregon: “nata mbeti murgatore /pa një yll përmbi Dhëmbel /bregu i Vjosës në shelgjishte /gjethe pikëllimi çek.. (“Humbur ti e humbur unë”).

Lirika e madje e tërë krijimtaria poetike e Dashamir Malos, mund të cilësohet si një thyerje e tejdukshme e vargëzimit, ku gjithmonë në letrësi, thyerjet, sado të mëdha të jenë, asnjëherë nuk shkëputen plotësisht nga tradita. Poezia e tij, si e tillë është mbështetur në arritjet poetike të një tradite të gjatë e të njohur, vëçanërisht atë greke, ku në disa raste leximi është i këndshëm. Autori ka prurë mes artit të tij të fjalës më të mundshmen e duhur për të bërë lexuesin të besojë, e të mos ‘dyzojë’ në konceptimin dhe perceptimin figurativ të tij, edhe kur në vargun e tij ndodh që edhe ‘nata mbeti murgatore’ dhe ‘pa një yll përmbi Dhëmbel’.

 

Comments (1 posted):

Brikena Qama on 15/04/2013 07:59:29
avatar
Faleminderit z. Terziu qe na ofrove kete levrim objektiv mbi poezine dhe krijimtarine e D.Malos. Nuk eshte e rastesishme qe pena juaj te shkruaj per penen e tij.
Pershendetje!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1