Newsletter
Email:
Poll: ROMAN APO NOVELE?
A DUHET QE EDHE NE GJUHEN SHQIPE TE KETE VETEM NJE EMER?
Home | ANALIZA | Shtitrimi poetik, e veçanta e vargut të Lleshanakut

Shtitrimi poetik, e veçanta e vargut të Lleshanakut

Font size: Decrease font Enlarge font

 


 

Luljeta Lleshanaku ka hyrë në arkitekturën e poezisë me një emër tipik. Tipologjia e poezisë së saj është pikërisht ajo veçori që qëmton deri në detaj shtitrimin e vargut, atë kontekst që vjen sa nga folja me kuptimet ‘pajis, ndriçoj’ po aq edhe nga nënkuptimi që prodhon filozofia e vargut të poetes mes amplitudave të tejdukshme të strukura ‘shpirtërisht dhe mendërisht’. Kështu do të lexohej në fakt vetë kjo pjesë e arkitekturës poetike të vargut të poetes shqiptare, teksa koncepti i Ashtës për ‘sensin dhe logjikën’ i krijuar nga kalimtarja e ‘shtitroj’ do të na mundësonte të krijonim më shumë koncept për vetë anatominë e vargut të poetes në ‘hapësirë, kohë dhe vend’ (Heidegger, 1975: 63-64). Leximi sinonim Heideggerian kapërcen paksa metafizikën e subjektit dhe depërton më shumë se sa koncepti i Kolë Ashtës për ‘prodhimin dramatik të poezisë’ (Ashta, 1941: 77-83). Në këtë kontekst lexojmë ndryshe nga qasjet e deritanishme me vargun dhe poezinë e Lleshanakut, madje në të pacekurën e poezisë së saj krijojmë boshtin me të cilin duhet lexuar dhe kategorizuar kjo poezi dhe vetë emri i saj në arkitekturën poetike shqiptare. Termat ‘individualitet’; ‘mëvetësi’; ‘e veçantë’; ‘ndër poetet më të mira’ apo edhe të tjera që rrethrotullojnë aksin e thënieve, natyrshëm jashtëstrukturohen nga kjo ide. Normalisht poezia është ajo që shkon në shtratin e duhur të saj. Emri i poetes është ai që kalon në rendin e duhur. Kur Heidegger na dikton në mendimin e tij termin ‘createdness’, pra termin e lidhur me shpirtësinë e mendimit, në poezi dhe gjuhë, po aq edhe në vetë mendimin si tipar aspektual, që në shqip mund të përmblidhet përafërsisht në kuptimin ‘cilësia ose gjendja e të qenit’ është ajo anë me të cilën struktura shtitrim e shpirtit poetik dhe mendimit filozofik formëzojnë enigmën e leximit dhe kuptimit të vetë vargut në poezinë e Lleshanakut. Poezia “Misteri i lutjeve” është vetë ‘cilësia e të qenit’ ose ‘gjendja’ me të cilën flet vargu shpirtërisht dhe kategorizohet si i tillë mendërisht në tërë prezencën njerëzore. Familja është elementi i kësaj përfshirjeje. Ajo është strukturë, metafizikë, prekje, dhimbje, torturë, kapërcim rritje, zbritje, përshpirtje, kompletësi dhe difuzion përqasjesh, por mbi të gjitha është një strukturë ku devijohen dhe përhumbin gjërat për hir të ambientit (ky me tërë kompleksitetin e gjërave ndikuese, formuese e shkatëruese, të diktimit dhe shpërfytyrimit), aty ku njeriu ikën nga pasqyra e realitetit, aty ku edhe ndodh që familja merr kënd tjetër në vetë rolin e saj historik ‘familje’. Kjo familje është jo-individuale, aspak ‘mëvetësi’ as ndonjë ‘e veçantë’, por një metaforë për të shkulur dritëhijen që e shemb deri në dhimbje atë koordinatë për të qenë familje. Në këtë familiaritet leximi global bëhet detyrë, ndërsa tipologjia e shtitrimit kalon ngadalë e ngadalë deri në përsosje: “Në familjen time/lutjet bëheshin fshehtas/me zë të ulët, me një hundë të skuqur nën jorgan,/gati mërmëritje,/me një psherëtimë në fillim dhe fund/të hollë, e të pastër si një garzë.” Kjo është ana tjetër e leximit, ana që kapërcen tepricën dhe seleksionon me imtësi të duhurën e frytshme, frutin e vargut me të cilin gatuhet deri në leximin më të pastër shpirtëror edhe ekuivalenca e gjeografisë, apo metafizikës së materiales, në këtë rast ‘shtëpisë’ si produkt me të cilin shpeshherë ngatërrohet nocioni i familjes. Pikërisht nëkëtë metafizikë lexojmë fatin e vetë shtëpisë, fatin e saj dhe të familjes ‘përreth shtëpisë’, kuptojmë shkallët si metafora ku ulet e ngrihet fati i jetës së strukur brenda mureve, ose më saktë fati i ‘një palë shkallë për t‘u ngjitur’ që në brendësi të strukturës na japin produktin e dashur për lexuesin e përhumbur mes simbolikave dhe mirëkuptimeve figurative ku lexohet thjeshtësia e varfërisë, por edhe qëmtohet me dhimbje e prekshmja e kësaj varfërie që mes përsëritjes së stinës së shirave natyrshëm është vetë pas-yrra [ja] ose pas-urraja e kohës: “Përreth shtëpisë,/kishte vetëm një palë shkallë për t‘u ngjitur/ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,/për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.” Koha në këtë pasqyrë poetike është fakti më sublim i përhumbjes së detyruar, është fati i jetës dhe i vetë metaforave të saj që e bëjnë këtë jetë, të jetë pushtet ‘maskulin’ me fytyra të gozhduara që kanë përpos kësaj kohe autoritetin e vetëm të ‘hypjes dhe zbritjes’ në ato shkallë. Pra burrat në leximin e Lleshanakut janë ajo pjesë e zvetëninisë, ajo zëvendësi diktate e fuqisë me të cilën zvetënohet vetë kuptimi dhe lidhja shpirtërore me jetën, ajo pjesë e një sistemi të sëmurë, ajo pjesë maskuline që konkretizon shiatikun e dhimbjes deri në kockë: “Në vend të engjëjve,/hipnin e zbritnin burra/që vuanin nga shiatiku.”

Në hapësirën e vargut të Lleshanakut koha si element i mëvetësishëm ka një ngjyrim tipologjik. Elementi i këtij ngjyrimi nuk janë vetëm pjesëtërësitë e vetë kohës, as vetëm njerëzit si përmbushës të saj, por argumentet dhe lidhjet shpirtërore me ditët në veçanti. Lleshanaku i lexon ose i rilexon këmbanat e së dielës edhe në aspektin e tyre të përgjithshëm, por edhe i ristrukturon në shtitrim të duhur e të qetë, si lidhje adekuate me filozofinë e ardhjes dhe ikjes, kujtesës që riskon suplementin jetë njerëzore: “Shpirti im/përplaset si gjuhëza/në faqet metalike të këmbanës./E dëgjoni/është këmbana e së dielës/është këmbana e meshës së madhe të së dielës/kur njerëzit dëgjojnë predikimet për një jetë/të pamëkat/dhe kujtohen të çojnë lule në varreza” (Lleshanaku: Këmbanat e së dielës).

Më herët në poezinë e lartcituar “Misteri i lutjeve” kjo përkitje kohore e mëvetësishme merr kuptim të përditësisë, të kuptimit me shikimin sy më sy, por edhe pse nuk fiksohet si një ditë e veçantë, e veçanta e saj është ligjësia e përshpirtjes, ligjësia e ndërlidhjes me krijuesin, Zotin: “Ata luteshin duke u shikuar sy më sy me Të,/si në një marrëveshje kryezotësh/duke kërkuar nje shtyrje afati./„Zot, me jep forcë!” e asgjë më shumë,/se ishin pasardhësit e Esaut,/të bekuar, me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit,/-shpatën./Në shtëpinë time/lutja ishte një dobësi,/që nuk përflitej kurrë,/si të bërit dashuri./Dhe njësoj/si të bërit dashuri/pasohej nga nata e frikshme e trupit.”

Duke lexuar këtë lidhje mes dy poezive të sipërpërmendura, një lidhje e tërthortë të shpie tek koncepti i Rosolino Petrottas ‘manuscruci’ (në dialektin siçilian: duar të kryqëzuara), pra në një argument që na jep forcën e kuptimit të kësaj disimetrie vargore mes jetës dhe përshpirtjes për të dhe ligjësitë e saj, nën duar të kryqëzuara nga koha në të cilën fati i poetes lexonte mesazhet e simbolikat e fshehta, por të diktuara nga tërë efekti i një familje me kuptim dhe jetëdhënie për të. Këta duar të heshtur, të strukur apo të zvetënuar nën autoritarizëm, natyrshëm lexohen në derivatin e tyre edhe tek “Në vendin pa emër”. Aty leximi është kompleks më vete. Aty emri i munguar i një statusi gjeografik, agjëja ër të dhunuar, mungesa e çelësave, qytetet pa reklama, janë natyrisht produkti i një stine që prodhoi ‘manuscruci’. Dhe në vargun e Lleshanakut ky lloj leximi të përhumb: “Nuk është nevoja të mbushësh ndonjë formular/e të japësh me bezdi gjurmët e gishtave./Asnjë i huaj nuk ka ç’të dhunojë/atje ku gjithçka është e ndërtuar me frymë;/dhe gurët për tempujt janë sjellë nga larg, me kilometra ndoshta/për të shijuar gjeometrinë e hijeve./Nuk ka vrima çelësash, çfarë mund të vjedhësh/atje, në qytet-shtetin e poetëve të vdekur?/Si leukoplaste mbi vetulla pas zënkave djaloshare/hiqen veç të lagura, kutitë e postës./Qytete pa reklama. Pa gra të bukura me buzëqeshje/anti-karie. Por, rrugë, rrugë që synojnë drejt periferisë,/kufinjve të njohjes- diktaturën e një fije bari./Ngjatjetoj. Nuk më kthehet./Çfarë kuptimi ka t’i urosh mbarësi/atij që lind dhe vdes brenda një dite, a ndoshta brenda një ore?/Ja, ku janë, të gjithë, mbi tavolinën time të punës,/në kopertinat e prapme, fotografitë e tyre të bëra posaçërisht,/kopështi i Edenit në sfond,/ngjitur si faturat pas rrobave të varura në pastrimin kimik./Dhe në fund, çuditërisht nuk di të tregoj emrin e atij vendi/siç nuk ka emër një komb pa martirë./Dezertorë po, të damkosur, si dezertorët spartanë/me gjysmën e rruar të fytyrës,/paqe me dritën dhe errësirën, njëherazi...”

Përhumbja në poezinë e Lleshanakut është faktor më vete. Është një përhumbje dimensionale. Krijohet nga mori faktorësh të lidhur me të. Por, është edhe një përhumbje që vjen nga dëshira për të rilexuar dhe krijuar konceptin e duhur të leximit në varg dhe kuptimit të jetës mes tij. Jeta është përqasja më sublime në një poezi të tillë, por që krijohen herë-herë shtigje të pashkelura. Luljeta Lleshanaku ka lindur në Elbasan, më 2 Prill 1968. Është diplomuar ne Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë-Letërsi (1997). Ndjek Programin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, Universiteti i Iowa-s, SHBA (1999) si Honorary Fellow in Writing.

Botimet e saj janë:  Sytë e somnambulës” (1993);  Këmbanat e së djelës” (1994); “Gjysëmkubizëm” (1996); “Antipastorale” (1999); “Palca e verdhë” (2000); “Fresco” (“New Directions”, SHBA, 2002); “Arti i joshjes” (2005); “Fëmijët e natyrës” (2006);  “Antipastorale” (LietoColle, Itali 2006); “World beat”, Anthology, - international poetry now, (Neë Directions, SHBA, 2006)

Botime te pjesshme:

"Grand Street", "Iowa review", "Modern poetry in translation", "New letters", "Fence", "Seneca revieë", "Quarterly west", "Pool", "Words without border", “Perihelion” etj, në ShBA, si edhe në “Europe” France;“Berliner Morgenpost”, Gjermani; “Assylium” në Greqi, etj. E pranishme në të gjitha antologjitë e poezisë moderne shqipe në gjuhë të huaj.

Çmime Letrare:

- Çmimin “International Vision prize” ( Sh.B.A, 1996)

- Çmimin per Librin më të Mirë të Vitit,  Eurorilindja (1996)

- Çmimin kombëtar “Penda e Argjendte” (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 2000)

- Fituese në konkursin kombëtar të prozës “Europa, atdheu ynë i përbashkët” (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 2004)

Kanë thënë për Luljeta Lleshanakun

„ Fëmija që pagoi për mëkatet politike të prindërve të saj në Shqipërinë e Enver Hoxhës; nje poete e re e cila duket sikur ka njëqind vjet që shkruan në një gjuhë që shkruhet vetëm prej njëqind vjetësh; një poete liriko-erotike në rrënojat e shtetit.. Luljeta Lleshanaku është e vërteta, dhe po kaq e paparashikueshme si një oaz pas një mali në Hënë“.

- ELIOT WEINBERGER

“Pra, një nga elementët që e dallon poezinë e Luljeta Lleshanakut nga të tjerat është mungesa e ndonjë komenti politik apo social. Larmia e pashoq e tematikës së poezisë së saj, që shmang reagimet sempliste ndaj të kaluarës së tmerrshme dhe të tashmes dhe të ardhmes të pasigurt, ndoshta përbën një nga cilësitë që ju siguron veprave të saj një vend ndër klasikët bashkëkohorë të letërsisë botërore. Ajo ju flet intimisht lexuesve, gjë që përbën tiparin dallues të poetëve të vërtetë, të aftë të tejkalojnë çdo kohë e kulturë.”

- PETER CONSTANDINE

“Këto poezi impresionuese mbartin një forcë shumë të ngjashme me sythet e para të pranverës , një shenjë të mbijetesës dhe jetes ngulmuese. Në ketë botë njerzore çoroditëse, një përcaktim i tillë i qartë, provon edhe një herë të vertetën tone të përbashkët. Luljeta Lleshanaku na flet të gjithëve”

-  ROBERT CREELEY

„Për lexuesin amerikan, nuk ka asgjë të huaj tek veçoritë poetike të poetes shqiptare Luljeta Lleshanaku. Ajo është një poete e dashurisë. Por, këtu ka një ndryshim; ajo bën qartësimin se çfarë do të thotë të jetosh në një botë të dhunshme dhe të korruptuar që depërton në botën private dhe tradhëton çdo intimitet. Vepra e saj poetike kundërshton të gjithë “të vërtetën” publike. “Fresco” është një libër i një inteligjence konstruktive radikale.”

- ALLEN GROSSMAN

Dukë përfunduar në këtë prognozë analitike të përzgjedhur të vargut të Lleshanakut, duke hyrë mes dimensioneve poetike të poetes, natyrishit duke patur një ide të plotë mes leximit të saj, ajo që duhet theksuar është vetë dihatja e prodhuar nga filozofia e vargut. Në këtë kontekst edhe vlerësimet e të huajve të letrave për poeten shqiptare janë ajo pjesë me të cilën leximi i poezisë së saj kapërcen kufijtë. Poezia e saj e përkthyer dhe e lexuar në disa gjuhë të Botës, po aq edhe ‘oreksi’ për ta përfshirë atë në mjaft antologji, apo dhe së fundi për ta renditur atë si një ndër poetet më të vlerësuara në rajon e më gjerë, na detyron të diktojmë rëndësinë e studimit më të thellë të poezisë së Lleshanakut, ose më tej të propozimit për një vend major në pozitën e arkitekturës më të arirë poetike. Lajmi që mjaft poezi të saj do të flasin shumë shpejt edhe në disa gjuhë të Ballkanit, përfshirë gjuhën greke e shton akoma më shumë këtë propozim, kur dihet se kërkesa e përkthimit të poezisë së Lleshanakut është institucionale, pra ndryshe nga variacionet e tjera të rëndomta të kohëve të fundit. 

 

Subscribe to comments feed Comments (6 posted):

petraq risto on 19/02/2012 11:32:45
avatar
Fatmir, urime per kete ese per poeteshen tashme te njohur Luljeta Lleshanaku, e cila me sizmicitetin e vargut te saj ka krijuar termete jo vetem ne truallin tone letrar, por edhe ne ate boteror. Si gjithmne dhe ne kete ese ti me gjuhen tende origjinale ke analizuar me mjeshteri poezine e Luljetes, se ciles, gjithashtu, i nepermjet ketij shenimi, i uroj suksese!
Thumbs Up Thumbs Down
1
faruk myrtaj on 19/02/2012 13:27:45
avatar
Lleshanaku si imazh rrezesh lazer

Duke iu bashkuar perqartesimeve te Fatmirit qe-sipas Agim Matos- behet Terzi, kur bjè ne stof te mire, rasti Luljeta Lleshanaku ne poezi eshte thjesht natyrshmeri e dukjes se rrjedhes se brendshme te qemoteshme.

Si deshmitar i hershem i mekembjes dhe madhimit te ndjeshem te saj, ndihem mire qe bashkshoqerimi estetik dhe filozofik me prozatorin e talentuar Lazer Stani rezultoi cilesisht i frytshem ne plan shume me te gjere krijues.

faruk myrtaj
Thumbs Up Thumbs Down
0
Kozeta Zylo on 20/02/2012 02:09:33
avatar
Fatmir e cmoj analizen qe keni sjelle per poeten LLeshanaku, qe i ka kaluar kufijte me vargun e saj aq te ndjeshem! Ja vlen kur behet perzgjedhja ne analiza si dhe ne lexime! Koha eshte shume e cmuar, por kur e perzgjedhim per shfrytezim, behet dhe me e cmuar, si ne rastin ne fjale. Urime per ju dhe Lleshanakun.

Kozeta Zylo
Thumbs Up Thumbs Down
0
on 20/02/2012 07:09:11
avatar
i kam lexuar te dy, por leshanaku eshte nje kalerim deshirash. besoj se Stani ka perfituar me teper, nga cdo garim i radhes...
Thumbs Up Thumbs Down
0
Timo on 21/02/2012 07:52:51
avatar
Bashkohem me vleresimin e z Fatmir per vlerat artistike te poetes Lleshanaku, te ciles i uroj sukese perzemersisht. Ka vertet nje poezi jetesore.Urime
Thumbs Up Thumbs Down
0
Adem on 08/03/2012 11:02:20
avatar
Fatmir Terziu, kam vetëm një urim për ju. URIME PËR LESHANAKUN DHE PËR JU ZOTËRI I PAÇMUAR VETËM TË MDHENJTË SHKRUAJNË PËR TË MËDHENJTË. ME SHUMË MRESPEKT Adem Zaplluzha
Thumbs Up Thumbs Down
0

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.86
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1