Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | FJALA | Homazh shkrimtarit MAKU PONE

Homazh shkrimtarit MAKU PONE

image Homazh shkrimtarit MAKU PONE

   Homazh shkrimtarit MAKU  PONE

 

         Më goditi e trishtoj pa masë njoftimi i papritur për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e mikut të çmuar Maku Pone. E ndjej këtë edhe më shumë nga largësia dhe mërgimi, i cili bëri të shiheshim e takoheshim rrallë. 

         Ka qenë pasioni i madh për letërsinë ai që na njohu e bëri miq qyshë herët. Janë të pafundme çastet kur bashkë kemi shijuar kënaqësinë e  krijimit, bashkëbisedimit për librat e për të depërtuar në labirintet e enigmat e mjeshtërisë të  të shkruarit. Në këtë drejtim  Maku më ka ndihmuar bujarisht me përvojën dhe  kulturën e tij tepër të gjerë. 

          Dhe jo vetëm mua. Siç dihet gatishmëria e tij  për t’i  përkrahur e nxitur të rinjtë ka qenë proverbiale. Kishte një shpirt bujar , të gjerë, të butë, më pëlqen të them, si vetë fusha e Myzeqesë, bukurisë të së cilës i këndoi me aq lirizëm;  kishte fjalën e mençur e të sinqert. 

            Këto cilësi të larta njerëzore nuk i humbi as kur kreu detyra të rëndësishme. Kam patur fatin ta kisha epror, kryeredaktor, kur punoja gazetar. Unë dhe kolegët shikonim me respekt të shtuar që ai thjeshtësisht nuk e theksonte distancën. Si gjithë të diturit, edhe tek ai nuk gjente vend arroganca, shtypja, presioni, hakmarrja, që rëndomë i demonstron posti e autoriteti. 

             Intelektual i kompletuar, kurdoherë ishte në anën e progresit e vlerave më të larta, për të cilat na nxiste dhe ne t’i arrinim. 

             Me kërkesat e vullnetin e jashtëzakonshëm që e karakterizonte realizoi mrekullisht një korpus të tërë veprash të spikatura në poezi, prozë, dramë, publiçistikë, që ia nderojnë emrin dhe e pasurojnë letërsinë tonë. 

              Sa herë  do t’i lexojmë e shikojmë ato në skenë do takohemi, bashkëbisedojmë e çmallemi me  Makun tonë të dashur. Udhë të mbarë mik në rrugëtimin e gjatë për në parajsë! Dritë t’u bëftë gjithçka!  

                 Është e vështirë kjo ditë për të gjithë ne miqtë, kolegët, bashkëqytetarët e dashamirësit e Makut, por është shumë më tepër  e vështirë për  zonjën Liri, djalin, vajzën e gjithë familjarët, të cilëve iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Comments (3 posted):

faruk myrtaj on 11/07/2019 02:10:56
avatar
Ashtu e mbaj mend edhe une Kozma. Mbase aty jemi takuar edhe bashke...

Dihet, Njeriu iken i paplote,
i panginjur me njeriun mbetet
prej drites lindet e rritet
neteve mbyllet e tretet...

Njeri me kulture, edhe me te eperme
se vet te shkruarat e tij,Maku Pone
e dhuronte, e shperndante sa me shume
ne mos-kohen e lirise, letersi te madhe te lire...

Kishte marre vesh, mbase edhe me perpara se une, qe mu dha e drejta per te shkuar ne Universitet dhe me motorin e telekronistit te gazetes, ne s'gaboj me fat te keq me pas, erdhi deri ne Selenice te me uronte...!
Kozma Gjergji on 12/07/2019 12:54:47
avatar
I nderuari z.Myrtaj! Ashtu ka ndodhur : Më kishte thënë Maku, se do takoheshim me një talent të ri (me ty). Për mua s’përbënte ndonjë kuriozitet, se ishim përditë të invaduar (brenda e jashtë redaksisë) nga një lukuni e tërë krijuesish “kallamishte dhe baltë “.Por çuditërisht doli krejt ndryshe : Teksa pinim kafenë të tre, u surprizova nga tufëza e vjershave që na dhe, tek të cilat shquante një konceptim dhe figuracion i freskët e origjinal. Sidomos njëra më mbeti në mendje :Bënte fjalë për një shtëpi ku lulëzonte një bukuri a dashuri, për të cilën fanatizmi kujdesej shumë ta ruante, duke ngritur sa më lartë mure rrethues prej trëndafilash të egër…
Nuk është momenti të flasim për krijimtarinë. T’u përgjigja për të të thënë pse ende e mbaj mend atë takim dhe mbi të gjitha për të falederuar fisnikërinë tënde për Makun.
myslim maska on 16/07/2019 21:03:19
avatar
Faleminderit Kozma, faleminderit Faruk, per vleresimin qe i beni figures te Maku Pones. Maku edhe per mua ishte dhe do te mbetet nje mik teper i nderuar dhe i respektuar ne jeten time.
Nje nga figurat me te shquara letrare ne plan kombetar, jo vetem ne poezi dhe dramaturgji, por dhe ne proze, per te rritur dhe femije. Skenarist, publicist, gazetar i mirfillte.
Nderime! Drite e paste... ngushellime te thella familjes.
MYSLIM MASKA.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1