Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | FJALA | Meditim për “njeriun redaksi” Tuni Papuçiu

Meditim për “njeriun redaksi” Tuni Papuçiu

Font size: Decrease font Enlarge font
image Meditim për “njeriun redaksi” Tuni Papuçiu

Meditim për “njeriun redaksi” Tuni Papuçiu

Alfred Papuçiu

“Më 3 qershor në Shkodër kishte ndodhur vdekja e papritur e Tuni Papuçiut, vëllait të vetëm të Pandorës, shkruan në librin e tij “Nëpër rravat e jetës”, Profesor Bedri Dedja. Kjo qe një goditje shumë e rëndë, pasi Tunin nuk e kisha patur vetëm kunat, por edhe shok, edhe bashkëpunëtor në revistën “Fatosi”. Tuni ishte një njeri që meritonte të qahej me kujë, ishte një figurë me reputacion të madh, një flori me shpirt njeriu, që mbaroi në duart e miqve tanë të dashur, Lajde Staku dhe Xhevat Beqaraj”.

Ai u largua nga kjo botë shumë shpejt, në 3 qershor të vitit 1975, në moshën 53 vjeçare. Në Shkodër, midis miqsh e dashamirës që i donte dhe e donin. Iku, megjithëse të dashurit e tij do të donin ta kishin shumë më tepër pranë tyre, për të dëgjuar zërin e tij melodioz që i jepte jetë darkave midis miqsh, dasmave të të afërmve, gëzimit të afrimit të një Viti të Ri midis komshinjve. Shpesh thoshte midis miqsh: “Nuk i dua ata që flasin keq për të tjerët, sepse më duket se u mungon dashamirësia, zgjuarsia dhe mirëkuptimi”…Mendoj gjithmonë për babanë aq modest, me karakter dhe me atë buzëqeshjen e tij karakteristike që i dilte nga shpirti.

E kam gjithmonë parasysh: ishte i pashëm, me ato flokët e gjata që shpesh i drejtonte prapa. Dhe pyes veten, pse ishte aq i bukur me pamjen e tij ëngjëllore? Kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, 20 vjeç, apo pesëdhjetë e dy, kur shoh fotografitë e fëmijërisë së tij. Kjo pyetje vlen për të gjithë bijtë e baballarëve dhe në fakt ne nuk i dimë të gjitha të fshehtat e tyre.

E pëlqente natyrën, lulet dhe sidomos manjolat, qëndronte shpesh për të parë horizontin dhe buzëqeshte. Ishte besnik ndaj vetes, tepër fisnik, i qartë në mendimet dhe logjikën e tij. Pranonte mendimet e kundërta, pa dashur t’i «vrasë» bashkëbiseduesit, gjithmonë me dëshirën e mirë, politesën, drejtësinë. Nuk i gjykonte dashakeqët e paktë, nuk i përçmonte, por i linte të gjykonin vetë dhe të ktheheshin në rrugë të drejtë: kjo dhunti dua të jetë edhe e jotja mik, e jona, përjetësisht midis nesh…

Ai lindi në Fier.  I ati kishte 5 vajza, ishte arsimdashës dhe duke njohur inteligjencën e të birit që në moshën dhjetë vjeç e çoi në Tiranë për studime, pasi Fieri, vendlindja e tij, në ato vite kishte vetëm shkollë fillore. Tuni pothuajse u rrit në Tiranë. I kreu studimet me shpenzimet e të jatit i cili  shkonte e shihte për të ndjekur ecurinë e tij. Shpesh me bujarinë që e karakterizonte ndihmonte edhe shokët konviktorë të të birit. Siç tregon e motra e Tunit, Pandora Dedja: “Në familje shpërthente gëzimi i madh kur Tuni kthehej në pushime pranë nesh. Me vete gjithnjë do të sillte libra, ato vepra të pakta origjinale dhe përkthime që botoheshin në atë kohë.  Kështu që në shtëpinë tone u krijua një bibliotekë e pasur për kohën, e cila na dha mundësi të lexonim. Fillimisht në netët e gjata të dimrit mblidheshim rreth vatrës dhe ne më të vegjëlve na i lexonte motra e dytë, e treta nga fëmijët Ksanthipi…Megjithëse Tuni u rrit me të gjitha të mirat nga prindërit, ai nuk e shpërdoroi asnjëherë përkujdesjen e tyre, përkundrazi, ai qe gjer në fund të jetës mbeti njeri shumë i dhemsur për familjen e vet, për prindërit, për motrat dhe kjo sjellje e bëri shumë të dashur jo vetëm për të afërmit e tij, por edhe për miqtë e shokët.

Në librin e tij patrioti Tafil Boletini, nga Kosova, i afërm i Isa Boletinit dhe mikut tim profesor Enis Boletinit, ndër të tjera shkruan për kohën që ishte prefekt në Fierdhe për të jatin e Tunit, Peçin: “ Si çështje kryesore e me qejf, në qendër të vëmendjes kisha ngrehjen e lagjes “Liri ” (Bishanak). Dhe tue pa se akulli u thye dhe ngrehjen e shpijave populli e ka marr me zell, gati çdo ditë me plan në dorë shkojsha për me i tregue parcelat e me iu nda troje. Por u prekën shumë. Bejlerët e Fierit, veçanërisht nga leja që iu dhashë Vangjel Lulës me hap dyqan e furrë pranë shpisë dhe Peçi Papuçiut me hapë dyqan këpucarie në Bishanak, sepse kjo gja damtonte monopolin e tregut të tyne dhe populli dita më ditë shkonte tue u kurajue e po largohej nga influenca e tyre. Populli i Fierit, ndonëse i butë e i dindun, ka pasë edhe asi burrash që nuk iu janë nënshtrue bejlerëve…

Më poshtë Tafil Boletini vazhdon:” Në nji rast me Sami Begun kemi pasë një polemikë të gjatë, bile në prezencë të dr. Musa Delvinës. Në mes të tjerash, me fjalë të ambla, më ceku punën e nji shpije…Pastaj ai vazhdoi : ”Në je burrë, ma thuej sinqerisht e haptazi, pse e me çfarë qëllimi po na damton kaq shumë?. “ Qe, besa, vetëm pse e quej për detyrë njerëzore që edhe populli i Fierit të ketë banimet e veta e mos t’u paguaj gjithmonë qira juve që e keni komplet nji qytet e shumë çifliqe me mijëra hektarë tokë. Kurrgja tjetër ”.

U çudit: « Domethanë, e keni vetëm për të drejtë të perëndisë?” Atëhere unë:”More, Sami Beg, çfarë interesi mund të kem prej Peçi Papuçiut që s’ka për veti, apo prej Vangjel Lules, që furrë e dyqan i ka ba me ndihmën e Taq Bozos e të Nazmi Skëndulit e të Elmaz efendi Poces? Të isha i interesit edhe ju do të më kishit kuptue deri tash”.
Familja e Tunit dhe gjithë fisi ishin të lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dy nga dera e Papuçinjve, Miço dhe Loni Papuçiu ranë dëshmorë. Në radhët partizane ishte dhe një nga motrat e tij, Olimbia, atëhere vetëm 16-të vjeçare. Edhe Tuni, megjithëse i vetëm midis pesë motrave u rreshtua në radhët partizane. Në familjen e babait, për gati tre muaj u strehua një partizan, i cili më vonë erdhi përsëri në shtëpi, për të shprehur ndjenjat e respektit për përkujdesjet e treguara.

 

Megjithëse kishte një diferencë të madhe moshe, mbi njëzetë e pesë vjetë, me dajën e vet, Vangjel Lulen, një fanolist demokrat, njeri me horizont të gjerë, njohës i disa gjuhëve të huaja, me të mbante një letërkëmbim të rregullt. Daja e donte shumë Tunin dhe Tuni dajën, prandaj për çdo gjë këshilloheshin me njeri tjetrin, sikur të ishin shokë të një moshe..Vetë Tuni u formua si gazetar gjatë Luftës, kur nxori « Përpjekjen e Rinisë ». në Sevaster të Vlorës, bashkë Jakov Xoxën e paharruar. Ishte një nga familjet më të dëgjuara në Fier dhe që përmendet me dashuri e ngrohtësi nga shkrimtari fierak Jakov Xoxa tek romani disa vëllimesh “ Lumi i vdekur“. „Përpjekja e Rinisë“, ekzemplarë të së cilës i ruaj me kujdes në arkivin tim, siç e përmenda më sipër, u bë fryt i punës së përbashkët me shkrimtarin Jakov Xoxa, të cilin edhe unë më pas e kam takuar shpesh herë kur qëndronte në Apolloni, por edhe në ditët e fundit të jetës së tij kur kurohej në pavionin 12 të Spitalit të Tiranës e ne bisedonim për letërsinë dhe Fierin tonë të dashur dhe me njerëz të mirë e të thjeshtë, mikpritës të gjirokastritëve por edhe të trevave të tjera nga Shqipëria dhe Kosova.
 
Tuni, gazetari në moshë të re, 22 vjeçar, në 1945 u bë kryeredaktori i parë i « Sportit » dhe më 1946, bashkë me Anton Mazrekun fisnik mbushën faqet e gazetës me njoftime tepër domethënëse për solidaritetin e sportistëve tanë që arritën të zinin vendin e parë në Ballkaniadë, me Loro Boriçin në ballë. Gazetari Besnik Dizdari e përmend në botimet e tij si veteran të sportit shqiptar. Nëna më thotë se kur isha fare i vogël, babai më merrte me vete tek studio e stadiumit « Qemal Stafa » ku shoku i tij fisnik Andon Mazreku transmetonte ndeshjet e futbollit dhe Tuni përgatiste kronikat për gazetën.
Në atë Ballkaniadë të paharruar do të gjendej gjithmonë përkrah Andon Mazrekut, siç e tregojnë dhe fotografitë bashkëlidhur, për të përjetuar emocionet e fitores së parë ballkanike për Shqipërinë, që solli Loro Boriçi (1922 – 1984), kapiteni, simboli dhe legjenda  e futbollit shqiptar. Shumë shprehëse dhe e paharruar është fotografia kur ekipi i futbollit doli kampion i Ballkanit dhe të gjithë, im atë, Andoni, Loro Boriçi dhe ekipi kanë dalë tepër të entuziazmuar për atë fitore të merituar. Më tej punoi 12 vjet natën në gazetë, më tepër si i « freskët », ku humbi dhe njerin sy, por me karakter gazmor dhe shokët e tij që rrojnë akoma kujtojnë me nostalgji ato mbrëmje madhështore të viteve 50-të, ku Tuni këndonte këngë të trevës së tij. Në Institutin e Folklorit dorëzoi një fletore të madhe me të gjitha këngët myzeqare, që i këndonte vetë aq bukur. Deri sa vdiq, organizoi lexime letrare duke shkuar tek lexuesit, bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, realizoi botime të vetat dhe të miqve të tij, afroi rreth vetes autorë që ishin të shquar apo që shpejt u bënë të shquar. Shkrimtar por mbi të gjitha njeri dhe qytetar, i tillë që portreti i tij mbetet mallëngjyes, pasqyrë e epokës që jetoi. 
Sa herë jemi ulur sëbashku për të punuar mbi bocat e revistës, pothuajse rregullisht për çdo numur, e gjithmonë dashamirët e shtypshkronjës kur shihnin se maketi ishte gati, i bënin vend  me kënaqësi për nxjerrjen e saj me prioritet. Ishte më i fortë se vuajtja, i thjeshtë, këndonte ashtu pak melankolik nga hallet e jetës, por pranonte i lumtur jetën siç ishte, i lirë, i pavarur, besnik i shoqërisë dhe i të afërmve që i donte aq shumë. Mbi të gjitha ishte i ndershëm dhe krenar dhe ashtu mbeti deri në fund të jetës së tij të shkurtër. Për 17 vjet rresht, nga 1959 deri sa vdiq në fillim të qershorit 1975, fillimisht vetëm, për 11 vjet, pastaj me një kolektiv tepër të vogël, nxorri revistën « Fatosi ». Faqet e « Fatosit » ishin të mbushura me vizatime e ilustrime të piktorëve të rinj që hapat e para i kanë nisur ndoshta tek kjo revistë që botohej në fillimet e veta nga i vetmi redaktor përgjegjës, Tuni. Revista kishte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, nxënës, por edhe shkrimtarë të dëgjuar që Tuni i afroi rreth vetes. Sa herë shkonte tek Safo Marko për të krijuar një ilustrim të bukur që t’i joshte fëmijët. Aty qëndronte dhe bisedonte edhe me Petro Markon e madh që kishte një shpirt të pastër por që mbeti « një rebel », krenar që nuk i pranonte meskinitetet dhe njerëzit e ngushtë. Shtëpia e Petro Markos pranë maternitetit ishte e mbushur me pikturat e bukura të piktores së shquar, gruas së tij Safos, e cila bashkë me piktorin e merituar Agim Faja kishin përparësinë në revistën « Fatosi ». Ai ofroi rreth saj pena të njohura që i dhanë hov letërsisë për fëmijë, Dritëro Agollin, Petro Markon, Kolë Jakovën, Bedri Deden, Odhise Grillon, Nasho Jorgaqin, Xhevat Beqaraj, Helena Kadarenë, Lajde Stakun, Shpresa Vreton, Skënder Drinin, Prof. Aleko Minga, Prof. Petrit Skende, Prof. Mina Naqe etj. Ai ka pasur temperament të gjallë.  Profesor Alfred Uçi e ka cilësuar Tunin si « njeri të pazëvendësueshëm ». Ishte idealist dhe besonte se një ditë do të fitonte e drejta, mirësia, solidariteti, do të zhdukeshin meskinët dhe do të ravijëzoheshin karakteristikat e bukura të shqiptarëve në shekuj. Te revista « Fatosi » ai shpalosi sërish talentin e vet. Profesor Murat Gecaj ndër të tjera është shprehur: “ Tuni i ngjante minierës. Sa më shumë të kërkoje, aq më shumë vlera do t’i njihje, aq më shumë xhevahire do të gjeje te ky njeri. Pati një temperament të gjallë. Nxënës në Fier la mbresa të pashlyeshme te shokët e tij, gjimnazist në Tiranë përqafoi idetë më përparimtare të kohës. Qe gazetar dhe publiçist i shquar. Tuni Petro Papuçiu , për nga karakteri i vet, natyra gazmore dhe aftësitë e gjithanshme, ka qënë një personalitet i tipit unikal, një djalë fierak që, siç shprehet populli, e lind nëna rrallë”.

Profesor Bedri Dedja ndër të tjera kujtonte:” Ne, një grup shkrimtarësh për fëmijë, një këshill botues vullnetar kishim emocione, sepse nuk ishim mësuar me këtë punë. Pyesnim veten, vallë si do të dale revista? Midis nesh ishte dhe Tuni Papuçiu, redaktori i pare i revistës “Fatosi”, një punonjës i vjetër i shtypit, që ishte marrë me shumë gazeta. Tuni buzëqeshte me ne, na qetësonte dhe punonte me zell, duke trokitur sa në shtypshkronjë, në depot e letrës së revistave, në shtëpitë e piktorëve dhe shkrimtarëve, të cilët na kishin premtuar bashkëpunime për numrin e parë. Dhe numri i pare u bë gati. U dorëzua dhe në shtypshkronjë për shtyp. Por sa shumë vonoi për të dale! Gati 45 ditë, sepse ishte një proces i ri shtypi me shumë ngjyra…Për më tepër se një muaj ditën dhe natën, bile ngandonjëherë edhe pas mesit të natës binte telefoni në zyrën e vockël të “Fatosit” dhe në shtëpinë e redaktorit Tuni Papuçiu. Diçka kishte ngelur në shtyp. Dhe Tuni vraponte në shtypshkronjë, punonte me tipografët dhe lyente duart me bojë sikur të ishte edhe vetë tipograf. Dhe vërtet punëtorët nuk e ndanin Tunin nga gjiri i tyre, e donin me gjithë shpirt, e quanin pjestar të kolektivit të tyre.
Kur dolën kopjet e parat ë „Fatosit“, redaktori ynë i dashur erdhi me një tufë revista duke qeshur për fitoren modeste që kishim arritur”.

Piktori i merituar Agim Faja e ka cilësuar Tunin si njeri me zemër të madhe dhe shpirt fisnik. Tuni Papuçiu ishte edhe shpirti i festivaleve kombëtare te këngës për fëmijë ne Shkodër, ku laureohej çdo vit me çmimin e parë të nderit, bashkë me kompozitorët Cesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, etj. Tuni i përket elitës së publicistëve. Ai shkroi gjatë jetës së tij të shkurtër me qindra artikuj publiçistikë, për sportin shqiptar, profesionin e gazetarit, edukimin e fëmijëve, problemet sociale, të familjes, të shoqërisë në përgjithësi, pa artifica, ashtu thjeshtë, siç ishte dhe vetë. Me qindra e qindra poezi dhe poema të tij, apo tregime, skeçe për fëmijë, balada, skica u botuan në revistat për fëmijë dhe sidomos tek « Fatosi », si dhe në botime shkollore. Shumë prej tyre akoma nuk e kanë parë dritën e botimit, pasi ai ishte tepër kërkues ndaj vetes, por edhe miqve dhe dashamirësve të tij që u lexonte apo u botonte vjershat apo tregimet e tyre. Trashëgimia publiçistike dhe letrare e Tuni Papuçiut është në koleksionet e medias së shkruar të viteve ’40-’70-të, si dhe në botimet letrare për shkollat. Ndërsa disa prej krijimeve të tij letrare për fëmijë janë botuar, ndër të tjera, te vëllimet « Midis shelgjesh buzë lumit », « Një sirtar i veçantë », « Supa dhe karamelet » etj. Ai zë një vend të veçantë në Fjalorin enciklopedik « Gazetarë dhe publicistë shqiptarë », hartuar nga Prof. dr. Hamit Boriçi dhe botuar nga « Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut » (UGPV), « Figura të shquara të rrethit të Fierit », si dhe te « Lekikon », me titullin « Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë » (1872-1995), hartuar nga prof. Odhise K. Grillo.

Libri i tij « Një sirtar i veçantë » që u botua nën kujdesin e Profesor Bedri Dedes dhe Pandora Dedes është një tregues i punës së tij të vyer ku ai çdo njerit i kthente përgjigje dashamirëse, për të bërë ndonjë korrigjim të duhur në shkrimin që i kishte dërguar revistës. Letërkëmbimet me miqtë e tij të përhershëm piktorë e shkrimtarë, me Agim Fajën, Lajde Stakun, Skënder Drinin, e shumë e shumë të tjerë që i ruaj në arkivin familjar, mbeten një shembull i dashurisë së tij për artin e letrarët, shkrimtarët qofshin këta të çdo moshe. Jo më kot, kolegu i tij i dikurshëm i revistës Llambi Blido e cilësoi në një shkrim përkujtimor për të "njeriu-redaksi". Në librin: “Figura të shquara të rrethit të Fierit”, 2002 ndër të tjera thuhet: “Tuni i madh e në të njëjtën kohë modest ishte miku më i ngushtë i tipografëve, ishte mësuesi i tyre dhe shpesh, kur bëheshin gabime të rënda në shtyp, ishte shpëtimtari i tyre, sepse i merrte në mbrojtje duke u hedhur vetes gabimet e tyre apo duke i korektuar ato sëbashku me tipografët në mijra ekzemplarë. Tuni Papuçiu qe shpirti i festivaleve kombëtare të këngës për fëmijë në Shkodër. Jo vetëm si anëtar permanent i jurisë, por edhe si autor i teksteve të këngëve për fëmijë, ku laurohej çdo vit me çmime nderi të para; jeta e tij u sos pikërisht në festivalin kombëtar të këngës për fëmijë në Shkodër në vitin 1975.
 Aty ku ndodhej Tuni, aty buron kënga, buronin gëzimi dhe humori. Aty ku ishte Tuni, aty takoje ndershmërinë, gatishmërinë për të ndihmuar njerëzit, takoje besimin dhe optimizmin për jetën”.

E motra e tij, Pandora kujtonte: “ Në fisin tonë të gjërë të Papuçinjve dhe të Luleve, zëri dhe kënga e tij ishin gjithnjë të pranishëm. Nuk më harrohen jaret sa bukur i këndonte! Apo këngët myzeqare e përmetare që i merrte shtruar bashkë me dajën e tij, të urtë, të dhimsur e bujar, Kozma Lulen e djalin e dajës së madh Timo Lulen .

Ajo vazhdon kujtimet e saj:” Dhembja e Tunit, pas vdekjes në moshë të re të motrës Ksanthipi, u shpreh në përkujdesjen për mbesën, Jetën. Ai flinte natën me të, kujdesej për detyrat e saj në shkollë, për ushqimin, për dëfrimet fëminore. Ai e ndjente shumë thellë përgjegjësinë për fatin e vajzës jetime. Siç na tregonte më vonë e paharrueshmja Lajde Staku, që i ndenji te koka deri në fund, deri në regëtimen e mbrame, ai shqiptonte: „Jeta…Jeta. Jeta sikur qe amaneti i tij i fundit dhe unë e Bedriu këtë amanet e ruajtëm të shenjtë, gjersa Jetën sot inxhinjere dhe nënë e dy fëmijëve, e nxorrëm në jetë”.

Tuni Papuçiu ishte observues i shoqërisë shqiptare, i pëlqente shoqëria e pastër, u shmangej karrieristëve dhe arrivistëve, nuk shante kurrë. Ai ishte pasqyra e mirësisë. Gjithçka e motivonte dhe e bënte për të mirën e atdheut të vet, të njerëzve të thjeshtë. E vetmja gjë që më kujtohet, kur vdiq babai erdhën për ngushëllim shumë e shumë njerëz që nuk i njihja por që me fjalë të thjeshta shprehnin mirënjohjen për të. Një tipograf i mallëngjyer ao ditë më tregoi se Tuni kishte retushuar bashkë me të me mijra kopje të revistës së fëmijëve, gabimin që ky tipograf kish kaluar pa dashje, që të mos paguante një shumë të madhe si çdëmtim. Tuni ishte i përkryer. I kthehej shpesh shkrimeve dhe poezive të tij. Mbaj në kujtesë bisedat e babait me akademikun Mahir Domi, për gjuhën e pastër shqipe që donte të përdorte në « Fatosi ». Profesor Mahiri ishte komshiu ynë më i afërt. Shpesh prof. Mahiri i madh dhe tepër i urtë dhe modest, merrte « Fatosin » dhe e lexonte me kujdes. Kopjet e para të revistës, sa dilnin nga shtypshkronja i jepeshin atij për Etlevën dhe Benin, fëmijët e tij që çdo darkë vinin e qëndronin tek ne për ta lënë sadopak të qetë të punonte për librat e tij të gjuhësisë profesorin e shquar Mahir Domi, fjalëpakë që jetonte vetëm në një dy dhoma e guzhinë. «Poema për Vedihanë », shoqen e Prof. Mahirit është një hymn që im atë ka shkruar për atë grua nikoqire nga Delvina, që kujdesej aq mire për fëmijët dhe burrin e saj professor që nuk shkëputej kurrë nga librat.

E kishte pasion gjenealogjinë dhe shpesh i rikthehem atij blloku ku ka shënuar pemën gjenealogjike të familjes sonë të madhe që nga vitet 1700 nga Voskopoja është vendosur në Fier, si edhe shumë familje nga Kosova martire. Papuçinjtë jane ndër të parët të vendosur në Fier. Ishte një nga familjet më të dëgjuara në Fier dhe që përmendet me dashuri e ngrohtësi nga shkrimtari fierak Jakov Xoxa tek romani disa vëllimesh«Lumi i vdekur».

Një nga miqtë e tij mendoi pas vdekjes së tij të botonte një libër me tregimet e tij, me titull: « Midis shelgjesh buzë lumit », si kujtim e mirënjohje për të. Në shtypshkronjë, kopjet e para të librit dolën me fotografinë e tij të madhe (të përgatitur nga dashamirët e tij tipografë) dhe të gjithëve u duk se e kishin pranë nesh dhe u përmalluam. Më vonë u botuan edhe vëllimi me tregime, përralla, vjersha e skeçe, mbledhur nga shkrimtari Xhevat Beqaraj dhe botuar nga « Toena».Me këtë rast atij ju dha një çmim i veçantë pas vdekjes për veprimtarinë e pasur letrare, për vogëlushët që i donte aq shumë dhe që u shkruante tekstet më të arrira në Festivalet e Fëmijëve që organizoheshin në Shkodër. U organizua edhe një mbrëmje përkujtimore për Tunin e paharruar ku folën shumë dashamirës e miq të tij :prof. Alfred Uçit, prof.Bedri Dedja, shkrimtarët Xhevat Beqaraj, Nasho Jorgaqi, Shpresa Vreto, e sa e sa të tjerë. Libri « Një sirtar i veçantë » që u botua është një kujtim i bukur për krijimtarinë e pasur të Tuni Papuçiut. I paharruar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tij, të mirit, të dashurit, njerëzorit. Mbi varrin e tij shokët vunë mbishkrimin tepër domethënës, nga një vjershë e tij : « E dini pse nëna folenë, në zemër e ka, se bashkë me qumështin e saj, dashurinë për Atdhenë m’a dha ». Tuni ishte një ndër njerëzit e rrallë që gëzoi respektin e shoqërisë shqiptare, gazetar dhe publiçist i talentuar, shkrimtar për fëmijë, artist e këngëtar, miku i madh i punëtorëve tipografë, familjar i rrallë midis shokëve, njeri që gëzoi respekt në mjediset shoqërore, kur ishte gjallë dhe që këtë respekt e ruajnë edhe sot, jo vetëm intelektualët, por edhe njerëzit e thjeshtë.

Gjenevë, më 2 qershor 2019

Comments (2 posted):

Etleva on 03/06/2019 18:14:48
avatar
Me ke ngjallur emocione dhe shume kujtime me kete artikull te shkelqyer per xhaxhi Tunin, per kohet kur jetonim bashke. Ngahera i qeshur dhe plot humor. Dreka, darka, festa familjare te paharrueshme.E mbaj mend mjaft mire kur vinte me manjolat ne dore. Poemen per Vedihane e lexoj hera heres.
I paharruar kujtimi!

Te perqafoj me shume mall

Edi
Edmond on 04/06/2019 12:46:04
avatar
I dashur Fredi,
Te falemnderit shume per kujtimet per babane.I lexova me nje fryme e me shume mallengjim.Tuni yne i dashur ka qene nje njeri i talentuar dhe shume zemermadh.Te rroni e ta kujtoni gjithmone babain tuaj fisnik! Kujtimi i tij do te mbetet gjithmone i paharruar per te te gjithe miqte e tij dhe vecanerisht per ne te afermit e tij.
Te perqafoj se largu
Mondi

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1