Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | FJALA | SKËNDERBEGASI QË NDERON SHKOLLËN E TIJ

SKËNDERBEGASI QË NDERON SHKOLLËN E TIJ

Font size: Decrease font Enlarge font
image SELAM SABRI HODO

SHPENDI TOPOLLAJ

 

 SELAM SABRI HODO – SKËNDERBEGASI QË NDERON SHKOLLËN E TIJ 

 

Krahina e Mallakastrës, trashëgimtare e vlerave të shquara të fisit ilir të Bylinëve që shkëlqyen me traditat e tyre të qytetarisë dhe kulturës qysh 23 shekuj më parë, njihet nga të gjithë për atdhetarinë e saj. Këtu ndodhet dhe Çorrushi, vendi ku nga një familje trimash lindi në 6 Dhjetor të vitit 1943 Selam Hodo, djali i Sabriut dhe nipi i bashkëluftëtarit të Rrapo Hekalit, kapedanit Muhamet Hodo. Ishte kohë lufte dhe varfëria si kudo kishte përfshirë edhe familjen e tij e cila asnjëherë nuk u pajtua me pushtimin e Atdheut. Ajo u bë bazë e luftës për liri dhe i jati qysh nga viti 1942 u zgjodh kryetar i parë i Këshillit Nacional - Çlirimtar. I vëllai mori pjesë aktive me armë në dorë në rreshtat e Brigadës së 11 - të Sulmuese, kurse kushëriri i tij Abaz Hodo partizan i Brigades së Parë Sulmuese ra dëshmor i Atdheut, sikurse kushëriri tjetër Jashar Hodo mbeti i plagosur rëndë në betejën për çlirimin e Tiranës. Në operacionin armik të Qershorit të 1944 - ës shtëpia e tij u dogj dhe ai u rrit jetim, pasi nuk vonoi dhe i vdiq edhe e ëma. Mes vështirësive të shumta kreu shkollën fillore në fshatin e tij dhe atë shtatëvjeçar në Elbasan. Duke pasur rezultate mjaft të mira dhe me interesimin e kryetarit të Degës Ushtarake Sulo Starja, nis studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ku më 13 Gusht të vitit 1958 - të e pret me krahë hapur kapteri legjendar Novruz Qemirani (Nokja). U mësua shpejt me kërkesat e rrepta të kësaj shkolle, dhe i vuri vetes detyrë për të arritur rezultate sa më të larta në mësime dhe disiplinë. Por edhe zuri shokë të rinj që dalloheshin për vullnet, karakter dhe ideale të pastra si Mehmet Musai, Kujtim Jaho, Fuat Çeliku, Nik Sololi, Novruz Gogo, Viktor Seiti, Shahmet Fyraj, Qendro Koçaj, Menyr Muçaj, Azbi Hoxha, Mumin Hoxha, Alqiviadh Dede, Paskal Budo, Agim Bebeçi, Faik Guna, Dhimitër Trola, Muharrem Mane, Apostol Simo etj. të cilët më vonë bënë karrierë dhe drejtuan dikastere dhe njësi të rëndësishme të ushtrisë. Duke pare arritjet e tij ai caktohet komandant skuadre, dhe më pas zëvendës komandant toge që kishte si komandant z. Kiço Mustaqi. I mbeten të pashlyera përpjekjet e pareshtura të mësuesve që nga drejtori i shkollës, ish partizani Stavri Angjeli, e deri te Viron Cinxo, Ismet Bellova, Drita Hajro, Nina Agolli, Shpresa Shehu, Sadete Kasa, Kozma Vasili, Irakli Kasneci, Bejkush Birçe etj. dhe oficerëve korrektë e të palodhur si Komandanti i shkollës Luto Haxhia, e Avni Gjoni, Servet Jaupi, Mark Kovaçi, Mitat Duka, Muhamet Hoxha, Muhamet Ormani, Androkli Vaso etj. Pasi përfundon me rezultate të mira shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, dërgohet me një grup prej 15 vetësh në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku për dy vjet skënderbegasit si Adem Çopani, Veip Proda, Kujtim Jaho, Mehmet Musai, Meno Deda, Klime Prifti, Agur Begaj, Vlash Gjoni, Muharrem Mane etj. e nderuan shkollën prej nga kishin vajtur atje. Në periudhën 1964 - 65 si grup u dërguan sërish në shkollën e Bashkuar të Oficerëve për t`u specializuar më tej për zbulimin me trupa, nën drejtimin e pedagogut me aftësi të spikatura Arseni Stroka. Pastaj vijojnë fushimet e zgjatura dhe plot vështirësi në Bizë të Martaneshit e Grykën e Mezhgoranit, ku realizohet edhe filmi i parë “Zbuluesit në stërvitje”, në suksesin e të cilit apo dhe të mësimeve treguese që u demonstruan për kuadrot e larta të ushtrisë, patën rol kuadrot e zbulimit, si i mençuri Refik Kucaj, i talentuari dhe fantazisti Xhelal Novosela, sportisti boksier Hysen Sharra, sambisti Kapllan Subashi, Feim Xhebra, Kutel Çino, Naim Furrxiu, Muharrem Sulka etj. Në Shtator të vitit 1965 deri në 1970 Selami caktohet në detyrën e shefit të Grupit Drejtimit në rep. 1340 të Radiozbulimit në Dhërmi e më pas dërgohet për të studiuar në Akademinë ushtarake në Tiranë, të cilën e kryen me rezultate shumë të mira në vitet 1972 - 1974. Më pas caktohet në detyrën e komisarit të shkollës së Radiozbulimit në Tiranë deri në vitin 1977, ndërkohë që kryen edhe shkollën e Partisë pa shkëputje nga puna. Me vendim të Byrosë Politike nga Maji i vitit 1977 deri në Tetor 1982 i besohet detyra e komisarit të Repartit Nr. 5344 ose siç quhej Grupimi i 6 - të Operativ, po në Tiranë. Vështirësitë ishin të shumta, pasi këtij reparti i qe ngarkuar mbrojtja e kryeqytetit, por atij nuk i mungon ndihma e pakursyer e shokëve të tij skënderbegas, si i paharruari dhe i mençuri Adem Meta, Eqerem Osmani, Bajram Mane, Ali Vukatana etj. Ai ndihej i lumtur që në krah kishte një komandant të mrekullueshëm si Bejto Isufi i cili vinte nga lufta dhe akademitë e ish Bashkimit Sovjetik dhe nga i cili kishe se ç`të mësoje. Me vlera të mëdha për të ishte edhe komandant Simon Ballabani dhe sidomos shefi i Shtabit, skënderbegasi dr. shk. Mikado Shakohoxha, kryetari aktual i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”. Në vitet 1979 - 80 kreu edhe Kursin e Lartë të Filozofisë. Duke i konsideruar vartësit dhe kolegët që më së shumti kishin qenë skënderbegas si ai, si bashkëluftëtarë të të njejtit qëllim, duke pasur besim te puna dhe aftësitë e tyre, duke vlerësuar ndershmërinë dhe përkushtimin që i karakterizonte, duke respektuar privacionet dhe sakrificat e familjeve të tyre, Selami me sinqeritetin, thjeshtësinë dhe urtësinë e tij, por edhe me rezultatet që arriti njësia që ai drejtonte, jo vetëm fitoi dashurinë e të gjithve, por edhe u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor në legjislaturën e viteve 1978 - 82 në Mallakastër të rrethit të Fierit. Mirëpo, pas vetvrasjes (?) të ish kryeministrit Mehmet Shehu, si pasojë e goditjes të pashembullt dhe krejt absurde në kuadrot e ushtrisë, edhe Selam Hodo, pa asnjë arsye, por vetëm pse rastësisht qe nga i njejti fshat me të, shkarkohet nga detyra dhe transferohet për gjashtë vjet me radhë në një repart të malësisë së Krujës si komandant kompanie. Vazhdon e punon pa e ulur kokën, me bindjen se kudo që të ishte si oficer, i shërbente atdheut të tij. Pas ardhjes së demokracisë, me interesimin e shokut të tij skënderbegas gjeneral Fiqiri Cenaj, emërohet në Elbasan me detyrën e Përgjegjës Grup Drejtimi Divizioni, ku shërben me gradën nënkolonel, deri më 01. 04.1998, datë kur doli në rezervë. Në këtë kohë vendoset në qytetin e Durrësit dhe aktivizohet me detyra të ndryshme si anëtar, nënkryetar dhe sekretar i organizatës së Vetranëve të Luftës Nacional - Çlirimtare. Është dekoruar me Urdhërin e Shërbimit Ushtarak kl. III - të, Urdhëri i Yllit të Kuq kl. II - të. Kurse Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve e ka shpallur “Nderi i Organizatës” dhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Mallakastra” i ka dhënë titullin “Krenaria e Mallakastrës”. Nga ana e saj, Shoqata Kombëtare “Skënderbegasi” i ka dhënë çertifikatë vlerësimi dhe nderimi me motivacionin; “Për rezultate të larta në shkollë. Me punën e tij ka ngritur lart emrin e skënderbegasit, të shkollës dhe të ushtrisë. Kudo që ka shërbyer, ka mbrojtur me dinjitet interesat e Atdheut”. 

Comments (1 posted):

Guri Naimit D.(Dh.Xhoga) on 30/12/2018 00:49:50
avatar
Selam Sabri Hodo;
nder i ushtarakeve tane.

Se pari faleminderit juve i nderuar Shpend Topalaj,qe ne prag te ketij viti te Ri,keni zgjedhur si nje KARTOLINE urimi,kete shkrim te shkelqyer,per nje figure te tille te ushtarakeve tane,si komantanti shembullor Selam Sabri Hodo, qe i urojne shendet e gezime,ne kete prag te vitit Ri 2019,ai 75 vjecar sot, me kete bilanc te jetes,para families dhe shoqerise.Gjithe te mirat Ju uroj, Une,nje veteran,jo vetem MESUES po,sipas nje vendimi shteteror,kuadrot me arresim te larte,gradohen oficere,une pata fatin si ish mesues e drejtues shkolle nje jete,mbaruar dhe nje kurs 3 mujor ne shkollen e Bashkuar te oficereve,ne mes viteve 70t,Toger mbajtur ate grade,ne stervitiet ushtarake.(Kulturen mbuluar), qe i kujtoj me nostalgji,sot 83 vjecar, nga Biza,ne Malsine e Tirane e deri ato stervitiet ne Kodrat Durres Vore-Preze e tj.Ishin keta kuadro si i nderuari Selam na udhehiqnin ne ato stervitie,qe shume kush dhe i pergojon... Nuk pershkruaj dot,nje strervvitie imagjinare per Clirimin e Tirane,(1971) deri nete te tera kaluar nga zona Pas Dajtit ne luginen e Erzenit siperm,me sulmin naten,ne Kodrat e Saukut sa marre,ish Pallatin e mbreteror...
Ishin kohe per te mos u harraur sa qe duhen vleresuar,ato kuadro te shkelqyera ,fatkeqesisht,c'pesoi ushteria jone pas viteve 90-t-katastrofe e pa degjuar.(Le te krekosen shkaterrimtaret...)
Faleminderit i nderuar PENE arti,Shpend Topallaj,sa na sollet.Miresite ju shoqerofshin.
Une 83 vjecari,fatkeqesisht,kaloj pleqerine tej oqeanit(kaluar"ishemi cerebrale"),mos qofte e thene te mos me prehen eshterat ne atdhe,ju uroj:
Gezuar Viti e Ri 2019 me urime gjithe Ushtarakeve te liruar apo aktiv,sa Ndiese atyre qe si kemi me midis nesh.
Lavdi Ushterise sone N.Clirimtare.

Toronto29-2019 Dh.Xhoga-(Guri Naimit D.)

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1