Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | FJALA | Megjithatë ai nuk dorëzohet...

Megjithatë ai nuk dorëzohet...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pal Nika

Njeriu që meriton respekt dhe mirënjohje

-PROFIL Doktor i Shkencave Veterinare, Pal Nika - në prag të 70 vjetorit të lindjes-

 

   

Në mes të gjithë atyrë specialistëve që kanë lënë gjurmë të pashlyera në profesionin e vështirë, por të bukur të zooveterinerit, duke konsoliduar vitet e një pune intelektuale 40 - vjeçare të sigluar me botim librash, tituj e grada shkencore, është edhe zootekniku i njohur, Pal Nika. I lindur në fshatin Gajush të Bregut të Matës, në rrethin e Lezhës,  afro 70 vitë me parë, në një familje të njohur dhe fis arsimdashës, falë punës së palodhur dhe përkushtimit fizik dhe shpirtëror ndaj profesionit, u bë një nga specialistët më të njohur në Lezhë dhe më gjerë. Në këtë trung familjar u ngjizën cilësitë më të mira të karakterit të tij, që përcollën në breza traditën, zakonet dhe cilësitë që malësorët tanë i kanë mbrujtur ndër shekuj, si: trimërinë, burrërinë malësore, mikpritjen etj. Pali u rrit, hodhi shtat dhe u formua në këtë familje të ardhur historikisht nga Malësia e Kelmendit dhe u mëkua me dashurinë për trojet amtare, siç bënë të parët e tij ndër shekuj. Që në fëmijërinë e hershme, djaloshi i ri dallohej për nençurinë, shkathtësinë dhe zgjuarsinë natyrale dhe pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera arsimin 7-vjeçar në vendlindje, pushteti vendor i asaj kohe, me kërkesë të prindërve të tij, vendosi ta dërgojë në Shkollën e Mesme Profesionale Veterinare në qytetin e Shkodrës. Periudha adoleshente e katër viteve të tij në Shkodër s’ishtë aspak e lehtë, megjithatë gjithnjë veçohej si djalë me reflekse mësimore premtuese dhe plot vullnet për të ndjekur rrugën e dijes, duke shpalosur në çdo moment interesimin e veçantë të një djali energjik, për të arritur suksese nga një klasë në tjetrën. Në bankat e kësaj shkolle të njohur dhe me tradita u çertifikua me dëftesën e pjekurisë e shoqëruar me motivacionin “Nxënës i shkëlqyer në mësime dhe sjellje shembullore”. Pas 2 viteve të vështira për djaloshin e ri, por intensive punë në Ndërmarrjen e Grumbullimit në Lezhë me detyrë “Ndihmës Mjek Veterinar”, specialist i ri fitoi bursë në Universitetin Bujqesor në Kamëz, dega Zootekni.Vitet studentore kalonin me shpejtësi, ndërsa djaloshi malësor rritej si një pemë e mirë në “pyllin” njerëzor, me plot virtyte morale, që e bënin të  dallohej nga të tjerët dhe të respektohej nga të gjithë bashkëstudentët dhe pedagogët e tij. Pra, djaloshi nga trojet e famshme të Malësisë së Madhe po përfaqësonte krahinën e tij të Bregut të Matës në mënyrën me të shkëlqyer profesionale dhe njerzore. Kështu, shumë shpejt u bë një nga studentët më dinjitoz, studiues sistematik, falë njohjes dhe përvetesimit të shpejtë të dijeve, ndaj u kthye në një emblemë aktive e universiteti t. Gjatë pesë viteve studentore u formua me një aftësi profesionale të përkryer dhe u pajis me një vullnet të paparë, duke u aktivizuar shpesh në gazetën “Studenti” dhe në shumë revista dhe buletine shkencore që dispononte Fakulteti i Veterinarisë. Me mbarimin e shkollës së lartë, në shtator të 1976, fillon punë në ish Kooperativën e Tipit të Lartë të Bregut të Matës, një nga ekonomitë bujqësore më të mëdha në rrethin e Lezhës. Ky specialist i ri i zooteknisë, plot kulturë dhe dije shkencore, u përkiste të gjithëve, sepse e donin të gjithë. Pra, që në rininë e tij të hershme, specialisti i ri e konsilidoi veten profesionalisht, duke i shërbyer me kujdes dhe përkushtim ditë e natë sektorit të blektorisë, sektor ky mjaft delikat dhe me përgjegjësi. Këto tipare të larta organizative, por dhe njerzore, si gjithnjë i shoqëronte me atë buzëqeshjen e tij karakteristike të lindur, të cilën e kishtë të kultivuar që në jetën studentore. Këto dije shkencore i thelloi dhe i formësoi në jetë dhe punë në një periudhë dyzetvjeçare në profesionin e tij të dashur dhe të nderuar.

Pas disa vitesh pune intensive dhe të vështirë, por ku fitoi dhe pervojë, në vitet 80-81, emërohet Kryezooteknik në Seksionin e Bujqësisë së rrethit, pranë ish Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe. Përvoja shumëvjeçare dhe niveli i formimit të pandërprerë shkencor dhe profesional, i dhanë mundësi specialistit të përkushtuar të drejtonte anën organizative dhe teknike në sektorin e zooteknikës, në gjithë rrethin e Lezhës. Mbështetur te përvoja personale shumëvjeçare dhe teknikat profesionale, Pal Nika shumë shpejt ndërtoi bërthama shkencore dhe profesionale në të gjithë ekonomitë e rrethit. Të gjitha këto rritën nivelin e prodhimit dhe krijuan raca blegtorie autoktone në shkallë lokale dhe kombëtare, siç ishte i mirënjohuri tashmë gjeli i detit i Zadrimës, ku më vonë u bë shkollë dhe përvojë rritje në të gjithë Shqipërinë, pa lënë mënjanë racat e ndryshme të deleve, dhive dhe kryqëzimet e gjedhit, që quan në rraca elitë dhe shtimin e rritjen e prodhimit të qumështit dhe mishit mbi nivelin mesatar kombëtar. Të gjithë këto arritje bëheshin në harmoni të plotë me të gjithë specialistët e tjerë në rreth, në bashkëpunim me disa prej institucioneve shkencore në shkallë vendi, të cilët vinin herë pas here për të shkëmbyer përvojë në rrethin e Lezhës, i cili ishte bërë tashmë epiqendra e përvojës së përparuar në shkallë Republike. Pas një përvoje të gjatë në veprimtarinë kërkimore dhe shkencore në terren, si një studiues tashmë i njohur dhe dinjitoz, me një bagazh njohurishë dhe dijesh shkencore me kopetencë profesionale, Pal Nika paraqitet para lexuesit dhe specialistëve të zooteknisë me disa nga librat e tij të botuar ndër vite “Rritja e gjelit të detit”-Zadrima, “Zhvillimi i bletarisë në qarkun e Lezhës”, “Teknologjia e mbarshtrimit të gjelit të detit”, “Si të ushqejmë bletët” dhe plot kumtesa profesionale dhe referate shkencore të mbajtura në konferenca shkencore në rreth dhe më tej, në shkallë kombëtare, të cilat përbejnë një ndihmesë të shkëlqyer metodike dhe shkencore për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të veterinarisë dhe zooteknisë lezhjane dhe me gjerë. 

        Gjatë viteve të punës ka kryer disa specializime dhe trajnime profesionale në periudha kohore të ndryshme në vende të ndryshme të Europës, si: Gjermani, Greqi, Itali specializim në kuadrin e shërbimit këshillimor si dhe diploma, dëshmi dhe çertifikata nga shumë projekte e fondacione, si USAID, Land Oleks etj. Rol vendimtar në rritjen e aftësisë kualifikuese të tij ka patur përfundimi i shkollës 2-vjeçare të studimeve të thelluara pasuniversitare në zootekni, ku u nderua me diplomën Mastër për “Modele Teknike dhe Ekonomike të sistemeve të Drejtimit”. Ai mbetet një njohës mjaft i mirë i gjuhës italiane, angleze dhe ruse. Kudo ku ka punuar dhe drejtuar për 40 vjet, Pali skaliti në jetë rigorizitetin dhe karakterin e palëkundur, duke vendosur në plan të parë arsyetimin logjik dhe pse sistemi totalitar i asaj kohe ishte mjaft i vështirë. Zootekniku i njohur, Pal Nika, edhe pse po i afrohet të 70-ve, është dhe mbetet shkencëtar në profesion, modern dhe sistematik në veprime, ku ka spikatur mekanizmi menaxhues dhe mendimtar i tij, që la gjurmë në fushën e Zooveterinarisë. Qëndrimi për 40 vjet punë në qytetin e Lezhës dhe fshatrat përrreth, i dha mundësi t’i shërbejë me devotshmëri qytetit të tij të lindjes. Pra, zootekniku i ri, ky djalë energjik, me trup mesatar, me fytyrë të qeshur dhe flokë të drejtë, i veshur thjeshtë dhe me elegancën e kohës, shkoi me bindje dhe dëshirë për të zbatuar detyrat njerëzore dhe profesionale, duke shërbyer ditë e natë në sektorin e blegtorisë. Vitet po kalonin dhe ai qëndronte në krye të punëve tashmë jo vetëm si kryezooteknik i rrethit, por edhe si hulumtues i kujdesshëm në fushën e kërkimit shkencor. Falë talentit, sakrificës dhe përkushtimit të shoqëruar me asistencën e kualifikuar të profesorëve më me emër të Universitetit Bujqësor të Tiranës, fitoi shumë shpejt shprehitë dhe cilësitë e një drejtuesi të karrierës së shkëlqyer. Flitet gjithnjë për arritjet e tij në blektori dhe them se do të kalojnë plot vite të tjera dhe emri i specialistit të njohur Pal Nika do të mbetet në kujtesën e brezave të ri studiues.

          Kur bisedon me njerëz të thjeshtë dhe bashkëkohës të tij, e kujtojnë shpesh si inspektor dhe drejtor filiali në punën racore në Drejtorinë e Bujqësisë së rrethit, apo përgjegjës këshillimor dhe kudo që ka punuar dhe drejtuar kërkonte një shtrirje të gjerë miqësie dhe shoqërie në trevat shqiptare, me fusha veprimtarie të ndryshme shoqërore dhe shtetërore, duke u skalitur në kujtesën e bashkëkohësve të tij si një emblemë e veçantë e kësaj fushe, që rrezatoi gjithmonë respekt dhe mirënjohje për njerëzit punëtorë. Ai, në sistemin e punës drejtuese dhe si ekspert i zooteknikës, ruante me kujdes raportin profesionist - punë të panderprerë dhe udhëhiqej nga parimi i patundur se çdo gjë varet nga puna që bën çdo ditë njeriu. Ky lejtmotiv, për Palin kishtë shumë rëndësi, sepse asnjëherë nuk diti të diferencojë njerëzit e punës sipas shoqërisë dhe miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që i jepte profesioni i nderuar, edukimi dhe kultura e tij familjare dhe qytetare. Ndërsa Gjekë Vata, një njohës i shkëlqyer i specialitetit të pemtarisë shqiptare dhe bashkëkohës i tij, kujton se: “…Sa punoi, kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij, edhe kur ishte përballë përfitimeve dhe të mirave materiale, apo famës shoqërore dhe miqësore që Pali kishte. Të them të drejtën, Fran, se për hir të vërtetës, kush ka punuar me të, ka venë re në personalitetin e tij një njeri fisnik dhe mjaft gojëmbël, por kur shikonte ndonjë kundërvënie çasti, ai revoltohej dhe gjithnjë ishtë këmbëngulës të kundërshonte padrejtësitë pra, asnjëherë nuk i uli vlerat deri në nivelin “korruptiv” të punës së tij. Më ka rastisur shpesh të takohemi dhe të bisedojmë, veçanërisht kur biseda binte tek tema e ndryshimeve të tranzicionit të tejzgjatur, gjithnjë mbetej i hapur, me atë vështrimin e ëmbël dhe plot mirënjohje dhe respekt të tij, bashkëbisedonte me pasion, logjikë, duke parashtruar argumente për vlerat e reja alternative, për ato ide dhe mendime të dobishme për demokracinë në Shqipëri. Ndërsa shkruaj këto radhe, për këtë intelektual dhe profesionist të njohur dhe me emër në fushën e zooteknikës, që ka disa vitë që ka dalë në pension dhe fatkeqësisht dergjet në shtrat nga një sëmundje e rëndë shëndetësore, mendoj për jetën e tij plot vuajtje, mungesën e kujdesit primar të shtetit ndaj figurave të tilla, për të cilat kombi ynë ka nevojë. Megjithatë ai nuk dorëzohet, mbetet i rrethuar nga një përkujdesje e dashuri e pamasë e dy djemve të tij, Eduartit, që momentalisht jeton në Itali dhe Erindi, inxhinier me nusen Elsa, mësuese, që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri dhe që sakrifikojnë ditë e natë, duke mos e lënë asnjëherë mënjanë. Kjo përkujdesje tepër njerëzore është dhe mbetet një shans pozitiv për Palin, sepse këta fëmijë nuk kursejnë as veten e tyre për t’i shërbyer prindit të tyrë të paralizuar. Ajo që e tronditi Palin, familjen e tij dhe gjithë shoqërinë, ishte ndarja e papritur nga jeta e bashkëshortes së tij, Milit, 8 vite më parë. Kjo zonjë e nderuar mbetet për familjen, shoqërinë dhe Lezhën, një grua model, promotore e cilësisë dhe dashurisë njerëzore, një grua me zemër të madhe, që rrezatonte në punë e familje mirësi, kulturë dhe dashuri, e përkushtuar përjetësisht në profesionin e nderuar të stomatologes, por shembull i shkëlqyer edhe në jetën familjare, si një nënë e devotshme e dy djemve të saj dhe bashkëshorte shembullore. I hodha këto mendime në letër për të njohur vlerat e këtij njeriu ideal që po shuhet dita-ditës, por më vjen keq për “harresën” e organeve të pushtetit vendor të rrethit të Lezhës, që nuk u kujtuan ta vlerësojnë këtë njeri të vyer. Ai e meriton titullin “Qytetar Nderi i Lezhës”, sepse me njerëz të tillë si Pal Nika, që mbetën në kujtesë të shoqërisë, të ditur, të emancipuar, tolerantë dhe për 40 vite shërbeu me devotshmëri dhe përkushtim në shërbim të blektorisë, që mbajti titullin e lartë dhe të denjë “Njeri fisnik”, dhënë nga opinion publik dhe shoqëria, ka nevojë shoqëria e sotme shqiptare. Kuptohet që është e vështirë që brenda një shkrimi të tillë të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën e gjerë dhe të gjithanshme të një profesionisti të tillë si Pal Nika. Do të duhet që figura të tilla të talentuara të një modeli të cilësisë dhe dashurisë njerëzore, të ndriçohen më në thellësi e gjerësi në të ardhmen, jo thjeshtë si shfaqje respekti dhe vlerësimi ndaj tij, por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave të ri dhe të historisë së zooveterinarisë sonë. Kjo punë e domosdoshme do ndihmonte jo vetëm brezat, por edhe historinë tonë kombëtare. Këtu më vjen ndërmend një thenie e Hygoit : “Të respektosh njeriun që e meriton është mirënjohje”.

Comments (1 posted):

Dhimiter M. Xhoga(Guri Naimit D.) on 24/12/2018 01:53:16
avatar
Figure qe na imponon rrespekt e nderim;
Pal Nika.

Nje figure sa modeste dhe e shquar e shoqerise sone,figure qe me punene e tij ka arritur ne shkallet me te larta te nivelit te tij arsimo,kulturor,deri profesional e shkencor i nderuari Pal Nika,te cilin na e sjell me mjeshteri profesionale me Penen e tij,Mjeshteri fjales shkruar,mesuesi merituar e gAzetar z.Fran Gjoka qe e pershendes sa, ju uroj te dyve;-Shendet e miresi,ne periudhen e tyre ne pension,qe dihet jane aktiv Si i njeh mbarre Lezha dhe vendi.
Dihet thenie popullore:
-I miri ia ben vendin VETES.
Gjithe te mirar miq e shoke te nderuar.

Pasues Veteran-MESUES.
Toronto23-12-2018 Dhimiter Xhoga

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1