ACPE - ALBANIAN CREATIVE PEOPLE IN EXILE: Gjashtë poezi për Kadarenë Gjashtë poezi për Kadarenë ================================================================================ FASLLI HALITI on 27/01/2012 14:57:00 FTESË NGA HOMERI Zbrita Në Athinë. Përveç babazot Homerit Unë Nuk njihja asnjeri. Me ta marrë vesh ardhjen time Homeri Më ftoi për një kafe në shtëpi. Shtëpia E Homerit pa drita, Errësirë. Babazot Homeri Porositi Helenën të ndizte qirinjtë Dhe të na sillte një kafe të mirë. Helena Ndezi qirinjtë në shenjë nderimi për mua, mikun Na solli si nuse e ndrojtur kafenë Unë S’e desha kafenë nga dora e Helenës, E desha Nga dora e Penelopës vetë, Penelopa s’kishte kohë për mikpritje Ajo vazhdonte të thurte, të ç’thurte pëlhurën Qetë-qetë, Duke pritur Odisenë. Ç’të bëja? Të mos e pija nga kuçka tragjike kafenë? Pa Pirë Akoma Kafenë Homeri Më pyet Për Naimin, Për Kadarenë… I them: Naimi të ka përkthyer. Pashë që i erdhi mirë. Gropat e syve iu mbushën me dritë. U çel në fytyrë. I them Përsëri: Kadareja Të ka quajtur Babazot. Më thotë me entuziazëm mitik: bravo i qoftë! Pas kafesë Bëmë një bisedë intime. Babazot Homeri më foli intimisht për Helenën mitike. Kuptova se babazoti ishte dashuruar epikisht me kuçkën e bukur tragjike… Athinë, 1993 Kryelisi Me t’u bërë lis, Filluan Të të ngulin gozhdë, Gozhdë të ndryshkura në trungun tënd epos. Tentuan të t’i thanin, degët, rrënjët Por rrënjët ishin thellësive thellë. Ku s’arritën gozhdët xhuxhe. Tentuan Ta linin pa eposlis Pyllin plot lisa të letërsisë sonë, Po ti ua kalbe gozhdët injorante të inatit, Mediokritetit, Smirës, Xhelozisë. Mbi shushurima të mekura shkurresh, Mes lisave u ngjite ti, hovshëm përpjetë. Kryelis. Lushnjë, 1995 Kishe dhe ke Edhe si yllësi qiejsh, Dhe si grurë mali, E si grurë fushe, Ti kishe, Ke Dhe do të kesh, për ne Dritësinë, shijen dhe erën e bukës së re... Tiranë, 2007 Gjenerali Gjenerali i ushtrisë së vdekur S’i lë kockat si ushtria e tij E vdekur. Ai Është Dhe do të jetë gjallë Me spaleta mbi supe, në shekuj në era, do të jetë gjeneral Tiranë, 25, janar 2012 S’ka sesi Gjeniu Përbrenda gjenisë S’ka se si të mos ketë Sekonda, Minuta, orë Çaste fëminore, infantilitet. Si Kasandra mitike edhe unë, Te ç’do shkrimtar gjeni, Shoh Të ecë këmbadoras, Të rrëzohet, të ngrihet, Të qesh, Të qajë Një çilimi... Të mos e shoh te Kadareja këtë, s’ka sesi... Tiranë, 25 janar 2012 Autori i jetës dhe përjetësisë Jetën e thjeshtë të njeriut E bëre Përjetësi,, Përjetësinë e bëre Jetë. Autor i jetës e përditshme, ti, Autor i përjetësisë së përjetshme, ti vetë. Tiranë, 26 janar 2012