Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANTOLOGJI | - DRITA ÇOMO - VAJZA QË E QËNDISI DHIMBJEN…

- DRITA ÇOMO - VAJZA QË E QËNDISI DHIMBJEN…

Font size: Decrease font Enlarge font
image - DRITA ÇOMO - VAJZA QË E QËNDISI DHIMBJEN…

- DRITA ÇOMO - VAJZA QË E QËNDISI DHIMBJEN…
(19 mars 1958-19 shkurt1981)
- VAJZA që e priti Vdekjen me dinjitet dhe e respektoi Poezinë, deri në frymën e fundit, me po aq dinjitet -
( Fragment. Shkëputur nga libri në proces botimi për zërat femërorë të qytetit tim –OBELISK- Elbasan).

E njejta datë LINDJE-IKJE.Lind për të sjellë Pranverë. Ikën e mbështjellë me “Pelerinën “e një Dimri të NGRIRË…Ndaj edhe marsi është kaq i ndryshueshëm në ditët dhe orët e veta-herë të ngrira, herë-herë të bulëzuara prej sythësh…shumë e shumë herë na ngjitet pas kockash e pas shpirtit…,si dhimbje nga një lindje e vështirë. Doemos, Natyra është në muajin e Lindjes…
DRITA ÇOMO, e bukura e pafajshme, me pafajësi që në lindjen e saj; me pafajësi edhe në fëmijërinë e saj të trembur nga përrallat me ujqër e dhelpëra…; me pafajësi të dhimshme edhe rinia dashurore e saj…
Bebja Drita u lind, si syth’ i një stine vajzërie. U lind për ta kurorëzuar pranverën me Dashuri, për ta veshur Atë me fustan prej vargjesh- kurorëperlash.
DRITA, Vajza që e QËNDISI DHIMBJEN me Heshtje, me Dashuri dhe FALJE, duke shtrydhur brenda shpirtit rënkimet …deri në IKJE…
Vajza që e priti vdekjen me dinjitet dhe e respektoi poezinë, deri në frymën e fundit me po aq dinjitet
Vajza që e qëndisi Vajzërinë e PANUSËRUAR me Shpirtin e saj të vetmuar… Vajza që i la “testament” dashurisë-Dashurinë.
Poezia e Drita Çomos, edhe pse kanë kaluar, thuajse 40 vjet nga nga koha kur janë shkruar, janë sot Poezi që flasin për një Penë Poeti , poezi që sot thuajse rrallë mund ta lexojmë nga moshat rinore siç ishte Drita kur ikrijoi me frymën e saj prej shpirti …
…Dashuria ime je vetëm ti
Ne këtë sfond ngatërresash pa fund
Asnjë arsye nuk e fshiu dot atë
Asgjë s’më bëka që ta humb…

“Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash,
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule,
Dy fjalë të mira, të mos kesh kujt t’ia thuash…”

[ Drita Çomo u lind më 19 mars 1958 në Tiranë. Nëna e saj, Liri Belishova një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste, dhe babai Maqo Çomo udhëheqës partizan e më vonë ministër i Bujqësisë, që të dy u dënuan me 30 vite nga shteti komunist në kohën kur Drita ishte vetëm 2 vjeçare.
-Libri “Dritë që vjen nga humnera”, del në dritë 16 vjet pas fikjes së vajzës dhe bën pjesë në ripërtëritjen e ëndrrës më të vjetër të njerëzimit: rikthimit prej territ dhe asgjësë. E në këtë rast ne i themi vajzës: mirëserdhe në jetën tënde të dytë, në atë që s’njeh as veçim, as ankth.
(Fragment nga parathënia e librit shkruar nga Ismail Kadare) ].
DRITA ÇOMO
MARS
Pas xhamave të trenit kaloi një kumbull
Mbuluar me lule të bardha
Në sfondin e çveshur si një ëndërr humben
Përfytyrimi i bardhë i dashurisë së parë
Do ngrohet toka dhe lulet e bardha
Do të lidhin frutet-kokrra
Kështu dashuria do të jepte frutin e saj
Sikur ditët mos ishin aq të ftohta
Ngrica i rrëzon lulet përtokë
Dhe degët mbeten krejt te zhveshura
Ç’mund të thuash për lulet e bardha
Te rena, te shkelura, te përqeshura…
Pas xhamave të trenit kaloi një kumbull
Me lule të bardha mbuluar
Ish tepër e bardhë dhe tepër e bukur
Fatin e saj për ta duruar
12 Mars 1980
GJYSHES
Niobe fatkeqe ngurosur nga dhimbja
Ç’zemërim perëndish mbi supe të ra
Ç’hyjneshë ke fyer me lumturinë tende
Që pa dritën e syve të la
Pikëllim i zi në sfonde udhësh pafund
Mbi gërmadha kujtimesh ulërin pa zë
Të lëvizësh e frymë të marrësh si mund
Kur atë…Kur atë…Kur atë…
Po prape nxiton e sikur thyen këmbët
Sikur zgjat krahët t’i mbash e ata ikin, ikin…
Sikur s’do ta besosh tërë atë dhimbje
“më raftë pika…më raftë pika…”
Shtegtim i pafund nga një tmerr në tjetrin
Tragjedi niobiane e shndërrimit në gur
Ulëri drejt tokës, ulëri drejt qiellit
Deri kur? Deri kur?
Ç’hyjneshë paske fyer me lumturinë tënde
Ç’zemërim përbindëshash mbi supe të ra
Që të mbetesh kështu, si një shkëmb dhimbjesh
Pa ata…pa ata….
VETMIA
Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell
Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë
Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë te mira të mos kesh kujt t’ia thuash
Te jesh kudo i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë që do vijë
Po ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i di dhe s’i di
-Kjo është diçka tjetër
Minutat që ikin ngadalë-ngadalë
rënduar nga ajo që quhet pritje
Rënduar nga ai që quhet mall
Dhe që nuk llogaritet…
Mars 1979
DASHURI SIBERIANE

Po bie shi...dhe ti je kaq larg 
Po ndoshta dhe s'dua te jem me ty 
Ky qiell gri... Ne shpirt- kaq akull 
Kaq ftohte ne shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë tëdua 
Dhe të dua shumë, çuditërisht 
Po qe se të urresh është njesoj si të duash 
Të urrej dhe të dua njëkohësisht

Të urrej për atë, që më prishe qetësinë 
Të urrej, pse erdhe tek unë 
Për çdo gjë të vërtetëdhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë

dhe ne shpirt kam dimër, gjithnjë dimër 
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa gradë nën zero paske lindur 
Dashuria ime siberiane

Në të tërë qenien time bie shi 
Dhe ti nuk je. Dhe ti je kaq larg 
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty 
Dhe prapë s'dua të jemi bashkë.

Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xhoga) on 22/06/2018 23:15:36
avatar
Iliriana Sulkuq sjell te ndieren Drita Como-"qendistaren e dhimbies"; bija e prinderve"kreatyre njerzore".

Faleminderit e nderuar Iliriane,qe me ate prodhimtarine tuaj"fabrike",na sillni kesi perla shkrimesh,ani, kujtuar dhimbie...
Figura qe na sillni Ju,na ben te perjetojme ate vajze"Qendistare dhimbiesh",te ndieren Drita Como, ndare nga jeta,me dhimbie ne kulmin e saj,me kujtime te dhimbeshme.
Faleminderit cupa Elbasanase,qe paraprin me atdhetarizmin tend.
Falemindrit dhe "Fjales Lire"Juve ne te preferuarit e saj;"Perle e medias"

Toronto22-06-2018Guri Naimit D(Dh.Xh.)

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1