Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANTOLOGJI | POEZIA - E NUSËRUARA PA DHËNDËRR…

POEZIA - E NUSËRUARA PA DHËNDËRR…

Font size: Decrease font Enlarge font
image AJKUNA DAKLI dhe BORA ARLLATI

AJKUNA DAKLI dhe BORA ARLLATI - “The Second WALTZ”-
POEZIA - E NUSËRUARA PA DHËNDËRR…
-fragment-
(Ajkuna – bijë dhe Bora – mbesë Elbasani. Njera në Kanada. Tjetra në Gjakovë. Nuk kanë asnjë lidhje familiare me njera tjetrën. I bashkon poezia e moshës së tyre dhe geni i një qyteti që lind e rilind poezinë. Ajkuna dhe Bora -poezia e tri kohëve)
. […Kështu rrotullohet Fjala… nga një poete te tjetra, në pakohën e të njejtës moshë, por në kohën e Fjalës, që kur lindi Fjala . Kështu rrotullohet e bekuara Fjalë , si toka rreth diellit e dielli rreth vetes…
Kështu vjen Fjala, lëçitur e me tinguj , si një rrotullim Valsi, ku dashuria nusëron pa dhëndërr, ku Poezia quhet –Dashuri. Ashtu si edhe në kimi- asgjë nuk humb, vetëm transformohet nga një gjendje në një tjetër.Dhe “ajo” gjendja tjetër, quhet INDUVIDUALITET]. 

“Rreth unazës hidhet valle…” – është një varg i poezisë së Bora Arllati-t. I studentes së vitit të tretë në Letërsi, i vajzës së një nëne prej Elbasani, të njohur nga shumëkush, por që Bora nuk ka “pranuar” të ecë nën hijen e saj të dritëruar. 
“Rreth unazës hidhet valle” më kujtoi një “rreth unaze”, ku nusja nusëronte pa dhëndërr, ku të gjitha sishoqet e saj rrotullonin nëpër ëndërr unazën e dashurisë, pa dhëndërr.

“Rreth unazës hidhet valle…”. 
Unaza e një oroskopi jete, ku gjithçka dhe për secilin rrotullohen të gjitha dhimbjet, dëshirat, ëndrrat, të prekura të pa prekura, ku vetëm një shpresë i peshon dhe i mban në shpirt me dashuri…, si një vals, ku rrotullimi të marramend shikimin e t’i njehson ngjyrat në një të vetme…
Kështu e ndjeva këtë “unazë” në një dasëm gjakovare, menjeherë pas lufte. Ishin thuajse 20 vajza (aq sa janë poetet, deri më sot të qytetit tim). Të veshura me fustane nusërie, me ngjyra të ndryshme më shumë se ylberi. Vetëm nusja e kishte të bardhë fustanin e nusërisë së saj. Por as ajo dhe asnjera nga vajzat nuk kishin ende dhëndurrët e tyre. Anjera nuk e dinte nëse do të ktheheshin nga lufta që sapo kishte mbaruar, por secila mendonte se dashuria e tyre do të kthehej t’u vinte unazën në gishtin e shpresës… Të gjitha me fustane , nga më të bukurat, nga ato që që i quajmë të shekullit të Shtrausit, nga ato fustane që të tregojnë se e kaluara puthet me të ardhmen. Vajzat e dasmës kërcenin të lumtura sepse u kish ardhur Liria dhe se Liria do t’u bënte dhuratë nusërimin! Nuk e dinin se Liria donte vetë “dhurata” prej jete… Dhe rrotulloheshin, vajzat, si në “The Sekond Waltz”, por me muzikë të traditës së tyre. Rrotulloheshin, siç rrotullohet një unazë, në gishtin e unazës, kur të hollohet gishti nga meraku i pritjes…

Kanë kaluar thuajse 20 vjet nga kjo dasëm pa dhëndurrë, kur Bora e simoshat e saj ishin foshnjat që luanin me kukulla, por sot u përsëriten po ato rrotullime valsesh me pikëpyetje të mëdha për jetën e sotme… 
Vetë poezia që pështjell shpirtin e Ajkunës dhe Borës dhe të të gjitha poeteve është poezi pa dhëndërr, por poezi që nusëron në të gjitha kohët si “The Sekond Waltz” apo si The First Word (Fjala e Parë) . Një nusërimi të tillë i duhet vargu i Ajkunës “…muzgu gëlltit perëndimin e kuq/si një gotë verë …“ , sepse vetë muzgu të magjeps dhe të përkund në ëndërrime…
Bora:
ABSURDJA

Sa të rënda janë misteret e saj,
por unë i zbulova.
Që kur botën e ke zënë
rreth unazës hidhet valle !
Ti, e ashtuquajtura jetë
ke aq shumë shkallë…

Nga shekulli i Valseve edhe sot jeta shfaqet sërish si një vals, si një rrotullim rreth një unaze shprese, si një gjysmë rrotullim pikëpyetjeje… 
Simbolikat e të kaluarës dhe të ardhmes(shpresë), kanë gjithnjë një ngërç -të TASHMEN. Kjo e “tashme”, herë të trishton, herë trupëzohet si pikëpyetje, herë e pikëçuditëse, shumë herë të bën të “përplasësh”( si grushtin në tëmth), vargun brenda një poezie …Dhe kështu rrotullohet Fjala, me të gjitha figurat e saj…, nga një poete te tjetra, në pakohën e të njejtës moshë, por në kohën e Fjalës, që kur lindi Fjala. Kështu rrotullohet e bekuara Fjalë, si toka rreth diellit e dielli rreth vetes…
Kështu vjen Fjala, lëçitur e me tinguj , si një rrotullim Valsi, ku dashuria nusëron pa dhëndërr, ku Poezia quhet – Dashuri. Ashtu si edhe në kimi - asgjë nuk humb, vetëm transformohet nga një gjendje në një tjetër.Dhe “ajo” gjendja tjetër, quhet INDUVIDUALITET.

AJKUNA: 

VALS

Dalim ? 
ti pyet 

Ulemi diku në një kafé
përballë njëri tjetrit, flasim 
me zë të ulët duke iu shmangur
së përditshmes si pellgjeve me baltë
në një fushë ku bari vende vende është zhvoshkur.

Kërkojmë 
një sekret të vjetër
fshehur në sytë
ose në mollëzat , në buzët , ose diku në fytyrë 
një ind që ka mbetur akoma I butë 
nën lëkurën e ashpërsuar.

Dalim 
unë them 

rrugëve të ecura me mijëra herë
vizatojmë prapë hapat e të vetmit vals 
që njohim 
majtas, djathtas , rrotull….

Dy kalimtarë që vështrojnë në vitrina 
pa u shkëputur dot nga xhaketa e vjetër 
e ngrënë në bërryle 
që na i njeh mirë gjithë trajtat e trupit.

ZONJA MAKBETH FLET NGA EKRANI

Eshtë plakur.
Këmbët nuk e mbajnë të dalë në rrugë
njollat i ngatërrohen syve të huaj
nëpër muzg.

Në ekran 
zëri i hollë shpon ajrin
si fishkëllimë gjarpri
kur ndjen se po afrohen flakët
(“Shporru njollë e mallkuar! 
Shporru!”)
.
Historia 
qenkësh një qyrk që vishet
nga të dy anët
të qepura me të njëjtin fill gjaku.

BORA :

PA HARTË DHE PA BUSULL

Papritmas si shtegtare e re vura bast
për rrugicat e pashkelura të shpirtit,
duke çarë kaltërsinë dhe gjuajtur retë,
në stacionin e fundit nga ishin nisur.

Nuk kam një hartë në ekuipazhin tim,
ne lamë pas kohe një ecje të bujshme,
kanosej mendja e padisiplinuar,
dhe ca kujtime të frikësuara, të plagosura.

Të mbyllura me vite në anijen e rrezikuar
nga rrufetë që ulërisnin e dukeshin aq afër,
larg sa vite drite të largët.
Pa hartë dhe busull
pa biletë dhe as itinerar,  
fajtore e heshtur e pafajësisë
numëron vijat e bardha në kilometrazh.

Çfarë zbulova në të vërtetë ?
Nuk guxoj t’i vë emër,
me siguri do të gaboj 
si Kolombi në kontinentin tjetër!

SI QUHEM ?!

Kërkoj të hap portën e mendjes
mes zhurmës së pafundme hipokrite.
Kush jam ?
Shpirtin tim, thua, di ta njoh ?
Aty ku jeta më solli natën 
për të më dhënë ëndërr të re
për të më sjellë një iluzion të ri.

Kështu të ngopem me veten,
të harroj që po plakem
dhe e di se shumë larg
melodia e flladit me ecjen e qetë 
do më ndjekë nga pas.

Por s’do më vërë faj
sepse ende nuk di përse jetoj
dhe pyes veten habitur,
si mund të quhem në këtë botë pa emër ?
Për të mësuar sido që të jetë
vetëm një gjë me emër të thjeshtë: 
E vërtetë !

AJKUNA DAKLI -
u lind në Elbasan në vitin 1969. Studimet universitare i ka kryer në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Matematikë.
Në vitin 2001 largohet nga Shqipëria dhe vendoset bashkë me familjen ne Toronto, Kanada ku vazhdon punën dhe studimet në fushën e sigurimeve. Në vitin 2010 fiton titullin Felloë në fushën profesionale. 
I pëlqen letërsia dhe shkruan poezi dhe prozë të shkurtër. Ka botuar në disa gazeta online. 
Në vitin 2016 boton librin « Rrokje » i cili është libri i saj i parë me poezi.

RROKJE

Ti tashmë je 
një trupth i vogël që çapitet
hareshëm rrotull meje si lule dielli
dhe fryn nga goja e vogël
gërmat e emrit tim
si flluska gazmore
që mbushin me ngjyra dhomën

Askush më parë s’më kishte thirrur
kaq bukur 

Shoh veten tek fluturoj në ajër
në formë rrokjesh të ndritshme
dhe zbuloj papritur arsyen e shpikjes së gjuhës
Rrugët janë të drejta

E kam të pamundur të përhumbem 
këtyre rrugëve të drejta që priten 
në kuadrate. 

Ky qytet më ka kapur si në një rrjetë 
Gjithshka eshtë e thjeshtë, lehtësisht e gjetshme :
Nuk ka rrathë 
Vetëm drejtë, 
drejtë e pastaj 
ca minuta dilemash në një kafe në kryqëzim 
ndërsa gllënjkat e nxehta më shuhen në grykë 
si perëndimet e përflakura të një vendi 
që dikur ishte imi.


1997…

Ajo qe luftë pa ushtarë, 
pa varrezat e tyre si harta lavdie
mbi të cilat shënohen fitoret dhe humbjet.
Të vrarët qenë zgjedhje e rastësishme e fatit
(që mbase zgjedh për asyet e veta
kur arsyeja bëhet fjalë zemër gjerë)

Varret, 
të shpërndarë aty- këtu në varreza civile
si pika balte të shkundura nga duar varrmihësi 
dallohen nga të tjerët 
nga mosha dhe nga një e qeshur e ngrirë në sytë 
si kafshata e fundit e jetës që ngeci ne fyt pa u përtypur.
Ndërsa gurët e tyre duken më të mëdhej
e të kobshëm 
të vetmuar në llojin e vdekjes.
Dezertorë të parekrutuar që tradhëtojnë ndarjen e 
plackës së një lufte të pashpallur.


LUTJE

Çdo natë
ulur në gjunjë 
buzë shtratit më këmbë cilindrike prej metali 
si shtylla të një tempulli mirëmbajtur
me besnikëri asketi
gjyshja përshpëriste një lutje në ca fjalë 
të heshtura të pakuptueshme si një sekret ushtarak
që askush s’duhet ta dinte.

Thirrjet tona për ta kapur në befasi qenë të kota
Thoshte që qe plakë e s’na kish dëgjuar.

Për ne të vegjlit lutjet qenë të panjohura , të panevojshme  
Drithi që përtypnim qe korrur e hedhur në grazhd 
nga tjetër zot, i dukshëm , i qartë 
si çeliku i tehut të një drapëri që 
(si për të vënë akoma më shumë në dyshim 
ekzistencën e tij )
kishte zënë plotësisht vendin e zotit tjetër 
në një eklips të vulosur mirë.

Gjatë ditës ajo nuk e zinte zotin e saj në gojë  
Si emrin e një të vdekuri të pakallur
fantazma e të cilit mund të shkaktojë kushdi 
ç’turbullira të frikshme.  
Vetëm në mbrëmje 
kur gjente një çast larg syve tanë 
si një gjeneral që bën fshehur planet e mbrojtjes 
rreshtonte si ushtarë 
fjalët e lutjes - e vetmja gardë që e bënte të ndjehej e sigurt.

RADIO E VJETËR

Qe blerë disa vjet para luftës.
dhe kishte heshtur papritur
dikur në vitin dyzetpesë.
Rropullitë shërbenin akoma 
për eksperimentet tona të fizikës.
Herë pas here
telat e hollë dridheshin 
dukej sikur do flisnin më në fund

Po valët vinin të shurdhëta dhe humbnin memece.

Mobilja e ndritshme, gjithnjë pluhurfshirë 
mbështillte e paepur 
heshtjen e gjatë
dhe krenarinë e një kohe tjetër.
……………

BORA ARLLATI-
u lind në 18 janar 1996, në qytetin e Gjakovës. 
Si fëmija i parë në familjen e saj, ajo është bijë e një babai gjakovar dhe një nëne nga Elbasani / Shqipëria.
Bora talentin e vërtetë e ka shfaqur në letërsi me krijime të mrekullueshme në formën e esesë dhe poezisë. Që në klasë të parë, ajo botoi në revistën “Marigona” të shkollës “Zekeria Rexha” krijimin e parë me titull: “Unë Bora dhe bora e dimrit”. 
Është studente e letërsisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit publik “Fehmi Agani” në Gjakovë. 
Vëllimi me poezi dhe filoprozaikë “Përtej” është botimi i parë të cilin autorja e re e botoi në Maj të vitit 2014 derisa ishte maturante në gjimnazin “Hajdar Dushi”. 
Ky libër u promovua në kuadër të 50 - vjetorit Jubilar të Mitingut të Poezisë në Gjakovë. 
Krijimet e saj shquhen për peshë metaforike dhe pjekurie. Është laureuar me titullin: "Krijuesja e re në artin e poezisë" për vitin 2014. Në Konkursin letrar “Dita Poetike Durrsake 2014” u nderua me Mirënjohje. Krijimet e saj janë prezantuar në serinë antologjike 12 vëllimëshe “Muzgu” në Tiranë si dhe janë botuar vazhdimisht në shtypin periodik. 
Libri “Përtej” u botua në maj 2014 dhe ribotua në qershor 2017 për shkak të kërkesës.

TOKA IME

Shkel unë,
rrudhat e tua shkel,
zërin tënd e dua
dhe përkundem
si një valle mbi ty.

Ti më deh
princesha e dhimbjeve të mia,
balta jote më përkëdhel duart 
sa herë përkulem mbi ty,
më gjunjë të puth për të thënë të dua
aroma jote më preh
o Tokë e bekuar !

Më prek 
kur bie në krahët e tua,
dhe plagët t’i ndjej,
derisa në gjirin tënd
një ditë do të kem pushuar
duke pritur ura që lidhin udhët
unë, e vetme
deri në ekzistencën tënde, timen.

NË QAFËN E MALIT
(Alpeve të Shqipërisë)

E përhumbur rrugëve të jehonës,
shkëmbinjtë zemrën ma ngritën lart mbi re
në çast, ashtu si mali 
dhe trupi im u dorëzua
nën retë e bardha mbledhura në vatër.

Sa herë rreth këtij përbindëshi guror,
më ngjiten kujtimet
në stinët e veshura krejt ylber.

Më vjen të mbledh gjithë malin,
në pëllëmbë ta mbaj
se me mua do të ngjajë
faqet tona lehtë t’i bashkojë.

Dhe s’do pendohesha kurrë !
Me dritëzën ngjizur
ato bjeshkë ku puthin retë,
të jenë njësoj si mua.
Të dashurojnë gjithë botën
dhe bota t’u thotë: “Ju dua !”

NËNËS !
(me rrënjë në Zot e degë në Njerëz)

Sa herë hyj e dal në faljen tënde
nga një marrëzi e stisur
si fjollë bore 
që shkrihet ende pa nisur.

Në mbylljen e syrit
je fillesë rënë nga qiell-toka,
me rrënjë në Zot e degë në Njerëz
liqen bekimesh ku lahen fajet tona,
në gazin tim e në lotët tua
ti një Yll që dritëson mbi mua.

Të bie nën këmbë si fustan i djegur
e prapë të puth
edhe me buzë hiri…
Njeriu vdes në kohë të ndryshme
brenda vehtes, 
ti Nënë ringjall tek unë
shpresën e së nesërmes.

Sa duhet një shpinë që të ulet në gjunjë
për të më ngritur përsëri lart ?!
Ti sjell për mua një pëllëmbë tokë,
një krah ku mbështetem,
agim të ndritshëm mbi tokën e errët,
që dashuria të ketë forcë më shumë se fati.

Por, unë i lutem jetës për të mos nxituar !
Edhe kur dhimbjet a gëzimet
ua hedh maleve trime,
kodra më e lartë,
është gjiri i nënës sime !

GURI

Ti nuk mposhtesh
as rrënohesh lehtë,
bir i një kokëfortësie të hidhur.
Përçmon të dobëtit, të parrugët
sepse egërsia të mbjell trishtim
thërrmimin e gjigandit kthen në rërë.
Nuk ka vend pa këtë peshë,
të ndarë me dhe.

E merr çdo grimcë,
kthen në copëza jete të pathyeshme
si pronat e të tjerëve.
Atij që të përkëdhel
i fal gjithë tokën mbarë,
të përzgjedhurën mes vorbullës
e bën të fortë si veten,
të palëndueshëm
nga kushdo që e hedh 
në të hirtën dashuruar,
të mbesë gur i pandërtuar.

Si kopsht lëndine e papërlyer gurësh,
mbaj një gur në vend të zemrës,
kacavarur në shpresë,
bekuar në pavdekësi.
Pengesa në të cilën rrëzohem,
është gur i gurosur 
që kërkon të gdhendet
në qëndrueshmëri…
Por vetëm malli 
e thyen gurin që hodha pas !

NJË PIKË SYRI

Botë e pikësuar në një sy.
Brenda në sy
lexoj përgjigjet e pyetjeve
të syve të mi.

U rrëzova në rrugë.
Do kisha vdekur
po të mos isha mbytur nga sytë.
E zënë rob prej zërit
u strehova në sy.

Mund të vdes goditur prej sysh.
Do doja që edhe vdekja një sy gjumë të ish.
Bota është valltarja më e mirë
kur vallëzon në sytë e mi.
Gjatë varrimit më lini jashtë vetëm sytë,
rigat e shiut roje të syve në ëndërr janë.

Kur për sytë me ngashërim
do të qash tek rri në gjunjë,
sytë e tu mbi varrin tim,
varri im në sytë e tu.

Më mbyti loti i tij
në lojëra qerpiku e ndjell,
por kur më zgjat dorën
ndjej se më zhyt edhe më thellë.

Me sa mund e duroj këtë dhimbje si burrë,
në heshtje syri qahet me dënesë.
Cili shikim ka mbetur etur
që ky sy kërkon ta bëjë lot ?!
Në njërin sy hyra e gjitha,
sa e cekët m’u duk bota
të nesërmen kur ditën e re nisa!
.........
Iliriana Sulkuqi- Fjala e poeteve të Qytetim tim Elbasan,në vargje
Brooklyn, NY, 4 qershor 2018

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 06/06/2018 10:53:39
avatar
Radio e vjeter, e blere para Luftes
qe pushoi fill pas saj, duke regetire hera heres ne pergjim te bukur te valeve qe edhe aq kollaj s'eshte te vijne... por pashmangshem do te degjohet dikur, nga qe kurre nuk eshte heshtur, mbase do te mbetet ne auren e krijimtarise se Ajkuna Daklit si njera nga qendrat energjitike qe vazhdimisht do emetojne...
Emer mbiemer qe vjen permes jehonash, si zogj qe kerkojne ta kene nje fole diku...
Ksulkuqja fton gjithkend per fluturim dhe ne çdo dukje te saj, s'mund te mos e shkund nje krahe andej nga hapesira e privuar e Veriut.

"Me rrenje ne Zot
e dege ne Njerez..."
ngjeth prej nje qasjeje tjeter Bora e Gjakoves...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1