Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANTOLOGJI | Barkushet e një zemre, por me detaje poetike që bëjnë diferencën

Barkushet e një zemre, por me detaje poetike që bëjnë diferencën

Font size: Decrease font Enlarge font
image MARJANA DHE SARA HUSHI


{ *Barkushet e një zemre, por me detaje poetike që bëjnë diferencën
* “Gjithçka që kam, gjithçka që s’kam, më je ti….”
* Marjana-lulja “dorëzonje”…që duhet puthur me delikatesë…}
***
“Gjithçka që kam, gjithçka që s’kam, më je ti….” Është një perifrazim që përshkon fillin kodik të të gjitha poezive, kur ajo, poezia, i drejtohet dashurisë me një emër të përveçëm , por që fshihet pas një mesazhi universal…
Pa mëdyshje te Pablo Neruda dhe pa ekuivoke te Janis Parios, që e përçon me tingullin e zërit të tij, deri atje, ku zgjohen edhe vetë perënditë… 
Është leitmotivi i dashurisë më hyjnore te shumë poetë, që i drejtohen dashurisë së tyre, në sinkrom me një dhimbje që ajo u jep të gjithëve, pa plagjiaturë (sepse vetëm dashuria nuk është plagjiaturë për askënd)…; është sinfoni stinësh më e thekshme dhe më e ndjeshme se stinët natyrore të vitit që shpesh ngatërrohen me njera-tjetrën…, dhe në fund , nuk i quajmë më –stinë, por Kohë… 
Dhe Marjana Hushi, vetvetja në Fjalën për Kohën, shkruan: “Koha ka gjërat që më mungojnë mua”.

Koha s’ka trup,
Ka vetëm krahë,
Që të mbështjellin fort,
Ose të përzënë.
Ka vetëm frymë,
Për këngën e re,
Që bredh mes dhimbjes nënë.

Koha s’ka gjumë,
Ka vetëm qepalla,
Dhe ëndrra mbi to.
Ka stinë dhe shpresë,
Varre dhe yje,
Brigje oqeanesh njerëzorë.

Koha s’ka ditë, as natë,
Ka shekuj me shenja përqafimesh dashurie.
Fluturime orësh të lashta,
Pikëllim edhe jetë,
Folѐ mes tyre.
Koha ka gjërat që më mungojnë mua.
***
Marjana dhe Sara-Barkushet e një zemre, por me detaje poetike që bëjnë diferencën.

Njera (nëna poete thotë (këlthet së brendshmi me shpirt urdhërues)): “…Mos u ngut me mua, të më thuash ik…”
Tjetra (bija poete), jetuar në kohën pa komplekse ku “survejohet” edhe mendimi, shkruan : ” …Eja,/ Ma shtrëngo dorën!/Mos ki frikë/t'ecim bashkë /në fusha t'qeshuna,/qiej t'hapun./Të rrokim cepa yjesh,/e rreze dielli…
Në konteks e njejta thirrje për dashurinë, por një detaj fare i padukshëm, njerën e bën pasthirrmë shpirtërore - tjetrën e bën një thirresë të sigurtë, paqësore, mbështetëse dhe mbrojtëse pa ndroje, por me guxim dhe çiltërsi prej një të vërtete që ia jep statusin e ligjshëm koha dhe mosha.
MARJANA:
Të më thuash ik  
Mos u ngut me mua.
Të qepem si ferra,
Po s’më the të dua.

Bëhem pikë vese,
E tretem ndër fletë,
Nëse te selvija,
Natën nuk më pret.

Mos u ngut me mua,
Të më thuash vdis.
Bliret bulevardit
s’mundem t’i braktis.

Rrëketë nëpër pyje,
S’kam guxim t’i lë.
Lapsi dhe një fletë,
Më duhen gjithnjë.

SARA:
Eja,
Ma shtrëngo dorën!
Mos ki frikë
t'ecim bashkë
në fusha t'qeshuna,
qiej t'hapun.
Të rrokim cepa yjesh,
e rreze dielli.
Të lumtur,
ulur n'cep t'hanës,
ti dhe unë,
me dorën shtrënguar.
Eja!
Qëndro,
E kurrë, 
prej Universit me emrin "Ne",
mos u largo!

***
Marjana Hushi - Dorëzonja (siç e quajmë në Elbasan një lule imcake, me pesë petale – kulpër si të një zonje të brishtë e delikate, aromë mirë, të rrallë e të veçatë…), është lindur të bëhet heshtja e vargut të saj prej shpirti , por që me plot kuptimin e fjalës quhet Poezi. Poezi që do të jetojë më shumë se shumë nga poezitë e sotme… Besojeni!
VIJMË …SHKOJMË…

Ne jemi këtu
për të shkatërruar veten,
duke parë e duke bërë atë që s’duhet,
për t’u plakur, rritur udhëkryqeve,
lindur
nga një monotoni mërzie e çifteve.

Ne jemi këtu për t’u lëvduar
edhe të paditur,
me njëri- tjetrin për t’u urryer, për t’u grindur,
Për t’u sakrifikuar
dhimbjesh duke klithur.
Ne jemi këtu për t’u kthyer aty, ku jemi nisur….

HAJK-u dhe MARJANA HUSHI.
Hajk, shkruar për herë të parë në Shqipëri nga Moikom Zeqo e Betim Muço, u shkrua më pas edhe nga shumë poetë, sidomos të Elbasanit. 
Hajk-u, qendisur me rrokje, si tik-tak-e shpirti, në vargun e Marjana Hushi-t
***
Në degë të ullirit
një gjinkallë e plasur…
Ç’mallkim i vjetër!
***
Shelg degëkërrusur,
gjer përdhè…
Ca dhimbje i marr të mos këputet.

***
Dridhet në ajër gjethja,
ka frikë
nga këmbët.

***
Më merren mendtë nga rrëmuja,
mbështetem
tek sytë e tu.

Marjana Hushi- u lind më 12/05/1970. 
Ka botuar dy libra me poezi: “Balada e diellit” 1997; “Rrotullim i mbrapshtë” 2006. 
Prej vitit 1993 punon në fushën e arsimit. 
Ndërkohë , mësuese në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”, Elbasan 
SKLLAVE DO TË BËHEM

Skllave do të bëhem,
në mbretërinë tënde,
duart e tua të puth,
para teje palosur të falem.
Të t’pëshpëris fjalë ledhatare,
që në vesh t’i dërgon era,
me qafë të përthyer, lozonjare.

Skllave do të bëhem
në mbretërinë tënde,
në netët e tua
amazonë e dashuruar.
Buzë udhës në hijen e mbrëmjes,
veç jo atje, ku ulen
pëllumbat e vetmuar.

RROTULLIM I MBRAPSHTË

Rrotullimi im i mbrapshtë,
Atje, ku stinët rëndojnë ligësish,
ku lisat i bien kitarës
duke puthur qiellin.
Atje, ku askush s’e njeh mjerimin tonë,
në natën e zezë ku hijet përgjojnë…

Atje, ku thyhen rrënjët e tua.

DIMRIT

Dimrit ,
s’dua të dal askund.
Fshihem nën pallto me frikë,
Dielli dembel,
Mes resh më shkel synë.

Dimrit,
Pa një fije bari gjymtohem,
Shallin kodrinave lë,
Të ngrohin sytë,
Të ngrohin gushët,
Ku manushaqja fle.

Dimrit s’të dua më pak.

BESOJ

I besoj si ty udhëtimit,
kur nga heshtja veshët të kumbojnë,
kodrave ngjeshur sup më sup,
pemëve të holla përgjumur,
brezit të errët të pyllit.

I besoj si ty,
largësirës së mjegulluar,
tej qiellit të përmbysur mbi rè,
vesës që lind
e kullon mbi flokët e barit,
duke mbytur trishtimin…

Vetmisë i besoj,
si ty,
I besoj ditës që ikën e s’pyet për ne.

***
Sara Hushi - u lind më 25/10/1998. E talentuar në fushën e prezantimit, vlerësuar edhe me çmime në rrang qarku. Studente në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

NUK JAM
Nuk jam për t’u ledhatu,
nëse respektin,
fjalën e mirë, 
besimin,
s'ma ke fitu.
Nuk munden me m'gëzu
fjalt t'amla,
dhuratat e shtrenjta,
nëse n'momentet ma t'vështira,
dorën s'ma ke shtrëngu.
Nëse forcën e pushtetin,
krenarinë e fuqinë,
ke dasht me m'tregu,
Unë mundem me t'thanë,
se ti kurrë s'ke me fitu:
mbi shpirtin e perkujdesjen,
dashurinë e perkushtimin,
sinqeritetin e devotshmërinë,
e femnës që Zoti ka kriju!

NATËN VONË

Natën vonë
Mendimet kërcasin
Siç pikat e shiut dritares!
Natën errët, 
Pyetjet vërshojnë,
Siç makinat rrugëve t'qytetit kalojnë!
Natën ftohtë,
Rrahjet zemërore shpejtojnë,
Siç kalimtarëpanjohurit vrapojnë!
Ecejaken e reve,
Furinë e sekondave,
Ftohtësinë e ajër-rrethuesit,
Mendimet ndjekin,
Natën vonë...

PAQARTËSI

Paqartësi, 
N'sy, n'zemër, n'mendim.
Xixa vocërrake tek-tuk, 
N'imazh mbulojnë çdo mangësi!
Rrathë, 
Ndërthurur fort,
Lidhur, pluhurosur
Nga e vjetra hije pazemërsisht 
Prangosur.
E gjurmë, e pikë,
E vijë e frikê:
Frikë, 
Nga paqartësi servirura,
Vorbull mendim thurura!

Iliriana Sulkuqi - Zëra poetike femërore të qyteti tim Elbasan
Brooklyn, NY, 2 qershor, 2018

Comments (1 posted):

Iliriana Sulkuqi on 03/06/2018 12:38:27
avatar
I dashur Fatmir (Fjala jonë e Lirë), s'mund të këtë fjalë të duhur që gjysma e vetes t'i thotë gjysmës tjetër. Ti nuk je vetëm nga Elbasani ynë, por edhe Fjala jonë që buron nga shpirti yne i përbashkët !

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1