Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANTOLOGJI | LIDA LAZAJ DHE PERLA

LIDA LAZAJ DHE PERLA

Font size: Decrease font Enlarge font
image LIDA LAZAJ

LIDA LAZAJ DHE PERLA – Nga Fjala te Fjala
- 1 Qershori festa e tyre e përbashkët.
“Rritmë gjyshe , të të ngjaj…!” -

(…dhe i tha maji qershorit: ditët dhe ora ime mbaroi. I thuaj Perlës, në ditën tënde të parë, t’i thotë nënës së saj poete, se librin UJI QË ESHTË UJË do ta shohë e do ta prekë, sapo ajo( Perla), t’i ketë treguar tre përrallëza nga të sajat, mëngjeseve të zgjimit… )
… se qershiat , janë edhe dyshe-dyshe jo rrallë, Si dashuria me dashurinë – binjake shpirti …
Nuk besoj se në fëmijërinë e vajzave, të mos ketë ndodhur që , sapo kemi parë me sy qershia dyshe, pa i provuar ende, i kemi vendosur si vëthë… Një ndjellje instiktive vajzërore, për të qenë gjithnjë vetë i dytë, me dikë që të bëhet njësh me shpirtin…
Se qershiat dyshe janë edhe dashuri mbi dashuritë, si në rastin gjyshe – mbesë…
“Pikoi loti kristal i Perlës
dhe zemra-shegë, 
në njëqind kokrriza të kuqe m`u nda.
Kraharori-pavion i bardhë spitali
me njëqind pacientë me zemra të sëmura,
që sapo ti prekësh bëhen rrëkeza
njëqind pacientë, 
që s`i shëron asnjë bar e terapi,
që ka shpikur shkenca.
shëron gishti i vogël i Perlës
dhe këngëza e saj: 
“Ditëz’ për ditëz’ rritem një gishtëz’’.

Nëse më shihni të ec duke u lëkundur, 
si varkë, pa busull 
mes dallgëve të detit, 
kursejuani syve mëshirën,
në atë çast jam karusel, 
që kolovit ëndërrat e Ninës… 
( Kontratë me diellin)

.

Nuk ka poete të mos i ketë kushtuar poezi nënës , babait…, duke pasur në udhë jetën e saj porositë, këshillat , përkujdesjen dhe hapësirat e trasmetimit të mesazheve prej tyre te vetja, nga vetja te brezat… 
Dha ja mesazhi, nga i cili Lida Lazaj, e bën kryefjalë - Titull të librit të saj: “UJI, QË ËSHTË UJË”, ku këto pak vargje janë refreni i një poezie të plotë, të arrirë artistikisht, me metafora që të emocionojnë thellë në shpirt.  
“Uji, që ka lindur të këndojë s'bëhet moçal
lëre të shkojë 
e gjen vetë shtratin,
thoshte ati im…
MIQËSIA DHE POEZIA…
Në ardhjet e mia të çdo vjeshte në vendim tim, takimet e mëngjesit ishin me Lidën.. në një kafene , ku mund të kishte edhe internet… 
Kafja jona jonë , ishte “sebeti”, se ftohej e ftohej, e mbase asnjera s’e mbaronte… Kishim shumë ”thashetheme’ që nuk u a gjenim fundin. Asnjë nuk shanim,vetëm veten tonë… , në lidhje me poezinë tonë,që a do ta bëjmë ndonjë ditë të jetojë?...
Takimet me Lidën, ishin njëherësh lëvizjet tona –aventurë, sa nga një autobuz në tjetrin, sa një jë fugon në tjetrin, me c135anta librash dhuratë për kudo që udhëtonim… Elbasan, Durrës, Shkodër, Tetovë, Shkup, ….
Takimet tona ishin ndihma ime prej Zoti, kur përgatisja , Kalendarin për autorët e Fjalës së Shkruar, të Elbasanit.. kur mua shpesh më mpihej dora dhe vetëm flisja e Lida mbante shënim e më pas m’I sillte të shtypura , duke gdhirë natën e saj në kompjutër…
Takimet me Lidën kanë shumë miqësi të patundshme me lot dhe gëzime, por, por por…
Nga çasti kur unë do të isha redaktorja e librit të saj poetik ”Uji që është ujë”, midis meje dhe Lidës, nuk kishte më Ti dhe Unë, sëbashku. Jo. Kishte vetëm Poezia dhe redaktori. Se poezia nuk është këngë që këndohet duke pirë e duke vallëzuar në një dasëm. Ajo i takon lexuesit. Është pasuri KOMBËTARE.
Poetja e përtej kufijve…
Shumë nga ne e dijmë që Lida është e njohur në hapësirën e miqve të internetit, ku herë pas herë lexojmë dhe përgëzojmë poezinë e saj. 
-Por, a e dijmë të gjithë se, Lida jonë, si edhe disa nga krijuesit Elbasanas të Haik – ut (falë të ndjerit Milianov Kallupi), është e njohur nga lexuesi japonez hajkut?
-A e dijmë të gjithë se, një esse e LIDA LAZAJ për Haik -un, të përkthyer në anglisht, poeti i mirënjohur Tomislav Bilosniq, ia ka bashkëngjitur si pasthënie librit të tij me haiku?
Pjesëmarrëse në disa antologji me haiku dhe poezi në Shqipëri, Maqedoni, Kroaci! Botuar periodikisht në të gjitha suplementet letrare të të përditshmeve në Shqipëri, si dhe në revistat: Obelisk dhe Illz, e botuar në revista të ndryshme në Kroaci, Maqedoni, Greqi…, është edhe kjo vajza jonë –gjyshe – poetja LIDA LAZAJ
Lida Lazaj, Autor… 

- Me zërin tënd- poezi 2005 Sh. Botuese “Egnatia”, 2005
- Rruga për nesër - Haik (shqip-anglisht) Sh.B “Egnatia”, 2008
- Gishti i dheu të dhembshur - poezi Sh. B. “ADA, 2008
- Syri i së dielës - poezi Sh. B. “ADA”, 2014
- Uji që është ujë - poezi SH.B “ADONIS”, 2018 
….

…dhe libërthat përrallë të Perlës: 

1.Miushja mbretërore, që futej në telashe. 
2.Pesë qenushët guximtarë. 
3.Hildi dhe kafshët e zhurmshme. 
4.Motrat muzikante. 
5.Djali, që donte të bëhej dikush-i

Lida Lazaj

VAJZA MBI URË 

Vajza e vogël mbi urë 
e harroi këshillën e gjyshes,
të qëndronte e vogël
me kaçurelat e verdha
nën kapelen me kordelet e gjelbra

E harroi.
dhe filloi ti pëlqejë gënjeshtra

Sytë ja vodhën arabeskat
kapelen ja mori era
kordelet u bënë udhë
dukurpadukur nëpër mjegulla
njëra anë në dorën time
në dorën tënde tjetra

Vajza e vogël e harroi këshillën
dhe nisi ti shijojë gënjeshtra,
dhe u tradhëtua…
u tradhëtua…
u tradhëtua…

DY QERSHIZA

Plot lëng e shkëlqim në agshol
çukitur nga zogjtë, kafshuar nga jeta
ngrënë ditënetët dhe njëri tjetrin deri në bërthamë
ne të dy-dy qershiza në një rrëfanë.

Si dyllë i ngrirë në fund të shandanit,
kur qirinjtë digjen deri në palcë.

E mjegulluar kujtesa,
kur gishtërinjtë me një prekje ndiznin kurmet.
dhe flakët fashiteshin 
në fytyra të lumtura vocërrakësh.

Dy duart tona pranë e pranë,
dy gaforre të vogla,lëvizin mbrapsht.

Ç`po ndodh kështu me ne o mik,
zgjerohen hapësirat,
apo ne u mpakëm?

DIELLI NUK MBAHET NË PËLLËMBË

Një mbi një i kam hedhur shtatit 
rroba dimri e rroba vere, 

Si topa bore shkuar në shtizë
lulet e qershisë.

Peizazh i zhgaravitur 
nga penel i patalentuar 
kjo ditë pranvere.

Dielli nuk mbahet në pëllëmbë,
por një rreze prej tij mund do ta përdorja
siç përdor gërshërët kopështari me hardhinë,
si kube akulli të shtatë vargmalet do ti shkrija
të shtatë detet si kupë çaji do t`i pija.

TRËNDAFIL

I vogli trëndafil
të mëkova me ëndërra
me ujë sysh, me kafshata të mira nga jeta
me përralla e ninulla sa m`u sos fryma
e të përkunda, deri sa dora m`u bë cung.

Si t`u mbush mendja
t`i çelësh petalet
të kundërmosh përmbi humnera
tani që zemra s`më ka guxim?

MALL

Mall i thinjur
monedhë e gëlltitur padashje.
mbështjellë me pergamenën e mijëvjeçarëve ,

As syri i Zotit, s'ta përcakton vendndodhjen;
më kot ka mote 
shkëlqen në diell një bisturi.

Gjallon mes të gjallëve
e s'u bëre kurrë njeri.

DITË MOJ

Amebë, pa shije, aromë e trajtë
shtrin trupin nga agu në muzg.

Kur e kur më mbështillesh kurmit
këmishë najloni, 
kur e kur në pëllëmbë të dorës,
më bën pirueta - balerinë virtuoze,
në çast ma shkel syrin
nga cepi i mantelit te zi
i zonjës misterioze.

Ditë moj, 
ta kam bërë benë
me pak kripë, piper e rigon
mbledhur në një lëpjetë të gjelbër,
përpara se të më hash
do të të ha.
………..

Iliriana Sulkuqi- nëpër vargjet dhe jetën e poeteve të Elbasanit , gjatë përgatitjes së Antologjisë me zërin e tyre poetik .
Brooklyn, NY,1Qershor, 2018

Comments (1 posted):

Lida Lazaj on 02/06/2018 12:23:22
avatar
Mirenjohje prof.Fatmir Terziu, per publikimin e miniprofilit tim letrar, pergatitur me shume profesionalizem dhe dashuri prej mikes sone te perbashket Iliriana!
Falemnderit Iliriana, qe me je perkushtuar keto kohe mua dhe kolegeve tona, duke realizuar ate projekt dhurate per secilen nga ne, si dhe per lexuesit elbasanas dhe te gjithe shqipfolesit.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1