Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANTOLOGJI | - BUKUROSHJA E (pa)FJETUR…

- BUKUROSHJA E (pa)FJETUR…

Font size: Decrease font Enlarge font
image KLEJDA PLANGARICA

KLEJDA PLANGARICA - BUKUROSHJA E (pa)FJETUR…

(bijë e qytetit tonë të bekuar –Elbasan, poetja me zërin e kohës prej vargut të shpirtit të saj).

 -fragment-

Ajo nuk ka “fjetur, madje as e përgjumur nuk është në hapat e saj të sigurt drejt rritjes së saj inteletuale.  Jemi ne që kemi fjetur , apo i kemi pasur sytë mbyllur edhe zgjuar, për të thënë dy fjalë të duhura për Klejdën tonë. Sikur vetëm atë kemi harruar… Gjithmonë harrojmë dikë që nuk duhet harruar…

 

Dëshpërimisht e lumtur sonte!

I huaj ky shtrat,

ku ngjizet dëshira-dhimbje,

e ku prushitet mbarim-fillimi i dashurisë.

I pari shtrat për ne.

Pafundësisht i fundit...

E vetmja fushë-betejë e paqes,

ku duhemi duke u vrarë,

ku vritemi për t’u dashur...

Dëshpërimisht, e lumtur sonte!

Fshehur në terr, më mungon

hëna e vështrimit tënd.

I pari shtrat për ne,

I përgjithmonshmi...

Ti po më çmend!

(Dëshira –dhimbje)

 

Klejda, lidhur ngushtë me qytetin e saj të lindjes, e të rinisë së saj Elbasan, pasionin për artin dhe letërsinë e reflektoi që në fëmijëri, duke studiuar për disa vjet për violinë në Shkollën Artistike "Onufri", ndërkohë që përfundoi studimet universitare në degën Gjuhë-Letërsi pranë Universitetit "Aleksandër Xhuvani". 

Prej moshës 17 – vjeçare Bukuroshja jonë e mençur  shfaqej  po aq bukurisht  në ekranin e televizionit, jo thjesht për t’u parë nga teleshikuesit, por edhe si gazetare profesioniste dhe drejtuese e programeve të ndryshme televizive,për  vite me rradhë, fillimisht në Elbasan dhe më pas në Tiranë ku edhe jeton aktualisht. 

 

Poezia në jetën e KLEJDËS

 

Klejda ka filluar të shkruajë poezitë e para që në moshën 7 vjeçare, një pjesë prej të cilave janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme ndër vite. Në vitin 2012 vendosi të publikojë vëllimin e saj të parë me poezi të titulluar "Dritëzim ikjesh". Poezia me siguri , i ka zbukuruar jo vetëm pamjen por edhe shpirtin. E “fshehur” pas “kuintave” ,  me një modesti , virtyt i rrallë në ditët e sotme, ajo e zbukuroi më shumë karrierën e saj, ndërsa poezinë e bëri vello transparente, për ta lexuar sot e përgjithmonë  të gjithë ne që nuk ia kishim lexuar më parë.

 

* * *

Ajo që më ngacmon tek ti:

-Je ti

Pa koracën tënde.

Tunikën e fshehtë që të mbështjell

kur unë fundosem në limitin e ikjeve.

-Je ti

Pa tufanin e çmendur të zërave,

Piskamën e tyre të frikshme

kur më përplaset kaçurrelave.

-Je ti

Me hënën në krah në papafingon time,

Ku natës kyç gojët e zërave

dhe zhvesh paqësisht tunikën.

 

Ajo që më ngacmon tek ti:

-Je ti

Në një shtrat bosh..!

 

Klejda Plangarica, Bukuroshja e (pa) Fjetur, pas shkëputjes nga televizioni, vijon pasionin e saj për letërsinë nëpërmjet shkrimeve të ndryshme në revista dhe punës si redaktore letrare e pavarur. Në jetëshkrimin e saj, përveç gazetarisë, zënë një vend të veçantë edhe profesionet: Specialiste për Marrëdhëniet me Median e Publikun dhe Specialiste e Barazisë Gjinore dhe Diversitetit, fusha në të cilat është angazhuar gjatë viteve të fundit …

  …por poezia, ah, poezia nuk e le të vetme , në asnjë profesion, se poezia, është si  Dashuria për jetën…, të shoqëron me frymë deri në fund të frymës…

 

Refuzoj të marr frymë pa dashuruar!

Verbërisë i jepem peng 

Po qe se s’kam sy të puth...

 

I falem pa kushte heshtjes

Po qe se ndalen hapat e tij pas dere

Po qe se pritja mbetet pa emër

Kjo botë le të jetë e shurdhër...

 

Po qe se nata regëtin pa puthje 

Po qe se prekja s’më drithëron në ëndërr,

as në shtrat,

I falem tokës, i falem territ.

Po qe se jam një trup pa përqafim

Refuzoj të jem gjallë...

                  ( Po qe se...)

 

Iliriana Sulkuqi (gjatë përgatitjes së antologjisë me zërat femërore të qytetit tim –Elbasan)

Brooklyn, 29 maj, 2018

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1